Kryeministri Kurti takohet me albanologët Leonardo Savoia dhe Francesco Altimari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me profesorët dhe albanologët Leonardo Savoia nga Italia dhe Francesco Altimari, i cili është arbëresh.

Sipas njoftimit nga ekzekutivi, diskutimi mes tyre ishte i hapur, i sinqertë dhe plot shkëmbime të dijes.

U bisedua rreth identitetit gjuhësor shqiptar e kulturës, si dhe rreth figurave pionere të Rilindjes dhe çështjes kombëtare, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e kultivimin e gjuhës, por edhe përhapjes së saj ndërkombëtarisht.

“Profesori i nderuar Leonardo Savoia, tha se e ka studiuar kulturën shqiptare dhe ndihet i lumtur që shpesh viziton Republikën e Kosovës, për të thelluar më shumë studimet dhe punën kërkimore të tij. Ai së bashku me z. Altimari, do të marrin pjesë në Seminarin e 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, thuhet në njoftim.

Profesori Savoia ka mbi 40 vite që merret me studimet mbi shqipen dhe arbërishten. Studime të tij janë botuar edhe nga Akademia e Shkencave të Kosovës e të njëjtat prezantohen kudo ku dëshmohet lashtësia dhe lidhja e shqipes me gjuhët e vjetra. Ndërsa z. Altimari është studiues dhe profesor i shqipes dhe letërsisë në Universitetin e Kalabrisë që prej vitit 1992, si dhe ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Napolit, Universitetin e Lecce-s, Universitetin e Triestes dhe Universitetin e Milano-Cattolica.

Britani, për herë të parë një fëmijë operohet me ndihmën e robotëve

Në Britani, një ekip kirurgësh ka operuar për here të parë një fëmijë me ndihmën e robotëve, me shpresën se kjo praktikë e re mund të bëhet më e zakonshme.

Me një saktësi të pakrahasueshme, robotët mjekësorë të përparuar tani po i hapin udhë mundësisë për të kryer operacione tek fëmijët dhe të rriturit.

Kirurgu që drejton ndërhyrjen nuk është as pranë pacientit, as pran tavolinës me pajisjet kirurgjikale.

Por, krahë robotikë kryejnë një operacion delikat në rrugët urinare të pacientit.

Krahët robotikë bëjnë pjesën më të madhe të punës, ndërsa kirurgu kryesor përdor leva për t’i kontrolluar dhe drejtuar ato.

Kirurgjia me ndihmën e robotëve po bëhet përherë e më e zakonshme në praktikat e kujdesit shëndetësor në Britani.

Fondacioni ‘London’s Guy’s’ dhe ‘St Thomas’s’ njoftoi në vitin 2023 se të gjitha operacionet e kancerit të prostatës, veshkave dhe mushkërive u kryen në mënyrë robotike, me mbi 10,000 procedura të realizuar me ndihmën e robotëve gjatë 20 viteve të fundit.

Spitali i Fëmijëve ‘Southampton’ në Angli po kryen testin e parë në Mbretërinë e Bashkuar të përdorimit të një pajisjeje inovatore të quajtur Sistemi Robotik Kirurgjik Versius.

Roboti i ri ka saktësi të avancuar dhe aftësi manovrimi që bën të mundur përdorimin te pacientët më të rinj.

Pas një sërë provash të suksesshme tek të rriturit, 7-vjeçari Reece është fëmija i parë në vend që operohet me këtë pajisje.

Ai iu nënshtrua kontrolleve në spital pas një incidenti në një park.

Nëna e tij, Elizabeth Wilton, thotë se “ai iu nënshtrua kontrolleve dhe në fillim nuk u zbulua gjë pas incidentit, por më pas, nga skanimet u zbulua se ai kishte një problem midis veshkave dhe fshikëzës, me tubin lidhës, nuk ishte plotësisht ashtu siç duhej”.

Fillimisht familja u trondit kur u njoh me faktin se ndërhyrja kirurgjikale për këtë problem shëndetësor do të kryhej me ndihmën e një roboti.

Babai i 7 vjeçarit, Ashley Wilton, thotë se “kur dëgjova për herë të parë se do të ishte një robot që do ta operonte atë, kisha dyshime…Por kur merr më shumë informacion dhe mëson se robotin e drejton një mjek atëherë gjithçka bëhetë shumë më e kuptueshme”.

Kirurgu që kreu ndërhyrjen është Ewan Brownlee, i cili është urolog pediatrik në Spitalin Universitar Southampton. Kirurgjia tradicionale për këtë ndërhyrje mbart disa komplikime, shpjegon ai.

Ndërsa krahët robotikë të përdorur në këtë procedurë kanë një gamë lëvizjeje të tillë që bën të mundur që instrumente kirurgjikale mjaft të vogla të kryejnë operacione të ndërlikuara te fëmijët.

Pas testeve për gati 3 vjet, është arritur momenti historik, kryerja e operacionit te një fëmijë.

