60 vite nga vdekja e Mbretit Zog

Ahmet Zogu lindi më 8 tetor në fshatin Burgajet të Matit. Në vitet 1903-1912 mësoi në një shkollë ushtarake në Stamboll e pastaj në Austri. Pas Shpalljes së Pavarësisë u angazhua në Lëvizjen Kombëtare e politike të vendit, përcjellë KultPlus.

Ishte ndër nismëtarët e thirrjes së Kongresit të Lushnjës, ku mori pjesë aktive dhe u zgjodh ministër i brendshëm e më pas kryeministër (02.12.1922-25.02.1924). Në vitet 1925-1928, me shpalljen e Shqipërisë Republikë, Ahmet Zogu u zgjodh president i saj. Në vitin 1928, Asambleja Kushtetuese e shpalli Mbret të Shqiptarëve dhe sanksionoi formën monarkike të shtetit.

Në qeverisjen e vendit, Ahmet Zogu zbatoi një varg reformash në fushën sociale, kulturore e arsimore, nga të cilat më të rëndësishmet ishin ato në fushën e legjislacionit, si Kodi Penal (1927), Kodi Civil (1929) dhe Kodi Tregtar, i hartuar sipas modeleve të vendeve perëndimore.

 Pas sulmit të Italisë Fashiste kundër Shqipërisë, Ahmet Zogu bashkë me familjen e tij u largua nga Shqipëria. Ai jetoi si emigrant në disa vende, si Turqi, Angli, Egjipt dhe përfundimisht në Francë. Ai vdiq në Paris më 9 prill 1961. / KultPlus.com

Kurorëzimi i Mbretëreshës Geraldinë me Mbretin Zog

Më 26 janar të vitit 1938, të gjitha gazetat e Budapestit njoftuan se Kontesha Geraldine Apponyi, pritet të fejohet me mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43-vjeç.

Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi lajmin.

Kontesha 22-vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël.

Lajmi botohet pasi Zogu dhe Geraldina e kishin pëlqyer njëri-tjetrin.

Geraldina ishte takuar me mbretin Zog, në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut.

Geraldina shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh, çifti u fejua. E njohur si “Trëndafili i bardhë” i Hungarisë, në prag të martesës, Geraldina u ngrit në statusin mbretëror, si Princesha Geraldinë e Shqipërisë.

Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund, ndau fatin me të shoqin, në ditë të mira e të vështira. Pas vdekjes së mbretit Zog, Geraldina preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë.

Në qershor 2002, ajo kthehet nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, ku edhe vdiq më 22 tetor 2002. /konica/ KultPlus.com

Kur mbretëresha Geraldinë kërkonte 500 mijë franga dëmshpërblim për shpifje ndaj mbretit Zog

Nga Aurenc Bebja

“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 18 shtatorit 1963, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me procesin gjyqësor të mbretëreshës Geraldinë ndaj revistës franceze “L’Histoire pour tous”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Geraldina e Shqipërisë kërkon këtë shumë nga një revistë e cila akuzon Zogun I se “ka marrë rezervat e arit nga thesari i shtetit” gjatë pushtimit italian.

 500.000 franga për nderin e një mbreti 

Në gjyqin “historik” i cili është thirrur këtë pasdite, përpara dhomës së 17-të korrektuese, avokati Jean-Louis Aujol mbron, sipas traditës së mirë, të venë dhe jetimin.

 Por kjo e ve dhe ky jetim janë një mbretëreshë dhe një bir mbreti. Geraldina e Shqipërisë ka hedhur në gjyq revistën mujore “L’Histoire pour tous”, të cilën e akuzon se ka shpifur mbi memorjen e burrit të saj, Zogut të Parë.

Një artikull i Jo (Joseph) Tranchal-it, i cili u botua në numrin e qershorit 1962, i ka bërë vërejtje ish-mbretit për faktin se, kur ai u dëbua nga froni i tij në 6 Prill 1939, nga pushtimi italian, “lejoi të flijoheshin tre batalione të ushtrisë së tij” dhe “mori me vete rezervat e arit të thesarit të Shtetit”.

 Guximtar

 Sovrania kërkon 500,000 franga dëmshpërblim.

 U prita nga ajo, natën e kaluar, në vendbanimin e saj parisien që ajo ka mbajtur. Ajo po mbërrinte nga Madridi, ku është vendbanimi i saj.

Geraldina e Shqipërisë i ngjan legjendës së saj : shumë e gjatë, shumë e bukur, bjonde me sy të mëdhenj gri dhe një buzëqeshje me “gropëzat” në faqe. Ajo është veshur e gjitha me të zeza : u bënë dy vite që kur mbreti Zog vdiq.

 “— Burri im, më tha ajo, ishte një burrë trim dhe një njeri me nder. Akuza të tilla janë të pamundura ! Unë thirra si dëshmitar ish-ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, z. Hugh Grant, burra shteti francezë dhe ish-oficerë të burrit tim.

 Ne u detyruam të largoheshim sepse Zogu refuzoi të shiste vendin e tij te Musolini. Unë u largova nga Tirana nën bombat italiane, duke mbajtur në krahë djalin tim, Lekën, i cili lindi një ditë më parë, më 5 Prill…”

 “— Unë i besoj drejtësisë, më tha kundërshtari i mbretëreshës, z. Jean Eldin, drejtori-menaxhues i “L’Histoire pour tous – Historia për të gjithë” : Revista ime boton vetëm artikuj të kontrolluar me burimet më të mira.

 Emri i drejtorit të saj letrar, Alain Decaux, është garancia më e sigurtë e seriozitetit të kërkimeve tona. Në këtë artikull, ne jemi kufizuar në bërjen e historisë. Avokatët e mi, Gabriel Delattre dhe Jean – Edouard Bloch, do të prodhojnë dokumente të pakundërshtueshme, përfshirë një tekst nga akademiku Jérôme Tharaud.”

 Jean-Paul LACROIX

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1963-kur-mbreteresha-geraldine-kerkonte-500-000-franga-demshperblim-ndaj-revistes-l-histoire-pour-tous-per-shpifjen-ndaj-mbretit-zog/

Intervista ekskluzive e mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë në vilën e tyre në Kanë

Nga Aurenc Bebja

“Paris-presse” ka botuar, të enjten e 18 gushtit 1955, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë në vilën e tyre në Kanë të Francës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Mbreti Zog i Shqipërisë ëndërron të rimarrë fronin e tij

Në vilën e tyre në Kanë, Madhëria e Tij Zog I dhe Mbretëresha Geraldinë. Mbretëresha gjen sërish rininë e saj këtu : ajo u rrit në Nisë. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Côte d’Azur
Në një vilë të vjetër në Kanë
(Nga korrespondenti ynë Francis RICO.)

Një vilë me mure ngjyrë gri, të çara, kopshti i harlisur i së cilës nuk është mirëmbajtur prej kohësh : këtu qëndron mbreti Zog i Shqipërisë, i cili sapo ka mbërritur në Kanë me mbretëreshën Geraldinë.

 E ndërtuar në vitin 1900 gjatë kohës së “Dukave të Mëdhenj”, me një luks të frëngjive prej llaçi, shtëpia, pavarësisht sallonit së saj të madh të jetesës me tavan të pikturuar, është e trishtë dhe mban erën karakteristike të shtëpive të vjetra të pabanuara.

Para derës, të ulur në rreth, në kolltukët e kohës së Mbretëreshës Victoria, disa burra të gjatë, besnikët e fundit të sovranit të rrëzuar nga froni, bisedojnë në pritje të ditëve më të mira.

Ata flasin me njëri-tjetrin me zë të ulët, ose përdorin tespihe të bëra nga rruaza të mëdha me ngjyra.

 Kush janë ata ? Ish-zyrtarë të lartë, oficerë, magjistratë, të humbur në anonimitetin e xhaketës (kostumit) evropiane…

 Ata ruajnë mbretin që rrallë e shohin, vëzhgojnë daljen e mbretëreshës ose të princeshave, motrave të Zogut, vëzhgojnë lëvizjet e të madhit, Leka Skënderbeut, i cili ecën në fund të parkut ndërsa shikon majat e selvive.

 Përreth, Kana shkëlqen plot shëndet. Vilat, me qepenet e hapura, shfaqin pamjen e pushimeve, të gëzimit, diellit, pasurisë.

 Në sfond, deti është i mbushur me varka me vela ose i shqyer nga skiatorët detarë.

 Nga dritarja e sallonit të madh shohim çatitë e pallateve (vilave) të mbuluara me flamuj që valëviten nga era dhe Palm Beach Casino shfaq arkitekturën e saj të çuditshme orientale si një xhami e humbur në brigjet e largëta të Mesdheut.

 Mbreti më priti në orën e premtuar. Ai është ulur në një divan të madh që e bën më të hollë figurën e tij të dobësuar. Zog I ngrihet për të më dhënë dorën.

 “— Jam i lumtur, tha ai, që po pres një francez. Ne e duam aq shumë Francën, e cila na ka dashur aq shumë.”

