Uranik Emini
Përmes ekspozitave të realizuara vitet e fundit, skulptori Eroll Murati me shumë sukses ka arritur që të marrë vëmendje ndërkombëtare e madje ekspozitat e tij të prekin shumë njerëz, shkruan KultPlus.
Veçantia dhe paraqitja e mesazhit në formën më të mirë të duhur ka rezultuar që puna e Muratit të marrë vëmendje ndërkombëtare, derisa ky i fundit po punon edhe në ekspozitën e radhës.
Në një prononcim për KultPlus, Murati ka njoftuar se aktualisht është duke punuar në një ekspozitë të re, të cilën pritet ta sjellë këtë vit.
“Ka me qenë diçka më konceptuale se herën e kaluar”, ka thënë ai për KultPlus.
Sipas tij, artin gjithmonë mundohet ta konceptojë për hapësira publike, pasi nuk punon në art minimalist.
“Edhe ekspozita e radhës do të paraqitet në hapësirë publike, për shkak se jemi lodhur pak a shumë nga pjesa e galerive, por edhe puna ime bazohet pothuajse gjithnjë në hapësira publike”.
Murati tutje njoftoi se akoma është duke punuar mbi temën, derisa sapo të kompletojë gjithçka që ai ka planifikuar do ta shfaq edhe ekspozitën e tij të radhës.
Ekspozita e tij e fundit “Më gjeni”, e cila ishte shfaqur në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, kishte marrë vëmendje ndërkombëtare, duke u publikuar edhe në gazeta të huaja siç është The Atlantic. /KultPlus.com
Murati në të kaluarën ka ekspozuar një sërë ekspozitash që trajtojnë tema që prekin shoqërinë në thelb, madje ky është edhe synimi kryesor i autorit.
Eroll Murati ka qenë pjesëmarrësh në aktivitete të ndryshme kulturore që përfshinin ekspozita personale poashtu edhe kolektive. / KultPlus.com