Revista spanjolle “ABC Color” e ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve më të mira për t’u vizituar në 2025.
Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, turistët po kërkojnë vazhdimisht destinacione të reja që ofrojnë përvoja autentike dhe vendpushime më pak të populluara.
Gjatë vitit 2025, disa vende janë vendosur nën radarin e turistëve që duan të eksplorojnë përtej qyteteve dhe shtigjeve konvencionale.
Cilat janë destinacionet turistike në zhvillim për vitin 2025? Shqipëria është një nga vendet që po fiton popullaritet dhe vazhdon të ruajë hijeshinë e saj.
Shqipëria: Sekreti i Evropës – i ruajtur më së miri
E vendosur në Evropën Juglindore, Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të ri tradicional turistik.
Me historinë e saj të pasur që shtrihet nga kohërat e lashta deri në epokën komuniste, Shqipëria ofron një përvojë unike kulturore.
Qytete si Berati dhe Gjirokastra, të dyja vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të magjepsin me arkitekturën e tyre të lashtë osmane dhe peizazhet malore.
Përgjatë Rivierës Shqiptare, vizitorët mund të shijojnë disa nga plazhet më të pacenuara të Mesdheut, si plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiut, pa turma turistësh që zakonisht i gjeni në vendet fqinje.
Destinacionet e vitit 2025 që po fitojnë popullaritet në mesin e turistëve ndërkombëtarë janë:
Shqipëria Gjeorgjia Ishulli Sal, Kepi Verde Butani Kolumbia/ atsh/ KultPlus.com
Aeroporti Barcelona-El Prat ofron alternativa vërtet ekonomike për një arratisje në destinacionet e reja – për të zbuluar një kulturë tjetër, një gastronomi tjetër ose thjesht për të pushuar, sipas një artikulli të publikuar në të përditshmen spanjolle “Mundo Deportivo”.
Fluturimet drejt Shqipërisë janë të përballueshme. Udhëtimi nga Barcelona në Tiranë kushton 50 euro.
Disa zgjedhin të pushojnë në shtator, pasi resortet nuk janë të mbipopulluara me turistë dhe temperaturat janë pak më të ulëta.
Por, cilido muaj që të jetë, ajo që kërkojmë kur udhëtojmë janë destinacione të reja që na ofrojnë eksperienca të reja.
Një nga destinacionet më të rekomanduara – bazuar nga përballueshmëria – është Shqipëria.
Riviera Shqiptare është cilësuar si “Karaibet e Evropës” nga ekspertët e udhëtimeve.
Nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, në më pak se një orë me makinë do të gjendeni në bregdetin magjepsës shqiptar.
Vendi i vogël evropian nuk krenohet vetëm me plazhet mahnitëse – por ofron edhe qytete mesjetare, mundësi për aktivitete të tilla si rafting dhe hiking.
Nëse keni kohë, mund të vizitoni edhe shtetet fqinj si Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi.
Cilat vende të vizitoni në Shqipëri?
Ksamili, plazhi më i vlerësuar në Shqipëri.
Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve” dhe një nga qoshet më të bukura të Shqipërisë. Përveç kësaj, është vendi i përsosur për të bërë rafting.
Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, për adhuruesit e natyrës dhe maleve.
Gjirokastra, qendra e saj historike është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Syri i Kaltër, një burim uji – i formuar nga një liqen i vogël që i ngjan një pishine me nuanca të bukura të blusë në të gjelbër.
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë ofron modernitetin e vendit, ku mund të shihni bunkerët antibërthamor në periferi – dhe të merrni teleferikun për të parë të gjithë kryeqytetin nga Mali i Dajtit. /atsh/ KultPlus.com
Shqipëria – destinacioni i ri nën radar – ofron një ndërthurje të vendeve arkeologjike, maleve dhe fshatrave tradicionale plot hijeshi, sipas një artikulli të botuar në revistën franceze të udhëtimeve “Easy Voyage”.
Vitet e fundit, turizmi në Shqipëri ka ardhur gjithnjë e më në rritje – dhe ky vend ballkanik është kthyer shpejt në destinacionin kryesor evropian.
I pasur në trashëgiminë e tij – historike dhe natyrore – Shqipëria kryeson mes vendeve të lashta arkeologjike.
Vendi mesdhetar është gjithashtu shtëpia e liqeneve dhe plazheve ku mund të pushoni këtë verë!
Liqeni i Ohrit
Liqeni i Ohrit – është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe një nga liqenet më të vjetra në botë.
Pika më e thellë e liqenit është 289 metra. Liqeni i Ohrit furnizohet nga Liqeni i Prespës – i vendosur në juglindje – dhe derdhet në drejtim të veriut nëpërmjet lumit Drini i Zi.
Midis dy liqeneve ndodhet Parku Kombëtar i Galiçicës – i krijuar në vitin 1958 dhe i vendosur në masivin me të njëjtin emër.
Për t’u freskuar, nuk ka asgjë më të mirë se një nga plazhet e liqenit!
Plazhi i Progradecit – ndodhet në mes të qytetit dhe maleve që e rrethojnë atë në lindje dhe perëndim – dhe që shtrihen drejt horizontit – në të dy anët e brigjeve të liqenit.
Shijoni relaksin pranë liqenit me ujëra të pastra bruz.
Krahas ujërave të liqenit, do të keni mundësi të vizitoni edhe sitin arkeologjik të Linit.
Plazhet e Ksamilit
Ksamili, një fshat i vogël në jug të vendit, ndodhet mbi një istëm në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Ksamili është një vendpushim i njohur bregdetar – i cili ofron shumë plazhe ku mund të pushoni. Përreth zonës ndodhen disa ishuj të vegjël të pabanuar.
Në këto plazhe – ju mund të shijoni diellin në një shezlong, të pushoni nën hijen e çadrave të kashtës ose të notoni në ujërat e pastra bruz.
Në jug të istmit ndodhen rrënojat e bazilikës antike të Butrintit, ndërsa një nga ishujt strehon mbetjet e Kalasë së Ali Pashës.
Syri i Kaltër
Duke lënë Ksamilin në veri – dhe duke u ngjitur drejt maleve, rruga të çon në Syrin e Kaltër.
I vendosur në fund të luginës së Delvinës dhe Sarandës, liqeni njihet si një zonë e mbrojtur që nga viti 1996 – që përfshin 180 hektarë pyll përreth.
Për të shijuar plotësisht liqenin, vizitoni pjesën veriperëndimore – ku dominojnë ujërat e kristalta dhe bimësia e dendur.
Uji është aq i pastër sa mund të shihni florën që rritet në fund të lagunës. Për t’u relaksuar vizitoni restorantin “Syri i Kaltër” – i cili mban të njëjtin emër.
Për vite me radhë Shqipëria ishte e panjohur për botën. Tani, ky vend ballkanik me qytete të listuara në UNESCO, rrënoja të lashta arkeologjike, parqe kombëtare sekrete dhe limane me guralecë po fiton njohjen që meriton, shkruan Jessica Reid në një artikull të botuar në të përdishmen britanike “Wanderlust”.
Përpara se popullariteti i saj të rritet, keni ende kohë për të vizituar Shqipërinë – pa turma vizitorësh – dhe përjetuar anën e saj më autentike.
Falë trashëgimisë së saj kulturore, peizazheve malore dhe plazheve që rivalizojnë Greqinë, Shqipëria po ecën përpara në botën e turizmit…
1. Vëzhgoni shpendët – në Lagunën e Karavastasë
Laguna e Karavastasë – pjesë e Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta” – është më e madhja në Shqipëri – me një sipërfaqe prej 42 km2 dhe e rrethuar nga pyje dhe këneta.
Është gjithashtu një terren i rëndësishëm mbarështimi për pelikanin kaçurrelë të rrezikuar, i cili mund të shihet duke folezuar në një nga ishujt e lagunës – në muajt e parë të vitit.
Zgjohuni herët për të vizituar një nga platformat mbi lagunë dhe merrni dylbitë për të vëzhguar jo vetëm pelikanët, por edhe flamingot, peshqit e egër dhe speciet e tjera.
Gjatë ditës, ju mund të eksploroni Parkun Kombëtar nga kulla e saj e vrojtimit 30 metra e lartë, që ndodhet pranë qendrës së vizitorëve.
2. Kthehuni prapa në kohë – në Berat
I quajtur si “Qyteti i një mbi një dritareve” – falë dizajnit arkitektonik të qytetit pranë lumit Osum – Berati është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Edhe pse historia e tij daton në vitin 300 para Krishtit, ndërtesat prej guri të bardhë të qytetit janë dukshëm të stilit otoman.
Kalaja e Beratit e shekullit të XIII përfshin gjithashtu shumë kisha bizantine dhe rrënoja të xhamive.
Do të ktheheni pas në kohë – duke ecur në rrugicat e tij me kalldrëm – por për të zbuluar historinë e qytetit drejtohuni në Muzeun e tij Kombëtar Etnografik – që ndodhet brenda një shtëpie tradicionale të ruajtur.
3. Zbuloni kulturën e pasur – në Tiranë
Tirana mund të mos duket si qyteti më emocionues, por kur të filloni të eksploroni rrugët e saj, së shpejti do të vini re se është plot me ngjyra të gjalla.
Shumë ndërtesa ish-socialiste tani janë zbukuruar me bojëra të ndritshme dhe murale, duke e bërë vizitën në qytet – një gjueti thesari për artin.
Në zemër të Tiranës ndoodhet Sheshi Skënderbej, një shesh i madh i rrethuar nga restorante dhe bare si dhe atraksione kulturore – si Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1822 dhe Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë.
Për më shumë histori mbi të kaluarën e afërt të Shqipërisë, Muzeu Bunk’Art2 pasqyron kohën e kombit nën sundimin komunist, i vendosur brenda një prej bunkerëve të shumtë të qytetit të ndërtuar nën urdhrat e diktatorit Enver Hoxha.
4. Vizitoni Gjirin e Vlorës
Përgjatë bregut jugperëndimor të Shqipërisë ndodhet Gjiri i Vlorës, pjesa më e madhe e të cilit përfshihet nga një park kombëtar i mbrojtur.
