Suada Qorraj
‘Me zemër në qese najloni’ është libri më i ri i autorit kosovar Xhevdet Bajraj. Një libër poezitë së cilit, siç thekson vetë autori janë shkulur nga pema e jetës, nga banditët që para se ti vidhnin të ardhmen dhe të tashmen, vodhën dhe vetveten.
Në një intervistë për KultPlus, Bajraj ka rrëfyer më detajisht rreth shkrimit të këtij libri me poezi dhe qëndrimeve të tija rreth realitet në të cilin jetojmë. Ky rrëfim të bënë një me autorin, duke të të rrëmbyer kështu që ta lexosh deri në shkronjën e fundit.
KultPlus: ‘Me zemër në qese najloni’ është libri i juaj më i ri, na tregoni pak për krejt procesin se si lindi ky libër. Por, edhe për zhvillimin tuaj si shkrimtar ndër vite, sa kanë ndryshuar sfidat e të shkruarit që nga hera e parë kur keni filluar të shkruani e deri më sot?
Xhevdet Bajraj: Jam i lodhur së jetuari brenda këtij realiteti të stërkequr, të shëmtuar nga ana e politikanëve tanë (shumica prej tyre heronj legjendar dhe të gjallë), apo nga politikanët e huaj por aq të fuqishëm sa që këta që vendosin për fatin tonë janë të shndërruar në instrumente në duart e të fuqishmëve, jo në instrumente, por në vegla pune bujqësore apo ndërtimtarie. Me tërë forcën e tyre angazhohen t’ia gjejnë rrënjët e asaj që sot ka mundur të quhet e bukur dhe t’i zhdukin, natyrisht, nën shkëlqimin e protokolleve zyrtare. E nesërmja duket e zezë, si nata pa hënë e pa yje, e kur të bie kjo natë e të mbesim vetëm, atëherë demonët që kanë ngritur çerdhe brenda neve, të cilët na kanë ushqyer të tjerë me dashuri, por që edhe vet i kemi ushqyer, do të zgjohen dhe do të na dalin para syve si në poezinë Kavafisit dhe ne do t’i shohim nëse kemi sy, apo nëse nuk do të jemi në gjumë. Ajo që dua të them është se poezia ka një forcë transformuese magjike për të hapur atë botë apo jetë që na jepet çdo ditë pa na pyetur (sepse jemi në gjumë), si diçka definitive, si punë e kryer nga ana e politikanëve. Ata na imponohen për të na ndërtuar jetën, na e kërkojnë votën dhe ne i votojmë. Të mos harrojmë, jo gjithësecili futet në garë politike, pra, jo gjithësecili ka mundësi të zgjidhet. Kështu ka lindur poeti i parë i keq, Ademi/Adami, kështu ka lindur edhe poeti i parë i mirë, Kaini.
Poezia e zgjon dhe e zgjeron humanen te njeriu, ajo, bile për mua, është një nga përgjigjet e pakta njerëzore për këtë botë, ajo sugjeron, ta heq perden nga “dhoma” ku të kanë vendosur dhe t’i mund të shohësh përtej asaj kornize, apo përtej asaj bote që ta kanë krijuar, ku të kanë lidhur këmbë e duar me pranga dhe që ta kanë ngjyrosur me të gjitha nuancat e mutit të njerëzve të dhier “në gjumë” dhe njeriut “i mbetet” vetëm ta shijoj jetën e tij brenda këtyre rrethanave. Nëse e gjen dashurinë aty, atëherë të duket vetja me fat, mbase edhe je me fat. Vetëm kur e dëgjon mjekun të thotë, si brenda një loje kompjuterike: “game over”, dikush në pak sekonda e kupton që nuk ka jetuar. Pra, për mua poezia, arti, e ka funksionin e një prej armëve më fisnike që e ka njeriu në jetë. Ajo e minon këtë botë. E tash, “Me zemër në qese najloni”, për mua, është etapa e fundit e një rruge. Librat e radhës janë pak më ndryshe, njerëzve që gjinden me mua në këtë “dhomë”, e që e flasin gjuhën shqipe, përpiqem t’iu hapë dritare të reja, apo tek e fundit, t’u heq perdet nga ato