 Sekretari i tij privat shtrin një tabaka me cigare “bjonde” të Régie française. Zog I, i cili vazhdon të pijë duhan pavarësisht ndalimit nga mjekët e tij, ndez një cigare tjetër fill pas asaj që sapo mbaroi. Nuk e kisha parë që nga një intervistë që ai më dha në vitin 1939 në Versajë, ku ishte strehuar pas pushtimi të Tiranës nga Musolini.

 “— Lartmadhëri, më në fund, u mor haku juaj ndaj italianëve ?”

 Një buzëqeshje e zbehtë nën mustaqet e tij të famshme si një oficer kalorësie ballkanike.

 “— Plot ngjarje që atëherë, psherëtiu ai. Pashkët e vitit 1939 ishin fillimi i luftës botërore. Por si mund ta dinim ?”

Një mbretëreshë e buzëqeshur

 Mbretëresha Geraldinë shfaqet me një fustan të freskët, modest dhe pranveror; një gjerdan margaritar i imët për çdo stoli. Ajo është e gjatë, e hollë, e qeshur. Papritmas, salloni i vjetër ndriçon.

Ajo flet frëngjisht hyjnisht me një theks këndues. Ajo është me origjinë hungareze. Por ka udhëtuar kaq shumë! 

“— Unë gjej këtu rininë time, thotë ajo, në këtë vend kaq blu dhe kaq të bukur. A e dini se kam studiuar në liceun e Nisës dhe në një shkollë angleze ?”

 Ndërsa e pyes nëse i pëlqen të dalë, të shohë koleksione, të shkojë në kazino, buzëqeshja e saj ngrin :

 “— Mbreti është i sëmurë; Ai ka nevojë për pushim, përgjigjet ajo. Çfarë do të bëj vetëm, në një gala ? Çfarë do të bëja pa të ?”

 Zogu e shikon me butësi. Ai rrëshqet dorën e tij mbi të sajën. Buzët e tij pëshpëritin një falënderim.

 “— Unë duhet të shkoj në Paris, vazhdon ai, të konsultohem me autoritetet tuaja mjekësore. Shëndeti im është i brishtë dhe duhet të kursej veten time, sepse do të doja të përkushtoja pjesën tjetër të forcës time në shpëtimin e vendit tim.”

 “— Lartmadhëri, a mendoni se një ditë do të ktheheni në Shqipëri ?”

 Fytyra e tij ngrihet. Toni i zërit të tij ngurtësohet. Sekretari më në fund e përkthen përgjigjen.

 “— Nëse fuqitë e mëdha bien dakord për ribashkimin e Gjermanisë, deklaron mbreti, atëherë do të vijë dita kur disa shtete do të thirren të shpallin, nëpërmjet plebishiteve të lira, qëllimet dhe dëshirat e tyre për qeveri. Shqipëria si të tjerët do të jetë në gjendje të shprehë vullnetin e saj.”

 Dëgjojmë këmbanën e një kapele (kishe) aty pranë që na jep sinjalin se është ora dymbëdhjetë e mesditës. Dielli është tashmë në pikun e tij. Geraldina përkulet për të parë “Croisette-n” të mbushur plot me njerëz. Është kënaqësi të qëndrosh nën hijen e freskët. Mbretëresha merr dorën e mbretit dhe të dy hyjnë në kopsht, midis dafinave dhe trëndafilave.

 “— Ditë të mbarë, zotëri !”, tha Zogu I, duke ndezur një cigare tjetër.

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1955-intervista-ekskluzive-me-mbretin-zog-dhe-mbretereshen-geraldine-ne-vilen-e-tyre-ne-kane-qellimet-e-mbretit-dhe-kujdesi-i-geraldines-per-shendetin-e-tij/

Thirrja që Mbreti Zog i drejtoi popullit shqiptar për të mbrojtur atdheun nga Italia fashiste

Nga Aurenc Bebja 

“La Petit Gironde” ka botuar, të dielën e 10 prillit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me thirrjen e mbretit Zog drejtuar asokohe popullit shqiptar me qëllim mbrojtjen e atdheut nga Italia fashiste, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Thirrja e mbretit Zog për të marrë armët

 Tiranë, 8 Prill. — Mbreti Zog iu drejtua, të premten, popullit shqiptar me thirrjen e mëposhtme:

 “Qeveria italiane, me kërkesat e saj të reja, që nuk korrespondojnë me traktatet dhe marrëdhëniet miqësore që ne kemi mbajtur, dëshiron të minojë Pavarësinë dhe sovranitetin e mbretërisë shqiptare. Unë dhe qeveria mbretërore nuk do ta pranojmë kurrë këtë sulm, i cili tenton të zhdukë lirinë e arritur dhe të fituar me gjakun e këtij populli.

 Në rast se Italia përdor forcën, unë ftoj të gjithë popullin shqiptar, në këtë moment të rrezikshëm, të bashkohet për mbrojtjen e atdheut dhe të pavarësisë së tij, dhe ta mbrojnë atë deri në pikën e fundit të gjakut.

Jam i bindur që populli shqiptar, i vogël në numër, por i madh në shpirt dhe guxim, në këtë moment do të jetë në gjendje të dëshmojë se ka në shpirtin e tij ndjenjat më të gjalla kombëtare, të trashëguara nga paraardhësit e tij.

 Jam i bindur që një popull i bashkuar në këtë mënyrë do të përfitojë nga mbrojtja e Providencës.

 I bëj thirrje të gjithë popullit tim që të dëshmojë guximin dhe dashurinë e tij ndaj atdheut, në mënyrë që ai të sigurojë, herët a vonë, në këtë territor, të drejtën e tij natyrore.

 Rroftë Shqipëria ! Rroftë populli shqiptar !”

Zogu

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-kjo-eshte-thirrja-qe-mbreti-zog-i-drejtoi-popullit-shqiptar-me-7-prill-1939-per-te-mbrojtur-atdheun-nga-italia-fashiste/

Historia e dënimit të dy shqiptarëve që tentuan të vrisnin mbretin Zog në Vjenë

Nga Aurenc Bebja 

“Excelsior” ka botuar, të dielën e 4 tetorit 1931, në ballinë, një shkrim në lidhje me dënimin e autorëve të atentatit ndaj mbretit Zog në Vjenë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Dënimi i autorëve të atentatit kundër Ahmet Zogut të Shqipërisë

 “Gjeloshi (Ndok) dhe Aziz Çami (majtas) në vendin e të akuzuarve.

Gjyqi i dy studentëve shqiptarë që u përpoqën të vrasin mbretin Ahmet Zogu në Vjenë dhe vranë ndihmësin e tij të oborrit mbretëror përfundoi në Ried.

Gjeloshi u dënua me shtatë vite burg, ndërsa Çami me tre vite.

https://www.darsiani.com/la-gazette/excelsior-1931-ja-me-sa-vite-burg-u-denuan-dy-shqiptaret-qe-tentuan-te-vrisnin-mbretin-zog-ne-vjene-fotografia-e-gjyqit/.

Kur 25 studentë shqiptarë u dërguan në kohën e Mbretit Zog për të studiuar në Fakultetet e Mjekësisë në Francë

Nga: Aurenc Bebja

“Comoedia” ka botuar, të enjten e 10 tetorit 1929, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me dërgimin në Francë të 25 studentëve shqiptarë nga qeveria shqiptare për të studiuar asokohe në Fakultetet e Mjekësisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Disa studentë shqiptarë në Francë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Qeveria shqiptare ka vendosur të dërgojë 25 bursistë në Fakultetet e Mjekësisë në Francë, të cilët do të ndjekin posaçërisht leksionet e Shërbimit shëndetësor ushtarak.

Universiteti i Strasburgut do të marrë 10 studentë, gjë që dëshmon mbi vlerësimin e madh që kanë universitetet franceze jashtë vendit, veçanërisht në Shqipëri. /KultPlus.com

Mbreti Zog nga Kajro (1949): Jam autoriteti i vetëm legjitim shqiptar

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Dhjetor 2019

“Combat” ka botuar, të enjten e 1 shtatorit 1949, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me reagimin e mbretit Zog ndaj krijimit të “Komitetit të Shqipërisë së Lirë” dhe thirrjen e tij drejtuar shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëri

Mbreti Zog konteston legjitimitetin e komitetit “Shqipëria e Lirë”

Kajro, 31 gusht. — Ish-mbreti Zog, i cili banon në Aleksandri, u shpreh mbi formimin e fundit të “Komitetit të Shqipërisë së Lirë”, nëpërmjet një komunikate të publikuar nga “Legata Mbretërore e Shqipërisë” në Kajro, në të cilën ai thotë se e konsideron veten si “autoritetin e vetëm legjitim që nga agresioni italian i 1939”.

Ai ftoi “të gjithë shqiptarët pa dallim politik” që të arrijnë bashkimin kombëtar për t’i siguruar Shqipërisë “një epokë të re në kuadrin e kombeve të lira dhe demokratike”

Beogradi mohon ekzistencën e komiteteve shqiptare “titoiste”

Beograd, 31 Gusht. — Agjensia Tanyoug e autorizon veten të mohojë si “të pabazuar” informacionin e formimit të dy komiteteve refugjatësh politikë shqiptarë në Jugosllavi.