Gjiri i Vlorës është shtëpia e llojeve të ndryshme të kafshëve, duke përfshirë delfinët, breshkat dhe fokën e rrallë mesdhetare.
Gjithashtu, ai është i mbushur me plazhe të fshehura dhe limane të aksesueshme me varkë.
Merrni me qira një varkë për të eksploruar këto xhepa të fshehtë tëParkut Kombëtar, duke përfshirë ujërat magjike blu të Shpellës së Haxhi Aliut – që ndodhet në fund të Gadishullit të Karaburunit.
Ju gjithashtu do të gjeni plazhe të izoluara – ku mund të bëni kamping për një pasdite relaksi dhe noti në det.
5. Shkoni për ecje në male
Në Shqipërinë veriore, majat e Bjeshkëve të Nemuna (Alpet Shqiptare) e shndërrojnë peizazhin në një parajsë për adhuruesit e ecjes.
Një nga shtigjet më të njohura është Qafa e Valbonës, një rrugë sfiduese 15 kilometra midis fshatrave Valbonë dhe Theth.
Duke ecur përgjatë një terreni të thyer, do të kaloni nëpër zona të pyllëzuara, livadhe dhe përgjatë lumit Valbona.
Megjithëse ecja zgjat 6-8 orë dhe mund të përfundojë brenda një dite, ju mund ta ngadalësoni atë për të qëndruar në bujtina gjatë rrugës.
Për të shkuar në Theth – nga lumi i Shalës – duhen afërsisht katër ditë duke ecur nëpër lugina dhe gryka dhe vendbanime të lashta.
6. Rafting përgjatë lumit të fundit të egër të Evropës, Vjosa
Lumi Vjosa – lumi i fundit i egër në Evropë është shndërruar në një park kombëtar, duke siguruar mbrojtjen afatgjatë të këtij peizazhi natyror.
Ai është shtëpia e më shumë se 1000 llojeve të florës dhe faunës, duke përfshirë lundërza dhe shkaba, si dhe përfshin një trashëgimi të rëndësishme kulturore, pasi njerëzit kanë pushtuar brigjet e lumit për mijëra vjet.
Për aventurierët, një nga mënyrat më të mira për të përjetuar rrugën ujore të lumit të egër – është me kajak.
Shijoni peizazhet përreth duke lundruar në ujëra më të qetë.
7. Eksploroni vendet e lashta arkeologjike
Në Gjirin e Vlorës ndodhet vendi arkeologjik i Orikumit.
Vendbanimi antik u zhvillua nga grekët në shekullin e V para Krishtit – përpara se të pushtohej nga Jul Çezari në vitin 48 para Krishtit.
Vendi tregon historinë e këtij porti strategjik përmes rrënojave të tij, ku dikur qëndronin shatërvanët, kishat dhe teatrot.
Për shkak të vendndodhjes së saj brenda një zone ushtarake, vizitorët duhet të rezervojnë një turne me guidë për të siguruar hyrjen në vend.
Më në jug në qarkun e Vlorës, Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – ku dikur sundonin perandori të ndryshme, nga romakët tek osmanët.
Amfiteatri romak këtu është një nga më të ruajturit në Evropë.
8. Qëndroni në bujtina
Përjetoni zemrën autentike të Shqipërisë duke qëndruar në një nga fermat ose bujtinat e vendit – që gjenden kryesisht në vendet malore.
Në Tragjas, qarku i Vlorës, Sofo dhe Dhurata presin të ftuar për drekë dhe darkë, duke gatuar prodhimet e tyre – së bashku me raki të bërë vetë dhe akomodimin e tyre në kasolle të ndërtuara me gurë.
Në veri, “Neomalsore Agroturism” ndodhet në një vend mahnitës të izoluar – përgjatë Liqenit të Komanit dhe mund të aksesohet vetëm me varkë për rreth 70 minuta.
Si pjesë e përvojës së agroturizmit, vizitorët shpesh zbulojnë mënyrat tradicionale të jetesës në këto qoshe të thella të Shqipërisë.
9. Riviera Shqiptare
Shqipëria është një zbulim i fundit për udhëtarët – kur bëhet fjalë për rërën dhe detin.
Riviera Shqiptare ofron një vijë bregdetare magjepsëse – me plazhe që mbulohen nga dallgët e detit Jon.
Pranë Buntrintit, Ksamili është një mini arkipelag ishujsh i pyllëzuar, me limane dhe laguna.
Poshtë fshatit bregdetar, Dhërmi – në majë të shkëmbinjve me shtëpitë të lyera me gëlqere – ndodhet një plazh i bukur me guralecë me të njëjtin emër.
Ju duhet të ecni rreth 30 minuta për të arritur në plazhin e Gjipesë, një plazh i vogël me gurë – ku nuk ka shumë njerëz për shkak të vështirësisë së aksesit.
Këto janë vetëm një pjesë e vogël e sugjerimeve – pasi ka qindra plazhe të tjera për t’u zbuluar përgjatë vijës bregdetare prej 300 kilometrash të Shqipërisë.
Shqipëria po lulëzon dhe numri i turistëve në vend po rritet me shpejtësi. Ne vizituam vendin ballkanik dhe zbuluam fshatra të vegjël magjepsës dhe një ndjenjë autentike për jetën, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen gjermane “Blick”.
Vizita në Shqipëri kërkon një ndjenjë aventure – dhe pikërisht kjo është arsyeja pse një udhëtim rrugor është e vetmja mënyrë për të depërtuar në vendin ballkanik.
Na u desh pak më shumë se një javë për të eksploruar pikat turistike në jug të vendit: Liqenin mistik të Ohrit, Parkun Kombëtar të pyllëzuar të Llogorasë, zonën arkeologjike të Butrintit dhe vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Gjirokastrës dhe Beratit.
Vendet kryesore të Tiranës
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është plot ngjyra. Kaloni disa ditë në qytetin me 400 000 banorë.
Kushdo që viziton kryeqytetin shqiptar duhet të shijojë edhe kulturën e kafenesë dhe pub-it, e cila ka një traditë të gjatë në Shqipëri.
Tirana karakterizohet nga jeta e gjallë e natës në zonën e Bllokut, ku dikur jetonin politikanët komunistë.
Gjithashtu, në qytet po krijohen gjithnjë e më shumë restorante kreative.
Shumë sundimtarë gjatë shekujve
Shqipëria ofron një ndërthurje të kulturës dhe historisë.
Falë vendndodhjes së saj në qendër të Ballkanit, rajoni pati shumë sundues gjatë shekujve: grekët e lashtë, romakët, bizantinët dhe, për rreth 500 vjet, osmanët turq.
Të gjithë ndihmuan në formësimin e vendit dhe këta të fundit lanë gjurmë jo vetëm në arkitekturë dhe kuzhinë, por edhe në besim.
Veçanërisht Berati, me shtëpitë e tij osmane dhe rrugët e ngushta të shtruara me guralecë të Lumit Osum – është një Perlë.
Infrastruktura turistike
Berati, si i gjithë vendi, është në një udhëkryq. Shumë njerëz po lëvizin nga shtëpitë shekullore në qytetin e ri, i cili ka formuar një unazë rreth bërthamës së vjetër.
Biznesmenët po investojnë në ndërtesat historike dhe po i shndërrojnë ato në hotele, restorante dhe dyqane.
Pas pak vitesh, qytetet e vjetra do të bëhen parqe historike – siç ka ndodhur tashmë në shumicën e vendeve turistike rreth Mesdheut.
Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është – tani!
Butrinti
Butrinti ndodhet në jug të vendit – dhe u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992.
Ju mund të shihni tempuj, rrugë, teatro dhe kisha – që nga periudha e grekëve të lashtë, romakëve, të krishterëve të hershëm dhe osmanëve.
Mos e humbisni një vizitë në muzeun arkeologjik, ku mund të eksploroni gjetjet më të mira në gadishull.
Gjirokastra
Gjirokastra ndryshe quhet edhe “Qyteti i Gurtë”.
Shtëpitë në qytetin malor – me rreth 20 000 banorë – janë ndërtuar nga guri gri vendas, me të cilin janë mbuluar edhe çatitë.
Në qytetin e vjetër ndodhen rreth 600 ndërtesa të periudhës osmane (shek. XV- XIX), kjo është arsyeja pse Gjirokastra u bë gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005.
Gjithashtu, mund të vizitoni disa nga shtëpitë e dekoruara në mënyrë madhështore, siç është “Shtëpia e Zekatëve”, e cila ngrihet mbi qytetin e vjetër apo xhamitë.
Alpet Shqiptare
Malet në veri të vendit njihen edhe si Alpet Shqiptare.
Majat e tyre arrijnë më pak se 3000 metra, malet me luginat e tyre të gjelbërta dhe pyjet e dendura janë një Perlë e vërtetë.
Rrëqebullët, ujqërit dhe arinjtë kalojnë fshehurazi nëpër shkurre dhe shqiponjat qarkullojnë rreth majave. Përveç ecjes, mund të bëni edhe rafting.
Bukuri origjinale
Ne u kthyem në qytetin e Himarës pas perëndimit të diellit, kur njerëzit ishin duke shëtitur përgjatë mini-shëtitores.
Himara ka një bukuri origjinale që nuk do ta gjeni në shumë destinacione pushimesh.
Nga qyteti i Himarës, afërsisht në mes të detit Jon, një shteg i zhvilluar ecjeje përshkon rrugën në veri drejt gjireve të ndryshëm shkëmbor.
Riviera Shqiptare
Shqipëria krenohet me plazhet fantastike, ushqimin e thjeshtë por shumë të shijshëm dhe natyrën ende të pacënuar.
Plazhet në jug në detin Jon, e ashtuquajtura Riviera Shqiptare, janë më të bukura se ato në veri.
Një nga plazhet më të bukura është Plazhi i Gjipesë, i cili mund të arrihet vetëm në këmbë ose me automjet fuoristradë.
