Nesër në Teatrin Oda promovohet ”Me ekzistu është vetë kuptimi”, libri i fundit i Sibel Halimit, shkruan KultPlus.
”Me ekzistu është vetë kuptimi” botohet në kuadër të aktiviteteve të organizuar nga Qendra Multimedia për të shënuar 23 prillin, Ditën Botërore të Librit.
Ndërkaq, promovimi i këtij libri pritet të fillojë në orën 18:00.
Vepra “Me ekzistu është vet kuptimi” është botuar nga Qendra Multimedia, projekti është mbështetur nga programi Kultura për Ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut.
Sibel Halimi është sociologe dhe njëherit autore e librave poetik “Kopshti i mëkateve” dhe “Qenia nuk banon këtu” si dhe një sërë hulumtimesh në fushën e studimeve sociale dhe gjinore. / KultPlus.com
“Me ekzistu është vetë kuptimi”, është një përsiatje poetike mbi shumë fenomene të cilat e kanë përcjellë shoqërinë tonë. Orvatje për të vazhduar rrugën drejt një njohje të re të shumë figurave, që ne i kemi lartësuar apo mos njohur për motive të caktuara shoqërore dhe politike e që rrjedhimisht i kemi shndërruar në dikë tjetër, epilogu i së cilës është tjetërsimi i tij/saj. “Me ekzistu është vetë kuptimi” rikthen njeriun kah vetja. Duke njohur veten ne do të krijojmë paqen jo vetëm për ekzistencën, por na bënë më njerëzor edhe ndaj tjetrit, i cili jo domosdoshmërish duhet të jetë si ne.
Bëhet fjalë për librin më të ri të poetes dhe sociologes Sibel Halimi, një vëllim poetik që para lexuesit vie si një rinjohje ndaj vetvetes duke trajtuar kështu shumë fenomene të cilat zhvillohen e rriten krahas shoqërisë sonë. Në një intervistë për KultPlus, Halimi shpalos më shumë rreth librit të saj më të ri, rreth të qenurit shkrimtare, rreth zhvillimit të kulturës e letërsisë në Kosovë.
Sibeli tregon se shkruan për të mos e ndjerë kohën, shkruan për t’u arratisur e fshehur nga ajo. Kështu edhe arriti deri tek realizimi final i ‘Me ekzistu është vetë kuptimi’, duke i përmbledhur poezitë e saj në një vëllim të vetëm.
Ndonëse, në leximin e parë të titullit na bien ndërmend shumë gjëra, ajo çfarë autorja ka tentuar të përçojë ka të bëjë me zhveshjen e njeriut nga kuptimet që e emërtojnë identitetin personal, çlirimin e tij nga kuptimet që i japin vlerë e si rrjedhojë duke mos qenë vetja, njeriu është i humbur.
‘Njeriu kosovar është i instrumentalizuar nga politika, religjioni dhe konsumerizmi dhe si rezultat, ne e kemi humbur atë si një mendje kritike. Ne thjesht sot e takojmë njeriun që i përket grupeve të ndryshme, kolektives, kokë ulur, e në një ambiguitet të thellë. Ndonëse, rruga për të vetja është e gjatë, prandaj si fillim thjesht duhet t`i gëzohemi ekzistencës, pavarësisht pasigurisë e konfuzionit që mund të shkaktohet nga fakti që nuk i takojmë askujt. Por, po bëhemi të vetëdijshëm për veten ne e kemi bërë hapin e parë drejt vetëdijes mbi jetën tonë e shoqërores, vetëm kësisoj mund ta shpëtojmë lirinë.’, shprehet tutje Halimi për KultPlus.
Nuk ka shkrimtarë që në ndonjë periudhë apo tjetrën nuk ka kaluar në një moment bllokimi, në një moment ku ka humbur vetveten dhe rrugën drejt krijimit. Ndërkaq, momentet e tilla, Sibeli i quan më shumë momente reflektimi sesa bllokimi. Përmes poezisë, ajo përpiqet të çlirojë njeriun nga dogmat e ndryshme që ia zënë frymën atij, e në këtë synim e çliroj edhe veten
‘Vështirë të bëhet një dallim i prerë në mes personales dhe sociales në të shkruar. Përditshmëria sociale është pjesë e pandashme dhe jo vetëm. Rrugëtimi i njeriut në ngjarjet politike dhe shoqërore janë inspirimi im.’, deklaron ajo.
Duke qenë se sociologjia është pjesë e pandashme e Sibelit, ajo ka arritur që në mes të sociologjisë dhe poezisë të bëjë një gërshetim të mahnitshëm, i cili e shpie punën e saj drejt një krijimi që padyshim mund t’i vëmë titullin ”Art’. Një art që tek lexuesit e saj vjen në një formë e përmbajtje që në një mënyrë apo tjetrën, prekë secilin prej tyre.
