Martin Kochovski rikthehet edhe njëherë në TKK, jetëson “Pasioni” e Sabri Hamitit

Gili Hoxhaj

Viti 2016-të, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, solli para publikut prishtinas shfaqjen me tekst të Teki Dervishit e regji të Martin Kochovskit “Eshtrat që vijnë vonë”. Kjo shfaqje ka korrur mjaft suksese, udhëtoi në disa festivale ndërkombëtare dhe fitoi disa çmime. E pas dy vitesh, Martin Kochovski, regjisori maqedonas që bëri goxha shumë bujë me shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë”, kthehet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për të inskenuar tashmë tekstin e Sabri Hamitit “Pasioni”.

Në sallën e leximit të TKK-së, veç është përzgjedhur kasta që do ta jetësoj këtë vepër dhe ka nisë leximi i tekstit të Sabri Hamitit. Për këtë gjë, KultPlus, ishte në një ditë të provave në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për të biseduar nga afër me regjisorin Martin Kochovski, për shfaqjen e re që pritet të ngjitet në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në fillim të muajit mars.

Koncepti i shfaqjes “Pasioni” është të pyeturit e vetes lidhur me kuptimin e luftës dhe sakrificat që bëhen për qëllime e ideale më të mëdha. Shfaqja vë në pikëpyetje se sa ia vlen të bëhen sakrifica të tillë. Do të jetë një shfaqje dinamike, e cila ka një lojë intensive, loja e aktorëve ecën me hapa të shpejt duke mos i lënë vend monotonisë.

Krejt si fillim të këtij rrëfimi regjisori maqedonas Martin Koschovski thotë se ndihet i mahnitur nga përkushtimi dhe profesionalizmi i aktorëve të teatrit në përgjithësi.

“Komunikimi me aktorët është më të vërtetë i shkëlqyer dhe unë shpeshherë e them se janë dy ansamble, unë kam punuar në disa shfaqje në disa vende të Ballkanit, e në disa vende të tjera të Evropës dhe mund t’i shoh vetëm dy ansamble të aktorëve, një në Maqedoni dhe një në Kosovë. Unë jam i kënaqur me punën e të gjithëve këtu dhe secili në këtë teatër është një aktor i mirë”, tregoi fillimisht për KultPlus, regjisori Kochovski i cili vazhdoi tutje të tregoi, se ideja e shfaqjes ka ardhur në mënyrë shumë spontane ndërsa, pasi që, ai kishte lexuar tekstin nuk kishte hezituar të vijë sërish në Kosovës për ta punuar një shfaqje të radhës.

“Kur e lexova tekstin më është dukur e ngjashme me pjesët e mija. Sabri Hamiti është si të thuash Gabriel Garcia Marquezi shqiptar, kjo vepër është shumë bukur e shkruar. Në anën tjetër jam i mahnitur nga ansambli i këtij teatri dhe nga profesionalizmi i këtij teatri dhe kjo është arsyeja që unë menjëherë e pranova rolin e regjisorit në këtë shfaqje”, është shprehur regjisori Kochovski.

“Pasioni”, do të jetësohet nga aktorët: Arta Selimi, Ard Islami, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Ismet Azemi, Lumnije Sopi- Mucaj, Gresa Pallaska, Shpëtim Kastrati e Shengyl Ismaili.

Sa i përket pritshmërisë së regjisorit për këtë shfaqje, se a do të jetë e suksesshme ashtu siç ishte edhe “Eshtrat që vijnë vonë”, Martin Kochovski, tha për KultPlus, se “Pasioni” do ta tejkalojë atë.

“Kjo shfaqje do të jetë një nivel më të lartë se shfaqja e kaluar, e kam këtë ndjenjë dhe ambiciet e gjithë ekipit janë të tilla”, pohoi Kochovskit.

Ai krejt në fund tregoi se bashkëpunimi me skenografen Juliana Voykova, me kompozitorin Oliver Josifovski dhe aktorët do të sjellin një shfaqje që do ta kënaq publikun.

“Pasioni”, është projekt i trashëguar i vitit 2017-të dhe që inskenohet në TKK në këtë vit. Shfaqja, pritet të dalë me premierë në fillim të muajit mars, ndërsa pas saj, pritet të nisin projektet e miratuara për vitin 2018-të./ KultPlus.com