Ia vlen të ecësh gjysmë ore për në plazh. Folie Marine – Hotel & Beach Club ndodhet në plazhin e Jalës.
Ky është bari ideal për turistët që duan të kërcejnë rreth pishinës deri herët në mëngjes në korrik/gusht.
Gjithashtu, vizitoni Syrin e Kaltër. Ky burim ujor është më i pasuri në vend – me ngjyra mbresëlënëse.
Zbuloni se cilët janë muajt më të mirë për të vizituar Tiranën dhe për të shijuar qytetin plot me atraksione mes të shkuarës dhe modernitetit, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “SiViaggia”.
Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një destinacion mjaft tërheqës. Falë një deti që nuk ka asgjë për të pasur zili me atë të brigjeve italiane, çmime më të përballueshme dhe – të paktën tani për tani – më pak njerëz, vendi i shqiponjës dykrenare është shfaqur si një nga destinacionet më të njohura të momentit.
Jo vetëm falë detit, pasi udhëtimi në Shqipëri nuk mund të mos të çojë në Tiranë.
Kryeqyteti i vendit është plot me atraksione dhe ka mundur të ndërthurë dëshmitë e së kaluarës së tij me një zhvillim të fuqishëm drejt modernitetit.
Një qytet që përfaqëson mirë shpirtin e popullit shqiptar dhe që po punon për të lënë pas periudhat e tij më të vështira, duke e parë me shpresë të ardhmen.
Cila është koha më e mirë për të vizituar Tiranën?
Nisur nga pozicioni gjeografik, Tirana ndodhet në qendër të vendit, rreth 25 kilometra nga bregdeti i Durrësit.
Kryeqyteti shqiptar gëzon një klimë mesdhetare, me dimër në përgjithësi të butë, megjithëse me shi, dhe verë të nxehtë e me diell.
Prandaj nuk është e vështirë të kuptohet se, si në shumë qytete italiane të artit, kohët më të mira për një vizitë janë muajt e pranverës dhe të fillimit të vjeshtës.
Në stinët e ndërmjetme, në përgjithësi mund të shijoni ditë të bukura, me temperatura të këndshme për të qëndruar jashtë pa vuajtur nga vapa e zjarrtë e korrikut apo gushtit.
Është e qartë, nëse qëllimi juaj është të shkoni edhe në bregdet, çështja ndryshon. Në këtë rast duhet të keni parasysh se në muajt e verës ndihet më shumë prezenca e turizmit, po ashtu edhe vapa.
Në veçanti, erërat që fryjnë nga Afrika mund të bëjnë që temperatura në qytet të arrijë deri në 43°C, siç ndodhi në verën e vitit 2023.
Edhe pse kemi thënë se klima në Tiranë është përgjithësisht e butë dhe e këndshme, duhet të mbani mend se në dimër, mund të ketë ditë të ftohta për shkak të ardhjes së erërave nga Rusia.
Temperatura më e ulët e arritur ndonjëherë në qytet u regjistrua në janar të vitit 1968, kur në Tiranë pajisjet meteorologjike vendosën rekordin prej -10C°, temperatura dukshëm të ulëta për qytetin shqiptar.
Në përgjithësi, edhe dhjetori, për shkak të reshjeve intensive, nuk është një nga muajt më të mirë për të zgjedhur për të vizituar Tiranën.
Të dhënat klimatike për Tiranën muaj pas muaji
Janari dhe shkurti janë muajt me klimën më të ashpër për Tiranën, edhe nëse temperaturat nuk janë aq të ulëta. Mesatarja është 7°C, me minimumin pak mbi 0°C dhe maksimalen deri në 13°C.
Megjithatë, në netët më të ftohta, temperatura mesatare është -5°C.
Janari është gjithashtu muaji më i errët, me më pak orë dritë në ditë, kështu që definitivisht nuk është muaji më i mirë i vitit për t’u nisur drejt Tiranës.
Në mars, përgjithësisht i butë, temperatura mesatare qëndron në 17°C, me maksimum deri në 28°C në fund të muajit.
Minimumi më i ulët u regjistrua në vitin 2005, kur temperatura në Tiranë ra në -3°C gjatë natës.
Prilli dhe maji janë padyshim muajt më të mirë për të vizituar kryeqytetin shqiptar.
Temperatura mesatare është rreth 20°C, ndërsa minimalja ndalon në 3°C.
Ditët janë dukshëm më të gjata dhe me shumë orë të ditës në dispozicion, ju mund të përfitoni nga vizita.
Për shembull, prilli dhe maji janë muajt idealë për t’u ngjitur në Kullën e Sahatit të Tiranës dhe për të admiruar pamjen panoramike të qytetit nga lart, duke qenë në gjendje të numëroni, me probabilitet më të madh, në një ditë të bukur me diell.
Në këtë periudhë të vitit është veçanërisht e këndshme të zbulosh një nga lagjet më të bukura të qytetit, një simbol në një farë mënyre i rilindjes së tij pas viteve të vështira të shekullit të kaluar: ky është Blloku, plot bare, klube dhe restorante dhe shumë i pëlqyer nga të rinjtë.
Pikërisht, në këtë lagje ndodhet edhe Sky Tower, një rrokaqiell – siç tregon edhe emri – nga ku mund të vëzhgoni qytetin nga lart dhe të shijoni një pije brenda barit të tij rrotullues.
Megjithatë, në qershor, temperatura mund të jetë shumë e nxehtë për të vizituar Tiranën, të cilat mund të kalojnë edhe 30°C.
Korriku dhe gushti janë padyshim muajt më pak të këshillueshëm për të ecur në rrugët e kryeqytetit shqiptar, periudha është perfekte për të shkuar në bregdet.
Në kulmin e verës temperatura arrin lehtësisht mbi 40°C. Më mirë ta shtyni deri në fund të shtatorit, kur vapa do të jetë zbehur, por temperaturat do të mbeten të këndshme dhe orët e dritës do të jenë ende të mjaftueshme për të qëndruar jashtë deri në darkë.
Tetori përfaqëson gjithashtu një alternativë të vlefshme për ata që duan të zbulojnë Tiranën.
Më pak turistë përreth, klima është ende e butë me temperatura mesatare 20°C dhe ende pak reshje.
Nëntori dhe dhjetori janë muaj në të cilët mund të ndodhë një ditë e bukur, por duhet të kemi parasysh se shiu ndoshta do t’ju shoqërojë gjatë vizitës suaj.
Temperaturat bien dhe gjatë natës ato madje fillojnë të afrohen afër 0°C.
Çfarë duhet të shihni në Tiranë në dimër
Nisur nga zgjedhja, do të ishte e preferueshme ta zbulonit Tiranën në një periudhë tjetër të vitit, por për ata që duan ose mund të udhëtojnë vetëm në ato muaj të vitit, kryeqyteti shqiptar ofron ende shumë mundësi.
Midis tyre, sigurisht, muzetë e ndërtuar brenda bunkerëve të krijuar fillimisht për të mbrojtur veten në rast sulmesh bërthamore, si Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2.
E para, në pjesën verilindore të qytetit, është një ndërtesë e madhe me mbi 100 dhoma.
Sot ajo mbledh dëshmi për historinë e ushtrisë shqiptare dhe jetën e ushtarëve të saj gjatë regjimit.
Bunk’Art2, nga ana tjetër, në qendër të Tiranës, i kushtohet krimeve të kryera nga komunistët ndaj shqiptarëve deri në vitin 1991.
Një tjetër vend shumë interesant për t’u vizituar në një ditë të ftohtë dimri është Muzeu Kombëtar i Përgjimeve.
Quhet edhe Shtëpia e Gjetheve për shkak të bimëve ngjitëse në fasadën e ndërtesës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë selia e Gestapos naziste, më pas vendi nga ku autoritetet komuniste kontrollonin jetën e shqiptarëve.
Këtu do të gjeni pajisjet shqetësuese që përdoreshin për të spiunuar qytetarët. /atsh/ KultPlus.com
Shqipëria, një perlë e fshehur e Ballkanit, është toka e kontrasteve magjepsëse, ku e lashta takohet me modernen dhe natyra e egër bashkëjeton me jetën e gjallë urbane, shkruan Giovanni Latorre në të përditshmen italiane “Esauriente.it”.
Ky vend, i pasur me histori dhe kulturë, ofron një shumëllojshmëri qytetesh unike, secili me karakterin dhe kuptimin e vet.
Në këtë artikull, ne do të eksplorojmë qytetet më të bukura dhe më të rëndësishme në Shqipëri, duke ofruar një vështrim të thellë se çfarë e bën secilin prej tyre të veçantë.
Tirana Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është zemra e vendit që rreh.
E themeluar në vitin 1614, Tirana është një qytet i ri në krahasim me kryeqytetet e tjera evropiane, por kjo nuk e pengon atë të ketë një histori të pasur dhe kulturë të gjallë.
Qyteti është i njohur për arkitekturën e tij eklektike që ndërthur ndikimet osmane, fashiste dhe komuniste, duke pasqyruar periudha të ndryshme historike që ka kaluar.
Sheshi “Skënderbej” është qendra e Tiranës, i rrethuar nga ndërtesa emblematike si Xhamia e Et’hem Beut, Muzeu Historik Kombëtar dhe Kulla e Sahatit.
Vitet e fundit, Tirana ka pësuar një transformim të rëndësishëm urban, duke u kthyer në një model moderniteti dhe inovacioni urban në Ballkan.
Qyteti ofron gjithashtu një skenë të gjallë kulturore me teatro të shumtë, galeri arti dhe festivale që gjallërojnë jetën e ditës dhe të natës.
Berati Berati, i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, është një nga qytetet më të vjetra dhe më të ruajtura në Shqipëri.
I vendosur në jug të vendit, përgjatë brigjeve të lumit Osum, Berati është një shembull i jashtëzakonshëm i një qyteti osman të ruajtur mirë. Ai u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 2008.
Qyteti është i famshëm për shtëpitë e tij të bardha shumëkatëshe që duket se ngjiten në kodër, duke krijuar një panoramë që të lë pa frymë.
