Vjollca Duraku
Me mbrëmjen e solistëve është shënuar edhe koncerti i parafundit i festivalit Chopin Piano Fest Prishtina. Risia e mbrëmjes ishte performanca me fizarmonikë e cila dha tinguj të padëgjuar deri më tani në festival, pasi interpretimi me këtë instrument në vendin tonë është mjaft i rrallë, shkruan KultPlus.
Si zakonisht hapjen e koncertit e bëri drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha, e cila u uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe e informoi publikun për pikat të cilat do të interpretoheshin.
Më pas, me tinguj muzikor, hapjen e festivalit e bëri fizarmonicisti Shkumbin Miftari i cili interpretoi veprat Gernika të Gorka Hermosa-s, Tango të Astor Piazzolla-s dhe Dark Eyes- Charles Magnate, i cili publikut në sallë u dhuroi tinguj të lartë duke u pasuar me pauza, tinguj të ulët, e herë ritme konstante shumë të bukura për veshët e dëgjuesve.
Pika pasuese e mbrëmjes u prezantua nga pianistja Njomza Xhaferi me veprat M. Ravel- Gaspard de la nuit: Ondine, F Chopin-Andante Spianato et Grande Polonaise Brilliante op.22. Kjo pikë interpretuese filloi me tinguj të qetë të cilët krijoheshin vetëm me dorën e majtë të pianistes. Tingujt u duk sikur u kompletuan kur në lojë u kyç edhe dora tjetër e pianistes Xhaferi.
Ndërsa të tretët në radhë të performancës ishin flautistja Nina Shala dhe pianistja Lirika Pula Kasapolli me veprat e Alfred Casella- Barcarolla et Scherzo dhe Gaubert: Madrigale dhe Sicilienne. Pianoja në këtë rast kishte rolin më shumë të shoqëruesit. Ishte flauti ai i cili e kishte barrën kryesore që e bënte veprën të kishte peshë. Tingujt e lehtë që dhuronte flauti në prapavijë me disa lule të bukura të skenës, krijonin imazhe mendore të një parku mbretëror.
Pas këtij interpretimi pikën e fundit para publikut e dhuruan Njomza Kastrato dhe Dite Hysaj me Piano Duo të cilat interpretuan pikat e M.Raavel-Ma mére I’Oye dhe A.Piazzola- The Fo të dyja njëkohësisht në një piano. Kjo pikë ishte mjaftë e veçantë pasi në piano interpretonin katër duar me një harmoni të shkëlqyer.
Pas përfundimit të pikës interpretuese të gjithë artistët dolën në skenë dhe e përshëndetën publikun në sallë me përulje, e të cilët gjatë gjithë kohës duartrokisnin.
Pas koncertit pianistja Lirika Pula-Kasapolli për KultPlus ka thënë se për të ishte kënaqësi interpretimi në festival, pasi Chopin Piano Fest është një prej festivaleve më dinjitoze.
“Ishte një kënaqësi shumë e madhe për të luajtur para publikut të Chopin Piano Fest, një prej festivaleve më dinjitoze, i cili është i organizuar në mënyrën më të mirë. Ne ishim me fat që u ftuam për të performuar në këtë mbrëmje”, ka thënë Kasapolli.
Ndërsa pianistja Njomza Kastrati, gjithashtu ka falënderuar drejtoreshën Lejla Pula për ftesën për pjesëmarrje në festival i cili i kishte lënë shumë mbresa.
“Është shumë ndjenjë e mirë. Është hera e parë për mua që kam luajtur në Chopin Piano Fest. E falënderoj profesoreshën Lejla, e cila na ka ftuar dhe me këtë jemi shumë të kënaqura. Është ambient i ngrohtë dhe është shumë interesant.
Ajo më tutje e shpjegoi edhe teknikën e punës me të cilën interpretoi me Piano Duo “Quhet piano me katër duar, dhe ka shumë vepra të shkruara për të. Pjesa e parë ishte nga Raveeli, kurse pjesa e dytë nga Piazzola. Ne me Ditën bëjmë duo që disa vite. Këtë program pothuajse e kemi luajtur edhe me një koncert tjetër. Por, është si teknikë pak e vështirë shkaku i punës dhe angazhimeve tjera në jetën e përditshme. Mirëpo jemi mësuar me njëra tjetrën dhe është impresionuese puna së bashku”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa drejtoresha artistike e Festivalit Chopin Piano Fest, Leja Pula, për KultPlus ka thënë se është shumë e lumtur që kanë arritur ta realizojnë një mbrëmje aq të bukur siç ishte Mbrëmja e Solistëve, në të cilën u paraqitën muzikantë të cilët janë duke e ndërtuar karrierën e tyre.
“Më vjen shumë mirë që arritëm ta realizojmë këtë mbrëmje shumë të bukur. Janë solistët shqiptarë që na sollën vepra të ndryshme, me ngjyra të ndryshme dhe të karaktereve të ndryshme. Ishte një atmosferë e mrekullueshme këtu dhe po më vjen mirë që në skenën tonë të Chopin Piano Fest të paraqiten edhe këta muzikantë të cilët po e ndërtojnë karrierën e tyre si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit”, u shpreh drejtoresha Lejla Pula.
Ajo më tutje bëri të ditur se fizarmonika ishte risia e mbrëmjes, dhe ndihej shumë e lumtur pasi kishin arritur që skenës në Prishtinë t’i sillnin një instrumentist i cili ka arritur suksese të mëdha në skenat ndërkombëtare.
“Fizarmonika është vërtetë një instrument i cili nuk dëgjohet shumë shpesh në skenën tonë. Është një artist i mrekullueshëm i cili ka studiuar në Tiranë dhe i cili ka mbërritur suksese shumë të mëdha në garat ndërkombëtare, dhe jemi shumë të lumtur që si organizatorë kishim rast që ta prezantojmë atë në skenën tonë”, ka shtuar drejtoresha e festivalit.
Ajo më tutje potencoi dëshirën e saj që Prishtinën ta shndërrojë në një qendër muzikore botërore gjatë festivalit Chopin Piano Fest.
“Unë si drejtoreshë artistike kam dëshirë që Prishtina të shndërrohet në një qendër muzikore botërore gjatë muajit të Festivalit të Chopin. Shpresoj që e kemi arritur këtë synim të cilin e kemi pasur”, ka përfunduar Lejla Pula.
Festivali Chopin Piano Fest, koncertin e radhës dhe të fundit të kësaj maratone të muzikës klasike do ta prezantojë më 9 qershor në të cilin do të performoi pianistja Avery Gagliano, e cila në vitin 2020 ishte fituese e çmimit të parë të Konkursit Ndërkombëtar të Pianos në ShBA. /KultPlus.com