Më 6 shtator 1878, në Gjakovë u vra Maxharr Pasha, mareshalli osman me prejardhje gjermane (Karl Detroit nga Magdeburgu).
Jusuf Buxhovi
Vrasja e Maxharr Pashës në Gjakovë paraqet konfrontimin e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me Perandorië Osmane në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimet në përputhje me vendimet e Kongresit të Berlinit, sipas të cilave, Plava dhe Gucia duhej t’i jepeshin Malit të Zi.
Maxharr Pasha, anëtarë i delegacionit të Perandorisë Osmane në Kongresin e Berlinit (bashkë me Karatheodej Pashën), erdhi në Kosovë për t’i bindë anëtarët e Kryesisë së Lidhjes për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, pra për dhënien pa luftë Malit të Zi Plavën dhe të Gucinë. Në Prizren, ku qendroi fillimisht, u kundërshtua. Nga andej vazhdoi për në Gjakovë, i bindur se atje do të gjejë mbështetës. Edhe dega e Lidhjes në Gjakovë ia tha ato që iu thanë edhe në Prizren dhe kërkoi që pashai të largohej. Meqë këtë nuk e bëri, por kërkoi forca shtesë për të depërtuar në Plavë e Guci, që ato t’u jipen malaziasve nën trysninë e armëve, forcat e Lidhjes e rrethuan në kullën e Abdullah Pash Drenit – përndryshe njëri ndër liderët e Lidhjes, ku kishte kërkuar strehim në formën e besës. Pas një lufte me forcat e Lidhjes, kryesisht malësorë të Krasniqes të ndihmuar edhe nga vullnetarë nga Plava e Gucia, vritet Maxharr Pasha bashkë me Abdullah Pashë Drenin dhe përcjellësit e tij.
Me këtë vrasje, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si organizatë politike, dëshmoi gatishnmërinë ushtarake për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copotimi. Kjo formë e rezistencës do të vazhdojë për tri vjet rrjesht me luftën në Plavë dhe Guci në vitin 1879, në Hot dhe Grudë dhe, përfundimisht në mbrojtje të Ulqinit në vitin 1880, ku krahas forcave osmane, luftëtarët shqiptarë, u ballafaqua me presionin e gjashtë fuqive europiane për ta dorëzuar Ulqinin Malit të Zi.
Ky konfrontim ushtarak i dha fizionomi konceptit politik të Lidhjes Shqiptate nga ai për mbrojtjen e etnisë, siç ishte në fillim dhe puçej edhe me interesat osmane, te ai për autonomi politike dhe administrative, që me formimin e Qeverisë së Përkohshme të Lidhjes Shqiptare në fillim të vitit 1881, ndonëse jetëshkurtër, do t’ia hapë rrugën shtetndërtimit shqiptar si proces i pandalshëm historik, ku Kosova kishte rol kyq si qendër e të gjitha lëvizjeve kulturore dhe politike nga mesjeta e këndej.
(Shkëputje nga libri “Kongresi i Berlinit dhe dhe Lidhja Shqiptare 1878”, botoi “Faik Konica” dhe “Jalifat Publishing”, Prishtinë 2021)