Kalaja e Beratit, ende e banuar, ofron pamje spektakolare të qytetit dhe rrethinave të tij.
Brenda mureve të saj ndodhen kisha të shumta bizantine dhe xhami osmane, që dëshmojnë për bashkëjetesën paqësore të feve të ndryshme ndër shekuj.
Berati është gjithashtu një qendër e prodhimit të verës, duke e bërë atë një destinacion ideal për adhuruesit e verës.
Gjirokastra Gjirokastra, gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, shpesh i quajtur “Qyteti i Gurtë” për shkak të shtëpive të tij karakteristike prej guri me çati prej rrasa.
I vendosur në rajonin malor të Shqipërisë së Jugut, ky qytet është i famshëm për arkitekturën e tij të ruajtur mirë osmane dhe njihet si vendlindja e shkrimtarit të famshëm Ismail Kadare.
Kalaja e Gjirokastrës dominon qytetin nga maja e një kodre dhe strehon një muze ushtarak interesant dhe një burg të vjetër.
Duke ecur nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit të vjetër, mund të admironi mjeshtërinë e shtëpive të lashta dhe të vizitoni pazarin, ku mund të gjeni produkte artizanale vendase.
Gjirokastra është gjithashtu shtëpia e Festivalit Kombëtar Folklorik, i cili tërheq artistë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.
Shkodra Shkodra, e vendosur në veriperëndim të Shqipërisë, është një nga qytetet më të vjetra të vendit dhe një qendër e rëndësishme kulturore dhe historike.
Me një histori që daton mbi 2400 vjet, Shkodra ka luajtur një rol vendimtar në historinë shqiptare, si kryeqytet i Ilirisë dhe si qendër e rëndësishme gjatë sundimit osman.
Kalaja e Rozafës, me pozicionin e saj strategjik mbi liqenin e Shkodrës, ofron një pamje panoramike që të lë pa frymë.
Qendra e qytetit përmban një arkitekturë historike, kafene të çuditshme dhe Katedralen e Shën Stefanit.
Shkodra është gjithashtu një pikënisje ideale për të eksploruar Parkun Kombëtar të Liqenit të Shkodrës dhe Alpet Shqiptare, duke ofruar mundësi të shumta për ekskursione dhe aktivitete në natyrë.
Durrësi Durrësi, i vendosur në bregdetin e Adriatikut, është një nga qytetet më të vjetra dhe më të rëndësishme në Shqipëri.
E themeluar nga grekët në shekullin e VII para Krishtit, Durrësi ishte një port i rëndësishëm dhe qendër tregtare gjatë epokës romake.
Qyteti është i njohur për amfiteatrin e tij romak, një nga më të mëdhenjtë në Ballkan, i cili mund të strehojë deri në 20 000 spektatorë.
Përveç mbetjeve të tij të lashta arkeologjike, Durrësi është sot një qytet modern me një jetë nate të gjallë, plazhe të njohura dhe një shëtitore buzë detit.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit ofron një koleksion të pasur zbulimesh që tregojnë historinë e gjatë të qytetit.
Afërsia me Tiranën e bën Durrësin një destinacion ideal për një udhëtim ditor nga kryeqyteti, duke ofruar një ndërthurje të historisë antike dhe modernes.
Vlora Vlora, e vendosur në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë, është një qytet me rëndësi të madhe historike dhe turistike.
E themeluar nga grekët në shekullin e VI para Krishtit, Vlora njihet si vendi ku Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1912.
Qyteti ofron një kombinim të bukurisë natyrore, plazheve të pacenuara dhe vendeve historike.
Muzeu i Pavarësisë është i domosdoshëm të ekslporohet për këdo që viziton Vlorën, pasi tregon historinë e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Qyteti është gjithashtu afër Parkut Kombëtar të Llogarasë dhe Rivierës Shqiptare, duke e bërë atë një bazë të përsosur për të eksploruar disa nga plazhet më të bukura të vendit.
Jeta e natës në Vlorë është e gjallë, me restorante, bare dhe klube të shumta që gjallërojnë qytetin gjatë gjithë vitit.
Saranda Saranda, e vendosur në bregdetin e Jonit, është një nga destinacionet turistike më të njohura në Shqipëri, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Qyteti është i famshëm për ujërat e tij të kristalta, plazhet me rërë dhe klimën mesdhetare.
Saranda është gjithashtu pika kryesore e hyrjes për të vizituar sitin arkeologjik të Butrintit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Butrinti, një qytet i lashtë greko-romak, ofron një pamje magjepsëse në historinë e lashtë me mbetjet e tij të ruajtura mirë, duke përfshirë një teatër, pagëzimore dhe tempuj të shumtë.
Saranda është gjithashtu e njohur për jetën e saj të gjallë të natës dhe restorantet e shumta që ofrojnë specialitete lokale dhe ushqime të freskëta deti.
Afërsia me ishullin grek të Korfuzit e bën Sarandën një bazë ideale për udhëtime ditore.
Korça Korça, e vendosur në juglindje të Shqipërisë, njihet si “djepi i kulturës shqiptare”.
Qyteti është një qendër e rëndësishme kulturore dhe arsimore dhe është shtëpia e shumë muzeve, shkollave dhe institucioneve kulturore.
E themeluar në mesjetë, Korça ka një traditë të gjatë të prodhimit të birrës, muzikës dhe artit.
Muzeu Kombëtar i Arsimit, i vendosur në shkollën e parë shqipe, është një pikë referimi e rëndësishme që rrëfen historinë e arsimit në Shqipëri.
Korça është gjithashtu e famshme për festivalin e përvitshëm të birrës, i cili tërheq mijëra vizitorë nga i gjithë vendi dhe jashtë saj.
Duke ecur nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit të vjetër, mund të admironi shtëpitë tradicionale të stilit osman dhe të vizitoni Katedralen Ortodokse të Shën Gjergjit. /atsh/ KultPlus.com
Shqipëria është destinacioni ideal për të gjithë pushuesit që kërkojnë det, rërë dhe mot me diell. Saranda, një qytet bregdetar në jug të vendit i ofron të treja – dhe është jashtëzakonisht i përballueshëm, shkruan e përditshmja britanike “Birmingham Mail”.
Qyteti mesdhetar ka një vijë bregdetare mbi 285 milje dhe është i bekuar me 300 ditë me diell në vit. Destinacioni i fshehtë i pushimeve në Rivierën Shqiptare është i njohur për plazhet me rërë, ujërat e pastër dhe atmosferën e qetë.
Saranda ndodhet në një gji të hapur në detin Jon dhe ka një klimë mesdhetare, me temperatura maksimale deri në 34 gradë Celsius në korrik dhe gusht, duke e bërë atë një vend të shkëlqyer për pushime në plazh.
Larg bregut të Sarandës, turistët do të kenë mundësi të eksplorojnë Kalanë e Lëkurësit që ofron pamje të mrekullueshme dhe vendin e përsosur për një darkë në muzg në restorantin e kalasë.
Gjithashtu, adhuruesit e historisë mund të zbulojnë mbetjet e qytetit antik të Butrintit, një trashëgimi botërore e UNESCO-s. Saranda është gjithashtu qyteti më i afërt me ujërat blu të burimit të Syrit të Kaltër, një fenomen natyror pranë Muzinës.
Pushuesit mund të ecin përgjatë kalimit malor të Llogarasë ose të bëjnë një udhëtim ditor në ishullin e afërt të Ksamilit, i cili shpesh krahasohet me Maldivet. Shëtitorja e qytetit është e mbushur me restorante, dyqane dhe bare dhe turistët britanikë mund të shijojnë pijet lokale me çmime të lira.
Një kafe kushton rreth 200 lekë (ekuivalente me 1,70 paund), një litër birrë vendase është rreth 250 lekë (2,11 paund), ndërsa kostoja për një birrë të vogël të importuar fillon nga rreth 120 lekë (1 paund).
Në Sarandë nuk ka ende një aeroport, kështu që mënyra më e shpejtë për të arritur atje është të fluturoni drejt Tiranës dhe më pas të merrni një autobus ose taksi. Fluturimet direkte nga Aeroporti i Birminghamit drejt Aeroportit të Tiranës me kompaninë “Ryanair” kushtojne 12,99 paund./abcnews/KultPlus.com
Shqipëria është plot me mrekulli natyrore. Udhëtoni drejt këtij vendi të vogël në Evropën Juglindore, përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, sipas të përditshmes franceze “Télé 7 Jours”.
Shqipëria njihet për Alpet e saj të mbushura me lumenj dhe liqene, por edhe për Rivierën e saj të mahnitshme.
Lugina e Valbonës, një zonë ish-kufitare, përbën një zonë të mbrojtur për kafshët e egra si shqiponja e artë, emblema e vendit.
Lumi i fundit i madh i egër në Evropë, Vjosa rrjedh nga burimi në malet e Greqisë deri në grykëderdhjen e tij në detin Adriatik.
Lufta e zhvilluar prej vitesh kundër një projekti për ndërtimin e një dige e ka bërë atë simbolin e zemrës blu të Evropës…
Ishulli i Gjarpërinjve
I vendosur në mes të liqenit të madh të Prespës, ishulli i pabanuar i Golem Gradit, në periferi të Shqipërisë, është një parajsë zvarranikësh.
Në këtë vend të shenjtë natyror prej përafërsisht 18 hektarësh, gjarpërinjtë e zhveshur, nepërkat me brirë dhe breshkat e Hermanit numërohen në mijëra.
Zona e çakejve
Sipërfaqe që mbulohen nga duna, këneta dhe pyje me pisha mbi 400-vjeçare… Në lagunën e Karavastasë, më e madhja në Shqipëri, çakalli është mbret. Kjo kafshë territoriale, e cila jeton në grup apo familje dhe gjuan natën ose herët në mëngjes, është vendosur këtu pasi laguna i ofron të gjitha ushqimet që i nevojiten.
