Presidentja Osmani takohet me kryeshefen e MCC-së, e falënderon për marrëveshjen 236 milionëshe

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright.

Osmani tha se Albrightin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për sektorin e energjisë së Kosovës.

“Në Neë York, e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për sektorin e energjisë në Kosovë, përmes marrëveshjes historike në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, e e cila po kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë”, shkroi Osmani, transmeton Klankosova.tv.

Më 22 korrik të vitit 2022, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emër të Kosovës e pati nënshkruar marrëveshjen me MCC-në në vlerë prej 236.7 milionë dollarëshe.

Presidentja Osmani pas nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në: Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë pranë Kosovës

Në Kongresin e SHBA-ve, në prani të një numri të madh të miqve të Kosovës, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në për Programin e Kompaktit. Kjo marrëveshje po konsiderohet historike për shtetin tonë, përcjellë KultPlus.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar sot përmes një statusi në facebook ku është shprehur se kjo marrëveshje në shumë prej 236.7 milion dollarë, përbën investimin më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë pas disa dekadash.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë pranë Kosovës”, ka shkruar Osmani.  

Sipas Osmanit, këto projekte do të kontribuojnë në garantimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik të Kosovës gjersa përgatitemi për tranzicionin energjetik dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

“Ky investim do të garantojë po ashtu një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.

Kjo marrëveshje konfirmoi edhe njëherë atë që dihet tashmë botërisht, partneritetin e jashtëzakonshëm e unik në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Faleminderit të gjithëve për punën e jashtëzakonshme!”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

Kurti publikon marrëveshjen e nënshkruar në SHBA: Ngjarje historike për Kosovën

Pas marrëveshjes që Kosova e nënshkroi me SHBA-në në Washington, Kryeministri Albin Kurti sot ka reaguar përmes një postimi në Facebook ku edhe ka bërë publike këtë marrëveshje 236 milionë dollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), përcjellë KultPlus.

Këtë marrëveshje, Kurti e konsideron një bashkëpunim historik.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Pas tetë vjetëve, isha në ShBA para tre muajve. Pikërisht më 27 prill, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Zonjës Sekretare, Madeleine Albright, në funeralin në Katedralen e Washington DC. Saktësisht tre muaj më vonë, më 27 korrik 2022, morëm pjesë në këtë ngjarje historike për Kosovën, zhvillimin e saj dhe lidhjen e saj me ShBA-të. Në njërën anë të marrëveshjes është pikërisht zonja tjetër Albright, Alice, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë. Nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright.

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Programin Kompakt me vlerë prej 236.7 milionë dollarë, përveçse është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik mbi qëllime të përbashkëta në sektorin e energjisë, është kremtim i marrëdhënieve të thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë.

Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik. Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik.

Republika e Kosovës i është jashtëzakonisht mirënjohëse Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po qëndrojnë përkrah nesh në realizimin e investimeve të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta.

Në veçanti, falenderoj kryeshefen ekzekutive të MCC-së, znj. Alice Albright, ministren tonë të Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli dhe dy ekipet përkatëse që studiuan, shqyrtuan e negociuan për të arritur te rezultati i shkëlqyeshëm dje. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti vlerëson marrëveshjen me MCC-në: Do t’i prezantohet edhe Kuvendit për ratifikim

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar këtë ditë si historike për Kosovën dhe SHBA-në nënshkrimin e marrëveshjes me vlerë 236.7 milionë dollarë të Kosovës me MCC-në. Ai, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, tha se kjo e bën Kosovën që të ecë drejt prodhimit të energjisë së pastër.

”Është ditë e madhe që Kosova të krijojë mundësi për prodhim energjie të pastër. Ky bashkëpunim i ngushtë e bën Kosovën të jetë një vend që ecë drejt prodhimit të energjisë së pastër. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen në moment të rëndësishëm për Kosovën. Në fund të këtij viti do të fillojmë me promovimin e energjisë solare. Jemi këtu në këtë ceremoni speciale duke falënderuar lidershipin e znj Albright dhe ministres Rizvanolli. Kjo marrëveshje do t’i prezantohet edhe Kuvendit për ratifikim. Fatkeqësisht nuk do të jemi prezent kur edhe opozita do ta mbështesë këtë marrëveshje. Nuk jemi të bashkuar vetëm në interes por edhe në vlera e kjo e bën lidhjen tonë edhe më të fortë“, ka theksuar Kurti.

“Është një ditë historike për Kosovën dhe ShBA-në, sinjalizon partneritetin për qëllime të përbashkëta. Strategjia jonë e energjisë shkruan rrugën tonë drejtë një të ardhme të dekarbonizuar. Ky program kompakti është esencial, jemi duke punuar intensivisht për të garantuar një furnizim me energji që është i përballuar për të gjithë”, u shpreh tutje Kurti.

Tutje kryeministri tregoi se marrëveshja do t’i prezantohet Parlamentit për ratifikim që nesër.

“Nuk do jemi për të ballafaquar për opozitën por edhe ata nuk do të jenë shumë të kënaqur që nuk do jemi atje”, shtoi Kurti./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Marrëveshja 236-milionëshe me MCC-në është investimi më i madh në Kosovë me dekada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.

Ajo ka thënë se kjo marrëveshje vërteton partneritetin Ksoovë-SHBA dhe që Kosova është e gatshme të përqafojë të ardhmen e agjendës së gjelbër.

“Kjo marrëveshje vërteton, marrëveshjen që të jemi krahë njëri-tjetrit në kohëra të mira e të vështira. SHBA-ja është duke vazhduar që të na mbështesë që të arrijmë edhe më shumë. Është koha që të hartojmë politika më të mira për t’u përballur me situatën energjetike. Kosova është e gatshme që ta përqafojë të ardhmen e agjendës së gjelbër”.

Ajo ka shtuar ky është investimi më i madh për dekada me radhë që ka ndodhur në Kosovë.

“Marrëveshja me MCC është investimi më i madh në dekada me radhë, që do të na ndihmojë që të përballemi me krizën. Marrëveshja na afron drejt një sistemi të energjisë drejt nevojave të së ardhmes”. / KultPlus.com

Kongresmeni amerikan: Kosova është një nga shtetet mike më të fuqishme të ShBA-së

Kongresmeni dhe kryetari i nënkomitetit të Dhomës së Punëve të Jashtme për Evropën dhe Azinë në Shtëpinë e Bardhë,  Bill Keating, e ka mirëpritur dhe e mbështet marrëveshjen që është nënshkruar sot mes Kosovës dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Ai, në ceremoninë para nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë se Kosova është një nga shtetet mike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vite me radhë.

“Kishte një ekip të mirë që punuan dhe e quan para partneritetin për këtë marrëveshje, jam krenar që keni arritur deri këtu. Jemi këtu ku tregohet përkushtimi për partnerët tanë siç është Kosova, por edhe Ballkani Perëndimor”.

“Miqësia e Kosovës dhe ShBA-së ekziston edhe më parë. Kosova ka qenë mike pandashme e ShBA-së, do të vazhdojmë atë gurthemel ta rrisim. Kosova është një nga shtetet mike më të fuqishme dhe më të palëkundura të ShBA-së”, ka thënë Keating, njofton Klankosova.

Ai ka shtuar se marrëveshja e sotme do të jetë e profitabile edhe për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. / KultPlus.com

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti udhëtuan për në SHBA, nënshkruajnë marrëveshje me MCC

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar për në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale. / KultPlus.com