Sibeli tregon se në relacion me sociologjinë e cila e kundron realitetin siç është, poezia i jep asaj mundësinë e projektimit të diçkaje që e bën të ndihet mirë, një lloj shtegtimi imagjinar për të dëshirueshmen. ‘Kur shpresa humbet, poezia është shpëtim që ta jep mundësinë e konceptimit të vetes në relacion me të tjerët’, potencon ajo.
‘Trajtimi i fenomeneve sociologjike në shoqërinë kosovare, shpesh më ngjason me njëfarë vargëzimi sociologjik. Është zgjatim, ku fenomenet marrin trajtë artistike, ku vargu shndërrohet në revoltë, indinjatë, ndaj si i tillë nuk e përmbushë veten vetëm në aspektin metrik. Poezia është shëmbëllim i vetvetes, katarsis për atë që s`e ke, për atë që e do dhe për atë që mbase mund të mos jetë e arritshme kurrë. Shprehja nëpërmjet vargjeve është ngarendje pas lirisë, ngase aty përplotësohet uni dhe dëshmohet se liria individuale është mbi të gjitha’, shprehet Sibeli për KultPlus.
Sibel Halimi njihet edhe për pjesëmarrje në shumë aktivitete kulturore, duke konsideruar se konteksti kulturor nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra jonë e të menduarit dhe të jetuarit. ‘Liria nuk i përket qenies, por turmës në Kosovë. Aty ku tjetri konceptohet si armik- i huaj, krijohet mendim uniform, e injorohet të menduarit, të jetuarit ndryshe, prandaj shfaqet ndëshkimi apo disiplinimi. Në këso kushte, kultura e ka të vështirë mbijetesën, ngase përballet me konceptin, të cilën Branko Merxhan e quan “shoqëri kazermë”. Rrjedhimisht, kemi problem të prodhojmë profile kulturore të qëndrueshme, që na sjellin ndryshim në mënyrën e të menduarit, vlerave shoqërore e kulturore.’, potencon Halimi.
Ndër të tjera, Sibeli me shqetësim të thellë e konsideron se shoqëria kosovare është në një krizë të thellë. Sipas saj, mungesa e shkrimtarëve që shtyjnë botën drejt një drejtimi njerëzor e mendimi ndryshe, shndërron atë në mjetin që arsyeton qëllimet regresive. Ajo poashtu potencon se nëse një shoqëri e kalon në heshtje mbylljen e qendrave kulturore, koncepti i shkrimtarit ëshë një sall dekor politik, i cili i shërben nevojave të turmës, ku sipas saj kjo vie si pasojë e faktit që shkrimtari si i tillë i frikësohet t’i del turmës përballë.
Në vijim mund të lexoni dy nga poezitë e ‘Me ekzistu është vetë kuptimi’, të cilat Sibeli i ka zgjedhur për lexuesit.
Për dyert që mbyllen
⦁ Për timen bijë –
Në vetmi mësohu ta dëgjosh veten Të gërmosh në skutat e errëta e t’u rrish ballë Mësohu të ecësh vetë Edhe ashtu ishe gjithmonë Por, herët a vonë do ta kuptosh
Mos e ndjek askë Nëse së paku njëherë nuk e kthen kokën E të sheh në sy Për të kuptuar nëse je në këmbë apo në gjunjë
Nëse je rrëzuar një herë Ngrihu ngadalë Është imazhi im e fjala “kici i mamit” që do të ndjekë Gjithmonë nga pas
Mësohu ta duash qetësinë tënde Edhe atëherë kur nuk i beson Nga kjo qetësi Do të dalësh ti
Ecja nuk nënkupton gjithmonë lëvizje Mësohu ta mbash kokën lart të ndjekësh një yll edhe kur retë e mbulojnë ajo do të ekzistojë për ty
Mësohu të duash Të përqafosh Të falësh buzëqeshje Kur jeta të rrëzon e të përplas për toke Vetja, të shpëton!
Me u çue peshë
Me u çue peshë domethënë me e dashtë e njoftë lirinë E liria kokën dikujt ia han rënkojnë gardianët e moralit e tok bashkë me e mbyllë në dry në trup t‘tokës Se me kenë i lirë është më lehtë me mendue për vdekjen jo të vetes Ke frikë nga vdekja njeriu im? Kemi mbet fillikat e pezull unë e ti në peshë t‘atomit
Kohët e fundit në Kosovë, letërsia ka marrë hov në zhvillim e saj. Dhe ajo që vërehet më shumë, është numri i madh i grave që krijojnë. Ndërkaq, Sibeli, na ka folur më shumë rreth dy koncepteve, atij të ‘letërsisë femërore” dhe ‘kritikës feministe’. Sipas saj, konceptimi fillestar i letërsisë femërore duket të jetë projeskion patriarkal, përpjekje për të kornizuar letërsinë e grave brenda gjinisë. Ndërsa, ‘kritikën feministe’, e konsideron një prespektivë feministe mbi traditën letrare, mbi rolet e kufizuara që u atribuoheshin personazheve fiktive të shkrimtarëve si dhe njohjen e shkrimit të grave.
