103 vjetori i vdekjes së Sali Nivicës, njëri ndër gazetarët që themeloi ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’

Sot bëhen 103 vite që nga vrasja e gazetarit dhe atdhetarit Sali Nivica, një ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me seli në Shkodër, shkruan KultPlus.

Ai ka themeluar gazetën “Populli”, në të cilën artikuloheshin fuqishëm përpjekjet dhe aspiratat e kombit shqiptar, duke u mbështetur fuqishëm në Programin Politik të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Sali Nivica ka redaktuar edhe gazetën “Zgjimi” si dhe ka qenë korrespondent i gazetës “Liria”, që botohej në Janinë.

Sali Nivica ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të afërt me Hoxhë Kadri Prishtina, Kel Marubi, Gjergj Fishta, Bajram Curri, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Viçens Prenushi, Ndre Mjeda e atdhetarë të tjerë të kohës.

Gazetari Sai Nivica u vra në moshën 30 vjeçare, më 10 janar 1920 në Shkodër nga armiqtë e Shqipërisë./ KultPlus.com

Me 1 maj 1918 u themelua ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’

Në vitin 1918, më datë 1 maj, në ilegalitet të plotë u themelua komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

Ky komitet në po të njëjtin vit më 7 nëntor, u vendos përfundimisht në Shkodër, nga figurat e shquara atdhetare si Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj.

Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare mbrenda Jugosllavisë, që ishin të shkëputura padrejtësisht më 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë.


(Foto nga Albanian Vintage Photography) / KultPlus.com