Sonte në Termokiss shfaqet filmi dokumentar “me dasht’, me dasht’, me dasht'”

Sonte publiku prishtinas do ta ketë mundësinë ta shohë në Termokiss filmin dokumentar „me dasht’, me dasht’, me dasht’“ i cili këtë verë e fitoi çmimin e publikut në Dokufest, përcjellë KultPlus.

Filmi dokumentar „me dasht’, me dasht’, me dasht’“ është shfaqur në Prizren dhe Gjakovë, ndërsa sonte në orën 20:00 do të shfaqet për herë të parë në Prishtinë në qendrën shoqërore Termokiss.

“Me dasht’, me dasht’, me dasht’“ është rezultat i një pune gati 3 vjeçare të regjisorit Ilir Hasanaj dhe e ekipit të tij të filmit. Ai është inçizuar në kuadër të projektit të performancës artistike „Baushtellë: Balkan Temple“, i cili ka kulmuar në verën e vitit 2015 në Prishtinë, Beograd dhe Cyrih.

Filmi paraqet dokumentimin e një fraksioni të jetës së tre personave: një çift i ndarë rishtas (Arbri dhe Edona) të cilët përpiqen të gjejnë mënyrën për të punuar dhe jetuar bashkë brenda projektit „Baushtellë: Balkan Temple“, në mes të 30 artistëve që udhëtojnë nëpër 3 shtete dhe një adoleshent i humbur në mendimet e tij (Genci) që është i zhgënjyer nga jeta. Pas filmit, shikuesit do ta kenë mundësinë që t’i shtrojnë pyetje ekipit të filmit, përkatësisht regjisorit – Ilir Hasanaj, producentes – Rina Kika, si dhe dy protagonistëve kryesorë të filmit dokumentar: Edona Vatocit dhe Arbër Salihut. / KultPlus.com