Paul McCartney: Mos e lejoni AI-në t’i dëmtojnë artistët

Këngëtari i njohur Paul McCartney ka paralajmëruar se ndryshimet e mundshme në ligjin për të drejtat e autorit mund të ndikojnë në “shfrytëzimin” e artistëve dhe të dëmtojnë krijimtarinë.

The Guardian ka shkruar se ish-anëtari i grupit “The Beatles” ka thënë se qeveria duhet ta mbrojë punën e krijuesve, duke i kërkuar që të sigurohet që artistët të kenë kontroll mbi materialet e tyre të mbrojtura me të drejtat e autorit.

McCartney e ka shprehur shqetësimin se përdorimi i materialeve të mbrojtura për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale (AI) mund të çojë në humbjen e motivimit për tekstshkruesit dhe artistët, dhe për pasojë të sjellë “humbje të kreativitetit”.

Ai ka shpjeguar situatën për BBC-në.

“Djemtë dhe vajzat e reja krijojnë këngë të bukura, por ata nuk e zotërojnë atë. Dhe kushdo mund t’i kopjojë dhe të përfitojë prej tyre. E vërteta është, paratë po shkojnë diku … Dikush po paguhet, pra pse të mos jetë ai që u ul dhe e shkroi këngën ‘Yesterday’’”, ka thënë McCartney.

Ky debat ka lindur pasi janë shfaqur pasiguri rreth përdorimit të materialeve të mbrojtura për të trajnuar modelet e AI-së. Ka pasur padi nga individë dhe kompani në industrinë krijuese që pretendojnë se përdorimi i paautorizuar i materialeve të tyre është shkelje e të drejtave të autorit.

Ndërkohë, disa organizata botuese dhe media kanë nënshkruar marrëveshje licencimi me kompanitë e AI-së për të lejuar përdorimin e materialeve të tyre për trajnim të modeleve.

McCartney ka paralajmëruar se AI-ja mund të “marrë kontrollin” në botën e artit, dhe ka firmosur një peticion bashkë me aktorë të njohur si Julianne Moore, Stephen Fry dhe Hugh Bonneville, ku shprehen se përdorimi i paautorizuar i veprave krijuese për trajnim të AI-së është një kërcënim i padrejtë për mbijetesën e artistëve dhe nuk duhet të lejohet.

Në një fushatë të ngjashme, autorja Kate Mosse ka mbështetur një kërkesë për ndryshime në ligj për të dhënë mundësinë që krijuesit të negociojnë një pagesë të drejtë kur i licencojnë materialet e tyre.

Qeveria britanike ka njoftuar se do të mbajë një konsultim publik për të shqyrtuar çështjet kryesore të debatit deri më 25 shkurt, duke përfshirë mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet mes industrisë krijuese dhe AI-së, si dhe mënyrat për të siguruar që krijuesit të mund të licencojnë materialet dhe të paguhen drejt.

McCartney i bëri thirrje qeverisë që t’i rishikojë këto plane.
“Ne jemi njerëzit, ju jeni qeveria. Duhet të na mbroni ne, kjo është puna juaj”, ka thënë ai.

Në një notë pozitive, McCartney dhe Ringo Starr përdorën teknologjinë AI për të krijuar këngën “Now And Then” në muajin nëntor të vitit 2023, duke ndarë vokalet e anëtarit të njohur të grupit të tyre, John Lennon nga një demo e incizuar në vitin 1977.

Sekretarja e Kulturës, Lisa Nandy, ka thënë se qeveria beson se artistët, tekstshkruesit dhe krijuesit e tjerë duhet të kenë mundësinë të kontrollojnë përdorimin e materialeve të tyre nga kompanitë e AI-së dhe të mund të negocionin marrëveshje licencimi dhe pagesa të drejta./alsatm/ KultPlus.com

 McCartney në monedhat pesë paund

Legjenda e muzikës pop, Paul McCartney, pasi ka fituar çmime të panumërta dhe ka bërë historinë e kopertinave të disqeve, do të krenohet tani me një koleksion të monedhave me vlerë pesë paund, të krijuar nga Posta Mbretërore Britanike.

Pika historike e arritur nga ylli 82-vjeçar i ”Beatles”, autor i hiteve të përjetshme si ”Yesterday”, ”Let it Be” dhe ”Hey Jude”, përfshin një numër përkujtimor koleksioni që riprodhon “pianon magjike” psikodelike të paraqitur në filmin ”Magical Mystery Tour” i vitit 1967, me nota muzikore të përzgjedhura nga McCartney, i cili bashkëpunoi në hartimin e monedhave, që kanë një bas dhe logon e grupit të tij pas përvojës së tij me Fab Four.

“Është një nder i madh, nuk është diçka që do ta prisja ndonjëherë kur isha fëmijë”, tha Paul.

Vitin e ardhshëm, Royal Mint do të nxjerrë në ankand edhe një monedhë ari me peshë pesë kilogramë, e cila kërkon më shumë se 250 orë punë dhe është e nënshkruar nga McCartney, i njohur për përdorimin e monedhave./ atsh/ KultPlus.com