Tiranë : “Shqiptarët e Lirë” janë kriminelë lufte

Tiranë, 31 gusht. — Qeveria e Z. Enver Hoxha, në një deklaratë të lëshuar dje, tha se nismëtarët kryesorë të komiteteve të ndryshme shqiptare, të përbëra ose në proçes krijimi në vendet perëndimore dhe që synojnë rrëzimin e regjimit aktual, janë ish-kriminelët e luftës, të pretenduar si të tillë nga Shqipëria.

Kjo akuzë është drejtuar veçanërisht kundër Z. Frashëri dhe Kupi, drejtuesit kryesorë të Këshillit të Shqipërisë së Lirë, të formuar së fundmi në Paris me nxitjen e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Nga Aurenc Bebja, Francë, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania, : https://www.darsiani.com/la-gazette/mbreti-zog-nga-kajro-1949-jam-autoriteti-i-vetem-legjitim-shqiptar-qe-prej-agresionit-italian-te-1939-i-ftoj-te-gjithe-shqiptaret-pa-dallim-politik-te-bashkohen-per-nje-shqiperi-te-lire-dhe-demokratike/ KultPlus.com

Mbreti Zog nga Anglia për France-soir (1945) : “Unë jam një pasardhës i një familje të madhe dhe jo një druvar, siç është thënë.”

“France-soir” ka botuar, të premten e 21 shtatorit 1945,në ballinë, rrëfimin ekskluziv të mbretit Zog me korrespondentin e saj special në Londër, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar

(Nga korrespodenti ynë special Jacques Pécheral)

Londër, 20 shtator.

Konferenca e të Pestëve po merret aktualisht me fatin e Shqipërisë.

Por duket se askush nuk interesohet më për atë i cili, deri në pushtimin e këtij vendi nga trupat italiane, të Premten e Shenjtë të 1939, ishte mbret i Shqipërisë. Ai quhej Zogu I ; ai u martua me një konteshë të re hungareze, Geraldinë Apponyi, nëna e së cilës u martua në Nice me kolonelin francez Giraud.

Mbretëresha e re sapo kishte lindur një princ të vogël. Pas disa orësh, e gjithë familja mbretërore duhej të linte pallatin e Tiranës dhe, përmes shtigjeve të vështira nëpër male të mbuluara nga dëbora, arriti në kufirin grek.

Që atëherë, është folur pak për Zogun I. Por ai ende e konsideron veten sundimtar legjitim të Shqipërisë.

Dorëzoni xhevahirët e kurorës !

“Unë jam një pasardhës i një familje të madhe dhe jo një druvar, siç është thënë.”, tha Mbreti Zog, të cilin e kam parë në Londër. “Nuk mbërrita në Angli duke pasur në valixhet e mia xhevahirë të një shume prej dy milion paundësh… Asnjë grua nuk bëri vetëvrasje për mua në Tiranë në shkallët e Monumentit të dëshmorëve…”

Këto tre pikat janë veçanërisht të rëndësishme për Zogun I, ish-mbretin e  Shqipërisë, i cili jeton në Britaninë e Madhe që nga viti 1941. Aq të rëndësishme janë sa që një gazetë javore angleze, e cila pohoi dikur të kundërtën, mbreti Zog e paditi në gjykatë dhe fitoi ndaj saj.

Ish-mbreti i Shqipërisë ka një shqetësim tjetër : nga të gjithë sovranët në mërgim, ai është i vetmi për të cilin janë kujdesur më pak. Megjithatë, në dy raste, bashkatdhetarët e tij, të cilët gjithashtu jetojnë në Britaninë e Madhe u kujtuan për ekzistencën e tij : herën e parë ishte në vitin 1942 për ta njoftuar se, nëse ai me të vërtetë kishte sjellë me vete xhevahirët e kurorës, do të ishte e këshillueshme që ai ta vendoste shumën në dispozicion të të gjithë refugjatëve. Herën e dytë, ishte në vitin 1944 për t’i thënë atij se populli shqiptar e konsideron rikthimin e mundshëm të tij në Shqipëri si të padëshirueshëm. Ndërkohë, Zogu ishte informuar se forcat ajrore britanike dhe afrikano-jugore kishin sulmuar rëndë Pallatin e tij të Tiranës, ku gjermanët kishin ngritur selinë e tyre, dhe se 56 goditje të drejtpërdrejta kishin prekur ndërtesën në fjalë.

Mbreti Zog e mori me sportivitet këtë lajm të fundit. Sa i përket kërkesave për fonde, ai nuk mund t’u përgjigjej shpresave të bashkatdhetarëve të tij, për arsye të mungesës të hollave.

Për një kohë të gjatë, mbreti dhe familja e tij jetuan në një rezidencë të vjetër të izoluar në zemër të kodrave të “Chutern-it”.

Zogu jetoi një jetë të qetë atje, duke pritur shumë pak njerëz dhe duke mos pasur asnjë argëtim tjetër përveç gotës së birrës që ai pinte herë pas here në “Pub-in” e fshatit fqinj, në pronësi të zonjës Roberts. Oborrtarët që gjendeshin në shtëpinë e tij ishin të pamjaftueshëm për mirëmbajtjen e një ndërtese të kësaj madhësie. Nga ana tjetër,  edhe motrave të mbretit u dukej ky vend me të vërtetë i trishtë. Kohët e fundit, Zogu erdhi të jetojë në një vilë të thjeshtë.

Mbreti Zog, pavarësisht jetës së izoluar, nuk ka hequr dorë nga roli i tij politik. Përkrah tij, ai ka një këshilltar të përhershëm, Z. Naçi. Ky merret me raportet zyrtare të mbretit me qeverinë britanike.

Kërkesa e shqiptarëve të lirë në Britani për të dhënë dorëheqjen nga froni nuk ndikoi në asnjë mënyrë të mbreti Zog, sepse, ai tha : “Jashtë familjes time dhe vetvetes, ka saktësisht tetë shqiptarë në Britani, dhe kjo është vështirë se mund të konsiderohet si shumicë.”

Sidoqoftë, një goditje më e fortë iu bë atij në nëntor të 44, kur kërkesa që ai i bëri qeverisë britanike për ta lejuar që të kthehej në Shqipëri iu kundërshtua nga autoritetet kompetente në mënyrë të sjellshme por të prerë. Me sa duket, Foreing Office mendon se midis grekëve, jugosllavëve dhe bullgarëve, hapja e një çështje shqiptare do të ishte e tepërt.

E megjithatë, Mbreti Zog, të paktën një herë në jetën e tij, i ka sjellë ndihmë të drejtpërdrejtë Bashkimit Sovjetik. Tre vite më parë, kur djali i tij, princi i vogël Leka, kaloi përpara “Pub-it” të zonjës Roberts, ajo i dha atij disa karamele; Serioz, princi i dha monedhën prej dy shilingash, të cilat ishin paratë e fundit që i kishin mbetur në xhep.

E shqetësuar për të mos e mërzitur atë, zonja Roberts i mori paratë dhe i futi në një trung të vendosur mbi banak nga vetë ajo me qëllim mbledhjen e kontributeve vullnetare të klientëve të saj, të cilat i jepeshin më pas shoqatës në ndihmë të Rusisë, të krijuar nga zonja Churchill.

Fati i keq ka qenë i ashpër ndaj madhërisë së tij shqiptare. Gjatë sulmeve të mëdha ajrore gjermane në Angli, një bombë preku valixhet që përmbanin uniformat shkëlqyese që ishin krenaria e mbretit Zog. Që atëherë dhe në mungesë të kuponave të tekstileve për të ribërë gardërobën e tij, ai vishet me rroba civile. /KultPlus.com

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit :https://www.darsiani.com/la-gazette/mbreti-zog-nga-anglia-per-france-soir-1945-une-jam-nje-pasardhes-i-nje-familje-te-madhe-dhe-jo-nje-druvar-sic-eshte-thene/.

“Eshtrat e Ismail Qemalit prehen në Vlorë falë kujdesit dhe shpenzimeve personale të Mbretit Zog”

Nga Aurenc Bebja

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të mërkurën e 30 nëntorit 1932, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me veprimin dhe respektin e Mbretit Zog ndaj Ismail Qemalit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shqipëri

20 vjetori i Pavarësisë.

 Na telegrafojnë nga Tirana :

20 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë u festua në të gjithë vendin. Një ceremoni e madhe u zhvillua në Vlorë, ku, në 1912, Ismail Bej Qemal Vlora shpalli pavarësinë e Shqipërisë, eshtrat e të cilit u transportuan nga Kanina në varrin e ri të ngritur në Vlorë nën kujdesin dhe shpenzimet personale të mbretit.

https://www.darsiani.com/la-gazette/media-franceze-1932-eshtrat-e-ismail-qemalit-prehen-ne-vlore-fale-kujdesit-dhe-shpenzimeve-personale-te-mbretit-zog/

L’Intransigeant 1928: Urimet e Vatikanit për Mbretin Zog

Nga Aurenc Bebja

“L’Intransigeant” ka botuar, të enjten e 13 shtatorit 1928, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me urimet e Vatikanit për mbretin e ri të shqiptarëve, Ahmet Zogun.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, lideri shqiptar ka organizuar asokohe një takim me krerët e lartë të kishës katolike në Tiranë.

Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë të gazetës franceze, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Sovrani takoi peshkopët

“Tiranë, 12 shtator. – Mbreti Zog I priti dje Kryepeshkopin Della Pietra, delegat apostolik, i cili prezantoi urimet me rastin e aderimit të tij në fron.

U pritën gjithashtu nga mbreti kryepeshkopi i Shkodrës ashtu si dhe peshkopët; Këta personalitete të larta të kishës katolike i paraqitën urimet e tyre mbretit, i cili i falënderoi ata, për shërbimet patriotike dhe kulturore të kryera nga klerikët.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-intransigeant-1928-urimet-e-vatikanit-per-mbretin-zog-i-takimi-ne-tirane-me-personalitetet-e-larta-te-kishes-katolike/.

Fjalët e para të Mbretit Zog pas atentatit të Vjenës

Nga Aurenc Bebja

“Le Petit Journal” ka botuar, të hënën e 23 shkurtit 1931, në faqen n°3, fjalët e para të mbretit Zog pas atentatit të Vjenës, të botuara në gazetën austriake “Neue Freie Presse”, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Pas atentatit të Vjenës

“Unë erdha këtu në mënyrë private”, deklaroi mbreti Zog

Vjenë, 23 shkurt — Neue Freie Presse e këtij mëngjesi ka publikuar deklaratat e mëposhtme të mbretit Zog :

 Kam ardhur në Vjenë në mënyrë private dhe për të përfituar nga shkenca dhe aftësia e padiskutueshme e stafit mjekësor të kryeqytetit austriak.

Unë jam thellësisht i zemëruar që gjenden këtu njerëz që, për fat të keq, e quajnë veten shqiptarë, dhe sjellin në tokën austriake, në mënyrën më kriminale, grindjet (mosmarrëveshjet) politike.

Më lejoni, më në fund, të shpreh keqardhjen për vdekjen e mikut tim besnik, komandant Topallajt, i cili ra në krye të detyrës nën plumbat e vrasësve.

https://www.darsiani.com/la-gazette/fjalet-e-para-ekskluzive-te-mbretit-zog-pas-atentatit-te-vjenes-per-neue-freie-presse-1931/.

Fotografia e parë e mbretit Zog dhe Geraldinës në pallatin mbretëror sipas gazetës franceze

Nga Aurenc Bebja

“Paris-soir” ka botuar, të dielën e 12 shkurtit 1938, në faqen n°16, fotografinë e parë të mbretit Zog dhe konteshës Geraldinë, e shkrepur asokohe në pallatin mbretëror në Tiranë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Madhëria e Tij Zogu, mbret i Shqipërisë, së shpejti do të martohet me konteshën e re Geraldina Apponyi.

Kjo është fotografia e parë e të tyre, e shkrepur në pallatin mbretëror në Tiranë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/fotografia-e-pare-e-zogut-dhe-geraldines-ne-pallatin-mbreteror-sipas-gazetes-franceze-1938/.

Historia e Shefqet Kapetanit me Mbretin Zog

Mbreti shqiptar Ahmet Zogu, nga të katër vilat e tij në Shqipëri, më për qejf e kishte atë të Durrësit. Do ta ketë ndjellë magjia e detit, si kundërshti e ashpërsisë së bjeshkëve nga e kishte origjinën ai. Pak kohë para se Shqipëria të aneksohej nga Italia fashiste, pa e njoftuar Gardën, braktis vilën e zbret në plazh. Zogu nuk i shpëtoi syrit të oficerit kosovar, Shefqet Bylykbashi, me origjinë nga një familje fisnike nga Baica e Kolshit të Drenicës, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë, në drejtimin e Artilerisë në Romë.

Sipas studiuesit Bajram Mjeku, gjatë bisedës mbreti Zog i tha besnikut të tij: “Kam ba një gabim historik dhe shqiptarët s’do t’ma falin kurrë. Në vend se të lidheshim me Anglinë, gabuam e u lidhëm me Italinë”!

Më shumë se nga lajmësit e tij nga Roma, mbreti Zog kuptoi se ishin çastet e fundit kur Italia fashiste do ta okuponte Shqipërinë. Me një ushtri të armatosur dobët dhe të paorganizuar mirë, okupimi ishte i paevitueshëm.

Shefqet Kapetani në mesin e luftetarëve shqiptar

“Mbreti shqiptar sigurisht ishte në dijeni për idenë e Haxhi Zekës, që Shqipëria para se të pavarësohej, për njëzet vjet të mbetej nën protektorat anglez. Detajin e bisedës midis mbretit Zog dhe Shefqet Bylykbashit e dëshmon djali i tij, Fuat Bylykbashi”, thotë Mjeku. “Shefqet Bylykbashi gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte komandant i artilerisë në vijën kufitare Prapashticë- Preshevë, në mbrojtje të kufirit nga forcat serbe në kuadër të Regjimentit të Katërt të Ushtrisë Shqiptare, i cili komandohej nga Fuat Bej Dibra. Shefqet Bylykbashi, për të nderuar komandantin, e pagëzoi djalin e tij me emrin Fuat”.

Shefqet Kapetani me të vëllain Bajramin

Në Kosovë, Shefqet Bylykbashi njihet me nofkën Shefqet Kapetani. Një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij. Në vitin 2010, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Presidenca e Kosovës, dekoroi major Shefqet Bylykbashin me urdhrin Medalja e Artë e Lirisë./ Telegrafi/ KultPlus.com

Kur Mbreti Zog dhe Geraldina refuzuan një natë tek hoteli luksoz, e kaluan natën në tren

Nga Aurenc Bebja 

“L’Œuvre” ka botuar, të martën e 18 korrikut 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me vendimin e marrë nga mbreti Zog dhe mbretëresha Geraldinë në kryeqytetin letonez, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Dy udhëtarë, një mbrëmje…

 “Ish-mbreti Zog i Shqipërisë dhe mbretëresha Geraldinë, të cilët do të shkojnë në Londër, ishin në Riga ditën që kaloi. Ishte mbrëmje kur treni i tyre arriti në stacion.

Ata ishin duke u përgatitur që të shkonin në hotelin e vetëm të madh në qytet, kur mësuan se ky hotel quhej “Hotel Roma”.

Atëherë, ata refuzuan të zbrisnin nga treni, dhe e kaluan natën në vagonin e tyre.

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-oeuvre-1939-mbreti-zog-dhe-mbreteresha-geraldine-refuzuan-te-kalonin-naten-ne-hotel-roma-ne-riga-letoni/.

Kur Italia fashiste detyroi refugjatët hebrenj, të pranuar nga Mbreti Zog, të largoheshin nga Shqipëria

Nga Aurenc Bebja

Gazeta “Paix et Droit”, organ i Aleancës Universale Izraelite, ka botuar, në qershor të 1939, në faqen n°12, një shkrim mbi fatin e refugjatëve hebrenj në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Të gjithë refugjatët hebrenj do të duhet të largohen nga Shqipëria

 “Autoritetet italiane kanë urdhëruar refugjatët hebrenj që banojnë në Shqipëri që të largohen nga vendi deri më 7 qershor.

Në Shqipëri, mes njëqind dhe dyqind refugjatë u pranuan në këtë vend nga Mbreti Zog I. Deri tani, ata gëzonin lirinë më të plotë dhe kishin marrëdhëniet më të mira me popullsinë shqiptare.”.

https://www.darsiani.com/la-gazette/kur-italia-fashiste-detyroi-refugjatet-hebrenj-te-pranuar-nga-mbreti-zog-te-largoheshin-nga-shqiperia/.

Mbreti Zog

Kur 5 prilli i vitit 1939 u shpall festë kombëtare në Shqipëri

Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar, të premten e 7 prillit 1939, në faqen n°2, lajmin e lindjes së princit trashëgimtar të shqiptarëve, Leka Zogu.

Blogeri Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, sjell, për lexuesin shqiptar, detajet e asaj dite tepër të veçantë për Mbretin Zog dhe Mbretëreshën Geraldinë :

Shqipëri
Lindja e princit trashëgimtar
Telegram nga Tirana:

“Mbretëresha Geraldinë, të mërkurën në mëngjes, në orën 3:30, solli në jetë princin trashëgimtar.
Mbreti Zog i dërgoi popullit një mesazh të bashkënënshkruar nga presidenti i këshillit dhe nga të gjithë anëtarët e qeverisë.
Stacioni i Radio Tiranës njoftoi të gjithë Shqipërinë për lajmin e lumtur, pastaj transmetoi himne patriotike dhe këngë popullore.
Në orën 8:30, prefekti i kryeqytetit mbajti një fjalim shumë të duartrokitur, i cili u pasua nga gëzime patriotike.
Në të gjithë qytetin dëgjoheshin himne patriotike, të kënduara me entuziazëm nga populli i tërë. Ky i fundit, kaloi pikat e kontrollit, hyri në rezidencën mbretërore për të kërkuar mbretin. Mbreti Zog u shfaq në ballkon, i emocionuar nga ky manifestim spontan i turmës.
Mbreti, i rrethuar nga familja mbretërore, priti pastaj presidentin e këshillit dhe anëtarët e qeverisë, si dhe një delegacion parlamentar, i cili erdhi t’i paraqesë atij urimet e kombit.
5 prilli u shpall festë kombëtare”./ KultPlus.com

Arkivat angleze: Pse u shpall mbret dhe sa para mori Zogu nga Shqipëria

Më 31 janar 1925 u shfuqizua Regjenca prej katër anëtarësh dhe Ahmet Zogu u zgjodh president i republikës së sapo shpallur shqiptare, ndërsa Tirana u njoh si kryeqytet i përhershëm i vendit.

