Përkujtohet Mbreti Zog në 63-vjetorin e vdekjes së tij

Më 9 prill të vitit 1961 ka vdekur mbreti i parë i Shqipërisë, Ahmet Zogu, i cili ka lindur më 8 tetor të 1985.

Ai ka lindur në Burrgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani.

Pas 13 viteve, ai u bë shef i krahinës së Matit dhe më pas është dërguar në liceun Francëz dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.

Mbreti Zog që në moshë të re ka marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.

Tutje, vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm si 25-vjecar.

Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki, dhe bëhet Mbret i Shqiptarëve.

Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.

Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.

Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.

Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris. /KultPlus.com

Kurorëzimi i Mbretëreshës Geraldinë me Mbretin Zog

Më 26 janar të vitit 1938, të gjitha gazetat e Budapestit njoftuan se Kontesha Geraldine Apponyi, pritet të fejohet me mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43-vjeç.

Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi lajmin.

Kontesha 22-vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël.

Lajmi botohet pasi Zogu dhe Geraldina e kishin pëlqyer njëri-tjetrin.

Geraldina ishte takuar me mbretin Zog, në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut.

Geraldina shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh, çifti u fejua. E njohur si “Trëndafili i bardhë” i Hungarisë, në prag të martesës, Geraldina u ngrit në statusin mbretëror, si Princesha Geraldinë e Shqipërisë.

Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund, ndau fatin me të shoqin, në ditë të mira e të vështira. Pas vdekjes së mbretit Zog, Geraldina preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë.

Në qershor 2002, ajo kthehet nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, ku edhe vdiq më 22 tetor 2002. /konica/ KultPlus.com

Takimi i ambasadorit francez me Mbretin Zog në Tiranë

Nga Aurenc Bebja

“Documents diplomatiques français” kanë botuar, dokumentin Top Sekret (1932-1939. Seria e parë, 1932-1935. 3, 17 mars – 15 korrik 1933 / Ministria e Jashtme, 29 maj 1933, f.588-591) të takimit të zhvilluar asokohe midis ambasadorit francez Georges Degrand dhe Mbretit Zog në Tiranë dhe dërguar në vijim Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës Joseph Paul-Boncour, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Z. Degrand, Ministër i Francës në Tiranë,

Për Z. Paul-Boncour, Ministër i Punëve të Jashtme.

Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères
Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères

T. Nr. 90 deri 100. Top sekret.

Tiranë, 29 maj 1933.

(Marrë : 6 qershor, ora 11:30)

Gjatë audiencës që më dha mëngjesin e sotëm, Mbreti për herë të parë më priti pa praninë e ministrit të Oborrit, i konsideruar nga të gjithë kolegët e mi si informatori i legatës italiane.

Gjithashtu për herë të parë ai foli për çështjet politike dhe aksionin e Francës në Shqipëri.

Fillimisht ai u interesua për negociatat e konferencës së çarmatimit dhe Paktit Katërpalësh. Unë iu përgjigja se Franca, e preokupuar me ruajtjen e paqes, kishte bërë lëshime të mëdha, por nuk mund të hiqte dorë nga garancitë e sigurisë.

Mbreti më tha se pozicioni ynë ishte i pakundërshtueshëm dhe se shtetet që na refuzuan ndihmën e tyre nuk mund të dyshonin për këtë.

Ai gjithashtu më tha se ishte për të ardhur keq që Franca dhe Gjermania nuk u morën vesh, sepse, shtoi ai, Gjermania nuk ka çfarë të kërkojë në perëndim, ku çështja Alsace-Lorraine është zgjidhur përfundimisht, dhe duhet të kufizohet në avancimin ekonomik dhe intelektual në lindje.

Ai e sheh akoma më pak të kuptueshme mosmarrëveshjen italo-franceze, por shpreson se … (2) e marrëdhënieve të treguara nga Z. de Jouvenel me të ngarkuarin me punë të Shqipërisë në Romë, do të rriten.

Ai më është dukur se fajësonte italianët edhe më shumë se gjermanët, pa dyshim, sepse mendonte për mosmarrëveshjet e tij me Romën.

Pas një digresioni për çështjen e S.V.E.A.-së, Mbreti trajtoi me qartësi çështjen e marrëdhënieve franko-shqiptare dhe aksionin e Francës në Shqipëri :

Franca, më tha ai, e ka gabim të shpërfillë problemin shqiptar. Shqipëria është një vend i vogël, por që mund të thirret për të luajtur një rol të rëndësishëm në lojën e shahut ballkanike.

Franca është e dashur dhe e respektuar mes nesh: shkoni në fshatin më të vogël dhe pyesni fshatarët tanë; të gjithë kanë ruajtur kujtimin e ushtarëve tuaj, të gjithë e dinë se Franca është një komb i madh, trim dhe bujar.

Ju e dini gjithçka që kam bërë vetë për të zhvilluar kulturën franceze, e cila sot ka përparësi ndaj të tjerave në Shqipëri. Do të vazhdoj duke fortifikuar gjimnazin e Korçës. Sapo dhashë urdhrin për të përkthyer për shkollat tona librin e admirueshëm të Presidentit Doumer, ‘Le livre de mes fils’.

Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères
Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères

Por, që prej dhjetë vitesh, përfaqësuesit e Francës, padyshim me udhëzime nga qeveria e tyre, kanë mbajtur distancë ndaj punëve të mia.

Franca praktikon një politikë fshirjeje (pothuajse mungon) në Ballkan. Është një gabim, çështja ballkanike është e rëndësishme.

Pas kësaj parathënieje, të zhvilluar në një notë keqardhjeje pa ashpërsi, mbreti vazhdoi :

Franca është një komb i fuqishëm, sot më i pasuri në botë, është bujare me të vegjlit. Ajo u erdhi në ndihmë jo vetëm miqve të saj, por edhe Austrisë, Hungarisë, Turqisë, armiqve të saj të dikurshëm. Ne kemi nevojë për mbështetje financiare. A do të jemi të vetmit që nuk dëgjohen? Shqipëria është një vend i pavarur si gjithë të tjerët dhe unë do të siguroj që të mbetet i tillë. A nuk do të bëni asgjë për ne?

Unë iu përgjigja mbretit se ndihma e dhënë Austrisë dhe [Hungarisë] ishte dhënë pas ndërhyrjes së Lidhjes së Kombeve dhe me ndihmën e qeverive të tjera, dhe i kërkova t’i adresohej Gjenevës dhe të kërkonte që të dërgohej një hetues këtu, siç kishte bërë Shqipëria në vitin 1922.

Ne nuk kemi vetëm miq në Gjenevë, u përgjigj mbreti, dhe atëherë është një proces shumë i gjatë, situata jonë kërkon zgjidhje të shpejta. Kisha menduar për një ndihmë amerikane, por amerikanët kanë aq vështirësi saqë hoqa dorë.

Ndërsa, në vazhdim, ai aludoi për Antantën e Vogël, unë e devijova bisedën te marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, të cilat janë përmirësuar prej disa kohësh :

Nuk kam asgjë për t’u ankuar ndaj Beogradit, – më tha ai, – sepse ata respektojnë agjitatorët shqiptarë që kanë emigruar atje. Por Jugosllavia, nga ana e saj, nuk ka asgjë për të më qortuar. Unë kurrë nuk i kam hapur asaj ndonjë telash. Njerëzit bëjnë një gabim në Beograd kur kërkojnë një afrim me Sofjen. Asnjë marrëveshje nuk do të jetë e mundur nga kjo anë derisa të ekzistojë Komiteti Maqedonas. Asgjë e ngjashme mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe do të doja një afrim dhe marrëdhënie miqësore me jugosllavët.

Mbreti iu kthye temës që e preokuponte, por unë munda ta devijoj intervistën edhe një herë rreth çështjeve ekonomike dhe shfrytëzova rrethanat për t’u ankuar për inercinë e administratave dhe tregtarëve shqiptarë, si dhe pasaktësitë në statistikat doganore të qeverisë së tij.

Ai më kërkoi t’i çoja ankesat e mia drejtpërdrejt tek ai, sepse, shtoi ai, “unë nuk jam mbret me të drejtë hyjnore, jam shërbëtori i parë i popullit tim”.

Në fund të takimit, ai më përsëriti se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një shtet plotësisht i pavarur dhe më lejoj të largohem duke më thënë se do të më kontaktonte (ftonte) së shpejti.

Është një formulë të cilën ai e përdor me dëshirë dhe e cila deri më tani nuk është ndjekur me shumë efekt.

Deklaratat e mbretit Ahmet Zogu nuk kanë asgjë që duhet të na habisë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères
Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères

Siç e theksova në letrën time nr. 29, ai më kishte sugjeruar tashmë nga një nga të besuarit e tij. Që atëherë, një thashethem, burimin e të cilit nuk kam mundur ta zbuloj, ka bërë të ditur se, Italia duke mos përmbushur angazhimet e saja, qeveria franceze ka vendosur t’i vijë në ndihmë Shqipërisë.

Nga ana tjetër, ndryshe nga sa u kishte pohuar disa kolegëve të tij, ministri italian nuk firmosi çekun prej tre milionë e gjysmë franga ari për të paguar kompanitë e punëve publike; ai duket se dëshiron të përfshihet në një politikë presioni financiar dhe para nisjes së tij për në Romë la të kuptohet se do të këshillonte qeverinë e tij të mbyllte të gjitha çezmat. Se si iu përgjigj Duçe sugjerimeve të tij do ta dimë së shpejti, pasi zoti Koch do të kthehet nesër në Tiranë.

Së fundi, S.V.E.A. thuhet se ka informuar qeverinë shqiptare se është dakord të shtyjë bisedimet për huanë e vitit 1926 për më 30 qershor, por duke kuptuar se propozimet e saj të mëparshme do të shërbenin si bazë për negociatat e reja, domethënë në kushtet ku vetë parimet e të cilave ishin hedhur poshtë prej saj.

Mbreti Ahmet Zogu gjendet në një udhëkryq. Qëndrimi i tij prej disa muajsh sugjeron se ai është gati të rezistojë dhe një nga miqtë e tij më tha sot se, megjithëse e dinte se i kërcënohej pasuria dhe madje edhe jeta e tij, ai vendosi të shkëputej nga Italia dhe të rifitonte lirinë e plotë edhe pse qeveria italiane do të rifillonte pagesat e saj; Ai pushoi oficerët italianë të shtëpisë së tij ushtarake dhe të shkollës profesionale. Pjesën tjetër do ta pushojë gradualisht.

Në politikën e tij të re, Mbreti Ahmet Zogu mbështetet nga i gjithë opinioni publik me përjashtim të katolikëve të Shkodrës, të cilët i ka pakënaqur me ligjin e tij shkollor, por, nga ana tjetër, arkat janë bosh dhe buxheti do të paraqitet vetëm pasnesër në Dhomë : ai përfshin reduktime serioze dhe, nëse është e nevojshme, një draft i dytë do t’i paraqitet Parlamentit, i cili do të sjellë një reduktim masiv të shpenzimeve ushtarake. Tani e tutje, duke filluar nga mbreti, të gjitha pagat do të ulen me një të dymbëdhjetën. Nuk është e thënë që këto masa do të mjaftojnë për të arritur një ekuilibër absolut.

Ministri i Mbretërisë të S.H.S, më tha se, nëse mbreti Ahmet Zogu jepte garanci, veçanërisht duke zvogëluar fuqinë e ushtrisë, Antanta e Vogël ndoshta nuk do të refuzonte t’i vinte në ndihmë për ca kohë për t’i dhënë atij mjetet për funksionuar. Ministri rumun, duke avancuar përpara si gjithmonë, thuhet se i ka kërkuar zotit Titulesco të studiojë kushtet e ndihmës financiare, megjithëse ky i fundit, më tha, se nuk ishte shumë në favor për një ndërhyrje të menjëhershme në çështjet shqiptare. Nuk do të habitesha nëse ministri rumun, i cili u prit nga Mbreti javën e kaluar, të mos e kishte nxitur apo të paktën ta inkurajojë që të na drejtohej.

Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères
Burimi : gallica.bnf.fr / Ministère des Affaires étrangères

Nuk do të mungoj ta mbaj të informuar Shkëlqesinë Tuaj për zhvillimin e kësaj situate dhe veçanërisht për qëndrimin e qeverisë italiane, e cila, për mendimin tim, mbetet faktori përcaktues për një ndërhyrje zyrtare të Antantës së Vogël në Shqipëri. Nëse mund të pranohet se Jugosllavia nuk qëndron joaktive dhe nuk refuzon ndihmën e kufizuar dhe të fshehtë për Mbretin Ahmet Zogu për ta penguar atë të bie sërish nën zgjedhën italiane, unë besoj se Antanta e Vogël, dhe aq më tepër Franca, mund t’i vinin në ndihmë vetëm nëse ai do të arrinte të çlirohej përfundimisht dhe nëse kabineti i Romës do ta pranonte publikisht këtë fakt të kryer.

https://www.darsiani.com/la-gazette/documents-diplomatiques-francais-1933-takimi-i-ambasadorit-francez-me-mbretin-zog-ne-tirane-dokumenti-top-sekret-derguar-ministrit-te-puneve-te-jashtme-te-frances/ / KultPlus.com

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve


Dasma përrallore e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë Appony (FOTO)

Nga dasma e bujshme e Ahmet Zogut në 1938 te ajo e trashëgimtarit të parë në 1975 e deri sot te Princi Leka II.

27 prill 1938

“Më dridheshin këmbët dhe nuk shikoja asgjë. Isha jashtë mase e frikësuar. Dhoma ishte aq e gjatë sa dukej e pafund dhe unë doja vetëm të zhdukesha. Befas, u gjenda ballë për ballë me një fytyrë të hijshme, një burrë i gjatë, pa të meta, i veshur me uniformën e bardhë të kolonelit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishin pikërisht sytë që i vura re të parët…”, mes shumë kujtimesh e intervistash këto kanë qenë mbresat e para të Geraldina De Nagy Appony, bashkëshortes së Ahmet Zogut, përpara se të vinte kurorë.

Geraldina nuk e dinte se, pavarësisht fshehtësisë, lajmi për mbërritjen e saj kishte intriguar tej mase kryeqytetin. Pothuajse i gjithë oborri, njerëzit me ndikim dhe diplomatët e dinin që kishte ardhur me aprovimin e Mbretit dhe ishte kandidatura kryesore për t’u bërë Mbretëreshë e Shqipërisë. Ishte viti 1938, viti i martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë.

NGA BIOGRAFIA E GERALDINËS

“Pjesa më e madhe e plaçkave u soll nga Parisi prej vetë Mbretit, i cili kishte shije të hollë dhe i pëlqente shumë të zgjidhte veshjet për Geraldinën. Ai kishte porositur një rrobaqepës të vinte nga Franca për të marrë masat e Geraldinës, ndërsa dy shtëpitë e modës ”Channel” dhe ”Worth”, të zgjedhura nga Mbreti, bënë një kallëp me përmasat e saj. Geraldina nuk pati mundësi të këshillohej me askënd, pasi Mbreti zgjodhi personalisht tri fustane mëngjesi, gjashtë fustane pasditeje, tri palë kostume, gjashtë fustane balloje dhe rroba sportive.

Nga ”Maison de Blanc në Paris”, ai porositi fustane shumë të bukura për në shtëpi dhe dhjetëra komplete të brendshmesh prej mëndafshi të stolisura me dantella elegante. Secila veshje kishte këpucët, kapelet, dorashkat dhe çantat e veta të kombinuara, bashkë me çorapet e holla prej mëndafshi. Me të vërtetë që ishte një gardërobë që i shkonte për shtat një mbretëreshe”.

Dasma nisi më 23 prill, me një pritje që Mbreti dhe Mbretëresha e ardhshme dhanë për trupin diplomatik dhe për gazetarët e huaj që kishin mbërritur në Tiranë. Shpenzimet e dasmës nuk u mësuan kurrë. Gazeta “Shtypi” e datës 24 prill të 1938 raportoi në faqen e parë: “Banka Kombëtare vuri në dispozicion të Sovranit 10.000 franga ari/me rastin e martesës së tij”.

Por shuma zyrtare ishte shumë më e vogël sesa ajo që derdhën individë dhe kompani private për këtë rast. Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë. Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj.

Regjenti, Horti i Hungarisë pati ofruar një pajton tërhequr nga dy kuaj lipizan, Franca, një servis prej porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit, ndërsa Mbreti Viktor Emanuel një statujë antike prej bronzi. Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e bërë nga Kancelari i Gjermanisë, Hitler, një “Mercedez” sportiv kabriole të kuq.

Sipas “Corriere della Sera”, ekzistonte vetëm një ekzemplar tjetër i këtij modeli, ai i Hitlerit. Geraldina kujton se ajo u zgjua në orën gjashtë, pavarësisht faktit që kishte rënë të flinte shumë vonë. Veshja e dasmës ishte zgjedhur sërish nga Mbreti. Ajo veshi një fustan të qëndisur me perla dhe diamante të bërë nga “Worth” posaçërisht për të. Në orën 11:00 nusja hyri në sallën e nderit të pallatit. Shtypi amerikan i kushtoi reportazhe të gjata dasmës, si dhe atmosferës së saj, si ky i “The New York Sun” i datës 27 prill 1938, i titulluar: “Shqipëria bëhet me Mbretëreshë”.

ZOGU DHE GERALDINA TË SAPOMARTUAR

Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një “Mercedes” të hapur. Mijëra veta kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21- vjeçare. Geraldina kujton se ata u ulën në verandë për një kafe, përpara se Mbreti t’i tregonte dhomën e madhe të pritjes të mobiluar sipas stilit klasik, dhomën e ngrënies sipas stilit perandorak të Napoleonit dhe dhomën e gjumit në stilin e Maria Terezës.

Pallati veror sapo ishte restauruar me rastin e martesës dhe Mbreti Zog mburrej për tavanin e gdhendur, larë në ar. Në të qenë shtruar sixhade të shtrenjta, pjesë e koleksionit të rrallë të Mbretit. Sixhadet qenë bashkë me armët një prej pasioneve të tij.

“Nusja zgjodhi një këmishë nate mëndafshi të bardhë me mëngë të gjata me dantella si kambanë dhe priste e tmerruar Mbretin në shtratin me tendë”, dëshmon biografja e Geraldinës. Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në prill 1961. Geraldina vdiq në Tiranë në tetor 2002. Në fund të jetës i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën. Në vitin 2014, revista “The Richest” e shpalli atë mbretëreshën e pestë më të bukur në historinë e martesave mbretërore.

Nga Anne Matheson, Madrid / KultPlus.com

Kur motrat e mbretit Zog bënin fushatë për heqjen e ferexhesë

Gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Konomi, kishte publikuar në “Facebook” një foto të të rrallë të tri motrave të Mbretit Zog, që shkojnë në Shkodër pak ditë pasi u shpall ligji për heqjen e ferexhesë.

Ato paraqiten të veshura me stil perëndimor në qytetin veriperëndimor. Ja çfarë shkruan gazetari për foton e rrallë.

STATUSI

Në fillim të vitit 1937, tri motrat e Mbretit Zog, Myzejen, Ruhije dhe Maxhide bënë një vizitë të papritur në Shkodër, në prag të shpalljes së ligjit për heqjen e ferexheve.

Ligji i Zogut, që u miratua në parlament në mars 1937, dënonte çdo grua që mbulonte fytyrën. Dënoheshin edhe ata që i inkurajonin gratë të mbuloheshin. Gjobat shkonin deri në 500 franga ari.

Që prej dhjetë vjetësh, qeveria u kishte kërkuar grave të hiqnin ferexhetë, por pa sukses, prandaj vendosi të veprojë me ligj.

Tri princeshat, të veshura me funde të ngushta, me peliçe dhe me kapele, shoqëroheshin nga një eskortë ushtarake dhe ndiqeshin në çdo hap nga fotografët. Vizita, që zgjati një javë, paralizoi pothuajse çdo aktivitet në Shkodër.

Motrat shkuan në mënyrë demonstrative dhe të bujshme nëpër shkolla, spitale e tregje, vizituan kisha e xhami dhe morën pjesë në dreka e darka. Në takimet e shpeshta që patën me gratë, princeshat u përpoqën t’i bindin se zbatimi i ligjit të ri nuk do t’ua dëmtonte prestigjin femëror.

Kjo është një foto tipike e fiksuar në njërën prej atyre ditëve dhe e publikuar në gazetën e ilustruar britanike “The Spear”. Gazeta e boton fotografinë nën titullin “Një shembull për popullin”.

“Gratë me ferexhe, – shkruan autori i fotografisë, – ecnin me shpejtësi nëpër rrugët e Tiranës dhe Shkodrës. Gra të mbuluara shihje madje edhe në trotuaret e Durrësit. Megjithatë, në fshat gratë shqiptare e tregonin fytyrën me krenari. Asnjë grua fshatare në Shqipëri, myslimane, katolike apo ortodokse, nuk kishte mbajtur ndonjëherë ferexhe./ KultPlus.com

“Një plebishit duhet të vendosë për fatin e Shqipërisë…”, deklarata e Mbretit Zog në Kajro

Nga Aurenc Bebja, Francë – 8 Gusht 2022

“France-soir” ka botuar, të enjten e 1 shtatorit 1949, në faqen n°5, deklaratën e mbretit Zog në Kajro në lidhje asokohe me të ardhmen e Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një plebishit duhet të vendosë për fatin e Shqipërisë…” thotë ish-Mbreti Zog

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kajro, 31 gusht (A.F.P.). — Në deklaratën për shtyp të publikuar sot në Kajro nga “Legata Mbretërore e Shqipërisë”, ish-Mbreti Zog deklaron në veçanti :

Pas kaq shumë sakrificash të përgjakshme dhe përpjekjesh të mjerueshme vëllavrasëse që na janë imponuar në dhjetë vitet e fundit të historisë sonë, detyra e çdo shqiptari është t’i shërbejë me besnikëri çështjes së atdheut dhe të ketë besim në të ardhmen e tij.

Ditën kur kjo do të jetë e mundur, mbreti do të kërkojë që të organizohet në atdhe një plebishit legal dhe i paanshëm nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara dhe qeveria kombëtare që do të formohet më pas do të arrijë vëllazërimin dhe garantimin e lirisë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/france-soir-1949-nje-plebishit-duhet-te-vendose-per-fatin-e-shqiperise-deklarata-e-mbretit-zog-ne-kajro/ / KultPlus.com

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve


Politika e ndërtimit të rrugëve në kohën e mbretit Zog

Nga Aurenc Bebja, Francë – 23 Korrik 2022

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të martën e 2 korrikut 1935, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me politikën e ndërtimit të rrugëve në kohën e Mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Politika e rrugëve në Shqipëri.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zyra e shtypit shqiptar na komunikon shkresën në vijim :

E dimë që mungesa e rrugëve ka qenë prej kohësh një pengesë për zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare që kalon nga Shqipëria.

Që tani e tutje, qeveria shqiptare, e frymëzuar nga dëshira e mbretit Zog I, ka vendosur t’i japë një zhvillim të konsiderueshëm ndërtimit të rrugëve të reja që depërtojnë në zemër të vendit përmes peizazheve piktoreske. Është e panevojshme të thuhet se këto rrugë komunikimi kanë interes strategjik të rendit të parë.

Kështu rruga e re kryesore do të çojë në qytetin (komunën) e Pulajt, i cili ndodhet mbi lumin e Bunës, në Shkodër. Jo vetëm që kjo rrugë do t’i lejojë vizitorët të admirojnë vendet e bukura të atdheut, por ideja e sovranit është t’u japë më shumë avantazhe fshatarëve për të shitur mallrat e tyre në Shkodër.

https://www.darsiani.com/la-gazette/journal-des-debats-politiques-et-litteraires-1935-politika-e-ndertimit-te-rrugeve-ne-kohen-e-mbretit-zog/ / KultPlus.com

Ahmet Zogu – Mbreti i shqiptarëve


93 vite më parë u miratua Kodit Civil

Më 1 prill të vitit 1929, u miratua njëri prej akteve juridike më të rëndësishme të shtetit shqiptar, Kodi Civil.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thekson se Kodi përbënte risi për terrenin normativ dhe shoqëror të Shqipërisë së viteve ‘30.

Vetiu, legjislacioni shqiptar pati shëmbëlltyrën e të drejtave të huaja e veçanërisht të së drejtës franceze, italiane dhe deri diku të asaj gjermane e zvicerane.

Thënë këtë, përgjatë përpilimit, u huazuan dispozitat për barazinë e të gjithë qytetarëve, për emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe për lirinë e angazhimit në aktivitete ekonomike.

Hyrja në fuqi e këtij Kodi Civil e grupoi të drejtën civile shqiptare në llojin romano-gjermanik, duke e mëvetësuar nga e drejta otomane. Me ndryshimin e regjimit qeverisës në vend, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ky legjislacion asokohe bashkëkohor, u shfuqizua.

