Kthimi në rrënjë – Trauma dhe Identiteti në “Sirin”

Uranik Emini

Shpesh thuhet se plagët e padukshme të luftës janë më të dhimbshme se ato të dukshme. Filmi me regji të Senad Shahmanoviq “Sirin”  duke u zhvilluar në një botë të prekur nga lufta, ku hija e së shkuarës duket ende prezentë mbi të tashmen, “Sirin” eksploron plagët e pashëruara të shpirtit njerëzor, shkruan KultPlus.

Kjo histori prekëse ndjek jetën e Nathaly Collins (Danica Qurçiq), e cila i mbijetoi viteve të trazuara 1990 në ish-Jugosllavi, duke emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një jetesë më të mirë, duke përjetuar në realitet gjithë ato vite të luftës nën shtypje nga regjimi ndër vite. Një çështje e pazakontë ligjore në lidhje me trashëgiminë e një gruaje të moshuar të pasur që nuk kishte familje do ta kthejë atë në vendin e saj të origjinës, Malin e Zi.

Në këtë film luan edhe Valery Fisher (Maylinda Kasumovic), aktorja nga Kosova, duke dëshmuar edhe një herë tjetër talentin e fuqishëm që e ka kinematografia shqiptare.

Si një gazetare që kërkon asgjë tjetër përpos përmbushjen e premtimit që gruaja e moshuar e kishte lënë, Fisher, nuk i intereson në qoftë se dikush e kundërshton atë apo jo. Në anën tjetër, Collins, që ka ndryshuar edhe mbiemrin për të harruar rrënjët e saj që i kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje ndër vite, nuk mund të vijë në tokën e saj pa takuar motrën, të cilën e kishte harruar.

E gjithë historia ndjektë nga Collins që kërkon të eksplorojë sa më shumë vendin dhe të “rijetojë” edhe një herë tjetër kujtimet e hidhura, duke parë trauma në shumë vende, nga treni në fillim të filmit, e deri te takimi me motrën e saj.

Nëpërmjet “Sirin”, ne shohim si të pashmangshme lidhjen me origjinën tonë dhe ndërveprimin kompleks të kujtesës dhe identitetit. Në këtë histori na kujtohet se disa plagë nuk mund të harrohen kurrë, sado vite që të kenë kaluar. Është një eksplorim prekës i traumës së qëndrueshme që jeton në skutat e mendjes njerëzore.

“Sirin” është një përvojë bindëse kinematografike që na sfidon të reflektojmë mbi qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor dhe ndikimin e thellë të luftës në kujtesën kolektive të një kombi.

Senad Shahmanoviç, regjisori, pohoi se zhvillimi i historisë ishte frymëzuar si nga përvoja e tij ashtu edhe nga bashkëskenaristja Claudia Bottino. Ai gjithashtu ka përfshirë edhe titullin “Sirin”, që njihet në mitologji si një krijesë, si zog me kokën e një zonje elegante.

“Ata nuk i përkasin as kombit nga kanë ardhur fillimisht dhe as këtij. Ne përdorim gjithashtu incidente aktuale që përfshijnë individë të cilët janë të motivuar të zhvendosen dhe përpiqen të fshijnë gjithçka nga e kaluara e tyre, gjë që është e vështirë pasi ata kthehen gjithmonë dhe duhet të përballen me veten”, thotë regjisori.

Ai gjithashtu tregon edhe rikthimin e aktores kryesore në Malin e Zi, si një traumë personale që shfaqet kudo që ajo shkon.

“Por, i bie të kthehet në Mal të Zi dhe të përballet me to. Është një dramë personale se çfarë u ndodh njerëzve të cilët vuajnë dhe ndërrojnë vendbanimin për të pasur jetë tjetër”, ka thënë ai.

Mes tjerash, filmi “Sirin” do të jetë kandidati i Malit të Zi për çmimin në ceremoninë botërore të filmit “Oscars”. Shahmanoviç shpreson se shteti i Malit të Zi, ta mbështet këtë film dhe ta promovojë sa më shumë.

Bashkëproducenti nga Kosova në këtë film, Fatmir Spahiu nga Buka Production, thotë se filma të tillë kuptohen shumë dhe ndjehen në rrënjë në pjesën e vendeve ballkanike.

“Është një storie universale e rajonit. Ky film te unë si skenar ka ardhur shumë herët, ende pa siguruar fondet dhe kam besuar shumë në këtë storie. Pas meje kanë hyrë edhe shtetet e tjera në kooproduksion, siç është Shqipëria e të tjerat”, thotë Spahiu.

Ai gjithashtu thotë se ky film do të jetë një “film-ikonë” për Malin e Zi për një kohë të gjatë.

