Mbahet takim për forcimin e rolit të grave për mbrojtjen nga dhuna në familje

Komisariati i Policisë Vorë ka zhvilluar ditën e sotme një takim me temë “Forcimi i rolit të grave dhe vajzave, për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore”.

Në takim morën pjesë punonjës të Komisariatit të Policisë Vorë, përfaqësues nga “Qendra për Zhvillimin e Grave”, “Qendra për Nisma Ligjore Qytetare”, dhe përfaqësues të Bashkisë Vorë.

Gjatë takimit u bashkëbisedua për forcimin e rolit të grave dhe vajzave, për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, apo dhuna me bazë gjinore. Përfaqësuesit e Komisariatit të Policisë Vorë shprehën se, ndonëse mbetet përgjegjësi e strukturave policore nxjerrja përpara përgjegjësisë ligjore e autorëve të dhunës në familje, në fakt ky është një fenomen kompleks, i cili, që të trajtohet me efikasitetin e duhur, ka nevojë për mbështetjen e qendrave dhe institucioneve të tjera me fokus social.

Gjithashtu, përfaqësuesit e Komisariatit të Policisë Vorë, ritheksuan gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre maksimal, për të trajtuar menjëherë dhe me kujdesin e duhur, çdo denoncim që ka si objekt, raste të dhunës në familje.

Nga ana e strukturave të Policisë, është punuar, jo vetëm në drejtim të evidentimit dhe të reagimit ndaj rasteve të dhunës në familje, por edhe për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konflikteve në familje. / KultPlus.com

ShKA Agimi do që ndërtesa dhe veprimtaria e saj të mbrohet me ligj

Dje në Ministrinë e Kulturës u dorëzua propozimi për shpalljen e ndërtesës dhe veprimtarisë së ShKA Agimit asete të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.

Në propozimin që është bashkëngjitur me njoftimin për mediat, argumentohet se “ShKA Agimi (ndërtesa dhe veprimtaria) përfaqëson këto vlera të trashëgimisë kulturore: historike, shoqërore, identiteti dhe shpirtërore, ndërsa sugjerohet mbrojtje në dy nivele (kategori), si trashëgimi arkitekturale (ndërtesa) dhe trashëgimi shpirtërore (veprimtaria)”.

“Me këtë propozim, për herë të parë në Kosovë një shoqëri kulturore artistike do të fitojë statusin e mbrojtjes ligjore dhe zyrtarisht do të klasifikohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit. Në të njëjtën kohë, me këtë veprim do të pengohet çfarëdo tentative tjetër për të dëmtuar dhe keqpërdorur me ndërtesën e ShKA Agimit, e cila përveç që është pasuri e përbashkët, në të njëjtën kohë është edhe simbol i rezistencës shoqërore dhe politike e periudhave më të vështira të vendit tonë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com