Parku i parë lumor në botë
Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë. Për të ruajtur ujërat bruz, të kërcënuara veçanërisht nga digat, Shqipëria mori statusin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër. Një koncept i parë dhe i ri! /atsh/KultPlus.com
Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale një artikull që media britanike “Ekspress” i ka kushtuar turizmit të Shqipërisë.
Një vëmendje të madhe i ka kushtuar dhe aeroportit të ri të Vlorës. Që do jetë një arsye më shumë që shumë vizitorë britanikë të udhëtojnë drejt jugut të vendit tonë.
“Pas “The Guardian” është radha e tabloidit britanik “Express” që t’i kushtojë një reportazh turizmit të Shqipërisë me vëmendjen tek aeroporti i ri i Vlorës si një arsye më shumë që vizitorët britanikë të udhëtojnë direkt drejt jugut dhe plazheve të rivierës sonë. Rreth 240 mijë vizitorë anglezë mirëpritëm në vitin 2023, dhe e sigurt që më të shumtë do të jenë”, shkruan Rama.
Media britanike “Express” në artikullin e saj shkruan: Vitet e fundit, Riviera Shqiptare ka përjetuar një rritje të vizitorëve, përfshirë britanikët, të cilët kanë zbuluar se ujërat e saj të bruztë, plazhet me rërë dhe peizazhet e bukura mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë. Dhe ky destinacion së shpejti mund të mirëpresë shumë pushues të tjerë pasi po përgatitet të vërë në punë aeroportin e tretë ndërkombëtar, i cili do t’i shërbejë një prej qyteteve më të bukura të Rivierës Shqiptare, Vlorës.
Vlora është bërë veçanërisht e popullarizuar në mesin e turistëve falë vijës bregdetare shkëmbore, plazheve të bukura, ushqimit të jashtëzakonshëm të ndikuar nga kuzhina italiane dhe historisë së pasur. Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me siguri do të sigurojë një arsye tjetër për turistët për të udhëtuar drejt kësaj rivierë, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga qendra ajrore në bregdet./topchanel/KultPlus.com
Promovimi turistik i Shqipërisë nga mediat e huaja vijon.
Më i fundit është artikulli i medias gjermane të udhëtimeve dhe turizmit “Reise Reporter”, që e përshkruan Shqipërinë si destinacionin e duhur për përvoja të turizmit natyror mes bukurisë së alpeve, pyjeve, liqeneve, kanioneve e plazheve.
Në artikull janë përzgjedhur shtatë mrekullitë natyrore më të bukura dhe spektakolare që Shqipëria ka për të ofruar. Duke e nisur me alpet shqiptare, për të cilat shkruajnë se janë një parajsë për adhuruesit e ecjes, veçanërisht në muajt e verës. E duke vijuar me Parkun e Llogarasë, Syrin e Kaltër, Luginën e Vjosës në Jug apo dhe Grykën e Osumit.
Media gjermane e cilëson Shqipërinë si destinacionin e ëndrrave për të gjithë të apasionuarit mbas natyrës, duke iu sugjeruar lexuesve se përveç plazheve të mrekullueshme dhe qyteteve emocionuese, në Shqipëri mund të zbulojnë parqe kombëtare unike dhe bukuri natyrore në të gjithë vendin ballkanik.
Artikullin e ka shpërndarë dhe kryeministri Rama dhe thotë se është një ftesë e parfumosur me të gjitha shijet e ndjesitë e Shqipërisë për vizitorët gjermanë të cilët për vitin që shkoi na vizituan mbi 300 mijë./topchanel/KultPlus.com
Udhëtoni në Shqipëri, në vendin e bukur mes Ballkanit dhe Adriatikut dhe me çmime fantastike. Ky vend ballkanik nuk është një destinacion popullor turistik, por fsheh bukuri natyrore unike dhe shumë histori, shkruan Neus Palou në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “La Vanguardia”.
Nëse dëshironi pushime ndryshe, ju rekomandojmë të zbuloni Shqipërinë.
Një mundësi unike për të zbuluar Shqipërinë dhe historinë e saj intriguese, ku gjurmët osmane dhe sovjetike kanë formuar një komb të begatë dhe të lirë.
Pse duhet të udhëtoni në Shqipëri në 2024?
Në Shqipëri mund të eksploroni vende me bukuri natyrore dhe kulturore midis Adriatikut, Alpeve dhe Ballkanit.
Peizazhet dhe parqet natyrore me lumenj, ujëvara dhe liqene me ngjyra të gjalla janë po aq të mahnitshme.
Zhytuni në shijen mesdhetare të bregdetit dalmat, me ishujt idilik dhe plazhet me rërë të bardhë, të lagur nga deti Adriatik.
Përveç kësaj, Shqipëria ka vende të shumta që konsiderohen si Trashëgimi Botërore.
Një destinacion emocionues për ata që kërkojnë peizazhe të bukura dhe kultura të pasura antike.
Zbuloni bukurinë e këtij vendi të lagur nga Adriatiku për 10 ditë me një çmim spektakolar!
Midis Ballkanit dhe Adriatikut
Udhëtoni në Shqipëri për 10 ditë me një kosto prej 899 euro dhe zbuloni historinë e saj, ku gjurmët osmane, fashiste dhe sovjetike i kanë dhënë formë vendit dhe i kanë dhënë jetë kombit aktual.
Një perlë e panjohur që ofron diversitete, natyrë dhe një histori magjepsëse.
Udhëtimi nis me Tiranën, ku do të njiheni me të kaluarën e saj ilire dhe mesjetare, vazhdon me Krujën, shtëpitë osmane të Beratit, Apolonisë apo “Athina e Shqipërisë”, Vlorën dhe Sarandën, ku mund të shijoni plazhet më të mira të detit Jon.
Eksploroni rrënojat e Butrintit, shtëpitë e kalasë së Gjirokastrës dhe, së fundi, qytetet si Korça dhe Elbasani. /atsh/KultPlus.com
Nisur nga fenomeni shumë i përhapur, i përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja, jo vetëm në përditshmëri, por edhe në media, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka njoftuar një nismë që synon të ndihmojë në frenimin e këtij fenomeni.
Nga 1 janar ekipet e monitorimit dhe shqyrtimit të përmbajtjeve në AMA ka nisur mbikëqyrjen e përdorimit të fjalëve të huaja nga radiot dhe televizionet.
Nisma e titulluar “fol shqip” pasqyrohet në publikimet e kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi dhe web-in zyrtar të institucionit, në formën e gjetjeve të çdo jave, pas monitorimit të përmbajteve të transmetuara në radio dhe televizione, shoqëruar me alternativat në shqip të fjalëve të huaja të përdorura, shkruan Top Channel.
“Në këtë mënyrë AMA ka hapur kështu çështjen e respektimit të standardit të shqipes së folur dhe të shkruar nga redaksitë audiovizive. Mediat në tërësi, por dhe ajo audiovizive në veçanti, kanë rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e vlerave të gjuhës shqipe, por dhe në pasurimin e saj, duke shmangur ngarkesa të panevojshme të fjalëve dhe shprehjeve të huaja. Fenomeni i sjelljes jo korrekte të disa drejtuesve të programeve audiovizive, të cilët lehtësisht zëvendësojnë fjalorin shqip me fjalë të huaja në formulimet e pyetjeve, në komentet apo ndërhyrjet që bëjnë gjatë transmetimit të programeve, është kthyer në një fenomen shqetësues. Efekti është jo vetëm te deformimi i shqipes por edhe te krijimi i situatave të paqarta, të pakuptueshme nga ndjekësit. Gjithashtu kjo krijon një efekt zinxhir, tek të ftuarit dhe deri në publik, duke krijuar modele që në fund rezultojnë në dëmtues të gjuhës shqipe”-thuhet në reagimin e AMA-s.
Me qëllimin për ta frenuar këtë fenomen, kryetarja e AMA-s ka njoftuar se monitorimi i përdorimit të fjalëve të huaja në radio dhe televizione do të kryhet herë pas here dhe rezultatet do të publikohen në mënyrë që punonjësit e medias të ndërgjegjësohen për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe. / KultPlus.com
Vendet në Evropë konsiderohen mjaft të shtrenjta kur bëhet fjalë për udhëtime.
Akomodimi, ushqimi, shëtitjet, gjithçka ofrohet me një kosto të lartë dhe shpesh çmimet nuk janë të përballueshme për xhepin e kujtdo, shkruan në një artikull gazetarja Mardari Irina, të botuar në të përditshmen rumune “Agora.md”
Megjithatë, disa destinacione sidomos në vjeshtë, ofrojnë jo vetem peizazhe befasuese por edhe tarifa të përballueshme.
“Agora” e ka renditur Shqipërinë mes katër destinacioneve më të mira për t’u vizituar në vjeshtë me një buxhet të përballueshëm.
Shqipëria
Shqipëria është një nga destinacionet e udhëtimit që premton çmimet më të ulëta për turistët.
Ashtu si Greqia dhe Italia, Shqipëria ka plazhe të bukura, të cilat turistët mund t’i aksesojnë për shumë më pak para.
Çmimi mesatar i një dhome hoteli në Shqipëri është 49 dollarë.
Për një dhomë në një hotel me pesë yje, shpenzohet vetëm 81 dollarë për natë.
Një litër birrë kushton 2 dollarë dhe një kapuçino ose latte rreth 1,5 dollarë.
Në një restorant të thjeshtë mund të hani mirë me rreth 7 dollarë./atsh/KultPlus.com
Udhëtimet në distanca të gjata padyshim që kanë hijeshinë e tyre, ju mund të njiheni me kultura të reja, zbuloni fenomene natyrore dhe të përjetoni përvoja ndryshe nga jeta e përditshme. Megjithatë, kjo kërkon një fazë intensive planifikimi dhe përgatitjeje, dhe ju duhet gjithashtu një buxhet i mjaftueshëm për pushime.
Birgit Dreyer, një eksperte e udhëtimeve në “Ergo Reiseversicherung” ka ndarë sugjerimet e saj për disa nga destinacionet më të shpejta për t’u arritur dhe që mundësojnë një udhëtim më të përballueshëm.
