Mbyllet Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë, festë e kulturës evropiane

Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë u mbyll mbrëmjen e djeshme pas aktiviteteve intensive si biseda frymëzuese me autorë evropianë, shfaqje nga aktorë shqiptarë dhe një koncert i mrekullueshëm me muzikantë të rinj.

Autori kroat Miro Gavran, i cili vizitoi Tiranën falë mbështetjes së Ambasadës Kroate, hapi aktivitetet e ditës së tretë në bisedë me regjisorin Andi Begolli, me reflektime mbi rrugëtimin e tij nga shkrimtari për fëmijë te dramaturgu dhe romancieri i mirënjohur.

Duke trajtuar temat e vetmisë dhe ndërveprimin e dramës dhe komedisë, ai eksploroi emocione që rezonojnë universalisht. Me mbi 50 vepra, Gavran tregoi se si shkrimi i tij ndërthur përvojat personale me imagjinatën, duke i ftuar lexuesit në hapësira thellësisht intime.

Gjatë bisedës u shijua dhe shfaqja e veprës së tij nga aktorët shqiptarë Luiza Xhuvani dhe Ilirda Bejleri, duke ofruar një eksperiencë unike për publikun.

Ndërkaq, autori italian Paolo Giordano u bë pjesë e FELT falë mbështetjes së Ambasadës Italiane, me sesionin e tij të moderuar nga autori shqiptar Enkel Demi dhe botuesja e tij në shqip Arlinda Dudaj. Duke diskutuar për veprën e tij të fundit “Tazmania”, tashmë e përkthyer në shqip, ai zbuloi se si romani lindi gjatë pandemisë si një përgjigje ndaj trazirave globale – një reflektim mbi shpresën e rreme për të shpëtuar nga vështirësitë e jetës. E përshkruar si një metaforë për të ikur nga e zakonshmja, por duke mos pasur kurrë sukses, Tazmania i fton lexuesit të përballen me realitetin, duke ndezur biseda që provokojnë mendime.

FELT 2024 u mbyll me koncertin e Musica Nova, organizuar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Performanca kremtoi bashkëpunimin dhe pasurinë kulturore të festivalit, duke ofruar një mbyllje të përsosur të tre ditëve të përsosmërisë letrare dhe artistike evropiane.

Në mbyllje të festivalit, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë falënderoi të gjithë autorët, moderatorët, ambasadat dhe të pranishmit që si u shpreh në një postim në rrjetet sociale, e bënë FELT një festë të vërtetë të kulturës evropiane./atsh/ KultPlus.com

Mbyllet për 1 vit Muzeu Kombëtar, ministri Çeku: Pas restaurimit Kosova do të ketë institucion modern muzeal

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se sot është marrë vendimi për mbylljen e Muzeut të Kosovës, për shkak të resturimit të përgjithshëm të cilit do t’i nënshtohet ky institucion.

Ministri Çeku tha se Këshilli Drejtues ka vendosur që mbyllja e muzeut do të  bëhet për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.

Ai më tej ka potencuar se Muzeu Kombëtar i Kosovës pas restaurimit do të jetë institucion modern muzeal, me standard të ri të dokumentimit dhe prezantimit të historisë.

“Kontrata për restaurimin e përgjithshëm tashmë është nënshkruar, ndërsa sot Këshilli Drejtues ka marrë vendim për mbylljen e Muzeut për 12 muaj, aq sa pritet të zgjasin punimet që fillimisht në fokus kanë konsolidimin e kushteve të deposë.

Krahas restaurimit po vazhdon trajtimi i fondit muzeor, ndërsa po formohet komisioni profesional për rikonceptimin e ekspozitave të përhershme”, ka thënë Ministri Çeku./ KultPlus.com