Kushtetuta që u miratua u ndërtua në mënyrë të tillë që të rriste pushtetin e Zogut, i cili kishte të drejtë të caktonte dhe të shkarkonte ministrat sipas dëshirës së tij. Zogu menjëherë iu përvesh punës për konsolidimin e pushtetit të tij, duke likuiduar apo detyruar të arratiseshin ish-kundërshtarët e tij më të rrezikshëm.

Luigj Gurakuqi u vra një kafene në Bari; vrasësi i tij shumë shpejt u shpall i pafajshëm. Bajram Curri u ndoq këmba këmbës dhe kufoma e tij u gjet në një shpellë pranë Dragobisë. Pavarësisht se në Tiranë e morën vesh të gjithë se Curri vdiq në duart e agjentëve të Zogut, vendasit këmbëngulnin se ai vrau veten. Shumë udhëheqës të tjerë kosovarë, si fjala vjen Zija Dibra, i cili u qëllua për vdekje ndërsa po përpiqej t’i shpëtonte arrestimit nga policia, pësuan të njëjtin fund të parakohshëm.

Mandej Zogu kurdisi lëvizje për të ndërprerë aktivitetet e Komitetit të Kosovës, i cili përbënte një rrezik për marrëdhëniet e tij të mira me Jugosllavinë. Trupat që kishin qenë besnike të Nolit u çarmatosën dhe u shpërbënë. Kjo i hapi rrugën Zogut për të vendosur diktaturën e tij. Ishte ky një regjim autoritarist dhe konservator, qëllimi kryesor i të cilit ishte ruajtja e stabilitetit dhe rendit. Prandaj dhe ai u mbështet nga bajraktarët dhe çifligarët, pasi të gjithë atyre u garantohej ruajtja e gjendjes ekzistuese. Megjithëse jugosllavët kishin mbështetur kthimin e tij në Shqipëri, ata nuk ishin në gjendje t’i jepnin Zogut ndihmë financiare, për të cilën ai kishte shpresuar dhe kishte aq nevojë për të mbajtur në këmbë regjimin e tij. Prandaj dhe ai u detyrua të miratonte një politikë bashkëpunimi me Italinë.

Ndërkohë, një territor që kishte mbetur i diskutueshëm, parandalonte përcaktimin përfundimtar të Shqipërisë. Zona e njohur tashmë si Shën Naum në brigjet e liqenit të Ohrit, vazhdonte të ishte e pushtuar nga trupat jugosllave. Jugosllavët pretendonin se Zogu ua kishte premtuar këtë territor si shpërblim për mbështetjen që ata i kishin atij për rikthimin në Shqipëri në dhjetorin e kaluar. Gjithsesi, Zogu e mohoi këtë dhe çështja iu përcoll Konferencës së Ambasadorëve. Problemi u zgjidh përfundimisht duke i dhënë Jugosllavisë Shën Naumin dhe zonat përreth malit të Vermoshit, ndërkohë që Shqipëria mori qytetin fqinj të Peshkopisë dhe disa fshatra të tjerë të vegjël.

Vendosja e monarkisë

I pasigurt për shkallën e mbështetjes nga ana e popullit, Zogu vendosi që ndoshta një monarki do t’i jepte regjimit të tij më shumë siguri dhe vazhdimësi se sa forma republikane e qeverisjes.

Shqipëria ishte i vetmi vend ballkanik që nuk ishte monarki. Prandaj dhe më 1 shtator 1928, Zogu braktisi emrin e tij turk Ahmet, bashkë me ‘u’-në nga Zogu dhe e kurorëzoi veten ‘Zog I, Mbret i Shqiptarëve’.
Ky titull shkaktoi shtangie në Beograd. Ndërsa jugosllavët nuk kishin ndonjë kundërshtim ndaj një ‘Mbreti të Shqipërisë’, ata e akuzuan Zogun për nxitje të prirjeve irredentiste midis shqiptarëve kosovarë duke e quajtur veten Mbret të të gjithë shqiptarëve. Sidoqoftë, ata e njohën atë, në mënyrë që ai të mos shtyhej më tej drejt Italisë.
Për t’i dhënë një peshë solemniteti këtij momenti midis nënshtetasve të tij tejet apatikë, Zogu shpalli tri ditë festime me hedhje fishekzjarresh dhe manifestime ‘spontane’ në qytetet kryesore. Një dekret zyrtar përcaktonte se: ‘E gjithë popullata duhet të marrë pjesë… asnjë burrë apo grua nuk duhet të qëndrojë i ulur nëpër kafene apo restorante gjatë manifestimeve; të gjithë duhet t’i bashkohen manifestimeve popullore’.
Katolikët në veri nuk ishin fort pëlqyes me idenë e një mbreti mysliman. Për të fituar mbështetjen për monarkinë, Zogu i dha çdo oficeri të ri të ushtrisë një gradë më të lartë, një rritje rroge si dhe një uniformë të re plot shkëlqim.
Megjithatë kalimi nga republika në monarki pati pak ndikim në kufijtë e ekzistencës së shumicës së shqiptarëve.

Edit Durhami ka mendimin si edhe shumë të tjerë të huaj se monarkia u vendos kryesisht për të garantuar interesat italiane. Ajo më vonë i shkruante një miku:
“Gjithnjë kam menduar se si Mbreti Zog, aq injorant dhe i pakulturuar, të ishte në gjendje të sundonte me drejtësi, ndaj dhe ishte kjo arsyeja që italianët e lanë atë të bëhej Mbret, në vend që të vazhdonte si President. Me qëllim që ata ta kishin atë vegël të tyre. Si president ai mund të binte dhe në vend të tij të zgjidhej një burrë më i mirë. Por si mbret, ata do ta kishin atë përherë në duart e tyre…”
Kushtetuta e re që u shpall në dhjetor 1928 i dha Mbretit pushtet të pakufizuar legjislativ, juridik dhe ekzekutiv, duke i garantuar Zogut mbizotërimin. Një dokument i përbërë nga 234 nene, kushtetuta shpallte që Mbretëria e Shqipërisë ishte një monarki demokratike, kushtetuese dhe e trashëgueshme.
Ajo nuk ishte një shtet fetar; të gjitha besimet janë të barabarta përpara ligjit. I gjithë pushteti buronte nga kombi dhe trupëzohej te Mbreti dhe parlamenti njëdhomësh. Si mbreti dhe parlamenti kishin të drejtën e formulimit të ligjeve. Interpretimi i mirëfilltë të ligjeve i përkiste pushtetit legjislativ (artikulli 10); zbatimi në praktikë i ishte rezervuar Mbretit.
Procesi zgjedhor vazhdonte të siguronte që vetëm kandidatët besnikë të Zogut kishin shanse për të fituar, për më tepër që partitë politike ishin shpallur të paligjshme. Kështu që vetëm këta kandidatë zgjidheshin gjithmonë. Çdo kandidat duhej të paguante 100 franga ari në zyrat bashkiake para se emri i tij të futej në listë; mirëpo të paktë ishin në gjendje ata që mund të paguanin një shumë të tillë.

Rritja e ndërhyrjes italiane

Përgjatë viteve ’30 Zogu gjithnjë e më shumë u mbështet në ndihmën ekonomike italiane, megjithëse politikanët italianë në mënyrë të përhershme përfitonin nga dobësia ekonomike dhe diplomatike e Shqipërisë. Subvencionet e drejtpërdrejta italiane kishin bërë që qeveria shqiptare të balanconte buxhetin e saj, por me koston që vendi po kthehej praktikisht në një protektorat italian.
Ndërsa Italia filloi të shtrëngonte më shumë vidat ekonomike mbi Shqipërinë, Zogu filloi të frikësohej për pavarësinë e vendit të tij.
Zogu komplotonte pa pushim për të qëndruar në pushtet, duke marrë masa ekstreme për të zhdukur ndonjë tradhti të mundshme. Në fillim të vitit 1933 Hasan Prishtina, një nga udhëheqësit e fundmë të mbetur të Komitetit të Kosovës, u vra në Selanik, pothuajse pa asnjë dyshim me urdhër të Zogut.
Por Mbreti nuk e kishte aq të lehtë të eliminonte masat e fshatarësisë shqiptare, e cila ishte tejet e pakënaqur me regjimin e tij, jo vetëm për dështimet e vazhdueshme të tij për të realizuar reformën agrare.
Në qershor të vitit 1934, flota italiane bëri një vizitë të beftë dhe ta paftuar në Durrës. Italianët filluan tashmë të ushtrojnë një trysni të tillë financiare mbi Zogun, saqë ai u detyrua të rifillonte marrëdhëniet e tij të dikurshme me Italinë, në mënyrë që ajo të mos anulonte huatë që kishte dhënë.
Në gusht të vitit 1935 ndodhi një kryengritje e vogël, por mjaft domethënëse, në qytetin e Fierit, pasi një grup kishte thënë gabimisht se një qeveri revolucionare kishte marrë pushtetin në Tiranë. Lëvizja ishte e përgatitur keq dhe e pa organizuar, e megjithatë ajo bëri që Zogut t’i shkonin drithma.