”Kritika feministe gjatë tri dekadave të fundit na shpie në fokusimin dhe tematizimin e nënshtrimit letrar të grave, përjashtimin e tyre e gjer tek analiza e konstruksionit dhe prezantimit të gjinisë brenda diskursit letrar. Andaj, si e tillë, kritika feministe i ndihmoj institucionalizimit dhe legjitimimin e feminizmit si vlerë akademike, falë përpjekjes së shumë teoriticienteve dhe shkrimtareve feministe si Mary Wollstonecraft, Madame de Stael, George Eliot, Margaret Fuller, Rebeka West, Virginia Woolf dhe Simon de Beavoir, e Judith Buttler.’, vazhdon tutje ajo.
Ndërkaq, rolin e grave që bëjnë art e letërsi në Kosovë, Sibeli e konsideron si ende të konceptualizuar në kuadër të paradigmave patriarkale. ‘Vetëm nëse marrim pjesë në grupet letrare shohin që ekziston një dominim i shkrimtarëve burra, të grumbulluar në grupe të caktuara, të cilët janë në shpërputhje të madhe në mes asaj çfarë shkruajnë dhe çfarë mendojnë e kush janë në të vërtetë. Letërsia duhet të jetë ndër të tjera dhe ngacmuese në nervin dhe kallon e shoqërisë patriarkale, duhet të ketë misionin emancipunes, në të kundërtën do t`i përshtatet rahatisë që ua sjell ky sistem.’, tregon Sibeli.
”Shkruaj për gratë, ngaqë jam grua, dhe askush më mirë se sa unë nuk e di se sa vështirë është të jesh grua në vendet si e jona.”, deklaron Sibeli.
Ekziston gjithmonë një shtysë kur shkrimtarët shkruajnë. Ekziston një revoltë, një nostalgji, një shqetësim që e shtyen secilin ta hedhë atë në fletën e bardhë, e sidomos kur shkrimtarja qëllon të jetë një grua në një sistem patriarkal. Ndërkaq, për Sibelin, qëndron kështu: Kur shkruajmë jemi të vetmuar dhe të shqetësuar, jo për veten e të tashmen, sa për të ardhmen e gjeneratat që viijnë. Premisa, nëse mund ta emërojmë kësisoj, e poezive të mia e kanë fokusin tek gratë, jetën dhe padrejtësitë që u bënë asaj përgjatë historisë.
”Saherë që mendoj për ta konceptuar gruan, më duket sikur ia bëj të padrejtën e radhës sikurse vetë historia. Të gjitha etapat duke e përfshirë edhe feminizmin janë përpjekur për të definuar atë, ndaj në këtë ngarendje me dashje apo jo, ne kemi vendosur gruan brenda projeksioneve tona. Ajo është përtej konceptimit shoqëror dhe politik. Gruaja dhe liria janë disiplinuar dhe kontrolluar duke përcaktuar role dhe përgjegjësi statike, andaj gruan nuk mund të konceptoj ndryshe, përpos si liria vetë. Pa mëdyshje, nocionin grua do ta kisha zëvendësuar me liri, ndoshta vetëm në këtë mënyrë do t`i kishim zbutur mëkatet ndaj saj.”, deklaron ajo.
Sibeli ka përmendur edhe gratë shkrimtare që zhvillojnë letërsinë në vendet shqipfolëse, të cilat sipas saj po i sjellin një dimension emancipues letërsisë së sotme shqipe. ‘Vështirë ta bëjë një listë të grave shkrimtare e poete kam frikë të mos e harroj ndonjërën. Por ato të cilat po i sjellin një dimension emancipues letërsisë së sotme në Kosovë dhe jo vetëm janë Luljeta Leshanaku, Entela Tabaku, Donika Dabishevci, Majlinda Bregasi, Dije Demiri Frangu, Nerimane Kamberi, Ervina Halili, Eli Krasniqi, Rita Petro Filipi, Ilire Zajmi, Erenestina Gjergji Halili, Entela Kasi, Flutura Açka e shumë të tjera.’, tregon ajo.
Sibel Halimi, si një poete zëri i së cilës dëgjohet gjithmonë fuqishëm, ku përmes poezisë sa saj ka prekur gjithmonë tema të ndjeshme, tregon se ajo i qëndron fuqishëm pas mendimit se në Kosovë gratë duhet të shkruajnë, se vetëm kësisoj ato mund të arrijnë të ridefinohen dhe të lirohen nga paradigmat e kulturës patriarkale. / KultPlus.com