Shpërthimi i pandemisë së virusit COVID-19, edhe në Kanada ka marrë përmasa të gjera, dhe kjo është shoqëruar me mungesë të madhe të maskave.
Tatjana Kaci- Sherifaj, stiliste në profesion i lindi ideja që të dizajnonte maskat për vete dhe për një rreth të ngushtë.
Pak ditë më parë ajo ka dhuruar rreth 150 maska për miq e klientë të saj, ndërsa tani ka nisur prodhimin në seri të maskave mbrojtëse të cilat kanë filluar të shpërndahen në qytetin e Torontos, dhe jo vetëm.
Tani, thotë Tatjana, meqë kërkesat janë të mëdha, krahas punës së saj të përditshme, vazhdon prodhimi i maskave, dhe pret që sado pak ta jap kontributin e saj të çmueshëm për kanadezët, por edhe për komunitetin shqiptar këtu, me të cilin është e lidhur fort.
Dihet botërisht se në Kanada, sidomos në qytetin e Torontos, ku popullsia është më e dendur, ka mungesë maskash.
Me një përvojë 28 vjeçare në rrobaqepësi dhe dizajnim të rrobave të ndryshme për meshkuj dhe femra, Tatjana ka gjetur një mënyrë unike për mundësinë e parandalimit të virusit më vdekjeprurës që e njohim ne.
Në një bisedë të shkurtër për gazetën “Diaspora Shqiptare”, ajo rrëfen se në Kanada ka ardhur para 9 vitesh nga Greqia ku kishte jetuar atje rreth dy dekada, dhe ku kishte udhëhequr biznesin e saj të suksesshëm të dizajnit. Pas përvojës së mjaftueshme në Evropë, dhe pas angazhimeve të saj të menjëhershme në Kanada, duke punuar dhe bashkëpunuar me kompani dhe organizata të mëdha modelimi e dizajni, para tri vitesh ka arritur ta hapë biznesin e saj në qendër të Torontos, të quajtur “European Fashion Design, Boutique and Tailoring”.
Aty ajo dizajnon fustane nusërie dhe kostume formale meshkujsh, ku ka kredite të mjaftueshme për një punë të mrekullueshme që bën për klientët e saj. Për shqiptarët ka një vëmendje më të veçantë, duke dizajnuar rroba me elemente dhe simbole kombëtare. Meqë ky profesion nuk i është ndarë asnjëherë nga jeta e saj sepse ka nisur që në moshë të re, ajo tregon se mësimet fillestare i kishte marrë në Shqipëri, ku i pëlqente të sajonte rroba për vete dhe të tjerë, me ç’rast qepja dhe dizajnimi u bënë pasione të jetës së saj.
Tatjana është e lidhur edhe me komunitetin shqiptar këtu, ku shpesh ka dhënë kontributin. Në organizime të ndryshme ajo ka ndihmuar në realizmin e kostumeve popullore..
Ngujimi në shtëpi nuk është i mundur për të gjithë, prandaj secili duhet t’i përshtatet realitetit të ri, distancimi social, por edhe mbajtja e maskës kurdo që ke punë me të tjerët, andaj, të gjithë ata që nuk e duan më të keqen, vendosja e maskës është thuajse e domosdoshme.
Kjo maskë, pra maska e prodhuar me dorën e saj, siç shpjegon Tatjana, është me pambuk dhe një filtër, pra ka tre shtresa, dhe ndihmon në mbrojtjen e fytyrës nga mundësia e infektimit me virus. Maska mund të përdoret, përvec ga qytetarët e thjeshtë, të cilët veç kanë nisur përdorimin, edhe nga personeli dhe punonjësit shëndetësorë.
Tatjana tha se është e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që e duan maskën e saj në këtë kohë të vështirë… Diasporashqiptare /KultPlus.com