Presidentja Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq

Presidentja Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq dhe Spitalin “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, me motivacionin për kujdesin, shpejtësinë e reagimit, solidaritetin dhe humanizmin e shtetit kroat në rastin e aksidentit tragjik të 25 korrikut të këtij viti në afërsi të Sllavonski Brodit, kur humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës dhe u lënduan 26 të tjerë.

Me të njëjtën medalje, Presidentja Osmani ka dekoruar edhe Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit për humanizmin, përkushtimin dhe profesionalizimin e dëshmuar në trajtimin e të aksidentuarve.

Në takim me kryeministrin Plenkoviq, Presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet me shtetin kroat dhe është angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre. Presidentja ka falënderuar z.Plenkoviq edhe për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës me një sasi vaksinash anticovid.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se roli i Kroacisë për Kosovën është si partner strategjik rajonal dhe njëherësh edhe si mbështetëse e rrugës evropiane të vendit tonë. Ajo ka përmendur se të dy shtetet kanë intensifikuar bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian.

Ndërkaq duke folur për situatën aktuale politikë në Kosovë e më gjerë, Presidentja Osmani ka përmendur rrezikun e destabilizimit të rajonit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentë të tyre në Serbi.

Sipas Presidentes Osmani, dialogu më Serbinë duhet të marrë fund me njohjen e ndërsjellë, teksa ka hedhur poshtë çfarëdo ideje, e cila synon trajtim jo të barabartë të Kosovës në kontekstin rajonal.

Ajo ka theksuar se Kroacia është vend mik, nga i cili Kosova pret mbështetje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Aktualisht Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar rreth 30 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar mundësitë e bashkëpunimit më fushën e mbrojtjes, politikës së jashtme, ekonomisë, si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm. / KultPlus.com