Mbrëmje magjike Krishtlindjeje në sheshin ‘Skënderbej’

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka bërë ftesë sot, përmes një postimi në rrjetet sociale, të gjithë qytetarëve të Tiranës që t’i bashkohen festës që nis nesër në sheshin “Skënderbej” me rastin e Krishtlindjes.

Sheshi “Skënderbej” pritet të shndërrohet në një arenë festive të mbushur me muzikë, drita dhe atmosferë magjike.

Në këtë mbrëmje të paharrueshme, kryebashkiaku Erion Veliaj fton të gjithë të jenë pjesë e një feste që do të ndezë zemrat.

“Në mbrëmjen magjike të 24 Dhjetorit, sheshi “Skënderbej” shndërrohet në zemrën e festës! Një koncert i veçantë Krishtlindjeje me këngë festive, drita magjike  dhe plot surpriza. Eja ta festojmë bashkë këtë mbrëmje magjike, ashtu siç i ka hije Tiranës”, shkruan Veliaj.

Pjesë e kësaj magjie janë grupi “Harlem Gospel Choir” dhe artistët e dashur shqiptarë Enxhi Nasufi, Sardi Strugaj, Semi Jaupaj, Tiri Gjoci, që do të sjellin këngë të mrekullueshme dhe atmosferë festive./atsh/ KultPlus.com

Mbrëmje serenatash në Korçë, këngëtari Kondakçi sjell për publikun koncertin recital

Këngëtari i serenatës korçare, Tomi Kondakçi, ka dhuruar një mbrëmje plot emocione për publikun artdashës në sallën e teatrit Andon Zako Çajupi në qytetin e Korçës.

Kësaj radhe ndryshe nga herët e tjera serenatisti i njohur ka ardhur me një koncert recital duke sjellë  këngët e tij më të mira kënduar ndër vite.

Këngëtari i njohur Tomi Kondakci falënderon gjithë bashkëpunëtorët e tij edhe në kushte kur koha për të realizuar recitalin ka qenë e shkurtër.

“Kur ke njerëzit para të dridhen gjunjët, koha e përgatitjes në grup ishte shumë e shkurtër, vetëm dy javë e është punë e madhe. Meritë e madhe e djemve të shkollës së muzikës, janë gjendur gjithnjë mbrapa. Duhej kohë më e madhe të konsolidohej këngët, tani u ndjeva i plotësuar”, tha këngëtari Tomi Kondakçi.


Pjesë e këtij recitali ka qenë dhe këngëtari i njohur Ardian Trebicka, i cili vlerëson këngëtarin korçar, i cili ndryshe nga të tjerët jeton me serenata

“Ishte një natë e një njeriu i cili ka kontrbuar me shpirt në serenata korçare. Tomi është personazh që Korçës i vjen rrallë, jeton e këndon në këtë qytet. Korça e shpreh më së miri për artin e u duk në sallën plot, mora emocione si rrallë herë, u ndjeva i nderuar, është ndër koncertet e jetës”, tha këngëtari Adrian Trebicka.

Tomi Kondakçi është një nga kontribuesit e serenatës korçare, i cili vazhdon të mbajë gjallë traditën dhe kulturën qindra vjeçare të muzikës qytetare. A.K./TemA/ KultPlus.com

TUBA Fest mbledh të rinjtë në kala, tradita shqiptare e muzikës me prekje moderne

Shkodra mirëpret këtë fundjave TUBA fest mes shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive. Nata e parë e aktivitetit tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve sidomos të rinjve, që iu bashkuan tingujve të muzikës.

Në mjediset e Kalasë, aktiviteti ofroi mbrëmje interesante për dhjetëra qytetarë ndërsa solli performancat e trashëgimisë muzikore të qytetit dhe më gjerë.

Të rinjtë patën mundësi të argëtohen në një mbrëmje speciale shtatori, edhe pse sezoni veror ka mbaruar tashmë.

Bashkia Shkodër e mirëpriti kërkesën e organizatorëve dhe ofroi bashkëpunim për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore që pasuron jetën e qytetit dhe e promovon atë, sidomos te të rinjtë.

Ky festival muzikor përgjatë dy ditëve sjell në Kalanë e Shkodrës performancat live të artistëve dhe grupeve shqiptare më me zë.

Në bashkëpunim me organizatën “New Vision” dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e të një sërë sipërmarrjesh private, TUBA Fest frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës dhe kohës mes miqve, por tashmë me një prekje moderne.

TUBA Fest vijon edhe sot në Kalanë Rozafa të Shkodrës./atsh/KultPlus.com