Tashmë janë shpeshtuar aktivitetet artistike për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, i cili po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit.
Për ta ndihmuar regjisorin, një mbrëmje filmi do të organizohet edhe në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.
Me iniciativën e dramaturges Dhurata Hoti, këtë të shtunë në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” do të shfaqet filmin “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ ” i regjisorit Ilir Hasanaj.
Filmi do të shfaqet në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, duke filluar nga ora 19:00.
“Bekim Lumi gjithmonë ka shprehur dashuri e pasion për artin e krijuar prej të rinjve kosovar, prandaj kemi vendosur të shfaqim një prej prodhimeve më origjinale në kinematografinë e vendit tonë”, shkruhet në njoftimin e kësaj ngjarje.
Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj.
Vlera e kontributit mund të bëhet tek hyrja me një shumë të pacaktuar, ku secili vendos sipas vullnetit dhe mundësive.
Kjo ngjarje u mbështet nga Grupi i Grave Asambleiste dhe Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport e Komunës së Gjakovës. / KultPlus.com