“Besoj që do të jetë film-ikonë për Malin e Zi për një kohë të gjatë. Kurse sa i përket bashkëprodhimit minor, mendoj se ne duhet të jemi prezentë me krejt fuqitë që kemi dhe besoj që duhet të jemi më shumë prezentë me aktorë pasi e konsideroj që kemi një potencial të fuqishëm në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës,Filmski Centar Crne Gore, Havc, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, dhe nga Fondacioni Kinematografik Sarajevo Eurimages./KultPlus.com

Ndërkaq, PriFest po vazhdon që të shfaq filma nga vende të ndryshme të botës dhe Kosovës deri më 17 shtator, duke e shndërruar Prishtinën në një qytet të filmit, gjë të cilën e ka bërë dhe po vazhdon ta bëjë tradicionalisht që 15 vite me radhë. /KultPlus.com

Fillojnë xhirimet e filmit “Sirin” të regjisorit Shahmanoviq, në rolin kryesor luan aktorja kosovare Majlinda Kasumoviq

Sot kanë filluar xhirimet e filmit “Sirin” me regji të regjisorit malazez, Senad Shahmanoviq, përcjell KultPlus.

Në njërin nga rolet kryesore në film e luan edhe aktorja e njohur kosovare, Majlinda Kasumoviq.

Ajo do të luaj krahas aktorëve të njohur evropianë siç është: Danica Curičić, pastaj ylli i filmit boshnjak “Quo Vadis Aida”, Jasna Djuričić etj.

Në role tjera do të paraqiten edhe aktorë tjerë, siç janë: Fatmir Spahiu, Simon Shkreli, Bashkim Alaj, etj.

Xhirimet e filmit do të bëhen kryesisht në Ulqin dhe Podgoricë. Ndërsa, premiera e këtij filmi pritet të jetë në fund të këtij viti.

Filmi “Sirin” është bashkëprodhim i Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Kroacisë. / KultPlus.com

Çmim për serialin ‘Welcome to Utmark’, pjesë e së cilit janë edhe dy aktore kosovare

Seriali ‘’Welcome to Utmark’ fitoi çmimin ‘Golden Frog’ në konkursin e serialeve televizive në Camerimage, shkruan KultPlus.

“Ndjehem i përulur dhe i nderuar që jam nominuar me njerëz që i shoh dhe i admiroj, faleminderit shumë festivalit dhe jurisë për këtë çmim të mrekullueshëm” tha Andreas Johannessen, pjesëtar i stafit realizues të filmit.

Ne serialin “Welcome to Utmark” marrin pjesë  dy aktoret shqiptare nga Kosova, May-Linda Kosumovic dhe Rozafa Çelaj.

Seria ‘Welcome to Utmark’  përbëhet nga tetë episoda është shkruar nga skenaristi danez Kim Fupz Aakeson./KultPlus.com

Kasumovic dhe Çelaj në “Ponta Lopud Festival”, marrin pjesë në punëtorinë e regjisorit të famshëm Pawlikowski

Dy aktoret e njohura kosovare Maylinda Kasumovic dhe Rozafa Çelaj, të cilat kanë shënuar suksese në teatër dhe në film, duke tejkaluar edhe suksesin vendor, së fundi kanë marë pjesë në një punëtori shumë të rëndësishme për karrierën e tyre, e që është mbajtë në kuadër të “Ponta Lopud Festival”, në Dubrovnik të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Për pesë ditë, prej 1 deri më 5 korrik, aktoret kosovare  kanë ndarë një përvojë ta mahnitshme me regjisorin e njohur polak Pawl Pawlikowski, regjisor që në karrierën e tij është shpërblyer edhe me çmimin prestigjioz Oscar, por edhe çmime të tjera prestigjioze.

“Ka qenë një Masterclass në të cilin kemi ndarë përvojat tona interaktive” ka thënë Kasumovic për KultPlus, e cila njofton më tej, se kjo punëtori është mbajtur në Dubrovnik të Kroacisë, dhe në mesin e 15 aktorëve që kanë ndarë këtë përvojë, vetëm Kasumovic e Çelaj kanë qenë nga Kosova.

“Vetëm ne dyja ishim nga Kosova, kurse pjesëmarrësit e tjerë ishin nga: Serbia, Sllovenia, Kroacia dhe Bosnja”, ka thënë Kasumovic, e cila ka dhënë detaje më tej, se pos regjisorit të njohur polak, në këtë edicion të këtij festivalin ishin të pranishëm edhe skenaristi dhe regjisori boshnjak Danis Tanovic dhe producenti, skenaristi dhe regjisori meksikan Michel Franco.

“Ne jemi përzgjedhë të jemi pjesë e këtij masterclassi, por që pjesëmarrjen tonë e ka mundësuar Komuna e Prishtinës. /KultPlus.com