dritare. Dikush mund të thotë se kjo është punë don kishoteske, punë koti, por mos harroni, derisa nuk e ndërtojmë atdheun, shtetin normal, i bie se të gjithë dëshmorët tanë e kanë dhënë jetë kot, për një atdhe koti. Unë dëshmorëve u përkulem, po ashtu fjalës atdhe, pra vetëm fjalës. “Me zemër në qese najloni” është gjurma e fundit, kam qejf të besoj, që ka mbetur nga unë kur mbi mua ka kaluar treni apo autobusi i jetës që i bartte udhëtarët si Millosheviqi (me bandën e vet), Rugova, Hashimi, Kadriu, Ramushi, ca ndërkombëtarë etj. Ajo që dua të them është se jeta ma dikton poezinë, e tëra që më është dashur ta bëj ka qenë që ajo të dal sa më natyrshëm nga unë (anipse dikujt do t’i prishej qejfi) e kjo është e lehtë, shumë e lehtë, se jeta të le pa opcione. Natyrisht, ka një estetikë të gjallë brenda saj, ka dhe një etikë po ashtu, kjo merr kohë, do punë kjo. Këtë e ndërton vetë autori dhe kjo ngrehinë do ta dëshmojë nëse i ka shkuar huq jeta një artisti apo ndodh e kundërta, dhe nuk ka “çmim letrar” që mund të ndikojë aty.
Thonë që e para ka qenë fjala, definitivisht, fjala ka lindur nga dhimbja, nga e bukura, apo nga dhimbja e bukur. Apo ta them ndryshe, nëse fjala ka qenë e para, atëherë padyshim që ajo do të jetë edhe e fundit, prandaj, detyra e vetme e poetit, të më falin poetucët, është ta mbajë të gjallë fjalën.
KultPlus: Sa kohë ju ka marrë shkrimi i librit me poezi ‘Me zemër në qese najloni’?
Xhevdet Bajraj: Tërë jeta ime dhe të gjitha ato që mbahen në mend e që kanë ndodhur gjatë gjithë historisë së njerëzimit dhe ato që na merr mendja që do të ndodhin, kalojnë nëpër majat e gishtave të duarve kur shkruajmë.
Sidoqoftë, punoja në tre libra njëkohësisht sepse poezia ime ngutej, “Me zemër në qese najloni” ngutej, e kisha ndjenjën që një epokë po përfundonte, se po vinte Albini, se Albinin e njihja, se Albini e donte, e njihte artin (dhe e njeh dhe e do). Për një moment kisha harruar se sa punë e prisnin Albinin, pata harruar se në T7 gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019 pat deklaruar se: për Ministrinë e Kulturës… (se aty përfshihen edhe sporti e rinia???) do të flas atëherë kur në Kosovë do të ketë kulturë. Kështu që s’më mbetet gjë tjetër përveçse ta respektoj këtë deklaratë, mund të them se edhe pajtohem plotësisht me të. Kështu që qeverisë së re, të gjithë stafit, i uroj shumë sukses në fushën e sportit. Do t’i uroja shumë sukses edhe me rininë, por nuk i kuptoj kompetencat e ministrisë së rinisë.
Nejse, poezitë e librit tim të fundit, dhe jo vetëm të këtij, janë fruta të shkundur nga pema jetës në të cilën janë ngjitur ca banditë fshati, të cilët para se të vjedhin neve të tashmen, gjegjësisht të ardhmen, kanë vjedhur brenda familjes së tyre, pastaj kanë vjedhur në fshatin e tyre, të njëjtin fshat në shitoren e vetme të të cilit, bashkëfshatarët e kanë patur mërzi të futen, sepse ata gjindeshin brenda duke pirë birra, me duar të palara hanin mish gjedhi në konservë, qepë dhe vegetë, mbi një gazetë të vjetër, e u shisnin njerëzve kopalla. Në ndonjë shitore më të madhe fshati, ka patur edhe vezë të ziera, ama gazetat gjithmonë kanë qenë të vjetra. Po flas për ata që ngrihen mbi gjuhë, mbi art, mbi popull dhe mbi atdhe.
KultPlus: Cilat janë temat kryesore të cilat trajtohen në libër?