Në dokument, paraqitet një telegram falenderimi që Ministria e Drejtësisë ia drejton Mbretit Zog, për vënien në zbatim të Kodit Civil. / KultPlus.com

Kur Mbreti Zog pinte 240 cigare në ditë

Nga Aurenc Bebja, Francë – 9 Mars 2022

“Mid–West Free Press” ka botuar, të premten e 16 janarit 1931, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me sasinë e duhanit që konsumonte mbreti Zog gjatë një dite, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Mbreti Zog – i Shqipërisë – pinte 240 cigare në ditë!

Burimi : Mid–West Free Press, e premte, 16 janar 1931, f.4
Burimi : Mid–West Free Press, e premte, 16 janar 1931, f.4

Mbreti Zog pinte 20 cigare në orë gjatë dymbëdhjetë orëve të punës çdo ditë të javës. Megjithatë, nikotina që vinte nga 240 cigare në ditë tregoi shpejt shëndetin e tij dhe shkaktoi një humbje të konsiderueshme në peshë.

Me këshillën e mjekëve të tij, Mbreti Zog e reduktoi zakonin e tij të pirjes së duhanit dhe tani tymos 50 copë në ditë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/mid-west-free-press-1931-mbreti-zog-pinte-240-cigare-ne-dite-ndersa-tani/ / KultPlus.com

Burimi : Mid–West Free Press, e premte, 16 janar 1931, f.4


1931, telegramet e shkëmbyera midis Kemal Ataturkut dhe Mbretit Zog për konferencën e dytë ballkanike në Stamboll

Nga Aurenc Bebja, Francë

“Stamboul” ka botuar, të premten e 30 tetorit 1931, në ballinë, telegramet e shkëmbyera midis Mustafa Kemal Ataturkut dhe Mbretit Zog me rastin e Konferencës së 2-të Ballkanike në Stamboll, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Turqia dhe Shqipëria

Ja teksti i telegramit që Gazi sapo i ka dërguar Mbretit të Shqipërisë, Zogut I :

“Ndjeva një kënaqësi të vërtetë kur prita në Ankara delegatët shqiptarë në Konferencën Ballkanike.

U preka thellë nga shprehjet e simpatisë së delegatëve ndaj meje dhe kombit turk.”

Nënshkruar : Mustafa Kemal

“Në formimin e urimeve për shëndetin e Madhërisë suaj, si dhe për prosperitetin e popullit shqiptar, besoj se jam njëkohësisht interpretuesi i ndjenjave të mia dhe të gjithë kombit turk.”

Mbreti Zog u përgjigj në këto terma :

“U preka thellësisht nga urimet e mira që Shkëlqesia Juaj shprehu me dashamirësi për mua si dhe për kombin shqiptar me rastin e takimit të Konferencës së 2-të Ballkanike në Stamboll.

Gjithashtu shpreh urimet për shëndetin e Shkëlqesisë suaj si dhe për prosperitetin e kombit turk.”

Nënshkruar : Zogu

https://www.darsiani.com/la-gazette/1931-telegramet-e-shkembyera-midis-mustafa-kemal-ataturkut-dhe-mbretit-zog-me-rastin-e-konferences-se-2-te-ballkanike-ne-stamboll/

Intervista ekskluzive me mbretin Zog: Nostalgjia për Shqipërinë, djali Leka, komunizmi dhe rreziku rus

Nga Aurenc Bebja, Francë – 18 Shkurt 2022

“Le Figaro” ka botuar, të premten e 21 korrikut 1950, në faqen n°5, intervistën ekskluzive të korrespondentes së saj Dominique Auclères me mbretin Zog dhe mbretëreshën Geraldinë në Aleksandri (Egjipt), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Një familje e lumtur

Mbreti Zog dhe gruaja e tij, Mbretëresha Geraldinë – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Mbreti Zog dhe gruaja e tij, Mbretëresha Geraldinë – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Këtë herë, është pothuajse një pallat në të cilin hyj. Parku është i sheshuar, lulet me nuanca të ndritshme orientale formojnë grumbuj aromatike në një lëndinë të pastër të stilit anglez; dy kolona mbajnë një ballkon monumental, shtëpia e një harmonie të përsosur pret muret e saj ngjyrë kremi në horizont.

Shefi i Oborrit mbretëror (le grand chambellan) është atje për të më pritur, ne jemi “miq të vjetër” që prej takimit më parë, dy shërbëtorë sudanezë të veshur me xhelaba (një lloj kaftani mëndafshi i lehtë) hapin derën e një sallon të mobiluar me kolltuqe të mëdha Luigji XV. Mbreti dhe mbretëresha vijnë të më takojnë, të dashur dhe të buzëqeshur.

E shikoj Geraldinën : sytë e saj blu të qeshur, nën qerpikët e zinj, dhëmbët e saj verbues, buzëqeshja e saj që formon gropëza në faqet e saj, silueta e saj e gjatë elegante, duart e saj të vrazhda, këmbët e saj të holla; Unë dua t’i them asaj: “Ju shkëlqeni”, por me të vërtetë ai kompliment do të ishte shumë i pakëndshëm.

 Zonjë, kam shkuar në Hungari, i thashë, në vendin tuaj të lindjes.

I shkëlqejnë sytë, më bën të ulem dhe si nxënëse më nxit të flas. Por çfarë t’i them asaj për Budapestin, ku tani mbretëron terrori, çfarë lajmi t’i jap për familjet fisnike aleate me të sajën, që duhej të iknin nga regjimi i ri, apo që u bënë viktima të tij ?

— Zonjë, a keni ende të afërm në Budapest ?

 Jo, fatmirësisht, përgjigjet ajo. Motra ime u martua me një amerikan, vëllai im më i vogël – fytyra e saj u mbush me trishtim – vdiq nga një sëmundje e marrë në front (luftë).

Ajo bën një pauzë dhe rifillon me njëfarë krenarie :

— Ai luftoi me njerëzit tuaj në frontin e Francës.

— A e dini, zonjë, se Zonjat e Zemrës së Shenjtë të Vjenës u tmerruan kur mësuan se po martoheshit me një mysliman ?

Ajo nis të qeshë.

— Jo, thotë ajo dhe shton me një psherëtimë të lehtë : Unë nuk jam kthyer kurrë në Austri që kur u largova nga manastiri.

Mbreti ndërhyn në bisedë.

— Çështja fetare në Shqipëri nuk përbën asnjë problem. Femrat myslimane u liruan atje si të tjerat nga unë në vitin 1920, kur isha ministër i Brendshëm.

— Kemi pasur, tha Geraldina, jetën më të mirë të të gjitha kohërave, e dua Shqipërinë. Nëse do të mund të kthehesha atje, nuk do të kërkoja më kurrë të largohesha.

— Mos e dëgjoni atë, më rekomandon Mbreti, sa më shpejt që ajo të jetë atje, do të dëshirojë sërish të shohë Parisin.

 Për fustanet e tij ? i them.

— Jo, për Parisin, përgjigjet Mbretëresha.

Çfarë ndryshimi mes intervistës së djeshme dhe asaj që vazhdon në këtë kala të vogël ku gjithçka është rehati, elegancë dhe optimizëm.

Komunizmi nuk ka rrënjë në Shqipëri

Pavarësisht gjithçkaje, Mbreti është i shqetësuar. Ndjej se ai dëshiron të më bëjë të kuptoj se sa e ndjeshme është për të kjo vizitë franceze në pallatin e tij të vogël në mërgim.

 Franca, më tha ai, ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me Shqipërinë gjatë historisë. Për pjesën tjetër, qendrat katolike në veri të Shqipërisë, mirditorët, ishin disi nën mbrojtjen e Francës. Kishte një korrespondencë të gjatë rreth tyre midis Quai d’Orsay (Ministrisë së Jashtme franceze) dhe Portës së Lartë.

— Si akomodohet, i thashë, populli juaj i pavarur dhe krenar nën regjimin komunist ?

 Ai nuk akomodohet, përgjigjet Mbreti Zog, me sytë e tij blu që shkëlqejnë nga zemërimi. Komunistët ? Do të kishim ndërhyrë shumë orë (kohë) më parë nëse ora (koha) do të dukej e përshtatshme.

 Dhe kjo orë e mbarë, kur do të vijë ?

— Mendoni, thotë Mbretëresha, duke i evituar të shoqit të përgjigjet, që mijëra vajza të reja, të shqyera nga duart e prindërve tyre, janë trajnuar ushtarakisht për t’u bërë partizane. Para disa kohësh ata u demobilizuan dhe u dërguan në shtëpi. Megjithatë, asnjë familje nuk pranoi t’i merrte ato. Ata refuzohen nga vetë prindërit e tyre. A nuk është kjo tragjike?

 Në çdo rast, kjo dëshmon se komunizmi nuk ka rrënjë të thella në Shqipëri, tha Mbreti, duke mos dashur të qetësohet.

Intervista ndërpritet për një moment nga hyrja e papritur e një djali bjond të pashëm, një gjigant i vogël 11 vjeçar, i cili është më shtatlartë se unë. Ky djalë i ri ka grushta të fortë, sy blu të shkëlqyeshëm dhe flokë të zbehta bjonde.

Një gjigand i ri bjond – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Një gjigand i ri bjond – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Sytë e Mbretit drejtohen me krenari te djali i tij i vetëm, Princi Leka.

 Ai quhet Aleksandër, tha ai. Aleksandër si të gjithë sundimtarët e mëdhenj të Shqipërisë që nga Aleksandri i Madh.

 Mos vallë është, – i thashë Mbretëreshës, – fëmija që lindi në prag të pushtimit italian ?

Mbretëresha e re tund kokën dhe ndërsa heroi i historisë së saj largohet, me tre hapa, për të gjetur shokët e tij të lojës në lulishten e oborrit, ajo më tregon për eksodin e saj.

— Ka lindur më 5 prill 1939; ai ishte tashmë një gjigant i vogël dhe profesori Weibel, i ardhur posaçërisht nga Vjena, bëri mrekulli. Gjatë natës italianët dhanë ultimatumin e tyre, mbreti Zog më njoftoi menjëherë.

 Menjëherë ? Vetëm pak orë pas lindjes ?

Njëzet herë i jemi afruar vdekjes!

— Ai nuk mund të vepronte ndryshe, pasi para se të skadonte koha ne duhej të largoheshim. Ishte e Premtja e Shenjtë, 6 Prill, ishte ora 3 e mëngjesit. Ishte e pamundur të gjenim një ambulancë. U ngrita dhe hipa në makinën e mbretit. U nisëm për në Greqi. E mbajta fëmijën në krahë dhe u largova me Weibel-in. Në luginë kishte ardhur pranvera, por kur na u desh të kalonim qafën malore, në kufi, bora kishte bllokuar rrugët dhe kamufluar greminat. Njëzet herë, mendova se po shkonim drejt vdekjes. Ne ishim nisur në agim, por nuk arritëm në Greqi, në Follorinë, deri në orën 10 të mbrëmjes. Aty munda të pushoja tre ditë. Mbreti i Greqisë më dërgoi mjekët e tij. Më pas Weibel më la; i vinte keq të kthehej në Vjenë, i urrente nazistët !

 Ishte një largim i vërtetë për në Egjipt, ai i kësaj nëne të re dhe foshnjës së saj të porsalindur, i thashë duke iu drejtuar Mbretit, dhe si arritët të bashkoheshit me gruan tuaj ?

Fytyra e Zogut flet shumë për vështirësitë e rrugëtimit të tij, peripecitë e eksodit të katër motrave të tij, suitës së tij dhe valixhet e panumërta të mbushura me nxitim dhe për t’i shpëtuar nga fatkeqësia. Por ai bën një gjest si për të larguar mendimet e rënda.

 E gjeta, kjo është gjëja kryesore.

Dhe mbretëresha buzëqesh sërish, por sytë e saj mbushen me lot :

 Shqipëria ishte aq e bukur, shëtitjet në mal, shëtitjet në majat e maleve, vizitat në kalanë e vjetër të Matit, atë të paraardhësve të mbretit, mishin e dashit të pjekur në hell dhe në natyrë, buka e misrit, jeta e lirë dhe hapësira !

Mbreti e ndërpret dhe më pyet :

 Çfarë mendoni për Ballkanin ?

 Po ju, Madhëri, i thashë, a mendoni se ata mund të çlirohen ndonjëherë nga kontrolli bolshevik dhe a mendoni se satelitët do të sulmojnë Titon ?