Martesa e Zogut dhe dhurata e Hitlerit

Me qëllim që të ruante stabilitetin dhe vazhdimësinë e mbretërimit të tij, më 27 prill 1938 Zogu u martua me Geraldinë Apponyi, e lindur më 1915 nga një amerikane, Gledis Stjuart dhe një kont austro-hungarez, Julius Apponyi.
Në dëshpërimin e tij për të gjetur një lidhje të përshtatshme, Mbreti kishte dërguar motrat e tij në Vjenë dhe mandej në Budapest, nga ku ato erdhën me Konteshën Geraldinë Apponyi. Mbreti i kishte lënë një përshtypje konteshës së re kur e kishte parë në një foto që ia kishin dërguar motrat e tij, të cilat e ftuan Geraldinën të vizitonte Tiranën, pas së cilës ai i propozoi asaj.
Dasma ishte mjaft luksoze dhe, midis shumë dhuratave të martesës që mori çifti ishte një Mercedes i gjatë, ngjyrë alle, tepër i fuqishëm dërguar nga Adolf Hitleri. Martesa u prit mirë si në Shqipëri ashtu dhe jashtë vendit.
Pas muajit të mjaltit në Durrës, çifti u vendos në pallatin luksoz mbretëror ekzistues në qendër të Tiranës, i cili shumë shpejt do të bëhej i njohur në Angli si ‘oborri i lodrave’.
Edit Durhami komentoi një udhëtim ekstravagant të pesë motrave të Zogut në Shtetet e Bashkuara: ‘Se pse shkuan Princeshat në Amerikë nuk është e sigurt. Ajo që është e sigurt është se shpenzimet qenë aq të mëdha dhe që fshatarët gjysmë të uritur ndien se ato shpenzime do të kishte qenë më e udhës të bëheshin në Shqipëri’.

Pushtimi italian

Ndërkaq, në qershor 1936, dhëndri i Musolinit Konti Galeaco Çiano, u bë ministër i Jashtëm i Italisë. Pasi vizitoi Tiranën për herë të parë në prill 1937, ai përkrahu një lëvizje dramatike, e cila ishte kundër prestigjit të lartë të Rajhut gjerman dhe për rritjen e moralit të Italisë.
Çiano ishte për aneksimin tërësor të Shqipërisë nga Italia, e cila, thoshte ai, mund të ofronte strehë për dy milionë italianë. Ai (gabimisht) besonte se ngaqë opinioni publik shqiptar përgjithësisht ishte kundër Zogut, duhej të ishte medoemos pro-italian.
Një plan tjetër i Çianos ishte ideja për ndarjen e Shqipërisë midis Italisë dhe Jugosllavisë. Por kjo ide dështoi për mungesë të interesimit të jugosllavëve, të cilët gjatë viteve ’30 ishin shkëputur gjithnjë e më tepër nga çështjet shqiptare, regjenti i të cilëve, Princi Pavël, nënvizonte: ‘Ne tashmë kemi aq shumë shqiptarë brenda kufijve tanë dhe ata na kanë sjellë aq shumë kokëçarje, saqë unë nuk dëshiroj të rritet numri i tyre’.
Çiano përllogariti madje dhe një komplot ta sajuar për rrëmbimin e Mbretit dhe Mbretëreshës, në një përpjekje për të destabilizuar vendin dhe në këtë mënyrë Italia do të gjente një pretekst për të ndërhyrë për të rivendosur rendin.
Sipas Geraldinës, më 25 qershor 1938 ambasadori italian, në emër të qeverisë së tij, i ofroi Mbretit një jaht me ekuipazh italian. Zogu nuk e pranoi dhuratën, nga frika se mos ushqimi në bordin e tij mund të ishte i helmuar. Në vend të saj, ai tha se mund ta merrte jahtin me qira dhe të bënte një udhëtim deri në Venecia bashkë me disa nga shërbëtorët e tij personalë.
Më vonë Mbreti dhe Mbretëresha dëgjuan se në rast se do të kishin pranuar të zbarkonin në Itali, ata nuk do të lejoheshin të ktheheshin më në Shqipëri.
Në verën e vitit 1938, italianët kontrolluan çdo sektor të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Ndërsa Çiano ishte i zënë me planet e kolonizimit, Musolini vuante për të gjetur mënyrën e pushtimit të Shqipërisë.

Një sulm mbi Shqipërinë ishte diskutuar muaj më përpara dhe nga fillimi i shkurtit u vendos që java e pashkëve ishte një datë e mundshme. Por kjo nuk ishte vendosur përfundimisht deri në mesin e marsit, kur Musolini vendosi për pushtimin.

Ai u dha fund dyshimeve të tij për Shqipërinë kur Hitleri pushtoi Çekosllovakinë. Më 25 mars dërgoi një ultimatum ku kërkonte një protektorat zyrtar italian mbi Shqipërinë dhe të drejtën që garnizonet ushtarake italiane të mbronin vendin. Kjo donte të thoshte në të vërtetë humbje e sovranitetit shqiptar. Çiano e përshkruan ultimatumin si: një marrëveshje e cila, megjithë termat e kortezisë që përmbante, “do të na lejonte ne të bënim aneksimin e Shqipërisë. Ose Zogu pranonte kushte që i kishim vëne ne, ose ne do të bënim pushtimin ushtarak të vendit. Për këtë qëllim ne tashmë kemi mobilizuar dhe përqendruar në Pulia katër regjimente bersalierësh, një divizion të këmbësorisë, detashmente të forcave ajrore dhe gjithë skuadriljen e parë të flotës detare”.

Më 1 prill 1939 në Tiranë pati një demonstrim masiv anti-italian, ndërsa turmat e irrituara kërkonin armë për të luftuar italianët.
Në një kohë që Mbretëresha priste të lindte, Zogu për të fituar kohë pranoi disa kërkesa të italianëve. Më 5 prill Geraldina lindi një djalë që u quajt Leka. Ditën tjetër luftanijet italiane u dukën në brigjet shqiptare, ndërsa avionë italianë hodhën fletushka mbi Tiranë duke i këshilluar shqiptarët të mos rezistonin. Të gjithë italianët që ndodheshin në Shqipëri ishin grumbulluar në portet e Vlorës dhe të Durrësit gati për të hipur në anije. Pasi nuk pati asnjë përgjigje nga Zogu për ultimatumin e Musolinit, në mëngjesin e 7 prillit Shqipëria u bombardua befasisht. Mbi 40 mijë trupa italiane zbarkuan në Vlorë. Ajo pak rezistencë që qenë në gjendje të bënin shqiptarët ndodhi në Durrës nga një grup i vogël i armatosur keq nën udhëheqjen e një oficeri të xhandarmërisë, Abaz Kupit, që rezistoi aq sa mundi deri sa u mposht nga forcat e panumërta përballë tij. Sipas një vëzhguesi:
Kur ndodhi pushtimi, trupat kryesore shqiptare ishin përqendruar pranë Krujës. Qëllimi i tyre ishte mbrojtja e Tiranës dhe kur qyteti të kishte rënë të tërhiqeshin duke luftuar drejt kufirit jugosllav.

Rreth dy javë më përpara, Zogu i kishte kërkuar Beogradit, nëse kufiri do të ishte i mundshëm për arratisje. Ai kishte kërkuar edhe një anije jugosllave për të larguar Mbretëreshën Geraldinë, por nuk mori përgjigje për asnjë nga kërkesat e tij. Gjeneralët vendosën të ishin të kujdesshëm dhe të mos binin si miu në çark dhe kur italianët me shkathtësi morën rrugën e Elbasanit, ata lëvizën me shpejtësi drejt kufirit grek përpara se ai të ishte mbyllur. Xhovani Xhiro, më vonë kreu i fashistëve shqiptarë, iu qas Murat Kaloshit nga Dibra dhe vëllait të tij Mushta, duke iu ofruar 20 mijë franga ari të bënin gati zonën e tyre për një revoltë kundër Zogut. Por ata informuan Mbretin për këtë, i cili i këshilloi t’i pranonin paratë e Xhiros dhe të merrnin udhëzime prej tij.

Kur plani dështoi, Musolini filloi të bëjë kërkesat e tij, duke i ofruar Zogut një pallat në Romë si dhe fronin e një ‘Shqipërie të Madhe’ në Athinë. Zogu dëgjoi që Xhiro i kishte dhënë bajraktarit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit, 40 mijë franga, por kur u taksua për këtë, Gjoni telegrafoi duke i shprehur besnikërinë e tij Mbretit dhe i tha se po të kishte armë, le ta lejonte ta provonte këtë.

Tirana vendosi të mos i dërgonte gjë atij!