Xhevdet Bajraj: Tema e librit është kjo botë e tmerrshme e mediokritetit që po fillon të materializohet, të bëhet e vetmja botë. Një botë pa libra, pa vlera, pa art dhe pa moral, një botë pa atdhe, apo të jem më preciz, një atdhe pa shqiptarë. Unë nuk e gjej veten brenda këtij realiteti, ajo që më dhemb edhe më shumë është që as fëmijët e mi nuk i shoh brenda atij realiteti ku njerëzit në një mënyrë apo në një tjetër mënyrë janë të përkulur. Mund të jesh i vdekur, por qëndro në këmbë si lis, mund të jesh i dhier por qëndro në këmbë se njerëzit do të kuptojnë, do të bashkëndjejnë me ty, por mos u përkul, bile mos u përkul pa nevojë, se tek e fundit, e kemi fituar luftën e fundit.
Në libër përpiqem ta fisnikëroj këtë realitet deri në atë masë sa vetë jeta në Kosovë a në Ballkan nuk është.
KultPlus: Para publikimit të këtij libri ju keni ndarë një numër të poezive që janë pjesë e këtij libri në profilin tuaj në Facebook. Pse keni vendosur që të bëni pikërisht një gjë të tillë?
Xhevdet Bajraj: Ishte hera e parë dhe e fundit që e bëra këtë. Realiteti kosovar “m’i vodhi”, m’i nxori me forcë këto poezi, ndërsa shtëpisë botuese “Armagedoni” nuk i pengonte kjo. Unë kisha nevojë t’i thoja dy fjalë, të klith me sa zë që kam, ama sa më butësisht, të provoja që ujin e helmuar që e pijnë kosovarër ta bëja të pijshëm.
KultPlus: Pse pikërisht ‘Me zemër në qese najloni’?
Xhevdet Bajraj: Paj, janë ngjarjet që më kanë sjellë këtu ku jam, që ma kanë nxjerrë zemrën dhe ma kanë hudhur në tokë, unë e mora se pa të s’jetohet, e futa në një qese najloni. Tash aty i mbaj edhe frutat e pemës së jetës, poezitë, që po u shijuan, dëshiroj të besoj që i zgjojnë “të fjeturit” nga gjumi. E ata që bëhen sikur flenë, të cilët ta japin ndjesinë se më lehtë është ta zgjosh një të vdekur se sa t’i zgjosh ata që bëhen sikur janë në gjumë, që me thonjtë e zemrës së tyre janë kapur për interesin personal. Atyre, mashtruesve, hajnave dhe vrasësve të asaj që ka mundur të quhet e bukur, të tashmes, të së ardhmes… që janë vrasës të rrugës së kthimit tim dhe qindra mijëra të tjerëve në atdhe. Këta nuk janë vetëm politikanë, por janë edhe “shkrimtarë e poetë”, “aktorë”, “këngëtarë¨, punëtorë të arsimit e të shëndetësisë, “analistë politik” dhe “gazetarë”. Kur e përmendi rrugën, shikojini një herë emrat e rrugëve, shikojeni edhe “artin e skulptorëve” tanë që janë përkujdesur për t’i stolisur ato rrugë e ato sheshe. Në atdhe jeta duhet të jetohet e jo të çjetohet.
“Me zemër në qese najloni”, sepse realiteti ma ka nxjerr atë nga kafazi i kraharorit. Në momentin kur kam vendosur të kthehem në Meksikë (se një herë jam kthyer në Kosovë) e kam marr zemrën nga toka, e kam futur në qese dhe jam kthyer. Tani sa herë e vizitoj Kosovën, e kthej aty ku e ka vendin, por tash sikur nuk i bie më tamam gjoksit tim, është si shtazë e tërbuar, aq e tërbuar sa që nuk mund të qëndron as brenda shtëpisë së vet natyrore, brenda fjalës zemër.
KultPlus: Libri tashmë ka arritur edhe në dorën e lexuesve, por cilat kanë qenë kritikat e para që keni marrë pas botimit të tij?
Xhevdet Bajraj: Kritikat pozitive nga miqtë e mi nuk kanë munguar, publikisht mendimin për të e ka shprehur poeti Blerim Rrecaj dhe ka folur për të botuesi, Berat Armagedoni. E dhashë një intervistë të shkurtër për një emision në Kohavision dhe kjo është intervista e dytë. Kjo nuk është pak kur e kujtoj fëmijërinë time dhe një burrë që lozte me def dhe detyronte një ari të “vallëzonte”. Tash ka ardhur koha e arinjve të lozin në def nëpër kanalet televizive dhe publiku të vallëzojë. Pra në këto rrethana të ndyra nuk e kam pritur as këtë. Pas disa ditësh do të jem në Kosovë dhe do t’i promovojmë “Kafe me nënën” dhe “Me zemër në qese najloni” në Rahovec dhe në Prishtinë.