 Historia ka treguar, përgjigjet Zogu, se Franca ka mundur, nëpërmjet rolit të saj si ndërmjetëse, të shmangë luftërat; lufta do të ishte një fatkeqësi.

 Po, Madhëri, por pas perdes së hekurt, popujt e vuajtur janë aq të çmendur sa të besojnë se një luftë do t’u sillte shpëtimin !

 Është vërtet çmenduri, thotë Zogu. Kombet perëndimore duhet të bashkohen më në fund, sepse rusët po përfitojnë nga ndarja e popujve.

 Do të ishte interesante të dihet nëse rusët synojnë të ruajnë Shqipërinë duke fortifikuar ishullin e Sazanit, i thashë.

 Fortifikimet kanë mbetur të njëjta si në kohën e italianëve, përgjigjet ai pas një momenti reflektimi, por baza e nëndetëseve mund të bëhet jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e rrezikshme. Ata sjellin vërtet materialin e tyre të çmontuar, qarkullimi vazhdon me autokolona detare.

 Dhe përfundimi i gjithë kësaj? Madhëri.

 Përfundimi ka anën e tij ngushëlluese nëse vërehet se komunizmi nuk mund të zërë rrënjë as në Evropën Qendrore dhe as në Ballkan, tha ai; për pjesën tjetër, e ardhmja është ende e papërcaktuar, por shpresa mbetet.

Dominique AUCLERES

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-figaro-1950-intervista-ekskluzive-me-mbretin-zog-dhe-mbretereshen-geraldine-ne-aleksandri-nostalgjia-per-shqiperine-djali-leka-komunizmi-dhe-rreziku-rus/ / KultPlus.com

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France


Urdhëri i Mbretit Zog për realizimin e reformës agrare: Toka është pasuria më e madhe e Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja, Francë – 11 Dhjetor 2021

“The New York Herald” ka botuar, të dielën e 27 janarit 1929, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me kërkesën e Mbretit Zog ndaj qeverisë shqiptare për të realizuar reformën agrare, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Mbreti Zog urdhëron reformën agrare në planin e politikës së tij

Burimi : The New York Herald, e diel, 27 janar 1929, f.3
Burimi : The New York Herald, e diel, 27 janar 1929, f.3

Lideri shqiptar thotë se do të kërkojë bindje.

I shkruan kryeministrit

Modernizimi u shmang për të mos demoralizuar jetën në fshatrat malore.

(Nga The Herald dhe Herald Tribune Bureau.) Vjenë, e shtunë. — Mbreti Zog i Shqipërisë nisi sot një deklaratë politike në përputhje me premtimet e tij të mëparshme dhe gjithashtu tregoi se ai duhet t’i bindet.

Në një letër drejtuar Kryeministrit të tij, ai shpjegon projektet e tij, të cilat do të kulmojnë me një reformë të plotë agrare, me qëllimin kryesor për shpërndarjen më të drejtë të tokës.

Mbreti thotë se toka është pasuria më e madhe e Shqipërisë, se ajo duhet punuar me efikasitet dhe tërësisht, duke shtuar se aty ku është e pamjaftueshme për të ushqyer njerëzit, duhet të krijohen ndërmarrje industriale.

Pjesë të tjera të “dekretit” thonë se zyrtarët fajtorë për abuzime ose për shpërfillje të detyrës do të shkarkohen dhe Mbreti i paralajmëron zyrtarët e tij që të kuptojnë se çdo qytetar që vjen tek ata është një anëtar i kombit.

Duke treguar një dëshirë për të tërhequr kapital të huaj, Mbreti shpjegon se përfaqësuesve të ndërmarrjeve të huaja duhet t’u jepet shpejt çdo informacion i dëshiruar.

Mbreti Zog, megjithatë, me sa duket nuk dëshiron të modernizojë vendin e tij — ose të paktën shumë shpejt — sepse ai deklaron se traditat e vjetra duhet të respektohen, pasi braktisja e tyre mund të demoralizojë banorët primitivë të fshatrave malore.

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-amerikane-1929-urdheri-i-mbretit-zog-per-realizimin-e-reformes-agrare-toka-eshte-pasuria-me-e-madhe-e-shqiperise/ / KultPlus.com

Burimi : The New York Herald, e diel, 27 janar 1929, f.3


Mbreti Zog në vitin 1929: Toka është pasuria më e madhe e Shqipërisë

“The New York Herald” ka botuar, të dielën e 27 janarit 1929, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me kërkesën e Mbretit Zog ndaj qeverisë shqiptare për të realizuar reformën agrare, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Mbreti Zog urdhëron reformën agrare në planin e politikës së tij

Burimi : The New York Herald, e diel, 27 janar 1929, f.3

Lideri shqiptar thotë se do të kërkojë bindje.

I shkruan kryeministrit

Modernizimi u shmang për të mos demoralizuar jetën në fshatrat malore.

(Nga The Herald dhe Herald Tribune Bureau.) Vjenë, e shtunë. — Mbreti Zog i Shqipërisë nisi sot një deklaratë politike në përputhje me premtimet e tij të mëparshme dhe gjithashtu tregoi se ai duhet t’i bindet.

Në një letër drejtuar Kryeministrit të tij, ai shpjegon projektet e tij, të cilat do të kulmojnë me një reformë të plotë agrare, me qëllimin kryesor për shpërndarjen më të drejtë të tokës.

Mbreti thotë se toka është pasuria më e madhe e Shqipërisë, se ajo duhet punuar me efikasitet dhe tërësisht, duke shtuar se aty ku është e pamjaftueshme për të ushqyer njerëzit, duhet të krijohen ndërmarrje industriale.

Pjesë të tjera të “dekretit” thonë se zyrtarët fajtorë për abuzime ose për shpërfillje të detyrës do të shkarkohen dhe Mbreti i paralajmëron zyrtarët e tij që të kuptojnë se çdo qytetar që vjen tek ata është një anëtar i kombit.

Duke treguar një dëshirë për të tërhequr kapital të huaj, Mbreti shpjegon se përfaqësuesve të ndërmarrjeve të huaja duhet t’u jepet shpejt çdo informacion i dëshiruar.

Mbreti Zog, megjithatë, me sa duket nuk dëshiron të modernizojë vendin e tij — ose të paktën shumë shpejt — sepse ai deklaron se traditat e vjetra duhet të respektohen, pasi braktisja e tyre mund të demoralizojë banorët primitivë të fshatrave malore./dars/ /KultPlus.com

Sot 10 vjet nga vdekja e Leka Zogut I

Më 30 nëntor 2011 në Tiranë vdiq Leka Zogu I.

Ai ishte djali i vetëm i Mbretit Zogu I të shqiptarëve dhe i Mbretëreshës Geraldina Apponyi. Ai u quajt Princi i Kurorës Skënder në lindje. Leka ishte pretendues për fronin shqiptar dhe njihet si Mbreti Leka I.

Pas kalimit të Familjes Mbretërore në Egjipt, në vitin 1946, Princi Leka filloi studimet në kolegjin britanik “Victori Collegie” të Aleksandrisë dhe më pas në “British Boys School”, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1954. Pas transferimit të Familjes Mbretërore në Francë, në vitin 1955, Princi Leka tashmë 16 vjeçar, regjistrohet në kolegjin e famshëm “Vilare Ailange Kolegie” të Olon-it, në Zvicër, ku mori edhe diplomën “Matriculation of Oxford” në vitin 1956. Në vitet 1956-1958 Princi Leka vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Sund’hurstit në Londër (Royal Military Academy), ku pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera u titullua oficer, me gradën toger. Në vijim studioi për Shkenca Politike dhe Ekonomike në “Universite De Sorbone” të Francës, ku ndoqi gjithashtu edhe kursin intensiv të gjuhëve orientale.

Më 5 prill 1957, me rastin e 18 vjetorit të lindjes, në prani të personaliteteve më të njohura të botës shqiptare në emigracion dhe të miqve të huaj nga më të shquarit, Mbreti Zog, pasi e dekoroi personalisht me Kolanin e Shqipërisë, e shpalli solemnisht Princin Leka i Parë “Trashëgimtar të Kurorës Mbretërore Shqiptare”. Kurorëzimi i Princit Leka I Më 15 prill 1961, në ceremoninë speciale të organizuar në hotelin “Bristol” të Parisit, në prani të ish deputetëve të Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, si dhe të 70 delegatëve të përzgjedhur nga e gjithë mërgata, Asambleja Provizore e mbledhur zyrtarisht, në bazë të artikujve 51 dhe 55 të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, e shpalli dhe e kurorëzoi unanimisht Princin Leka si “Mbret i Shqiptarëve”. Pas kësaj, në përputhje me nenin 56 të Statutit, Sovrani i ri bëri betimin formal kushtetues si Mbret i Shqiptarëve.

Mbreti Leka u përkushtua për përmbushjen e detyrimeve prej Sovrani para bashkatdhetarëve në mbarë Evropën dhe në vendet arabe gjatë 5 viteve të para pas kurorëzimit (1961-1966). Në vitin 1967, veprimtaria politike e Mbretit Leka në dobi të çështjes kombëtare dhe intensifikimi i kontakteve me bashkatdhetarët, njohën kulmin pas vizitës që Mbreti kreu në SHBA-të në verën dhe vjeshtën e këtij viti. Mbreti Leka në SHBA-të shfrytëzoi rastin të nderonte figurat e shquara të kulturës sonë kombëtare dhe përfaqësuesit eminentë të mërgatës shqiptare në Amerikë: Imzot Fan Nolin dhe z. Faik Konica, në varret e të cilëve vendosi kurora me lule në emër të Familjes Mbretërore, në nderim të kujtimit të punës dhe veprës së tyre në shërbim të atdheut, kombit dhe bashkatdhetarëve. Mbreti Leka përgëzoi gjithashtu drejtuesit e shoqërisë atdhetare “VATRA”, si dhe veprimtarët politikë legalistë e ballistë, për kontributet e tyre atdhetare e politike. Suksesi impresionues i vizitave, pritjet madhështore dhe ndikimi i jashtëzakonshëm i diasporës shqiptare të SHBA-ve për fatet e çështjes kombëtare, e nxitën Mbretin Leka të rikthehej në SHBA edhe në vitin 1968.

Viti 1975 shënoi ngjarjen më të rëndësishme në gjirin e Familjes Mbretërore dhe garantoi trashëgiminë e kurorës së Dinastisë Mbretërore shqiptare nëpërmjet martesës së Mbretit Leka me Mbretëreshën Susan. Pesë vitet që pasuan Kuvendin e Madridit shënuan përpjekjet titanike të Mbretit për jetësimin e vendimeve të këtij kuvendi. Mbreti Leka, si përfaqësuesi eminent i Kauzës së Rilindjes Kombëtare dhe pinjoll i gjyshërve të tij Xhemal dhe Xhelal Pasha, (që ishin ndër më të shquarit pashallarë që ideuan dhe jetësuan Kuvendin dhe vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit), ishte njëkohësisht edhe figura qëndroje dhe drejtuese e Ushtrisë Kombëtare dhe e Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike.

Prishja e Tiranës zyrtare me Kinën komuniste diktoi intensifikimin e natyrshëm të përpjekjeve të Mbretit Leka dhe mërgatës antikomuniste për ndryshimin e statukuosë në Shqipërinë e asaj kohe. Shtetet fqinje dhe ato të perandorisë komuniste, bashkuan përpjekjet dhe kontributet në platformën e detajuar politiko-agjenturore të sabotimit të luftës për ndryshimin e kësaj gjendjeje dramatike për popullin dhe kombin shqiptar. Marrëveshja e Jaltës, politikat e detantës dhe ruajtjes së ekuilibrave në rajonin e Ballkanit, kontinent dhe planet, prodhuan strategjinë e sabotimit të përpjekjeve të Mbretit dhe mërgatës antikomuniste për përmbysjen e regjimit tiranik në Shqipëri. Në vitin 1976 Mbreti Leka kreu takime të rëndësishme me bashkatdhetarët në SHBA, në qytetet Nju Jork, Uotërberi, Detroit, Çikago, Hjuston, Tampa, Miami, Uashington, etj., si dhe në Piterburg, Toronto e Montreal të Kanadasë. Aktiviteti intensiv i Mbretit në favor të Çështjes kombëtare, shkaktoi kundër-reagimin e ashpër të qarqeve antishqiptare, çka imponoi edhe emigrimin e Familjes Mbretërore nga Spanja në Rodezi në vitin 1979 dhe në Johanesburg të Afrikës së Jugut në vitin 1982. Asnjë vështirësi dhe distancë gjeografike nuk mundi ta pengojë Mbretin për të organizuar, koordinuar dhe furnizuar me armë kryengritjen e armatosur çlirimtare gjatë pranverës së vitit 1981 në Kosovë, e cila u shtyp me zinxhirët e tankeve dhe u pagua me gjakun e afro 1200 martirëve që dhanë jetën për liri dhe që plazmuan idenë e bashkimit dhe luftës për çlirim kombëtar në mbarë viset shqiptare nën sundimin gjakatar të Beogradit.

