Shaip Kamberi e quan fashizëm idenë serbe për mbylljen e kufirit për shqiptarët e Luginës

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se ideja për mbylljen e kufirit në Konçul është fashizëm i pastër.

Sipas Kamberit nëse vërtetë ekziston një ide e tillë dihet që autori i saj është Aleksandër Vuçiq i cili po paraqitet si paqëruajtës i Ballkanit.

”Në thelb ato nuk do të ishin masa represive vetëm ndaj popullësisë civile, por edhe atak i drejtpërdrejtë ndaj idesë së Ballkanit të hapur me të cilën Vuçiq po krenohet. Në fakt, kjo ide e mbylljes së kufirit në Konçul vetëm për shqiptarët, do do të ishte edhe fundi i Open Ballkans”, ka shkruar Kamberi në ”Facebook”.

Kamberi ka shkruar tutje se ide të tilla të çmendura nxisin konflikte, por në fund vjen një Vuçiq që i ”parandalon”.

”Në elitën qeverisëse serbe, mjerisht, janë të përditshme idetë që prodhojnë konflikte me fqinjët, e të cilat, paqëruajtësi Vuçiq po i “parandalon”. I gjithë qëllimi është ta prezentojnë atë si të “vetmin që i kontribuon paqës në rajon”. Por më duhet patjetër ta them që personi i cili e ka propozuar këtë ide duhet të jetë një budalla i pastërt politik. Sepse ndërmarrja e masave represive ndaj popullsisë civile (shqiptare) që de fakto janë shtetas të Serbisë, është një masë fashiste të cilën as një budalla sikurse ai që e paska propozuar nuk do të ketë shans për ta aplikuar”, ka shkruar Kamberi.

Kujtojmë që, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përmendur sot idenë për mbylljen e kufirit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkatësisht pikën kufitare Dheu i Bardhë – Konçul./KultPlus.com