KultPlus: Secili shkrimtar ka inspirimin i tij, ku e gjeni ju inspirimin që të shkruani?
Xhevdet Bajraj: E ndjej veten si një udhëtar i një anijeje të mbytur që ka përfunduar në një ishull të vetmuar. Është e kotë të bërtas se nuk më dëgjon kush, kështu që shkruaj mesazhe, i fus në shishe dhe i hedh në ujë. Nganjëherë ato arrijnë në Kosovë më shpejt, nganjëherë me vonesë, sidoqoftë jam me fat se ato shishe rrymat e ujit i bartin në destinacionin e duhur. Them se jam me fat, se ka poetë të tjerë që kurrë s’kanë hipur “në anije”, jetojnë në vendet e tyre por ju mungon “letra”, “lapsi” u mungon “shishja”, apo në të shumtën e rasteve u mungon fjala. E përmenda më lart se jetojmë në një realitet të ndyrë, e letërsia që do të ishte e ndarë nga ai realitet vështirë se do të ishte një letërsi e mirëfilltë. Po flas për vepër letrare e jo për atë që përceptohet si “libër”, ndërsa është i shkruar nga persona shumë pak të zhvilluar mendërisht (e kanë trurin sa një gjysmë qebape), që financohet e blihet nga Ministria e Kulturës për bibliotekat në Kosovë, shpërblehet… Në këta “libra”, në këto botë të tmerrshme të mediokritetit ku as qyqja nuk bënë vezë, është fyerje ndaj traditës, krim ndaj të tashmes dhe të ardhmes, që s’ka ujë, as xhel, as sapun që ua pastron duart “kompetentëve” apo duart jurive, që i financojnë apo i shpërblejnë autorët të cilët të vetmën aftësi që e dëshmojnë, edhe pse kjo nuk është pak, të dëshmojnë të pamundurën, se njeriu mund të udhëtojë në të kaluarën. Pra këta shkojnë, në rastin tonë, shumë përtej kohës së Barletit, Budit, Bogdanit e Frang Bardhit. Arrijnë deri te belbëzimet e para shqiptare.
KultPlus: Zakonisht ndikimi që marrin shkrimtarët nga autorët e tjerë ndërkombëtar apo kombëtar është i paevitueshëm. Na tregoni se nga cilët shkrimtar konsideroni se është e ndikuar letërsia juaj?
Xhevdet Bajraj: Mund t’i kem ca shkrimtarë që i lexoj më me ëndje se ca të tjerë, ndonjë libër, ndonjë poezi, por ai që i lejon ndikimet pasi ta ketë mbushur një moshë të caktuar, ai më nuk është krijues. Sot, tani kur po përgjigjem në këtë pyetje, më vjen në mendje Ángel González, Blas de Otero, Dino Campana, Raymond Carver, Ted Hughes, Emil Cioran, Jorge Luis Borges, Rafael Alberti, Kazantzakis, Mandelshtam, poezia e Pasternakut e shumë e shumë të tjerë. Pas një ore do të ishte një listë tjetër, përjashto Kazantzakis (më magjeps filozofia e tij për jetën, lidhja e tij me letërsinë).
KultPlus: Çfarë konsideroni ju të jetë roli i letërsisë dhe cili mendoni se do të duhej të ishte roli i një shkrimtari në raport me shoqërinë?