Formimi dhe brumosja e Mbretit Leka me kulturën demokratike perëndimore, jo vetëm që nuk binin në kundërshtim me aspiratat e Tij për çlirim kombëtar dhe shoqëror të shqiptarëve, por përkundrazi, ishin të justifikueshme dhe konform obligimeve madhore atdhetare, të bazuara mbi parimet dhe vlerat më të mëdha të Perëndimit demokratik. Takimet e Familjes Mbretërore me Nënë Terezën, Papën Gjon Pali II-të, si dhe ato private të Mbretit me monarkë, presidentë dhe kryeministra të shumë vendeve të botës demokratike, kishin në fokus dhe si emërues të përbashkët shqetësimin për fatet e popullit dhe kombit shqiptar. Vendosmëria e Mbretit Leka për të mos u tërhequr nga pozicionimi dhe deklarimi në favor të Çështjes kombëtare dhe Kauzës së Shqipërisë Etnike, nuk njohu kompromis as kur Mbretit iu deklarua se vizita në Belgjikë në vitin 1989 i lejohej vetëm në këmbim të mospërmendjes së Shqipërisë Etnike, me ç’rast Mbreti refuzoi dhe e anuloi vizitën e planifikuar.

Kishte ardhur koha e rifaktorizimit dhe riformatimit të forcave dhe përpjekjeve të qarqeve antikomuniste dhe demokratike shqiptare, strumbullari dhe simboli i të cilëve ishte Mbreti Leka. Pengesat për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe e shtynë në kohë procesin e çmontimit dhe çrrënjosjes së komunizmit në Shqipëri nëpërmjet edhe kontributit të çmuar të Mbretit Leka si antikomunist dhe politikan i kultivuar, si strateg dhe prijës i profilit të lartë. Viti 1997- Kthimi i NMT Mbretit Leka I ne Atdhe pas një mërgimi të gjatë prej 58 vitesh, u prit me dashamirësi në aeroportin Nënë Tereza, me datë 12 prill 1997 me pjesëmarrjen prej 10.000 vetë ku i pershendeti me fjalet “Paqe-Bashkim-Vellazerim”.

Mbreti u detyrua të largohej nga atdheu, por imazhi dhe kontributi i Tij mbetën të pashlyer tek shqiptarët. Kthimi përfundimtar në atdhe i Familjes Mbretërore, nuk arriti dot të kurorëzohej me kontribute konkrete të Mbretit në raport me zhvillimet politike në Shqipëri, për shkak të fatkeqësive të humbjes së Nënës Mbretëreshë Geraldinë dhe Mbretëreshës Susan, këtyre bashkëluftëtareve të shquara të Mbretit në Kauzën e Tij. Natyrisht që këtu ka ndikuar edhe gjendja shëndetësore jo e favorshme e Mbretit, që e pengon të jetë i kudondodhur pranë bashkatdhetarëve, ashtu siç do të dëshironte dhe siç u është gjendur atyre gjatë gjithë jetës plot privacione e sakrifica të përbashkëta. / KultPlus.com

Ja çfarë deklaroi Mbreti Zog për ‘United Press’

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Nëntor 2021

Central Intelligence Agency (CIA) ka deklasifikuar në vitin 2007 dokumentin që flet në detaje për intervistën e parë të Mbretit Zog për një gazetar të huaj (atë të United Press) gjatë qëndrimit të tij tre vjeçar në Egjipt, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Zyra e Jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Ambasada Amerikane

Kajro, Egjipt 21 tetor 1949

Tema : Intervista e ish-mbretit Zog me United Press

Ambasadori ka nderin të raportojë me interes të mundshëm dhe gati, referencë për statusin aktual dhe të ardhshëm të Shqipërisë të bëra nga ish Mbreti Zog dhe të publikuara nga United Press – më 18 tetor 1949 në formën e përgjigjeve të tetë pyetjeve me shkrim. Agjencia e lajmeve deklaroi se kjo ishte deklarata e parë publike e mbretit Zog për një gazetar të huaj gjatë qëndrimit të tij tre vjeçar në Egjipt. Megjithatë, ai ka lëshuar deklarata në shtypin vendas, siç theksohet në A-692 të Ambasadës të 8 tetorit 1948. Në fjalët e tij ish-sundimtari u zotua të bënte çdo përpjekje “t’i jap popullit tim regjimin që i përshtatet traditave të tij kombëtare dhe historike”. Ai shtoi se ndihma nga fuqitë perëndimore mund të rivendoste “regjimin ligjor” në një datë mjaft të hershme.

Duke komentuar planet e raportuara për të formuar një Qeveri të Shqipërisë së Lirë jashtë vendit, Mbreti tha se një veprim i tillë do të ishte në varësi të disa kushteve ndërkombëtare – miratimit dhe mbështetjes së fuqive perëndimore – dhe do të ishte në përputhje ligjore me kushtetutën shqiptare të periudhës së pushtimit paraitalian.

Pasi iu përgjigj pyetjeve mbi situatat e brendshme dhe të jashtme në Jugosllavi, Greqi dhe Shqipëri sot, Mbreti Zog tha se gjithmonë kishte dashur të bënte një udhëtim në Shtetet e Bashkuara, njerëzit dhe frymën e drejtësisë të të cilave ai e kishte admiruar gjithmonë dhe do të “gëzohej nëse do ta kishte mundësinë për ta bërë atë vizitë sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Në një përpjekje të dukshme për ndihmën amerikane ai shtoi, “vendi im pret me mirënjohje mbështetjen që Shtetet e Bashkuara do të duan t’i japin kauzës së Shqipërisë, aspirata e së cilës është vetëm të rifitojë vendin e saj në koncertin e kombeve të lira dhe të të jetojë në harmoni me të gjithë fqinjët e saj”. Mbreti Zog e mbylli fjalën e tij me një deklaratë shumë lavdëruese për mbretin Faruk të Egjiptit dhe mikpritjen që i ishte bërë në këtë vend.

Teksti i Intervistës së Mbretit Zog me United Press

E PAKLASIFIKUAR

Encl to Desp. No. 937 October 21, 1949, AmEmbassy, Cairo

Pyetja 1:

E kuptoj që Madhëria Juaj e konsideron veten kreun e ligjshëm të Mbretërisë Shqiptare. Nisur nga kjo, a propozon Madhëria juaj të kthehet në Shqipëri nëse dhe kur e lejojnë rrethanat?

Përgjigjja 1:

Në një komunikatë të lëshuar për shtyp nga Legata jonë në Egjipt më 30 gusht të kaluar, unë tregova qartë vendimin tim për këtë çështje dhe deklarova se pas çlirimit të Shqipërisë, një plebishit i paanshëm nën mbikëqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të zgjidhte çështjen e forma e qeverisjes përmes shprehjes së lirë të vullnetit të popullit.

Pyetja 2:

A ka ndonjë tregues Madhëria Juaj se situata aktuale politike në Shqipëri mund t’ju lejojë të ktheheni në një datë mjaft të hershme?

Përgjigjja 2:

Mendoj se evoluimi i situatës politike botërore do të na shtyjë në një të ardhme të afërt të parashikojmë rivendosjen e regjimit ligjor në përputhje me interesat kombëtare të Shqipërisë.

Pyetja 3:

Raportet nga jashtë thonë se një qeveri e lirë shqiptare – krejtësisht e ndarë nga administrata aktuale në Tiranë – është në proces formimi. Cili do të ishte qëndrimi i Madhërisë suaj ndaj një qeverie të tillë?

Përgjigjja 3:

Formimi i një qeverie të lirë shqiptare jashtë vendit është natyrshëm në varësi të disa kushteve të natyrës ndërkombëtare dhe veçanërisht të mos cenimit të interesave më të larta të vendit si dhe respektimit të rreptë të ligjit kushtetues shqiptar.

Kjo qeveri në radhë të parë duhet të ketë mundësinë të ndihmohet nga fuqitë perëndimore dhe të ketë besimin e shteteve demokratike që i përmbahen parimeve të Kartës së Atlantikut.

Dhe pastaj, për të qenë e ligjshme, kjo qeveri duhet të bazohet në kushtetutën kombëtare të votuar nga Asambleja Kushtetuese, e cila juridikisht është ende në fuqi me gjithë ndryshimet në formë që kanë ndodhur nga pushtimi italian në 1939 deri në ditët tona.

Një qeveri e tillë natyrisht do të ketë mbështetjen time më të plotë.

Pyetja 4:

Do të ishte interesante nëse Madhëria Juaj mund të diskutonte tensionin që mbizotëron në të vërtetë midis Jugosllavisë dhe Rusisë. Një forcë shumë e madhe e trupave jugosllave raportohet të jetë e vendosur përgjatë kufirit jugosllavo-shqiptar, në zonën e Kosovës. A mendon Madhëria Juaj se ky përqendrim i trupave është krijuar për të shmangur një sulm të mundshëm ndaj Jugosllavisë nga forcat shqiptare të sponsorizuara nga sovjetikët?

Përgjigjja 4 :

Jugosllavia aktualisht e gjen veten të rrethuar nga shtetet anëtare të Kominformit. I shpallet një luftë e ftohtë, por, për mendimin tim, deri tani është një sherr familjar.

Përsa i përket trupave jugosllave të vendosura, sipas informacioneve tuaja, pranë kufirit shqiptaro-jugosllav në rajonin e Kosovës, nuk jam në gjendje t’ju jap mendimin tim për qëllimin e vërtetë të këtij përqendrimi (nëse ekziston vërtet). Por mund t’ju siguroj se supozimi i një sulmi të mundshëm nga forcat komuniste të Shqipërisë kundër fqinjëve më duket i papajtueshëm me faktet reale.

Pyetja 5:

Shqipëria po ndihmon aktualisht guerilasit greke kundër qeverisë së Athinës. A do të jepte Madhëria juaj pikëpamjen tuaj në lidhje me mençurinë apo jo të kësaj politike?

Përgjigjja 5:

Lufta vëllavrasëse që ka bërë kaq shumë shkatërrime në Greqi është për të ardhur keq dhe unë nuk e miratoj ndihmën e dhënë rebelëve nga jashtë. Për më tepër, Komisioni i Pajtimit i formuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara aktualisht po merret me gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për këtë çështje, i frymëzuar nga parimet e ruajtjes së tërësisë territoriale dhe pavarësisë së katër shteteve ballkanike: Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Jugosllavisë.

Pyetja 6:

Madhëria juaj ka ndonjë informacion në lidhje me kushtet aktuale politike dhe ekonomike që ekzistojnë në Shqipëri?

Përgjigjja 6:

Shqipëria është një shtet i vogël, por mund të quhet shteti më i gjymtuar në Ballkan. Që nga lufta e fundit, Shqipëria është nën një regjim që nuk është zgjedhur me dëshirë nga populli. Kushtet e jetesës janë shumë të vështira dhe vendi është krejtësisht i varfëruar.

Një luftë vdekjeprurëse po zhvillohet prej katër vitesh në Shqipëri mes njeriut të lirë të lidhur me traditat stërgjyshore dhe njeriut robot të nënshtruar ndaj pushtetit të imponuar nga një pakicë. I gjithë kombi është duke u përgjakur deri në rënien e tij të fundit në këtë masakër ideologjike.

Megjithatë, duhet theksuar se lëvizja e rezistencës në tokë do të kishte qenë sigurisht më vendimtare nëse nuk do të ekzistonte rreziku që kërcënon kufijtë tanë kombëtarë nga jashtë. Megjithatë, shumica dërrmuese i mban sytë të ngulitur nga ndihma që do të vendosë t’u japë populli i lirë dhe demokratik për t’i dhënë fund vuajtjeve morale dhe fizike që kërcënojnë vetë ekzistencën e tyre.

Përveç kësaj, në thirrjen e fundit që iu drejtova të gjitha partive politike shqiptare, pa dallim bindjesh politike, kërkova që të kërkojnë në marrëveshje të përbashkët realizimin e bashkimit kombëtar, i cili është kaq i domosdoshëm në momentet e rënda që po kalojmë.