Revista gjermane “Elle” e ka renditur Shqipërinë mes tetë alternativave më të shkëlqyera për pushime të përballueshme.
Shqipëria në vend të Balit
Vendi ballkanik ka dëshmuar se është një destinacion në trend këtë vit.
Në fakt, ai nuk është aspak inferior ndaj ishullit të njohur ndërkombëtarisht në Indonezi, Bali.
Bregdeti shqiptar ofron ujë të pastër kristal me plazhe me rërë të bardhë, një klimë të butë gjatë gjithë vitit.
Flora dhe fauna e bregdetit është ekzotike dhe e larmishme. Ndërsa vendasit ofrojnë një mikpritje të ngrohtë.
Nga kryeqyteti gjerman, Berlini mund të arrini në destinacionin e pushimeve në Evropën Juglindore për rreth katër orë e gjysmë.
Krahasuar me udhetimin në Bali, i cili zgjat rreth 17 orë, Shqipëria është destinacioni ideal për t’u arritur shpejt dhe me tarifa të përballueshme.
Raporti çmim-performancë është gjithashtu i më drejtë në kryeqytetin e Tiranës.
Pushuesit (për dy persona) paguajnë rreth 15 deri në 30 euro për një darkë të bollshme lokale duke përfshirë pijet, dhe akomodimi gjatë natës ështe lehtësisht i mundshëm edhe me një buxhet të vogël./atsh/KultPlus.com
Shqipëria është një vend, e cila deri vonë ishte anashkaluar në hartën e destinacioneve evropiane të pushimeve. Megjithatë, vitet e fundit, Shqipëria ka fituar popullaritet si një nga perlat e pazbuluara të Ballkanit, duke tërhequr turistët me historinë e sa të pasur dhe njerëzit mikpritës, shkruan në një artikull e përditshmja polake “Tychy.pl”.
Bukuria e natyrës së pazbuluar
Shqipëria ofron një peizazh jashtëzakonisht të larmishëm, duke filluar nga malet madhështore në pjesën veriore të vendit deri te plazhet e bukura dhe të paeksploruara në bregun perëndimor.
Deti Jon, me ujin e tij të pastër kristal, është një vend ideal për adhuruesit e diellit dhe detit.
Parku Kombëtar i Llogarasë është një parajsë për adhuruesit e trekking.
Historia dhe kultura e pasur
Historia e Shqipërisë është po aq e larmishme sa edhe peizazhi i saj.
Nga rrënojat e lashta si ato në Butrint e deri te kështjellat mesjetare të shpërndara në të gjithë vendin.
Qytete si Gjirokastra dhe Berati do t’ju befasojnë me arkitekturën e tyre osmane dhe zonat historike të listuara në UNESCO.
Banorë mikprites
Shqiptarët shquhen për mikpritjen dhe ngrohtësinë e tyre. Mos kini frikë të kërkoni ndihmë ose të kërkoni udhëzime, vendasit do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë, shpesh me një buzëqeshje në fytyrën e tyre.
Ekonomia dhe çmimet
Shqipëria është një nga destinacionet më ekonomike të pushimeve në Evropë.
Akomodimi, ushqimi dhe transporti janë shumë më të lira këtu sesa në destinacionet e tjera të njohura evropiane për pushime.
Përmbledhje
Shqipëria, një vend i kontrasteve, befason në çdo hap. A ia vlen ta duash këtë vend apo jo?
Kjo varet nga preferencat tuaja individuale. Nëse jeni në kërkim të autenticitetit, natyrës së paprekur dhe historisë së pasur, atëherë Shqipëria mund të jetë destinacioni i përsosur për pushimet tuaja të radhës.
Pavarësisht preferencave tuaja, një gjë është e sigurt; Shqipëria është një destinacion i jashtëzakonshëm në Ballkan, që ia vlen të zbulohet! /atsh/KultPlus.com
Media gjermane SAT 1 i ka kushtuar një reportazh turizmit dhe bukurive natyrore të Shqipërisë.
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ndau sot videon e transmetuar nga media gjermane SAT 1, ku vendi ynë cilësohet si vendin e pushimeve të ëndrrave.
SAT 1 i prezanton publikut gjerman vendin tonë, si destinacionin ‘në modë’ për pushimet e verës, që të fal ndjesinë e Karaibeve dhe peizazhe të mrekullueshme malore.
“Mund të zbuloni vendin e pushimeve të ëndrrave në Shqipëri”, thuhet në dokumentarin e Matthias Killing, përmes një udhëtimi që nga ishujt e Ksamilit e deri tek Ujërat Termale të Bënjës në Përmet./atsh/KultPlus.com
Nëse i hidhet një sy programeve vjetore të ministrive tona për kulturë, do të vërejmë se janë të përkrahur mijëra aktivitete kulturore të institucioneve nacionale, të produksioneve private, të ansambleve, të krijuesve, të artistëve të ndryshëm.
Thjesht, nuk ka ditë, nuk ka cep të trevave shqiptare ku nuk do të zhvillohet ndonjë aktivitet kulturor brenda ditës! Pa dyshim, ky numër kaq i madh i aktiviteteve nëpër programet vjetore edhe mund të dështojë, si pasojë e financimit të dobët, si pasojë e pasivizimit të pa arsyetuar i subjekteve juridike e fizike që merren me kulturë, art e krijimtari; si pasojë e mos-sigurimit të plus financave nga donatorë, si pasojë e rrethanave të paparashikuara.
Megjithatë, sërish ndodhin qindra e qindra aktivitete! Nga ana tjetër, opinioni i gjerë nuk ka mundësi të njoftohet me të gjitha këto aktivitet të përditshme, nuk është në gjendje që ta përcjellë dhe të informohet për jetën kulturore në trevat shqiptare. Fatkeqësisht, ndodhë që opinioni të mos informohet as për aktivitetet kulturore të institucioneve nacionale, sepse mungon interesimi i mas medias sonë për të qenë në të gjitha eventet profesionale apo amatore. Më e shumta, mund të publikohet ndonjë informacion se “do të mbahet” apo se “u mbajt” eventi! Për pasojë, na mungon pasqyra reale e jetës sonë kulturore, krijohet një opinion i shtrembëruar se ndër shqiptarët vetëm politika dhe, deri diku edhe sporti, zgjojnë interes kombëtar!
Ku është problemi? Pse informacioni mbi aktivitetet kulturore është aq i vakët, i thatë dhe i pakët? Ekziston një përshtypje e përgjithshme se ky problem shfaqet atëherë kur shkëputen raportet në mes pushtetit dhe mediave, atëherë kur pushteti nuk shpreh kurrfarë ndjeshmërie ndaj ngritjes profesionale të mediave nacionale, lokale e private! Pushteti duhet të insistojë tek çdo media për një balancë të përhershëm të programacionit apo të koncepteve redoktoriale të mediave të ndryshme. Licenca dhe leja për mediat të kushtëzohet edhe me hapësirën e merituar për kulturë, madje nën kulturë të mos llogariten fare këngët popullore të përmbledhura në çdo në kohëzgjatje prej dy-tri orëve. Hapësirat kulturore duhet të ngërthejnë aktivitete, probleme e trajtesa kulturore nga sfera të ndryshme të artit, të krijimtarisë, të gjuhësisë, antropologjisë etj.
Fare nuk duhet të pranohet justifikimi i mediave se kjo mungesë vjen si pasojë e mospasjes së kuadrit adekuat në ekipin gazetaresk. Kjo mungesë nuk mund të zgjasë me dekada, për më tepër kur në çdo qendër kemi universitete e fakultete të letërsisë, gjuhësisë, gazetarisë, kulturologjisë etj. Kuadri krijohet, ai duhet të angazhohet, atij duhet siguruar redaktor profesional, janë qindra profesorë e asistentë, janë qindra krijues e artistë, krijues të artit figurativ e të artit skenike. Është joseriozitet nga ana e medias që prej një gazetari të kërkojë që t’i mbulojë të gjitha fushat nga kultura, krijimtaria, arti. Në çdo media shqiptare duhet të funksionojë edhe redaksi e veçantë për kulturë, siç na janë stërmbushur për sport, përkatësisht për futboll dhe për jetën private të estradës.
Pra, qeveritë tona duhet të jenë më dorëshlirë dhe jo vetëm të kërkojnë programacion origjinal, madje të mos lejojë aktivitete të portaleve mediale, pa ofruar program për gjetjen dhe ngritjen e kuadrit profesional që do të merret me përcjelljen e aktiviteteve kulturore kombëtare. Nëpër agjencitë informative shtetërore të kërkohet me ngulm që të ketë redaksi e veçantë me dhjetëra gazetarë që do të jenë të specializuar për aktivitete kulturore si dhe për t’i shpërndarë gratis informacionet kulturore në çdo media e portal. E gjithë kjo, me ofertë reale nga ana e qeverisë për ta përkrahur financiarisht tërë këtë politikë kulturore të mediave shqiptare.