Zogu në ditën e pushtimit

Meraku kryesor i Mbretit në ditën fatale ishte si të shpëtonte familjen e tij. Mbretëresha dhe djali i saj dy ditësh një orë e gjysmë para pushtimit u nisën me një karvan makinash përmes malesh drejt kufirit grek.
Zogu mandej transmetoi një mesazh për popullin e tij duke i kërkuar të vazhdonte të luftonte, por të paktë ishin ata që kishin radio ndaj dhe të paktë ishin ata që e dëgjuan thirrjen e tij. Përpjekja e tij përfundimtare për të biseduar me italianët qe krejt e kotë, ndaj dhe ai mandej mori vendimin fatal të ndjekë gruan e tij në arrati.
Duket se pamundësia për të bërë luftë guerile në male bëri që Mbreti të zgjidhte largimin nga Shqipëria sa më shpejt të ishte e mundur.
Para se të linte pallatin ai shkoi krejt i vetëm drejt kasafortës gjigande në zyrën e tij dhe mbushi një mori arkash me napoleona floriri. Sipas raporteve të asaj kohe të Forin Ofisit britanik, kjo shumë llogaritej në rreth 50 mijë lira stërlina, gjithçka që kishte mbetur nga pasuria personale e tij, e krijuar nga shitja e pronave të familjes në disa vite.
Me një shpurë të anëtarëve të qeverisë, më shumë se pesëqind oficerë të komandës së lartë, bashkiakë dhe këshilltarë – gjithsej rreth dymijë vetë, mbreti kaloi kufirin dhe hyri në Greqi. Ai nuk do të shkelte kurrë më në tokën shqiptare. /Dita/

Pasaporta në kohën e Mbretit Zog: Çdo shqiptar është vëllai yt

Kureshtja na shtyn ta shohim me detaje këtë pasaportë të vjetër të Mbretërisë së Shqipërisë. Shumë ndryshe nga pasaportat e tjera që dolën me pas dhe kokë e këmbë ndryshe nga biometrikja që jemi pajisur sot.

Ajo që bie në sy janë disa rregulla që në vitet 1937 duket se kanë qenë të arta. Janë për kombin, për emrin shqiptar, për gjuhën shqipe, për flamur dhe një urdhër ku këshillohet ruajtja e karakterit kombëtar, bindju ligjeve të vendit.

Kjo pasaportë është një model i viteve 1930 dhe që i përket kohës së Mbretërisë së Zogut./ KultPlus.com

Zbulohen dy letrat e Zogut që nuk erdhën kurrë në Shqipëri

Nga Erald Kapri

Mbreti Zog mbajti një qëndrim pro luftës kundër pushtuesit në çdo rast dhe gjithnjë priti nga aleatët perëndimorë një vendim të qartë për pavarësinë e Shqipërisë.

Ndonëse qeveria e tij në mërgim nuk u njoh nga britanikët, Mbreti Zog nuk ngurroi në asnjë rast që t’u kërkonte ndjekësve të vet të luftonin pushtuesin italian dhe atë gjerman. Dokumentet e mëposhtme janë 2 letra që Mbreti Zog shkroi në shkurt 1944 për dy mbështetësit e tij në Shqipëri, me porosi të Ministrisë së Jashtme britanike.

Një letër ishte për Abaz Kupin, që kishte mobilizuar mijëra trupa në mbështetje të Mbretit Zog, dhe letra tjetër për Salih Vuçiternin, një aktivist i njohur shqiptar nga Kosova, që kishte shërbyer si ministër gjatë periudhës së mbretërisë. Këto letra marrin një rëndësi thelbësore për të kuptuar qëndrimin e Mbretit Zog, për shkak se ai qartëson pozicionin e tij. Ai kërkon që të luftohet pa kompromis pushtuesi i huaj dhe garanton se çështja e regjimit të vendoset me votë të lirë nga shqiptarët pas lufte.

“Çështja e regjimit është dytësore për nga rëndësia, e cila do të vendoset siç duan shqiptarët pas lufte. Ndaj, në lidhje me këtë çështje, ju mund të siguroni të gjithë shqiptarët, madje edhe të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarët e mi”, thuhet në letër. Këto dy letra u shkruan nga Mbreti Zog për t’u sjellë në Shqipëri nga misioni ushtarak britanik “Konsensus 2”, që drejtohej nga Billi Meklein. Por ato nuk erdhën në Shqipëri, për shkak se Ministria e Jashtme britanike kërkoi editimin e tyre.

Dokumenti përmban edhe kërkesat e ministrisë për ndryshimin e letrave. Pavarësisht kësaj, pa dhënë një shpjegim të plotë, letrat mbetën në sirtarët e zyrtarëve të lartë britanikë pa shkuar në duart e mbështetësve të Mbretit Zog.

Gjithsesi, tre oficerët e lartë britanikë, Meklein, Emëri dhe Smajli, u nisën për në Shqipëri duke u vendosur në shtabin e Abaz Kupit. Ata synuan një front të madh me zogistët, por arritën të kryejnë disa beteja të vogla. Abaz Kupi kërkoi garanci politike nga britanikët, të cilët nuk ishin të gatshëm t’ia ofronin. Britanikët regjistruan edhe përplasjet mes zogistëve dhe komunistëve e në disa raste pati shkëmbime zjarri.

LETERKEMBIMI
DOSJA HS 5/5
LETRA E MBRETIT ZOG PËR ABAZ KUPIN, 26 SHKURT 1944
Kolonel

Tre zotërinjtë që do të sjellin këtë letër janë miqtë e Shqipërisë dhe të mitë. Ndaj është e nevojshme që këta tre zotërinj dhe oficerë të misionit britanik të kenë mbrojtjen tënde ndaj çdo rreziku armik. Qëllimi ynë i përbashkët është liria e Shqipërisë dhe sigurimin e pavarësisë së saj me kufijtë kombëtarë. Për të arritur këtë qëllim, duhet të bëjmë gjithçka mundemi. Fuqitë e mëdha kanë garantuar pavarësinë e vendit tonë. Integriteti i Shqipërisë do të sigurohet nga përpjekja dhe fuqia jonë e përbashkët. Për të arritur këtë, ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar.

Ndaj ju kërkoj që ju të bëni gjithçka mundeni të bashkoni shqiptarët pa asnjë përjashtim. Sapo bashkimi të arrihet, ne duhet të kërkojmë hyrjen e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Të gjithë bashkë duhet të përgatitemi për qëllimin final kur unë të jap sinjalin e duhur. (shënimi i britanikëve. të bëhet: sipas urdhrave dhe planeve të komandës aleate).

Deri atëherë duhet të përgatitemi. Nuk është në interesin tonë dhe as në interesin e aleatëve që në Shqipëri të ketë shkatërrime dhe djegie fshatrash të panevojshme, dhe ndërsa të jap urdhrin për luftë (shënim i britanikëve: në luftë civile), aleatët kërkojnë të kenë sa më shumë shqiptarë të gatshëm të luftojnë armikun (shënim i britanikëve, të shtohet: kundër pushtuesit të huaj të trojeve tona). Për momentin këto janë qëllimet tona dhe qëllimet e çdo miku që i do të mirën vendit tonë. Baz! Me punën tënde ke provuar mirënjohjen time të pashtershme, si dhe besimin tim për burrninë e besnikërinë tënde. Duke pritur një përgjigje, ju dërgoj përshëndetjet më të mira për ju dhe gjithë ndjekësit tuaj.

***
LETRA E MBRETIT ZOG PËR SALIH VUÇITERNIN, 26 SHKURT 1944

I nderuar Atdheu po përballet me një rrezik të madh; Korça e në veçanti Kosova dhe Gjirokastra janë shënjestruar nga fqinjët tanë, të cilët nuk do kursejnë asnjë përpjekje për t’i shkëputur nga ne. Ne kemi bërë sa kemi mundur për t’i bërë ballë këtij rreziku. Kemi punuar për të ndikuar opinionin publik këtu dhe në Shtetet e Bashkuara.

Dy shoqatat e miqve të Shqipërisë në Britani dhe në SHBA, të formuara nga personalitete të njohura, janë bashkuar për të mbrojtur të drejtat tona kombëtare e për t’iu përgjigjur propagandës dashakeqëse. Ne nuk kemi pranuar asnjë kompromis ndaj integritetit territorial të vendit tonë dhe kemi refuzuar çdo propozim për çdo mandat mbi Shqipërinë. Deklarata e 3 fuqive të mëdha për pavarësinë e Shqipërisë është një fitore e madhe për ne.

Besojmë se kjo do të zbatohet së shpejti. Pavarësisht se fqinjët tanë janë të fortë dhe fjalët e tyre dëgjohen më shumë, ne besojmë se në fund anglo-saksonët do të njohin të drejtat tona dhe me fitoren e tyre, vendi ynë do të jetë i lirë plotësisht. Ne shqiptarët nuk duhet të harrojmë që fuqia e vetme që mund të na shpëtojë është Britania e Madhe. Ashtu si në Lidhjen e Prizrenit dhe në Kongresin e Lushnjës, ne sot duhet të bashkohemi e nga ky bashkim nuk duhet të përjashtohet asnjë shqiptar. Për të mirën e vendit tonë, unë nuk dëshiroj që asnjë shqiptar të përjashtohet, edhe ata që kanë tentuar të më marrin jetën. Shembulli im duhet të ndiqet nga çdo shqiptar për të realizuar bashkimin e shenjtë.