Shqiptarët duhet të kenë besim në të ardhmen e vendit të tyre dhe të jenë të sigurt se çfarëdo që të ndodhë, unë nuk do të resht përpjekjet e mia për t’i kthyer popullit tim regjimin që i përshtatet traditave të tij kombëtare dhe historike.

Pyetja 7:

Madhëria juaj ka ndonjë qëllim për të vizituar Shtetet e Bashkuara?

Përgjigjja 7:

Një nga dëshirat e mia më të dashura është të vizitoj Shtetet e Bashkuara, këtë demokraci të madhe që i është përkushtuar me kaq bujari rindërtimit të rrënojave sociale dhe materiale të vendeve që ranë viktima të luftës së fundit.

Do të jem i lumtur të kem mundësinë ta bëj atë vizitë sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë kam një admirim të madh për popullin amerikan. Vendi im ka besim të palëkundur në frymën e drejtësisë së Shteteve të Bashkuara. Vendi im pret me mirënjohje mbështetjen që Shtetet e Bashkuara do të duan t’i japin kauzës së Shqipërisë, aspirata e së cilës është vetëm të rifitojë vendin e saj në koncertin e kombeve të lira dhe të jetojë në harmoni me të gjithë fqinjët e saj.

Pyetja 8:

Meqenëse Madhëria Juaj ka kaluar tani tre vjet e gjysmë në Egjipt, ndoshta do të dëshironit të bënit një deklaratë në lidhje me Madhërinë e Tij Mbretin Faruk dhe trajtimin që keni pasur në Egjipt?

Përgjigjja 8:

Mirëpritja shumë fisnike dhe e përzemërt që na rezervoi Madhëria e Tij Mbreti Faruk I që kur jam në Egjipt është shumë e çmuar për mua.

Nën mbrojtjen e Sovranit të tij të ri dhe aktiv, Egjipti po bën përparim të madh në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike. Nuk kam dyshim se bota politike dhe të gjithë kombet e bashkuara ngushtë rreth Froneve do t’i përgjigjen me besnikëri thirrjes për bashkim të bërë nga Mbretërit, shqetësimi kryesor i të cilëve është mirëqenia e popullit të tyre.

Populli egjiptian, që simbolizon mikpritjen tradicionale…(Dokumenti nuk është skanuar plotësisht)

https://www.darsiani.com/la-gazette/raporti-i-ambasades-amerikane-ne-kajro-drejtuar-zyres-se-jashtme-te-shba-ve-21-tetor-1949-ja-cfare-deklaroi-mbreti-zog-per-united-press-intervista/ / KultPlus.com

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve

‘Epërsia e Ahmet Zogut ishte mungesa e çdo ndjesie’

Nga: Eqrem bej Vlora

… Në krahasim me bejlerët e tjerë, Zogu nuk kishte mjete, madje mund të themi, ishte i varfër. Por kishte gjëra të tjera që nuk i kishin ata: Ishte më i zgjuar, më trim, më energjik, më serioz, më bindës dhe më popullor se ata. Se ç’përfaqësonte ai në të vërtetë, asnjëri nga ne nuk e dinte mirë, por paraqitja e tij ishte aq bindëse, rrezatonte aq epërsi dhe ai vetë besonte aq fort në misionin dhe në të ardhmen e vet, saqë ishte e vështirë t’i shmangeshe fuqisë tërheqëse të personalitetit të tij.

Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme. Edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe zgjidhte probleme shumë të vështira dhe të huaja për të, ai rrallë gabonte. Sikundër edhe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendje të ftohtë dhe praktike, udhëhiqeshin gjithnjë dhe vetëm prej interesave të tij …

… Ahmet Zogun mund ta duash apo ta urresh, por nëse do që të jesh i paanshëm, duhet t’i njohësh atij një meritë: ai qe një “njeri i madh”, jo vetëm për përmasat shqiptare, por edhe në këndvështrimin ballkanik. Mund të gjesh plot gabime, lajthitje dhe mangësi në mendimin dhe veprimin e tij, por ai mbetet megjithatë një personalitet i rëndësishëm, madje më duhet të them, personaliteti më i rëndësishëm në historinë shqiptare./KultPlus.com

126 vjet nga lindja e Ahmet Zogut

Ishte data 8 tetor e vitit 1895 kur lindi Ahmet Zogolli, i cili do të bëhej Mbreti i Parë i shqiptarëve, dhe do ta merrte kështu emrin Mbreti Zog.

Ai lindi në Burgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani. Pas 13 vjetëve Ahmet Zogu i ri bëhet shef i krahinës së Matit. Më pas ai dërgohet në liceun Francez dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.

Më vonë, në moshë të re Zogu do të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.

Tutje, vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm si 25-vjecare.

Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki, dhe ai shpallet Mbret i Shqiptarëve.

Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.

Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.

Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.

Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris. /KultPlus.com

Mbreti Zog për Daily Express në vitin 1928: Ja arsyeja e themelimit të monarkisë!

(Nga Aurenc Bebja, Francë)

“Le Matin” ka botuar, të premten e 7 shtatorit 1928, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Mbretit Zog për Daily Express, ku ka shpjeguar asokohe arsyen e themelimit të monarkisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Zogu I dëshiron të sigurojë mirëqenien e popullit të tij

Londër, 6 shtator. – Telefon. Matin. – Në një intervistë me të dërguarin e posaçëm të Daily Express në Tiranë, Zogu I ka deklaruar :

Rezultatet e para të themelimit të monarkisë do të jenë çlirimi i vendit tim nga përpjekjet partiake. Presidenti i republikës është domosdoshmërisht i detyruar të favorizojë ata që e zgjodhën atë, ndërsa partitë e tjera manovrojnë vazhdimisht për ta zëvendësuar atë me një nga kandidatët e tyre. Mbreti do të jetë mbi partitë. Ai do t’i shërbejë vetëm kombit. Ministritë, ushtria dhe xhandarmëria do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me monarkun, pa kaluar nëpërmjet ndërmjetësve.

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania) ://www.darsiani.com/la-gazette/mbreti-zog-per-daily-express-1928-ja-arsyeja-e-themelimit-te-monarkise/

Media franceze në vitin 1938: Mbreti Zog, njeriu i pasionuar pas aromës së trëndafilave që do të martohet me hirushen moderne

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Media franceze “La Voix du combattant” ka botuar, të shtunën e 12 shkurtit 1938, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me martesën e mbretit Zog me mbretëreshën Geraldinë, ku dhe ka rrëfyer asokohe disa detaje mbi sovranin e shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Parfum marramendës (dehës)

“Në familjet mbretërore dhe princërore të Evropës fryn një fllad dasmash.

Kështu, mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu, i njohur si Zogu I, bir i pastër i vendit, së shpejti do të martohet me konteshën e bukur hungareze Geraldinë Apponyi, “Hirushen moderne”, vajzën e ish-marshallit të madh të Oborrit të perandorit Franz-Jozef.

Mbreti Zog jeton, i tërhequr, në pallatin e tij të Tiranës, i rrethuar nga kopshte të mrekullueshme trëndafilash. Dhe ky burrë, energjik, nganjëherë edhe brutal, gjallëron kur flet, para vizitorëve, për trëndafilat e të tij të dashur.

Kur është i bindur, ai luan këtë eksperiencë të vogël origjinale : me sy të mbyllur, thjeshtë falë parfumit, ai di të njohë njëzet e shtatë specialitete trëndafilash që një armatë kopshtarësh mirëmban në oborrin mbretëror.

Mbreti Zog nuk merr kurrë një vendim pa ndjerë aromën marramendëse të luleve të bukura me petale rozë ose të kuqe.

Dhe njëra prej tyre, pa dyshim, lëshoi një parfum më delikat dhe më dehës që dy qenie, tashmë, do ta ndjejnë së bashku!”

Ahmet Zogu i shkruan Koço Kotës: Të zëvendësohen zyrtarët e paaftë! Universiteti të merret me arsimimin e grave

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Gusht 2019

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 20 janarit 1929, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me udhëzimet e mbretit Zog për zbatimin e programit të ri qeveritar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Programi i qeverisë shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tiranë, 29 Janar. Zyra e shtypit shqiptar publikon informacionin e mëposhtëm:

Në transmetimin e dekretit që emëron ministrat e rinj tek Presidenti i Këshillit (Koço Kota), Mbreti dërgoi një letër në të cilën përcakton udhëzimet e përgjithshme për zbatimin e programit qeveritar. Pikat kryesore të programit të mëparshëm të kabinetit mbeten në përmbajtjen e programit të ri. Zyrtarët e paaftë do të zëvendësohen me ata kompetentë. Këta duhet të jenë shërbëtorët e popullit sovran. Kompanitë e huaja që dëshirojnë të punojnë në Shqipëri do të gjejnë lehtësitë e nevojshme.

Kodi Civil së shpejti do të hyjë në zbatim. Një kod tregtar (komercial) është në përgatitje e sipër. Ministria e Arsimit Publik do të dërgojë studentë jashtë vendit. Universiteti do të duhet të merret me arsimimin e grave.

Në një vend aq pjellor sa Shqipëria, nuk duhet të jetë e nevojshme të blihet bukë jashtë vendit, kështu që reforma agrare nuk mund të vonohet. Do të ndërtohen kanalet e ujitjes. Taksa doganore për makineri do të ulet.

Populli që paguan taksat pret nga ekzekutimi i punëve publike një shpërblim për sakrificat e tij. Të gjithë shqiptarët do të kuptojnë se interesi i kombit vjen së pari. (Havas).

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve


https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1929-mbreti-zog-kryeministrit-koco-kota-leter-te-zevendesohen-zyrtaret-e-paafte-universiteti-te-merret-me-arsimimin-e-grave-te-behet-reforma-agrare/ / KultPlus.com

Sot shënohet 106 vjetori i lindjes së Mbretëreshës Geraldinë

Sot është ditëlindja e Mbretëreshës Geraldinë Apponyi – Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony.

Kontesha nga Hungaria, lindi në Budapest më 6 gusht 1915, në vitet kur kishte nisur “perëndimi” i Perandorisë Austro-Hungareze.

Ajo jetoi dhe u edukua siç kërkonte tradita deri në vitin 1937 kur u prezantua si nusja e ardhshme e Mbretit Zog.

Kontesha fitoi menjëherë zemrën e Mbretit të Shqiptarëve me të cilin një vit më vonë do të martohej dhe prej atij momenti deri në vdekjen e saj ajo u quajt Mbretëresha Geraldinë, Mbretëresha e shqiptarëve.

Qëndrimi i saj i shkurtër në Shqipëri nuk e ndaloi të merrej me filantropi dhe në ndihmë të të pamundurve, forcimin e vlerave familjare dhe morale.

U largua nga Shqipëria në vitin 1939 si Mbretëreshë, qëndroi pranë Mbretit deri sa ai vdiq, për ta vazhduar ajo mbajtjen “ndezur” të oxhakut të familjes mbretërore shqiptare deri sa mbylli sytë në Tiranë, në vitin 2002, në moshën 87 vjeçare. / KultPlus.com

Historia tragjike e besnikut të Mbretit Zog

Publikohet historia e panjohur e major Murat Bashës, me origjinë nga fshati Plan i Bardhë i Matit, pinjoll i një prej familjeve më në zë të asaj krahine për traditat patriotike, e njohur ndryshe edhe si një prej familjeve më besnikë të Mbretit Zog.

Kjo pasi gjyshi i Muratit, Veli Basha, gjithë jetën kish mbetur besnik i Xhelal Pashë Zogollit, madje edhe kur e ndoqi pas me bindje të plotë në luftrat kundër turqve, pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Inkuadrimi i Murat Bashës në armën e Xhandarmërisë Shqiptare që në vitin 1919 pas një kursi që ai kreu me ndërhyrjen e Ahmet Zogut, të cilit i qëndroi besnik për 20 vjet me radhë gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, fillimisht si Komandant i Shkollës së Xhandarmërisë në Tiranë dhe më pas si oficer pranë Gardës Mbretërore të Zogut, deri në prillin e ’39-ës, kur bashkë me të u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Jugosllavi si azilant politik.

Kthimi i Major Bashës në Shqipëri gjatë periudhës së pushtimit të vendit, ku ai bashkëpunoi ngushtë me major Abaz Kupin dhe u zgjodh Shef i Shtabit të forcave të Legalitetit, duke luftuar kundra forcave gjermane dhe atyre partizane në Tiranë, Krujë, Mat etj. , deri në fundin e ’44-ës, kur ai u arrestua nga komunistët dhe u dënua me pushkatim e u ekzekutua së bashku me 12 të tjerë në fundin e qershorit të vitin 1945.