Shoqëria jonë po shteret në shpirt me do “përputhen” e “përqafen” me do “vëllai i madh” e “motra e vogël”, ndërkohë ka aq shumë nevojë të dëgjojë debat mbi baletin shqiptar, mbi muzikën klasike, mbi personalitetet tonë të shumtë nga lëmi i artit, krijimtarisë letrare dhe, përgjithësisht artistike. Me përjashtim të këndit “vitrina e librit”, kemi shumë pak hapësirë, apo fare, ku do të trajtoheshin probleme letrare, muzikore, muzeore, bibliotekare, arkivore, teatrale, folklorike, etnologjike etj. Mbi dukuritë dhe problemet e ndryshme kulturore duhet të flitet me kompetencë dhe profesionalizëm. Këtë interesim për kulturë dikush duhet ta ngjallë dhe ta kërkojë te mediat tona, institucionet kompetente shtetërore, duhet ta imponojnë si kush të parë për çdo media që dëshirojnë të funksionojnë si media nacionale, lokale, private në gjuhën shqipe. Është abuzim flagrant të përdoret shqipja vetëm për informim politik, futboll, për “përputhen” dhe jo për kulturë! Kuadri i redaksive kulturore të mediave tona, jo vetëm që do të informonte, por i ngritur në nivele profesionale, me kompetencë do të fliste për artin e krijimtarinë, duke ndikuar në ngritje të shijeve në të tjera nivele, duke e ndarë të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara! Për shembull, në Kosovë, viteve ’80 të shekullit të kaluar, shitjen e librit brenda jave, apo shitjen brenda jave të audio-kasetave e diktonte recensioni profesional i krijuesit dhe kritikut letrar, Ramadan Musliu, përkatësisht i kompozitorit dhe kritikut muzikor, Sami Piraj, gazetarë të “Rilindjes”./HEJZA/ KultPlus.com
Me moton “F… Seksizmit” në ditën e katërt të festivalit “FemArt 9” u realizua konferenca “Adresimi i seksizmit, ngacmimit dhe ngacmimit seksual në Kosovë” me autore Ariana Qosaj-Mustafa, ku u synua diskutimi në lidhje me adresimin e seksizmit në media dhe në kulturë, në dy degë të gjera ku seksizmi ka arritur të jetë pjesë e përditshme e tyre, me ç’rast kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal Daorsa Kica-Xhelili, themeluesja dhe kryeredaktorja e gazetës KultPlus Ardianë Pajaziti, regjisorja dhe prodekanja e Fakultetit të Komunikimit masiv në Kolegjin AAB Burbuqe Berisha si dhe gazetarja në Radio Televizionin e Kosovës Kaltrina Rexhepi-Dragusha, kanë ndarë sfidat, ballafaqimet dhe përvojat e tyre personale të cilat janë hasur qoftë në punë apo edhe në jetën e përditshme, shkruan KultPlus.
Duke pasur parasysh se artistë/e dhe aktivistë/e nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste, duke filluar nga shfaqjet, poezitë dhe vallëzimet, diskutimet dhe konferencat e deri në rebelime, një konferencë e tillë e dëshmoi pikërisht se të drejtat e grave duhet të trajtohen si të drejta të njeriut për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore. Andaj, nëpërmjet formës online dhe fizike, edicioni i 9-të i ‘FemArt’ po vazhdon të sjellë në Prishtinë aktivitete të ndryshme artistike e kulturore në mënyrë që publiku të jetë sa më pranë këtyre çështjeve aktuale që ndodhin çdo ditë në shoqërinë tonë.
Fillimisht, në rolin e moderatores nga festivali “FemArt”, Zana Hoxha nisi diskutimin në kuadër të panelit të titulluar “Seksizmi në kulturë dhe media” duke shpalosur pak për raportin e përgatitur dhe publikuar në organizatën ‘ArtPolis’ me autore Ariana Qosja Mustafa.
“Adresimi i seksizmit në media gjatë përpilimit të raportit sipas autores, Asociacionet e Mediave dhe Komisioni i Pavarur i Mediave kanë refuzuar që të përgjigjen dhe të jenë pjesë e këtij raporti e që në fakt pikërisht ato institucione duhet të jenë njëfarë lloj zëri i gazetarëve dhe pika lidhëse ndërmjet gazetarëve, institucioneve dhe mediave në Kosovë”, thotë Hoxha.
Tutje, kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ka ndarë përvojën e saj në lidhje me sfidat në të cilat ka kaluar si dhe mendimin në lidhur me atë se çfarë po ndodh në ditët e sotme në kuadër të seksizmit.
“Unë kisha një përvojë të drejtpërdrejtë dhe kjo nuk është as e para dhe as e fundit, për këtë jam e bindur. Ajo që vërej në Kosovë në përgjithësi është që zakonisht zëri i grave në Kosovë ka njëfarë tendence që të tentohet të zvogëlohet duke sulmuar aty ku supozohet që preken më së shumti pra në aspektin moral. Unë nuk e morra shumë seriozisht sulmin që më ndodhi mua për arsye se kur ke një mekanizëm sikur familja apo aspekti profesional, atëherë e ke pak më lehtë të ballafaqohesh me këto çështje”, thotë Xhelili.
Sipas saj, një mbështetje profesionale që duhet të vijë në familje konsiderohet luks dhe fare nuk do të duhej të ishte ashtu.
“Unë nganjëherë kam përshtypjen se reagimet po bëhen për tema për të cilat po vlerësohen se janë popullore. Në rastin tim mendoj se ka qenë shumë lehtë të reagohet për rastin tim e çka shohim vazhdimisht në media është një objektifkim i grave, një gjuhë seksiste duke filluar nga persona të cilat kanë pasur pozita kryesuese në media, duke vazhduar nga gazetarët, nga politikanë e deri tek fytyrat fetare në Kosovë”, përfundon Xhelili.
Ndërsa, regjisorja dhe prodekanja e Fakultetit te Komunikimit masiv në Kolegjin AAB, Burbuqe Berisha, foli rreth përvojës së saj në lidhje me adresimin në shkollim dhe pozitës së saj si drejtoreshë dhe sfidat që pasojnë pas.
“Si regjisore e parë që kam studiuar në fakultetin e arteve, njëri nga profesorët mu drejtua me pyetjen: ku ke parë femër regjisore? Fuqinë e gruas asnjëherë nuk e kanë krahasuar me atë të mashkullit, por në fakt regjisoret femra në teatër dhe në film janë shumë më të suksesshme se gjinia tjetër. Femrave gjithmonë iu mohohet e drejta. Ndërsa, përballja e dytë ishte nga një koleg pak më i vjetër se unë, kur e ka parë se statusi im ka ndryshuar nga studentja por unë gjithmonë i kam trajtuar me sportivitet sepse mu kanë dukur të parëndësishme”, thotë Berisha.
Sipas saj, ajo ka pasur një babë i cili rendin e femrave e ka pasur më të lartë sesa meshkujve e prandaj edhe veprimet seksiste asnjëherë nuk kanë qenë përshtypje për të.
“Pastaj në teatër kam pasur disa atakime të ndryshme. Ka mjaft gjëra me të cilat ballafaqohemi dhe vazhdojnë ende edhe sot. Ka pasur shumë ballafaqime të ndryshme dhe andaj edhe më ka shtyrë që të përkrahi tutje më shumë gjininë femërore dhe gjithmonë mos me leju që një femër e cila është në rrethin tim, të trajtohen në atë formë”, përfundon Berisha.
Po ashtu, themeluesja dhe kryeredaktore në gazetën KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka folur rreth përvojës së saj si gazetare në një kohë ku gazetaria ka qenë një institucion i lartë, dhe jo vetëm.
“Në këto debate do të doja shumë që pjesë të jenë edhe meshkujt sepse gjithmonë po mbetemi brenda vorbullës së grave. Në vitin 1996, kur isha unë gazetare ka qenë shumë ndryshe dhe nuk mund të krahasohet fare. Me themelimin e KultPlus, kur ka pas raste për bashkëpunim atëherë njerëzit u çuditnin se unë isha një drejtoreshë femër, pra assesi me pranu se një grua e udhëheq një medium”, thotë Pajaziti.
Sipas saj, rasti tjetër ka ndodhur me Odën e Aferistëve ku një grua e përgëzoi atë sepse ajo nuk kishte menduar ndonjëherë se një punë kaq të mirë është duke u bërë nga një grua.
“Jemi në një situatë jo të lakmueshme. Në kohën kur e kam filluar gazetarinë unë kam menduar që gazetaria është një institucion i lartë që do ta edukojë shoqërinë kurse tash kemi ardhur në një pozitë që lexuesi është aq i sofistikuar për të edukuar pjesëtarët e një mediumi. Me KultPlus asnjëherë nuk ka ardhur në shprehje që të krijojmë diçka për klikime sepse ashtu jemi munduar që në bazë të kritereve që i kemi vendosur si redaksi, do të thotë që titujt bombastik apo fotografitë bombastike nuk janë pjesë e jona”, thotë Pajaziti.
Për Pajazitin, KultPlus është konsideruar një medium i vetëm që klikohet për tu lexuar d.m.th lexueshmëria e shikuesve qëndron shumë më shumë sesa tek mediumet e tjera.
“Mënyra e plasimit të lajmit në gazetën tonë, është me i thonë ‘Jo’ pares dhe të mirave materiale. Ky panel e ka një peshë shumë të madhe sepse seksizimi ekziston brenda kulturës dhe mediave dhe qasja e tyre vërehet shumë. Ne kemi ardhur në një pikë që rrjeti social Facebook konsiderohet tash si mediumi më i madh në nivel global ku shumica e mediave kanë ardhur në një pozitë ku çdo mendim i gjithsecilit dalin si një lajm me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes vetëm për qëndrueshmërinë e tyre”, përfundon Pajaziti.
Kurse krejt në fund, gazetarja në Radio Televizionin e Kosovës, Kaltrina Rexhepi-Dragusha është shprehur se mediat krijojnë gabime shumë të mëdha, për të cilën duhet të luftohet për një ndryshim.
“Si një vazjë e re kur fillova punë me kontratë gjatë studimeve, unë kam dëshirë të vesh take dhe në punë kishin krijuar një përshtypje që gazetarja duhet të vishet shumë thjesht dhe me patika. Ishte fundviti në punë dhe dhurata ime nga një koleg ishin një parë papuqe të rrafshëta që nënkuptonte se taket e mia gjoja se po i pengonin atyre gjatë punës. Përshtypja e dytë tjetër ishte në Kuvend ku një koleg mu drejtua në pamjen time se si isha e rregulluar tej mase”, thotë Dragusha.
Sipas saj, mediat krijojnë gabime shumë të mëdha duke filluar nga gratë e pozitave nga më të ndryshmet e andaj ajo do të ishte shumë e lumtur që klikimet të mos vlerësohen aq shumë dhe të luftohet në këtë kuadër.