Xhevdet Bajraj: “Fjalët e qirit” të Naim Frashërit duhet ta lexoj çdo poet a shkrimtarë shqiptarë përditë, sapo të zgjohet nga gjumi, apo duke e pirë kafenë e parë të mëngjesit. Nëse është përtac, atëherë le ta lexojë para se t’ia nisë për të shkruar. Nëse nuk është në gjendje të digjet, le ta ngrohë defin në atë zjarr dhe le të del në kërkim të arinjve, të arushave. Kjo flakë qiriri, kjo dritë duhet të ushqehet, të mbrohet me çdo kusht prej shkrimtarëve edhe nga “shkrimtarët”. Kjo nuk është punë vetëm e shkrimtarëve, por edhe e Ministrisë së Kulturës (pa rini dhe sport), e Ministrisë së Arsimit… Nuk është edhe aq lehtë si duket në shikim të parë, janë gjithkah, gjithkund, e më së miri ndiehen brenda Akademisë sonë të shkencës dhe të arteve. Bile nga kjo e fundit, shumica nga ata me “librat” e tyre i janë vërsulur asaj drite, atij qiriri dhe përpiqen ta fikin. Pra, shkrimtarët janë në shërbim të dritës, janë ushtarë të dritës, gardë e dritës, qoftë edhe e zezë ajo dritë. Tekefundit, ka një të mirë në tërë këtë, kur drita është e zezë, njeriu sheh me shpirt, nëse ka shpirt, apo me zemër, nëse nuk i mungon kjo.
KultPlus: Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që pretendojnë të krijojnë letërsi?
Xhevdet Bajraj: Unë ende besoj në fuqinë e poezisë, në fuqinë e artit. Pavarësisht cila është lënda e parë, tema në art dhe nëse ajo dhemb, e nganjëherë di të dhemb shumë, ajo e ushqen njerëzoren, njerëzorja e shpëton botën, nëse jo botën, e shpëton një njeri, përveç vetë autorit. Për fatin tonë të keq, ne si popull, kur flasim për të tashmen, mund të na duket se e kemi një letërsi të madhe, ama nga brenda e kemi pothuajse bosh. Duhet të luftohet, qoftë edhe me vendime politike, ky proces i gjatë akulturimi. Si pasojë e kësaj të gjitha artet, konsumuesit duhet t‘ia vizatojnë mesazhin, emocionin, në poezi këtë e mundëson imazhi poetik. Pra, fotografi, që e imponon një gjuhë të përsosur, por që del në plan të dytë dhe bën që lexuesi të harrojë që është duke lexuar poezi. Kështu mbase ndalet dhe kurohet një proces i gjatë akulturimi. Poeti, në një moment të jetës së tij, do ta ndien nevojën t’ia shpjegoj vetvetes (nëse jo nipit a mbesës), se çfarë ka ndodhur me të, pse shkruan, kah është nisur ashtu i përgjumur, pse duket si dele e humbur, pse e ka harxhuar të vetmen jetë që e ka duke blegëritur. Pse vazhdon të rrezitet së bashku me popullin në hije, njerëzit rreziten në diell. Mund të jesh i madh me trup dhe të zësh vend për dy njerëz në autobus, mund ta kesh kokën e madhe, mund të jesh edhe mbret i oportunizmit letrar, por kjo nuk e ka bërë kurrë askënd as poet, e as njeri. Shkrimi është një punë e rëndë, nëse shkruan me zemër atëherë të përgjaket zemra. Nuk ka vend, nuk ka popull që nuk meriton poetë të mëdhenj.
Unë sikur jam ngrirë gjatë viteve ‘90 dhe nuk jam shkrirë më. Pra, bën pak ftohtë në zemrën time, por nuk ka poezi e as letërsi pa kujtesë. Tekefundit, pa kujtesë nuk e njeh të tashmen. Gjithmonë kemi jetuar në kohë të “pandemive”, poezia është njëra nga vaksinat më të mira që kanë ekzistuar në këtë botë. Shkruani, shkruani, shkruani! E lexova diku një intervistë të të filozofit italian Carlo Rovelli tek po e citonte një indian të vjetër sioux: Qëllimi i jetës është t’i qasemi me një këngë (poezi) çfarëdo gjëje që do të hasim në jetë. Guximi për të mos thënë asgjë, e për ta quajtur veten poet është krim?! Kur e vërteta është e padëshiruar, kur njerëzit nuk kanë nevojë për të ndërsa u pëlqen për të jetuar ashtu, atëherë jeta është diagnozë, është sëmundje.
Bën ftohtë brenda edhe jashtë meje. Kur ta keni këtë ndjenjë, shkruani, shkruani! Një libër, pat thënë Kafka, duhet të jetë si sëpata që thyen detin e ngrirë brenda nesh./ KultPlus.com