Thethi është një fshat sikur ka dalë nga përrallat, thotë shkrimtari japonez, Mizuho Ota në një shkrim të gjatë për ”Asahi Shinbun”, një nga dy gazetat kryesore japoneze, me një tirazh prej 10 milionë kopjesh.
Thethi, fshati ku koha ka ndalur
Jashtë dritares ka një pamje parajsore të maleve që arrijnë deri në qiell, saqë ajo që ndodhet poshtë jush duket thjesht e pavlefshme. Makina që na mori kaloi duke gjarpëruar në këto male. Në rrugën e ngushtë me zhavorr nuk ka mbrojtëse anësore dhe dy makina mezi mund të kalojnë, ndërkohë që unë ndihem sikur zemra më ka ndalur. Shoferi i buzëqeshur përpiqet t’i qetësojë udhëtarët nga frika, ndërkohë që flet me celularin e tij. Të luteshim ishte gjithçka që mund të bënim deri sa mbërritëm në fshatin Theth, në këtë zonë malore në Shqipërinë Veriore.
Bjeshkët, një varg malesh me maja mbi 2 000 metra, quhen ndryshe edhe “Alpet Shqiptare”. Këtu është vendi ku gjendet Thethi, një fshat i bukur që duket sikur sapo ka dalë nga një përrallë. Është vetëm 15 kilometra larg kufirit me Malin e Zi fqinj. Lumi Theth kalon zig-zag nëpër fshatin me shumë shtëpi të vjetra prej guri që duken si të ngrira në kohë. Është si një parajsë për turistët, të cilët nxitojnë këtu gjatë verës.
Hani që u hap pas daljes së vendit nga izolimi
Gjon Shpella, pronar i bujtinës “Shpella” ku qëndruam ne, u lind në kishën e vetme në fshat dhe u rrit në Zvicër.
“Gjatë epokës komuniste, kur feja ishte e ndaluar, kishat ose xhamitë u shkatërruan ose u përdorën për qëllime të tjera. Kisha jonë u shndërrua në një klinikë, këtu jam lindur”, thotë ai.
Rreth 200 familje jetuan në Theth kur qeveria komuniste u rrëzua, në 1991, dhe fshatarët që përjetuan kushte të vështira jetese emigruan në vendet e tjera në kërkim të një jete të re. Familja Shpella me gjashtë fëmijë gjithashtu shkoi në Zvicër atë vit, kështu që fëmijët e tyre u rritën në Zvicër.
Gjoni vizitoi Thethin për herë të parë në 2008, kur ishte në mes të të njëzetave.
“Unë kam dashur të shoh se ku kam lindur. Unë erdha ashtu si një turist, duke mos menduar shumë për të. Por, u mahnita me të vërtetë se sa i bukur ishte ky vend”.
Çuditërisht, shtëpia ku dikur jetonte familja e Gjonit kishte mbetur e paprekur. “Sapo dëgjova nga një alpinist që vizitoi Thethin në atë kohë, e kishte pasur të vështirë të gjente një vend për të qëndruar, vendosa ta rinovoja banesën time dhe ta ktheja atë në një han, në një shtëpi për mysafirë.
”Me shumë pak punë, unë arrita ta hap atë pjesërisht”, thotë Gjoni.
Numri i të ftuarve fillimisht ishte rreth 200, por ka tejkaluar shifrën 8 000 pas 10 vjetësh.
Unë e vizitova Thethin në fillim të tetorit, pas pikut të sezonit, kur nëna e Gjonit dhe më pas, anëtarët e tjerë të familjes, kishin filluar të punonin të gjithë duke pastruar dhe gatuar. Gjatë kulmit të sezonit, të afërmit që jetojnë në vendet e tjera të Evropës vijnë gjithashtu për ta ndihmuar.
Një ditë shëtitje plot me pamje piktoreske
Rreth fshatit ka disa shtigje shëtitjesh që mund t’i ngjisni, që mund të bëhen në një ditë, nga 30 minuta në pak më shumë se dy orë. Edhe pse konsiderohet thjesht një “kurs hiking”, unë do të inkurajoja të mbaja me vete një pajisje GPS për të kontrolluar vendndodhjen, pasi aty gjurmët shënohen vetëm nga shkëmbinj ose shenja dhe shigjeta që mezi lexohen dhe njerëzit që kalojnë aty janë të pakët.
Ju mund të shijoni pamje piktoreske pa marrë parasysh se ku shkoni në këtë park kombëtar. Ajri dhe uji i pastër nga burimet e bollshme duket se e pastrojnë trupin tuaj.
Kulla e Nikoll Koçekut
Një tjetër pikë e spikatur e Thethit është Kulla e Nikoll Koçekut, menjëherë prapa bujtinës ”Shpella”. Rreth 100 vjet më parë, kur ndodhi një vrasje në Theth, vrasësi qëndroi në këtë kullë për 15 ditë, gjatë së cilës ai zgjodhi një njeri të besuar nga fshatarët dhe shpjegoi veten për krimin. Duket më shumë si një qendër paraburgimi. Pastaj, përmes këtij njeriu të besuar u diskutua për marrëveshjet midis vrasësit dhe familjes së viktimës.
Vetëm burri i besuar dhe një grua nga fshati që përgatisnin ushqime u lejuan të vizitojnë vrasësin e fshehur në kullë. Dritaret e vogla dhe atmosfera dinjitoze janë të ndikuara nga Kanuni, i cili ka shoqëruar jetën në Shqipërinë Veriore që nga kohërat e lashta. Kanuni lejon familjen e viktimës të vrasë kriminelin në shenjë hakmarrjeje. Brendësia e kullës është mjaft interesante, e rikrijuar për të pasqyruar kohërat e vjetra.
Një darkë solidariteti
Nuk ka restorante në Theth, darka hahet në konakun që po qëndron. Të shtruara në tryezë janë ngritur perime organike të pjekura, bukë të pjekur me dru zjarri në sobën e oborrit të shtëpisë dhe mish të pjekur, të gjitha të përgatitura nga familja e Gjonit. Specat e pjekura në skarë ose të grira, të shoqëruara me djath dhie, patëllxhanët dhe kungujt e njomë janë elementet kryesore. Gradualisht bëheni të varur ndaj djathit të dhisë me erë të fortë, të servirur së bashku me domatet turshi.
Darka është e gjallë pasi të gjithë mysafirët rrethojnë tryezën dhe hanë së bashku. Ata kanë ardhur në Theth ose me makinë duke ndjekur atë rrugë të ngushtë zhavorri përgjatë shkëmbinjve ose duke ecur nëpër male për më shumë se shtatë orë. Ekziston një ndjenjë e fortë solidariteti midis atyre që kanë provuar të njëjtat vështirësi, kështu që nuk ka mungesë bisedash edhe pse ne po takohemi për herë të parë, dhe kjo më bën të lumtur.
Pas vizitës sime në 2018 e vizitova përsëri Thethin në vitin 2019, rruga malore përgjatë shkëmbinjve malorë ishte në ndërtim e sipër. Qasja në fshat duhet të jetë mjaft e mirë pasi të ketë mbaruar.
Është pak e trishtueshme kur sheh që gjurmët e rrugëve malore po zhduken bashkë me frikën e vizitorëve nga humnerat. A është egoiste të dëshirosh që Thethi të vazhdojë të jetë pak i izoluar? /atsh/ KultPlus.com