Kulla Eiffel në Paris rihapet sot për vizitorët, për herë të parë pas nëntë muajsh.
Ka qenë kjo mbyllja më e gjatë që nga Lufta e Dytë Botërore, e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Kapaciteti ditor i vizitave do të kufizohet në 13,000 vetë – që është rreth gjysma e nivelit normal – për t’u respektuar distanca fizike.
Nga e mërkura e javës së ardhshme, vizitorët do të duhet të tregojnë edhe dëshmi të vaksinimit ose test negativ të koronavirusit, në përputhje me kërkesat e fundit të vendosura nga Qeveria franceze.
Kulla Eiffel zakonisht tërheq rreth shtatë milionë vizitorë çdo vit – rreth tri e katërta e tyre nga jashtë.
Por, për shkak të kufizimeve nga pandemia, monumenti 130-vjeçar pritet të humbasë 70 milionë euro në vitin 2021, pas një humbjeje prej 52 milionë eurosh vitin e kaluar.
Franca ka nisur lehtësimin gradual të masave kundër koronavirusit qysh në muajin maj, duke rihapur restorantet, dyqanet dhe hapësirat kulturore, pas disa muajsh mbylljeje. / Express / KultPlus.com