Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi kontributin financiar për Këshillin Kombëtar në Serbi me qëllim blerjen e teksteve shkollore shqip.
Me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e së mërkurës dhënien e kontributit financiar, në shumën 40 000 euro ose kundërvlerën e saj në lekë, për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, për t’u përdorur për blerjen e teksteve shkollore për shkollat shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Kundërvlera në lekë e shumës së sipërpërmendur të transferohet në formën e transfertës në llogari të përfituesit, nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2020, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programet buxhetore “Arsimi bazë”, “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”, “sporti” dhe “rinia””, thuhet në vendim.
Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi, që hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” /atsh/ KultPlus.com