Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve.
Presidentja ka theksuar se veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi. Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në veri të vendit dhe se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.
Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Në takim u diskutua po ashtu për rezultatet që priten nga Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë gjatë muajit tetor./KultPlus.com