Nga 29 korriku në Salento vjen edicioni I i MediFest kushtuar Shqipërisë

Takime, prezantime, koncerte, një “itinerar fotografik” për të rrëfyer Shqipërinë 30 vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari.

Nga e enjtja 29 korrik deri të dielën 1 gusht në fshatrat Castro, Diso, Marittima dhe Acquaviva të Salentos mbërrin “MediFest – Tinguj, bashkëbisedime, kujtime, imazhe të Mesdheut” i promovuar nga Rajoni i Pulias në bashkëpunim me partnerë të shumtë.

Edicioni i parë i Festivalit do t’i kushtohet tërësisht Shqipërisë. Tridhjetë vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari, festivali ofron katër ditë takime, prezantime, koncerte, lexime, shfaqje, një “rrugëtim fotografik” por edhe pjata të kuzhinës shqiptare e arbëreshe për të njohur Shqipërinë, vendin e projektuar drejt Evropës, pa lënë mënjanë historinë e kujtimet që veçanërisht dhjetëvjeçarët e fundit e kanë lidhur në mënyrë të pandashme me Italinë e Rajonin e Puglias në veçanti.

“Shqipëria është e ftuara e këtij edicioni të parë falë afrimitetit të veçante me fqinjët italianë të Puglias – thotë Geri Ballo,  kuratore shkencore e Festivalit, – Para syve të puljezëve ra muri që ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës para 30 vjetësh. Ishin ata të parët që përjetuan bashkë me ne shqiptarët eksperiencën e fortë emocionale të emigracionit. Tani që komuniteti italo-shqiptar është ndër më të rrënjosurit mes italianëve të rinj në Puglia, ato copëza historie kthehen në pikënisje reflektimi për MediFest, gjatë të cilit do të ndalohet në mënyrë të veçantë mbi çka bashkon popullin shqiptar me atë puljez, duke filluar nga civilizimi antik mesapian dhe trashëgimia e rëndësishme e përbashkët e përfaqësuar nga arbëreshët për të vijuar me shumë elementë të tjerë artistikë dhe letrarë që do të jenë subjekt i aktiviteteve të propozuara për publikun në katër mbrëmjet e festivalit”.

Mbrëmja e parë, e enjte 29 korrik, do t’i ofrojë publikut të Kastros dy takime në “Messapi: Populli i dy deteve” me arkeologët Francesco D’Andria dhe Katia Mannino dhe “Të rinjtë dhe Mesdheu” me nënkryetaren e bashkisë së Tiranës Anuela Ristani dhe Aldo Patruno, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Turizmit e Kulturës së Rajonit të Puglias dhe shfaqjen “Nina kërcen” të Claudio Prima & Seme.

Gjatë mbrëmjeve në vijim do të flitet për ndikimin kulturor të komuniteteve arbëreshe, për “Fenë, ateizmin dhe shqiptarinë” me, ndër të tjerë, Imzot Gjergj Metën dhe me Imamin e Tiranës Ylli Gurra; do të kujtohet i ndjeri Alessandro Leogrande dhe këndvështrimi i tij mbi Shqipërinë dhe Mesdheun me Christian Raimo dhe Stela Xhunga. Botuesi Besa Muci do të kurojë një fokus mbi letërsinë shqipe që do të ofrojë një ballafaqim mes shkrimtarëve Tom Kuka dhe Anilda Ibrahimi dhe një lexim me zërin e Angela De Gaetano. “Tingujt” do t’u besohen fizarmonikës Admir Shkurtaj i cili do të sjellë në skenë projektin Harè me Lindita Hoxhën (violinë) dhe Pino Basile (kupafon) dhe një përqafimi midis muzikës popullore arbëreshe dhe asaj të Salentos të realizuar nga bashkëpunimi i “Ansamblit arbëresh të Puglias” me tre grupe tradicionale të Disos.

Agimi i të dielës 1 Gusht do të pritet në gjirin Acquaviva nën tingujt e koncertit për piano të Robert Bishës. Nuk do të mungojë seksioni “Imazhe” që do të sjellë për publikun “itinerarin fotografik” të Elton Gllavës dhe Fate Velajt dhe shfaqjen e filmit të shkurtër “Omonimia” të Mentor Selmanit. Çdo mbrëmje në orën 21.30 pjata tipike arbëreshe dhe shqiptare të përgatitura nën kujdesin e Institutit të hotelerisë IPSEO “Aldo Moro” në Santa Cesarea Terme në bashkëpunim me Puglia në Rosè.

Për informacion më të detajuar për çdo veprimtari të këtyre 4 ditëve të MediFest, shkoni në faqen e facebook MediFest Puglia/diaspora shqiptare. / KultPlus.com