Nga Dashnor Kolaçi

Kush ishte Murat Basha?

Murat Hysen Basha lindi në vitin 1900 në fshatin Plan i Bardhë të rrethit të Matit, në një familje me tradita patriotike dhe mjaft të njohur në atë krahinë. Bashkëshortja e Muratit, Sadetja, ishte stërmbesë nga familja e madhe e Frashërllinjëve të Përmetit, pasi nëna e saj, Havaja ishte nga dera e Abdyl Frashërit. Po kështu, familja e Murat Bashës kishte një lidhje miqësore e shpirtërore të hershme me familjen Zogolli nga Burgajeti i Matit, pasi gjyshi i Muratit, Veli Basha, gjithë jetën kish mbetur besnik i Xhelal Pashë Zogollit, madje edhe kur e ndoqi pas me bindje të plotë në luftrat kundër turqve, pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Pas institucionalizimit të Lidhjes, me vendim unanim të kryesisë së saj, Xhelal Pashë Zogolli u emërua zëvendëskomandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Lidhjes dhe, në krye të kësaj ushtrie, së bashku me Iljaz Pashë Dibrën (Çokun) dhe Ali Pashë Gucinë, organizuan vullnetarët shqiptarë në mbrojtje të trojeve etnike nga copëtimi i fqinjëve. Në ato detyra që i’u ngarkoi Lidhja, Xhelal Pashë Zogolli kishte në krahun e tij të djathtë, Veli Bashën, i cili asnjëherë nuk i’u nda atij. Pas vdekjes së Xhelal Pashës, familja Basha, Veliu dhe Hyseni i ri (babai i Muratit), u vunë në shërbim të Xhemal Pashë Zogollit, deri në fund të jetës.

Ishte pikërisht kjo lidhje brezash, ajo që kushtëzoi vazhdimësinë e miqësisë midis këtyre familjeve, çka u vijua edhe në lidhjen e ngushtë midis Ahmet Zogut dhe Murat Hysen Bashës, që në hapat e para të luftës dhe përpjekjeve të përbashkëta në dobi të çështjes shqiptare dhe konsolidimin e shtetit të ri. Në vitin 1904, familja e Murat Bashës shpërngulet nga Klosi dhe vjen në Tiranë, ku Murati vazhdoi fillimisht shkollën ‘Mejtepe’ në Medresenë e asaj kohe. Pas mbarimit të shkollës së mesme, Murati u emërua në detyrën e sekretarit të komunës së Lukanit në rrethin e Dibrës, dhe një vit më vonë, në vitin 1919, ai u emëroua kryetar i asaj komune. Po në atë vit, Murati mori pjesë në rezistencën e vullnetarëve dibranë për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare nga sulmet e herë pas hershme të shovinistëve serbë.

Njohja me Ahmet Zogun në vitin 1919

Sipas dëshmive të njerëzve të afërm të familjes Basha, gjatë atyre viteve, Murati u njoh me Ahmet Zogun që sapo ishte kthyer nga Vjena, dhe që nga ajo kohë ai mbeti një nga njerëzit më besnik të tij. Me interesimin e Ahmet Zogut, në vitin 1919, Murati kreu një kurs 6 mujor në Tiranë për nënoficer xhandarmërie, ku mori dhe gradën e nëntogerit. Pas kësaj ai u inkuadrua në armën e Xhandarmërisë dhe që nga ajo kohë ai qëndroi vazhdimisht pranë Ahmet Zogut, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara nga ushtria shqiptare kundër serbëve dhe disa rebelimeve apo kryengritjeve të ndryshme që ndodhën në Shqipëri nga fillimi i viteve ’20-të, dhe gjatë gjithë periudhës së Monarkisë.

Në një nga këto rebelime të armatosura të ndodhura në Tiranë në vitin 1922, Murati u plagos në gju, dhe me interesimin e Ahmet Zogut, ai u dërgua në Austri për t’u kuruar. Gjatë asaj kohe që ishte për mjekime në Austri, Murati kreu edhe një kurs tjetër 6 mujor në armën e Xhandarmërisë. Edhe pse mbeti sakat nga këmba e plagosur, Murati u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi të shërbente në armën e Xhandarmrisë, deri në qershorin e vitit 1924 kur forcat fanoliste ndërmorrën kryengritjen e armatosur dhe rrëzuan qeverinë e Shefqet Vërlacit. Në atë kohë, si një nga njerëzit më besnik të Zogut, Murati e shoqëroi atë duke i qëndruar pranë gjatë gjashtë muajve të azilit politik në Jugosllavi. Po kështu ai u kthye në Shqipëri me Ahmet Zogun dhe besnikët e tjerë të tij në 24 dhjetorin e vitit 1924, duke qenë një nga ushtarakët më aktivë si pjesmarrës i asaj lëvizjeje që njihet në histori si: “Triumfi i Legalitetit”.

Pas vendosjes së Legalitetit më 24 dhjetor 1924, Kryetari i Republikës, Ahmet Zogu, i ngarkoi Hysen Selmanit detyrën e vështirë të drejtimit të reformave në Forcat e Armatosura dhe Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, sidomos në krijimin dhe modernizimin e Repartit Special të Gardës Kombëtare. Në këtë detyrë mjaft të rëndësishme dhe delikate, kolonel Hysen Selmani kishte në krah major Murat Bashën, duke e pasur atë njeriun më besnik. Me urdhër personal të Mbretit, Zog, toger Murat Basha u emërua Komandant i Shkollës së Xhandarmërisë në Tiranë. Që nga ajo kohë e deri në prillin e vitit 1939, Murat Basha kreu mjaft detyra të ngarkuara personalisht nga Mbreti Zog, si ato për shtypjen e Kryengritjes së Fierit në 1935, apo atë të Delvinës në vitin 1938. Për ato shërbime dhe merita të veçanta, (pas shtypjes së Kryengritjes së Delvinës), Zogu i akordoi Muratit gradën e majorit.

7 prill 1939, lufton në Vorë e Prezë

Në 7 prillin e vitit 1939, major Murat Basha mori pjesë në rezistencën simbolike që i’u bë pushtuesve italiane, duke drejtuar disa reparte të Xhandarmërisë në zonën e Vorës dhe të Prezës. Pas kësaj, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria, për të mos rënë në dorë të forcave pushtuese italiane, të cilët e kishin futur atë në listat e ushtarakëve shqiptarë që kundërshtuan me armë pushtimin e Shqipërisë. Pasi doli në Jugosllavi, Murati u izolua bashkë me shumë patriotë të tjerë antifashistë, në kampin e ngritur nga qeveria serbe në rrethinat e Gostivarit. Në atë kamp ai qëndroi deri në vitin 1941 dhe në atë kohë, (pas pushtimit të Jugosllavisë nga Italia fashiste), bashkë me major Abaz Kupin, u kthye në Shqipëri.

Menjëherë pas kthimit në atdhe, nën drejtimin e Abaz Kupit, major Murat Basha vuri në shërbim të gjitha aftësitë e tij për organizimin e forcave zogiste të rezistencës, duke marrë pjesë dhe drejtuar shumë luftime kundër italianëve. Këtë gjë ai e vazhdoi deri në kapitullimin e Italisë fashiste më 9 shtator të vitit 1943. Gjatë asaj kohe, Major Murat Basha ishte një nga ideuesit dhe krijuesit e Partisë së “Legalitetit” e cila u formua në nëntor të vitit 1943, në fshatin Zall Herr të Tiranës. Duke qenë një nga njerëzit më të afërt dhe besnik të Abaz Kupit, ai u përpoq dhe luftoi bashkë me të me qëllimin për t’i dhënë vendit një forcë politike dhe ushtarake, e cila do të përfaqësonte lëvizjen e rezistencës zogiste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Basha, një nga ushtarakët kryesor të Legalitetit

Me krijimin e partisë Lëvizja e Legalitetit, e cila në programin e saj do të kishte si alternativë modelin e qeverisjes së suksesshme dhe përvojën e drejtimit 15-vjeçar të shtetit shqiptar gjatë periudhës 1924-1939, Murat Basha u bë një nga udhëheqësit ushtarak më të spikatur të saj. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes në fillimin e shtatorit të vitit 1943 dhe fillimit të luftës civile nga ana e komunistëve të Enver Hoxhës, të cilët filluan goditjet me armë ndaj forcave zogisto-balliste, si një nga ushtarakët më besnikë të Mbretit dhe ndër më të përgatiturit pranë shtabit të Abaz Kupit, major Murat Basha luajti një rol vendimtar në konsolidimin e strukturave ushtarake të Legalitetit. Kjo gjë u duk së tepërmi, sidomos gjatë dimrit të vitit 1943-‘44, dhe pranverës së vitit 1944, deri në fillimin e inkursionit të brigadave partizane komuniste në drejtim të Veriut, në gusht të vitit 1944. Në këtë periudhë, major Abaz Kupi i besoi major Murat Bashës drejtimin e forcave ushtarake të Legalitetit, (në atë kohë major Murat Basha u emërua shef i Shtabit të forcave ushtarake të Legalitetit që ishin përqendruar në fshatin Prezë të Tiranës), të cilat do të pengonin marshimin e brigadave partizane të Enver Hoxhës në malësitë e Tiranës.

Në këtë kuadër, në krye të forcave të Legalitetit, major Murat Basha luftoi për mbrojtjen e familjeve legaliste dhe antikomuniste në grykën e Shpalit, duke rënë disa herë në përpjekje me forcat partizane, të cilat kryenin një terror të paparë mbi popullsinë civile të atyre fshatrave apo shtëpive që njiheshin si zogistë dhe ballistë. Pas luftimeve të përgjakshme në Shpal të malësisë së Tiranës, forcat zogiste të udhëhequra nga major Murat Basha, u tërhoqën në malësitë e Krujës dhe Matit, duke organizuar rezistencën kundër brigadave partizane të udhëhequra nga komunistët, të cilët, ashtu sikundër kishin dëshmuar edhe në Jug, filluan reprezaljet dhe masakrat kundër forcave nacionaliste. Të tilla ishin ato të zhvilluara në krahinën e Martaneshit (kryesisht në fshatin Kurdari të Matit), në gushtin e vitit 1944, në të cilat, me urdhër të Mehmet Shehut e Shefqet Peçit, u masakruan 47 civilë të pafajshëm, me qëllim për të ushtruar terror e për të nënshtruar me lehtësi Veriun e Shqipërinë ku pjesa më e madhe ishin përkrahës të Legalitetit.

Në atë kohë major Abaz Kupi dhe Murat Basha, drejtuan luftimet kundër forcave partizane në Mat dhe Malësitë e Krujës, duke i detyruar komunistët të tërhiqeshin disa herë. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 1943 dhe deri në nëntorin e vitit 1944, major Abaz Kupi dhe major Murat Basha, si dhe drejtues të tjerë të forcave Legaliste, të këshilluar nga oficerët e misioneve britanike të atashuara pranë tyre, insistuan të ndërpriteshin luftimet, me qëllim që të evitoheshin gjakderdhja dhe lufta civile. Dhe për këtë gjë, ata u munduan të evitonin përpjekjet e armatosura me forcat partizane, të cilat kishin nisur mësymjen jo ndaj forcave gjermane që tërhiqeshin në rrugët nacionale; Tiranë-Shkodër dhe Tiranë-Kukës, por ndaj forcave nacionaliste të Legalitetit, të cilat ishin përqendruar kryesisht në fshatrat e Tiranës, Krujës dhe Matit, ku kishin dhe mbështetjen kryesore të tyre.

Arrestimi dhe pushkatimi i major Murat Bashës

Në fundin e vitit 1944, kur fitorja e forcave partizane komuniste të Enver Hoxhës, ishte çështje ditësh, major Murat Basha nuk pranoi të largohej nga Shqipëria ashtu si shumë eksponentë të tjerë të Ballit dhe Legalitetit. Me bindje të plotë se nuk kishte kryer kurrfarë krimesh lufte, aq më tepër kundër popullit, major Murat Basha pranoi me dëshirë t’i nënshtrohej një gjykimi të drejtë, ndonëse nuk besonte se ajo gjë do të bëhej prej fitimtarëve të Luftës. Pas arrestimit, major Murat Basha u transferua në Burgun e Tiranës, në pritje të gjykimit, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë.