Pajisja e ndihmuar nga roboti, e zhvilluar nga CMR Surgical Ltd me bazë në Kembrixh, synon të arrijë një saktësi që njeriu nuk e arrin dot, nëpërmjet përdorimit të instrumenteve të vogla kirurgjikale, kontrollit të robotit, si dhe një ekrani të zmadhuar me rezolucion të lartë.

“Ndërhyrja kontrollohet nga kirurgu, gjithsesi. Duket sikur ndihma robotike është e atomatizuar, por në fakt kontrollohet nga kirurgu”, thotë kirurgu Ewan Brownlee

Kirurgët shpresojnë të shohin që kirurgjia pediatrike me ndihmën e robotëve të bëhet praktikë e zakonshme në të gjithë botën.

Pas operacionit, Reece i thotë nënës së tij, Elizabeth, se ndihet mirë.

“Ai ka qenë pak i turbullt, i shqetësuar siç do të ishte çdokush, veçanërisht në moshën e tij, por ai ia ka dalë shumë mire. Thjesht po kthehet në normalitet”, shpjegon ajo.

Reece u la të dilte nga spitali pas operacionit dhe pritet të rikuperohet plotësisht./VOA

Ekspozita ‘EXPERIENCE’ e artistit multimedial Shuk Orani vazhdon rrugëtimin e saj në Hamburg të Gjermanisë

Ekspozita “EXPERIENCE” e artistit Shuk Orani e cila paraqet një ndërthurje mes artit dhe teknologjisë po vazhdon rrugëtimin e saj në Hafencity-Hamburg.

Nën drejtimin e Hauke Hatzelhoffer, kuratorit të URBAN ARTIST CLUB dhe themeluesit të Magall.Art, do të zbulohen veprat e para dixhitale të artistit multimedial dhe konceptualistit të shumëanshëm Shuk Orani.

“ATELIER SO, MARKTPLATZ DER MANUFAKTUREN dhe URBAN ARTIST CLUB prezantojnë së bashku këtë ekspozitë unike, që fton njohësit e artit dhe entuziastët e teknologjisë të zhyten në botën fascinuese të NFT-ve (non-fungible tokens) dhe të shijojnë atmosferën e jashtëzakonshme ATELIER SO”, thuhet në njoftim.

Mbi artistin Shuk Orani:

Pikturat e tij shumë të dëshirueshme në vaj mbi kanavacë janë burimi i inspirimit global dhe janë ekspozuar në institucione të njohura si MOCA në Pekin, Louvre në Paris, Galleria Farini Concept në Itali, TSAI Museum ne Taipei, NW Gallery në Mbretërinë e Bashkuar, në Sotheby’s në Hamburg dhe shumë të tjera.

Përveç ekspozitës kryesore në 2000m2, do të shfaqen edhe punët e Alex Klauck. Klauck transformon me vizionin e tij artistik një reinterpretim të gjallë të veprave të Shuk Orani dhe vepron si ndërtues i urave mes traditës së pasur të artit klasik dhe mundësive të pakufishme të epokës dixhitale.

Në këtë ekspozitë do të prezantohet edhe ekspozita e parë të veprave të Kenta Harukit në Evropë!

Kenta Haruki:

Kenta është një artiste dixhitale dhe AI nga Tokio. Koha e saj në “Cooper Union for the Advancement of Science and Art” në New York e ka ndikuar thellë. Atje, ajo jo vetëm që mori një arsim artistik, por u inspirua gjithashtu të merrej intensivisht me temat e mëdha të kohës sonë: shkencë, teknologji, shoqëri dhe vetë njerëzimin. Kenta krijon vepra arti që bashkojnë traditën dhe inovacionin në një mënyrë fascinuese, duke integruar teknologjinë moderne dhe inteligjencën artificiale në punën e saj kreative.

Një tjetër moment i veçantë i ngjarjes është programi i muzikës klasike nga violinisti Nathan Paik. Ai luajti në violinën e tij të Giuseppe Cavaleri të vitit 1741, Genua (Itali), e cila u sigurua nga Fondacioni ALAGO. Nga veprat e shkëlqyera të Eugene Ysaye dhe Johann Sebastian Bach deri te kompozimet fascinuese të Bela Bartok dhe Bernd Alois Zimmermann, një kombinim e imponueshëm i pjesëve klasike dhe moderne premton.

Ekspozita do të hapet më 13 prill 2024 në Atelier SO (Hamburg)/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, biseduan për bashkëpunim dhe shkëmbime përvojash mes dy parlamenteve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, shkruan KultPlus.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjersa po qëndron në një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Shqipërisë.

“Sipas Presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim po ashtu thuhet se sipas Presidentes Osmani, ekziston përkushtim i përbashkët për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, duke rritur koordinimin dhe bashkërendimin në fushën e politikës së jashtme.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të përkrahjes së delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë”, thuhet në komunikatë.

Për Presidenten Osmani integrimi euroatlantik është synimi i përbashkët i të dy vendeve./KultPlus.com