Me bashkëpunimin e Peshkopit Noli dhe me të ndjerin Faik Konica, ky bashkim është pothuajse arritur. Ju, personalisht, duhet të bëni gjithçka që ky qëllim të realizohet. Ju duhet të bëni gjithçka që çdo komitet në Shqipëri, pa dallim ngjyre politike, të bashkohet, dhe më pas të bashkuar, ju në Shqipëri dhe ne jashtë saj, të marrim hapat e nevojshme për hyrjen legale të saj të Kombet e Bashkuara. Për të siguruar interesat kombëtare gjatë luftës dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes, duhet që të jemi të përgatitur dhe gati për çdo veprim të mundshëm.

Nëse për realizimin e këtij bashkimi, të duhen aprovime me letra nga ana ime për çdo person që e shikon të nevojshëm, ma bëj të ditur. Salih, si një mik besnik, dëshiroj që ju të veproni për këtë bashkim të shenjtë për më të mirën, për Kosovën, Korçën dhe Gjirokastrën. Arsyeja pse ju kërkoj të kryeni këtë misioni, është se kam besim të plotë në miqësinë dhe kapacitetin tuaj dhe e di që ju jeni në marrëdhënie të mira me të gjitha qarqet e nevojshme. Atdheu mbi të gjitha.

Çështja e regjimit është dytësore për nga rëndësia, e cila do të vendoset siç duan shqiptarët pas lufte. Ndaj, në lidhje me këtë çështje, ju mund të siguroni të gjithë shqiptarët, madje edhe të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarët e mi. Në pritje të përgjigjes suaj, ju shtrëngoj dorën dhe ju çoj përshëndetjet më të përzemërta.

Betejat e çetave zogiste të dokumentuara nga britanikët në ‘44


1. 23 qershor. Shkatërrimi i Urës në Gjoles, përgjatë rrugës Shkodër-Tiranë nga çeta zogiste. Kjo urë ishte ura e tretë më e madhe në Shqipëri dhe ndodhej në një zonë që mbrohej nga gjermanët. Kjo ndodhi më shumë se një muaj përpara se gjermanët të ngrinin një urë të përkohshme, që ruhej nga 60 ushtarë dhe në këtë periudhë, rruga kryesore Shkodër-Tiranë-Durrës, ishte e mbyllur dhe transporti gjerman (afro 200-300 automjete në natë) ishte detyruar në mënyrë të konsiderueshme të merrte një rrugë të tërthortë. Majori Smiley dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.

2. 6 shtator. Çeta zogiste sulmoi dhe mori nën kontroll një pozicion gjerman, duke vrarë 10 gjermanë, përfshirë kapitenin e tyre dhe duke sekuestruar material luftarak, si dhe duke kapur robër 12 të burgosur italianë. Urës prej druri iu vu zjarri. Ky pozicion identifikohej si shtabi 3 Bty i Regjimentit të Artilerisë 297. Kolonel-Lejtënant McLean, majori Smiley dhe kapiteni Amery ishin të pranishëm.

3. 9/10 shtator (mbrëmje). Një çetë e përzier zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë që udhëtonte në rrugën Shkodër për të mbërritur pranë Prezës. Rezultati: 1 kamion me municione u hodh në erë, 2 kamionë u dogjën, afro 15 kamionë u plaçkitën dhe u dëmtuan, 8 motoçikleta u shkatërruan, 35 ushtarë gjermanë u vranë, 2 mitraloza të lehtë, 30 pushkë dhe materiale të tjera ushtarake. Lejtënanti Merrrett, rreshteri Jones dhe Corsentino ishin të pranishëm.

4. 10/11 shtator (mbrëmje). Çeta zogiste dhe rreshteri Jenkins minuan rrugën kryesore të Shkodrës. 3 kamionë u hodhën në erë.

5. 11/12 shtator (mbrëmje). Çeta zogiste me majorin Smiley dhe rreshterin Jenkins, hodhën në erë urën prej betoni në rrugën kryesore të Shkodrës në G.2558, duke bllokuar rrugën për tri net me radhë.

6. 12/13 shtator (mbrëmje). Çeta zogiste sulmoi autokolonën gjermane në Kulakumit G.21, një autokolonë plot me 9 automjete, e shkatërruar plotësisht nga zjarri dhe të gjithë ushtarët gjermanë u vranë apo u shpërndanë, përfshirë dy oficerë feltegendarmerie. U sekuestruan mitraloza të lehtë, pushkë dhe material tjetër ushtarak. Një çantë e divizionit 181 të Trupave Alpine 21, gjendej mes dokumenteve të sekuestruara. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.

7. 14/15 shtator (mbrëmje). Pritë e çetës zogiste në rrugën Tiranë-Durrës, dy milje në veri të Tiranës. Vendosen mina. 1 kamion që transportonte ushtarë gjermanë u shkatërrua plotësisht, 1 kamion u dëmtua dhe 3 ushtarë gjermanë u vranë. Aksioni u prish, ndërsa FNC-ja nisi të sulmonte çetën zogiste pas shpine. Majori Smiley ishte i pranishëm.

8. 15 shtator (mbrëmje). Forca zogiste dhe të Turkestanit sulmuan dhe sprapsën një autoblindë gjermane, që udhëtonte drejt Shkodrës. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.

9. 20 shtator. Një çetë e përbashkët zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë dhe në të njëjtën kohë hodhi në erë urën, e cila gjendet në rrugën që të çon në Shkodër pranë Laçit. 1 kamion u shkatërrua. Rreshteri Jenkins ishte i pranishëm.

10. 21 shtator. E njëjta çetë sulmoi një kolonë gjermane në rrugën e Shkodrës, duke e detyruar atë të tërhiqej. Rreshteri Jenkins dhe rreshteri Schoemaker ishin të pranishëm.

11. 24 shtator. Ura te Hani i Teqes në rrugën kryesore të Shkodrës u hodh në erë dhe kolona gjermane u sulmua dhe u detyrua të tërhiqej nga çeta zogiste. Majori Smiley ishte i pranishëm.

12. 12 tetor. Zogistët sprapsën sulmin gjerman kundër shtabit të misionit britanik në Velsh. 3 viktima në radhët e gjermanëve e ndoshta më tepër. Kolonel-lejtënant McLean dhe kapiteni Amery ishin të pranishëm.(Marrë nga KohaJonë)/ KultPlus.com

Video e rrallë e mbretit Zog me ministrin amerikan (VIDEO)

Studiuesi dhe gazetari Ilir Ikonomi ka postuar një video të rrallë të mbretit shqiptar Ahmet Zogu.

Në këtë video afro 50 sekondësh, duket mbreti i Shqipërisë i shoqëruar nga ministri amerikan në Shqipëri Herman Bernstein.

“Po i paraqes miqve në FB një filmim, rreth 50 sekonda, besoj të panjohur deri tani.

Është Mbreti Zog me ministrin amerikan në Shqipëri Herman Bernstein duke shëtitur në Durrës. Filmimet që tregojnë Zogun në lëvizje janë tepër të rralla, por kjo është e veçantë. Është një film pa zë, realizuar me sa duket nga dikush që shoqëronte ministrin (ambasadorin) Bernstein në vizitë te Mbreti Zog, në vilën e tij buzë detit. Duhet të jetë bërë mes viteve 1930 dhe 1933, kohë kur Bernsteini shërbente në Shqipëri. Shihni reagimin e Zogut në pozicionin e tij të preferuar me njërën dorë në bel, kureshtar për aparatin që e filmon.

Duhet të jetë hera e parë që kemi rast të vëzhgojmë mimikën e Zogut në lëvizje ndërsa filmohet nga afër. Videoja është nxjerrë nga një material më i gjatë filmik që gjendet në Arkivin e Qendrës së Historisë Hebraike në Nju Jork. Bernsteini, i cili u emërua në Shqipëri nga Presidenti Herbert Hoover, ka shkruar disa libra me vlerë, mes të cilëve “Celebrities of Our Time” – një përmbledhje intervistash me krerë shtetesh dhe figura të tjera të njohura botërore. Ai njihet gjithashtu si mik i Ajnshtajnit dhe si njeriu që hodhi në gjyq për fyerje industrialistin e famshëm Henry Ford në vitin 1923. Bersteini e fitoi gjyqin dhe gjykata i akordoi 200 mijë dollarë. Ai ka hartuar edhe një biografi në anglisht të Zogut, në bazë të pyetjeve që i dërgoi Mbretit dhe përgjigjeve që mori prej tij.”-shkruan Ikonomi.
Herman Bernstein në fjalimin e lamtumirës, me rastin e largimit nga Shqipëria në vitin 1933 tha:

“Gjatë tre vjetëve e gjysmë, Tirana ishte për mua vendi më magjepsës për të dëgjuar dhe vëzhguar. Vura re se, ndonëse Shqipërinë e kanë quajtur shpesh një nga zonat më të ndjeshme ndaj rrezikut në Evropë, shqiptarët janë një popull paqedashës dhe politika e qeverisë suaj është pa dyshim një politikë e paqes në Ballkan.

Vizitova praktikisht çdo pjesë të Shqipërisë dhe mësova ta njoh e ta dua popullin tuaj. Thjeshtësia, ndershmëria, mikpritja dhe zemra e tij e bardhë më ka lënë një përshtypje të pashlyer”.(Marrë nga Konica.al)./ KultPlus.com