Një nga bashkëkohësit e Murat Bashës, veterani i njohur i forcave nacionaliste të “Ballit Kombëtar”, Xhemal Alimehmeti, në kujtimet e tij, ka përshkruar dhe ka folur edhe për Murat Bashën, për periudhën që ata të dy ishin bashkë në burgun politik të Tiranës. Edhe pse afër të nëntëdhjetave, me një kthjelltësi dhe kujtesë të admirueshme, Xhemal Alimehmeti tregonte edhe detaje të çasteve të fundit të major Murat Bashës, kur ai ndodhej para pushkatimit, bashkë me 12 antikomunistë të tjerë, në fund të qershorit të vitit 1945. Veterani ballist, Alimehmeti, në kujtimet e tij shkruante se, pas një gjyqi me akuza absurde e me procedurë të përshpejtuar, u pushkatuan 13 nacionalistë: major Murat Basha, Sure Ajazi, Xhelal Peza, Mersin Hasa, Hajredin Zogolli, Besim Pazari, Isuf Diva, Osman Taraku, Mustafa Vrapi Fagu, (20-vjeçar). (Katër të tjerët, ai nuk i kujtonte, pasi ishin shumë të rinj dhe pothuajse të panjohur, por që ishin antikomunistë).

Lidhur me këtë, midis të tjerash Xhemal Alimehmeti kujtonte: “Ditën e pushkatimit ata i lidhën dy nga dy, me copa telash me gjemba dhe, pastaj, të gjithë bashkë me një tel të gjatë. Në krye të djemve, printe major Murat Basha, i cili u jepte zemër të githëve. Në fund të rreshtit, ishte lidhur i riu trim, Mustafa Vrapi (Fagu). Ne të burgosurit e tjerë, e kishim marrë vesh vendimin e gjyqit për pushkatimin e tyre dhe me zemër të thyer, po prisnin çastin e fundit për t’u ndarë me ta. Kur i nxorën në fund të korridorit të gjatë të burgut, major Murat Basha thirri me zë të lartë: ‘Rroftë Shqipnija Etnike…Rroftë Mbreti…’, dhe pastaj filloi i pari të këndojë himnin kombëtar. Pas tij filluan të këndojnë të gjithë të tjerët dhe pas tyre filloi të këndojë me zë të fuqishëm i gjithë burgu.

Gardianët u tmerruan. Në dalje të derës së burgut, Fagut, i’u prenë gjunjët dhe ra, por atij menjëherë i futi krahun patrioti kosovar Osman Taraku, i cili e ngriti me fuqi dhe i dha zemër që të mos jepej para xhelatëve. Siç mësuam më vonë, shkaku i dobësisë së Fagut ishte nëna e tij, e cila sapo kish marrë vesh se ata ishin dënuar me pushkatim, mendoi t’i mallëngjejë xhelatët, që të mos i’a vrisnin djalin e vetëm. Fagu, kur pa nënën që i’u rrëzua tek këmbët, u ligështua për një çast, por e kaloi dobësinë dhe eci i vendosur me shokët. Pas njëzet minutash, ne të burgosurit, me zemër të ngrirë dëgjuam bataretë e pushkëve të skuadrës së pushkatimit. Pas kësaj, toga e policëve-vrasës, erdhi duke kënduar këngë partizane, me tekst dhe muzikë sllave, të huazuara nga Tito e Stalini e të mësuara nga Dushan Mugosha, Miladin Popoviç e majori sovjetik, Ivanov.

Kontrasti midis këngëve sllave dhe këngëve patriotike e himnit të flamurit, bënin edhe diferencën midis nesh dhe komunistëve. Unë njihja një partizan që dikur kish qenë me Ballin, me forcat e Kadri Cakranit. Këtë partizan e quanin Qemal, dhe unë e takova pas disa ditësh, ku e pyeta për qëndrimin e trimave para pushkatimit. Ai më tregoi se: ata vdiqën si heronj. Murati nuk kish pranuar t’ia lidhnin sytë dhe para se xhelatët të qëllonin, kish thirrur me zë të lartë: ‘Qëlloni qenër… Rroftë Mbreti Zog…’. Pastaj arrestuan Akilin 17-vjeçar, që në atë kohë ishte gjimnazist. Bashkë me Akilin komunistët arrestuan edhe shokët e tij, gjimnazistët antikomunistë: Bujar Doko (përkthyesi i famshëm), Abdulla Berberi, Ismail Lleshi, Petrit Toto, Petrit Berisha, Parid Derani, Perlat Myftari, Adem Petrela, Bardhyl Dindi etj., gjithsej 12-13 vetë.

Pastaj, Akili kaloi kalvarin e burgjeve tre herë, ndërsa familja u keqtrajtua, ashtu siç kishte frikë dhe shpesh më thoshte në burg edhe Murati, i cili nuk pyeste fare për veten, por kishte merak për Akilin, të cilin e kishte pikë të dobët, ndaj i lutej Zotit që ta shpëtonte. Ai gjithashtu kishte merak për të gjithë familjen, të cilën e adhuronte”, e mbyll rrëfimin e tij, Xhemal Alimehmeti, duke u ngashëryer në lot, teksa kujtonte ish-shokët e tij të burgut që u ekzekutuan nga komunistët si “armiq të popullit”. Në kujtesën e Xhemal Alimehmetit, të bashkëkohësve dhe të të gjithë nacionalistëve, major Murat Basha ishte dhe mbeti atdhetari i madh, që luftoi për Shqipërinë dhe për Mbretin.

Letra e fundit për bashkëshorten, një ditë para pushkatimit!

Pak orë para ekzekutimit, në mbrëmjen e datës 6 qershor të vitit 1945, teksa priste skuadrën e pushkatimit për t’a marrë, major Murat Basha mundi që t’i shkruante një letër bashkëshortes së tij. Në atë cop letër të cilën familja e Murat Bashës e ka ruajtur si një nga gjerat më të rralla të saj, thuhet: “Ah grue, moj e zeza grue! Tash shtatë vjet që zemra jote qet vetëm vaje, lot dhe vner, domethënë qysh prej 7 Prillit 1939, dhe ti moj e bekueme, me gjithë kalamajtë vuejte, u mundove, u burgose, u internove, u dogje dhe u përvëlove. Kështu ra që edhe ti e bane luftën tande. E përse? Për të fituar lirinë! Kurse sot, që pritshim për me shiju të drejtën, mundin, djersën dhe gjakun e derdhun, përkundrazi, paska qenë kadër për me u ba kurban i mundimeve tona, e viktimë. Ani, ani Sato e dashun, prap mos u dëshpro, por, të lutem, si ngahera banu burrneshë e qëndro, se unë po bahem kurban i Lirisë së shenjtë. Tanë bota e din çështjen t’eme dhe e çmon fare mirë.

Porosi sa vijon:

1 – Amanet kalamajtë, shumë, shumë, shumë kujdes për fatin dhe edukimin e djemve dhe me ju dhanë ndonji zanat.

2 – Mbasi shpija asht e juaja, besoj se s’kan me ja u nga, bani si të bani e Zoti ju ndihmoftë dhe kam besim se miqtë s’kanë me ju lëshue doret.

3 – Dëshiroj që vorri të mos më hupi.

4 – Teshat që kisha me vedi në burg, i tregon lista ngjitun. Ruijini si kujtimin ma të shtrenjtë nga ana jeme.

5 – Me Metin takojuni, se mund t’u bajë hall për ndihmë.

6 – Këto letra ja u nepni të adresuemve.

7 – Nuk më vjen keq se po vdes, se po vdes për Liri dhe për çështjen tonë të madhe. Po hallin tuej e të rrethit familjar e kam të madh, se e di se në ç’gjendje po ju lej, e nuk po mund ta përshkruej dëshprimin tem, po fuqimadhen Perendi paçi ndihmë.

Pra edhe njiherë po ju lutem e po u them të bani shumë gajret…

Po i nap fund, duke ju puth e përqafu gjithmonë.

Në zemrën tande

Murati

– Edhe nji porosi: Vaje e gjamë mos me ba, vetëm gajret. /Memorie.al / KultPlus.com

Ibrahim Kodra, piktori legjendar me origjinë shqiptare i adoptuar nga Mbreti Zog

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Korrik 2021

“Radiocorriere” ka botuar, me 27 tetor 1979, një shkrim për piktorin e shquar shqiptar Ibrahim Kodrën, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar. 

Burimi : Ibrahim Kodra. Piktori me origjinë shqiptare është protagonist i kësaj jave të “Të parë nga afër – Visti da vicino”. – Radiocorriere, 27 tetor 1979, f.150

Heroi i një fabule është një piktor

 I adoptuar nga mbreti i Shqipërisë, Ibrahim Kodra është një artist me një jetë legjendare. Poeti Eluard e quajti atë “primitivi i një civilizimi të ri”. Jetën dhe punën e tij e tregon vetë në “Të parë nga afër – Visti da vicino”

Ai është një “legjendë”. Ai ishte tetë ose nëntë vjeç kur një mjeshtër i zellshëm i oborrit të mbretit i foli sovranit për një djalë që pikturonte si një piktor i madh. Mbreti dhe mbretëresha e birësuan (adoptuan). Nuk është një fabul, as historia e një piktori të Rilindjes. Por legjenda e Kodrës. I lindur më 1918 në Tiranë në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog, ai u adoptua nga ky i fundit me premtimin e mbretëreshës për ta dërguar për të studiuar në Itali. Dhe kështu ndodhi. Në fillim të të njëzetave, me një bursë, i riu arrin në Itali, në Milano dhe hyn në Brera në shkollën e Carra-s, Carpi-t, Funi-t, Morlotti-t, Dova-s, Peverelli-t. Pastaj lufta. Hy në Rezistencë. Dhe nuk largohet më nga Italia. Bëhet qytetar italian dhe nënshtetësia e tij firmoset nga i njëjti president Saragat-i që e uroj atë në “Quirinale”. Por edhe fitorja milaneze midis viteve 1940 dhe 1950 ka gjithashtu aromën e legjendës. Shkurtimisht, piktori nuk ndan, ashtu si në të kaluarën, ekzuberancën e jetës nga gjeniu artistik dhe bëhet një lloj heroi i romanit. Dhe është vetë ai që rrëfen tërë jetën e tij fantastike në takimin e tij me publikun në “Të parë nga afër – Visti da vicino” (e premte, ora 6 pasdite. Rete 2). Natyrisht, personaliteti i pagabueshëm i artistit të madh nuk është i ndarë nga stili i tij konfuz.

Është e gjitha në një. Rezultati është një vepër artistike gati si magjistare, drita, ngjyra, idhuj, aludime lirike për Orientin e tij Ballkanik, përzier në një stil të pagabueshëm. “Kodra është primitivi e një civilizimi të ri”, tha poeti Paul Eluard. Në përpjekje për të shpjeguar këtë alkimi misterioze artistike të këtij “primitivi” në transmetim është Carlo Munari. “Legjenda” e Ibrahim Kodrës është kështu një takim tjetër me artin bashkëkohor dhe mbi të gjitha me artistin, në ciklin e gjatë të Renzo Bertoni-t: një cikël që ka sjellë dhe sjell në shtëpi “të mëdhenjtë” e artit në dimensionin e tyre të përditshëm, në momentin e punës së tyre dhe në momentet e relaksimit: në një rrëfim që secili i bën vetes dhe artit të tij për publikun e gjerë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/radiocorriere-1979-kush-eshte-ibrahim-kodra-piktori-legjendar-me-origjine-shqiptare-i-adoptuar-nga-mbreti-zog/
Burimi : Radiocorriere, 27 tetor 1979, f.150

Kërkesa e Mbretit Zog drejtuar ambasadorit amerikan Charles Hart: Ma gjej një nuse në Amerikë

Një histori të pazakontë në lidhje me mbretin Zog, përcillet nga gazetari Enver Robelli. Ai tregon sesi Zogu i është lutur ambasadorit amerikan në Shqipëri, Charles Hart, që t’i gjente një grua me nënshtetësi amerikane.

Enver Robellit, publikon dokomentin nga arkivi:

Më 1925 Charles Hart u emërua ambasador (atëbotë ministër) i SHBA-së në Tiranë. Me kalimin e viteve Hart krijoi një raport mirëbesimi me Mbretin Zog, i cili kishte respekt e adhurim të madh për Amerikën.

Lajmin se Zogu kërkonte një nuse amerikane e dha agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ambasadori Charles Hart e mori seriozisht kërkesën e Mbretit të shqiptarëve dhe u kthye nga Amerika, me një listë me emra vajzash amerikane, por Zogu s’pranoi të merrte asnjërën prej tyre, sepse s’plotësonin kushtin e tij: të kishin një milion dollarë.

Ambasadorët amerikanë përherë kanë qenë në hall me politikanët shqiptarë./ KultPlus.com