“FemArt” është festivali i parë feminist në Kosovë dhe më i madhi në rajon ku çdo vit mbledh rreth 200 artiste dhe aktiviste nga Kosova dhe Rajoni. Festivali ka arritur të përmbush qëllimin për të krijuar një atmosferë ku artistet ndihen të mirëpritura për të shfaqur artin e tyre, të frymëzuara nga tema shoqërore, si dhe të krijojë një platformë dinamike ku publiku mund të mësoj për problemet shoqërore me të cilat ballafaqohen gratë dhe vajzat në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Po ashtu, festivali përdoret si një platformë për inicimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimin e tyre në Kosovë, si dhe evokimin e të drejtave të barabarta dhe ndërtimin e paqes ne rajon. / KultPlus.com
Madonna ka kritikuar rrjetin social Instagram, i cili, ajo thotë se skllavëron njerëzit në përpjekjen për të fituar miratimin e tjetrit. Në intervisten e saj për The Guardian, këngëtarja e pop-it, e cila ka pothuajse 14 milionë ndjekës në platformën e ndarjes së fotografive, vjen në qendër të vëmendjes së efekteve të dëmshme që Instagrami mund të ketë, veçanërisht tek të rinjtë
“Ju kapeni duke e krahasuar veten me njerëz të tjerë. A duhet të jem kështu, të veproj kështu, të dukem kështu, a do të më bënte më të popullarizuar apo më të suksesshme?” shprehet këngëtarja. Madonna shton se, njerëzit janë skllevër për të fituar miratimin nga tjetri. Unë refuzoj t’i gjunjëzohem kësaj konvente dhe çfarë shoqëria pret nga unë.
Madonna, tashmë 60 vjeÇare, shton “Unë mendoj se Instagram është bërë për t’ju bërë të ndiheni keq“. Në intervistë, “Mbretëresha e Popit” tha se kultura e medias sociale “drejton jetën e njerëzve” dhe ajo ishte me fat që ishte rritur në një epokë ku kjo kulturë e medias nuk ishte prezente. “Isha me fat që të kisha një jetë si artiste para smartfonëve, rrjeteve sociale dhe medias sociale, sepse unë e kisha atë kohë të zhvillohesha si një artist dhe një njeri, pa ndjerë presionin e gjykimit të njerëzve të tjerë ose duke e krahasuar veten me njerëz të tjerë. “
“Ndihem keq për të rinjtë që nuk kanë pasur mundësinë për të zhvilluar karakterin e tyre dhe për atë se çfarë duan të jenë në jetën e tyre.”. theGuardian.com /KultPlus.com/
Në panelin me temë ”A është media pjesëmarrëse apo vëzhguese e konflikteve botërore?”, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik, zhvilluar në Shën Petërburg, ku ishin të pranishëm, Gary Pruitt, president i Associated Press (AP), Jose Manuel Sanz, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë i agjencisë spanjolle të lajmeve, EFE, Hiroki Sugita, drejtori ekzekutiv i agjencisë japoneze të lajmeve, Kyodo News, Fabrice Fries, shef ekzekutiv i agjencisë franceze të lajmeve, AFP dhe Sergei Mihajlov, drejtori i përgjithshëm i agjencisë ruse të lajmeve, TASS, drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi deklaroi se “media duhet të jetë vetëm raportuese e së vërtetës”.
Në sesionin për mediat, i moderuar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i agjencisë ruse të lajmeve, TASS, Mihail Gusman, ku u diskutua mbi temën nëse media është pjesëmarrëse apo vëzhguese e konflikteve botërore, ishin të pranishëm drejtues dhe përfaqësues nga agjenci prestigjioze ndërkombëtare lajmesh.
Në fjalën e saj, drejtoresha e ATSH-së u shpreh se gjatë këtyre viteve ka ndryshuar koncepti “MassMedia”, duke nënvizuar se “MassMedia, mekanizmi i shpërndarjes së informacionit, nuk është më i përbërë nga burimet tradicionale si televizionet, radiot, revistat, gazetat dhe të ngjashme si këto”.
Krasniqi tha se “agjencitë tona e kanë ruajtur kursin e tyre. Por, të gjitha këto burime të reja, të përdorura në një mënyrë dashakeqe, më shumë se më parë, po kapen pas aftësisë për të manipuluar perceptimin e komunitetit ose kuptimin e asaj se çfarë është apo jo e rëndësishme”.
“Për fat të keq, ne jetojmë ende në një botë me shumë konflikte, por për herë të parë, gjatë viteve të fundit, jemi bërë dëshmitarë të konflikteve në rritje, të krijuara nga lajmi i rremë. Sidomos në Ballkan, konfliktet shpesh janë ushqyer nga thashetheme të shtrembëruara”, u shpreh Krasniqi.
Për pjesëmarrësit, drejtoresha e ATSH-së solli në vëmendje nënshkrimin e Deklaratës së Tiranës, dhjetorin e kaluar, nga 13 agjenci lajmesh në Tiranë, me anë të së cilës u ra dakord për bashkëpunim në luftën e përbashkët kundër lajmit të rremë. “Ky është një hap i vogël përpara”, u shpreh Krasniqi, e cila e konsideroi të rëndësishëm faktin se duhet ecur përpara drejt një bashkëpunimi edhe më të madh në nivel global.
“Por, lajmi i rremë është vetëm njëra anë e problemit. Keqinformimi në kohë konfliktesh është një problem që shkon edhe më thellë”, deklaroi drejtoresha e ATSH-së, duke nënvizuar se “keqinformimi ka qenë gjithmonë një pjesë thelbësore e konflikteve”.
Më tej, Krasniqi tha se “në epokën e medieve dixhitale, redaktorët kërkojnë gjithnjë e më shumë ngjarje sipërfaqësore, që janë lehtësisht fitimprurëse nëpërmjet medieve sociale; çdo akt heroizmi, çdo histori që përfshin njerëz të famshëm, fëmijë e të tjerë, shpesh të paverifikuara ose madje të njëanshme, bazuar në interesa politike”.
“Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes kryesore të këtij sesioni, nëse mediet duhet të jenë vëzhguese apo pjesëmarrëse, mediet nuk duhet të marrin asnjë rol të tillë. Media duhet të jetë raportuese, raportuese e së vërtetës. Në përpjekje për t’u pasuruar nga konfliktet ndërkombëtare, media bëhet fajtore për përkeqësimin e shumë prej tyre dhe në disa raste ndodh që nuk reagon për konfliktet që nuk kanë interes për audiencën e gjerë. Kjo duhet të ndryshojë”, deklaroi Krasniqi në Shën Petërburg.
Ajo nënvizoi se “mediet duhet të flasin, nuk duhet të përfshihen, por duhet të thonë të vërtetën. Përndryshe, bëjmë më shumë dëm sesa dobi”.
Më tej, Krasniqi u shpreh se “ndonëse zhvillimi i teknologjisë ka mundësuar që media të ketë më shumë ndikim se më parë, ne duhet të kthehemi prapa në kohë dhe të gjejmë standardin e artë të këtij profesioni”.
“Përkundër përparimit të padiskutueshëm, thelbi i një historie duhet të jetë i njëjtë, një raportim i verifikuar, i balancuar dhe profesional. Ne duhet ta përqafojmë ndryshimin, por pa harruar parimet tona”, nënvizoi drejtoresha e ATSH-së.
“Duke qenë një besimtare e zjarrtë e bashkëpunimit, besoj se në agimin e një epoke të re për median, ne duhet të koordinohemi më shumë me njëri-tjetrin, të mësojmë nga historitë e suksesit dhe të kontribuojmë për zhvillimin e njëri-tjetrit”, deklaroi Krasniqi duke shtuar se “Tolstoi besonte se, të gjithë mendonin për ndryshimin e botës, por vetëm disa mendonin të ndryshonin veten”.
“Ne duhet të modernizohemi, të ecim me hapin e teknologjisë, por ne duhet ta bëjmë këtë gjë pa hequr dorë nga qëllimet tona”, theksoi ajo.
Krasniqi nënvizoi se “media nuk duhet të mjaftohet me një vrojtim të thjeshtë, por duhet të jetë gjithmonë besnike ndaj së vërtetës. Ky është shërbimi më i mirë, nga shërbimet e vetme që duhet të ndërmarrim”.
“Gjithashtu, në cilësinë e pushtetit të katërt”, tha ajo ”ne mund të kontribuojmë në zgjidhjen e konflikteve”.
Në përfundim, Krasniqi deklaroi se qëllimi kryesor për agjencitë e lajmeve është që ato duhet të jenë lajmëtare të së vërtetës, si në kohë lufte, ashtu dhe në kohë paqeje.
Ajo solli në vëmendje e të pranishmëve faktin se që në shekullin XIV Shqipëria udhëhiqej nga një përmbledhje ligjesh që u kanë dhënë formë vlerave të shqiptarëve për një kohë shumë të gjatë, ku në asnjë rrethanë, lajmëtari nuk mund të prekej.
“Por, nga ana tjetër, i dërguari ishte i lidhur me kodin e nderit për të thënë gjithmonë të vërtetën. Përndryshe, ai do të turpëronte veten. Gjërat kanë evoluar, ka kaluar shumë kohë, por nëse më lejoni të bëj një paralelizëm, qëllimi i parë dhe më kryesor për agjencitë tona është që ato duhet të jenë lajmëtare të së vërtetës, në kohë lufte dhe në kohë paqeje”, përfundoi drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi.
Në këtë panel, u diskutua se si media ndikon të çështjet politike dhe në konfliktet në vende të ndryshme si edhe për parandalimin e përhapjes së lajmeve të rreme që janë shndërruar në një problem kyç në botën moderne.
Drejtuesit e agjencive, folën për rëndësinë e diversifikimit të aktiviteteve të agjencive të lajmeve dhe për një luftë të përbashkët kundër medieve që çorientojnë shoqërinë me anë të përhapjes së lajmeve të rreme.
Forumi Ndërkombëtar Ekonomik i Shën Petërburgut mbledh çdo vit pjesëmarrës nga 120 vende të botës, përfshirë shefa shtetesh, liderë politikë, kryeministra, ministra dhe guvernatorë. /KultPlus/