Vajza që bëri Apple-in të njohë kufijtë e Kosovës: Mora kërcënime nga serbët

Një peticion, i cili nisi si një nismë e thjeshtë nga 20-vjeçarja Megi Cara, bëri të mundur që Kosova të njihet në aplikacionin Apple Maps, shkruan TvT, përcjellë KultPlus.

Ishte studentja shqiptare në Londër, e cila hodhi e para idenë për njohjen e kufijve të Kosovës, që arriti të tërheqë vëmendjen e disave nga mediat më të mëdha në botë. Megi Cara i kërkoi kompanisë Apple ta paraqesë Kosovën si shtet më vete, pasi vuri re se ajo nuk ndahej nga Serbia me kufij ndërkombëtarë në aplikacionin Apple Maps. Peticioni u bë lajm në disa media lokale në shqip dhe në anglisht dhe më pas u shpërnda në Instagram nga Dua Lipa dhe Rita Ora për ndjekësit e tyre.

Polemikat që shkaktoi ky peticion ishin të shumta, por pa kaluar dy muaj Apple mori në konsideratë kërkesën për të vendosur Kosovën si shtet më vete në Apple Maps.

Edhe pse postimi i Dua Lipës u komentua shumë dhe mori vëmendjen e medias, në një intervistë për TvT.al Megi shprehet se vetë Dua nuk ka kontaktuar asnjëherë me të.

Kur e nisët peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën Apple, menduat se do merrte përmasat që mori?

Siç e kam shprehur edhe më parë, peticionin e kam nisur në një mënyrë shumë spontane dhe kurrë nuk kam menduar se do të merrte përmasat që mori apo se do të arrinte të bënte një ndryshim kaq të rëndësishëm.

Qëndron edhe dikush tjetër pas kësaj nisme apo vetëm ju?

Nisma është marrë nga vetë unë, pas bisedave me miq, por pas suksesit të peticionit qëndrojnë plot 197 mijë e 175 shqiptarë në të gjithë botën që firmosën peticionin.

Si ndiheni tani që Kosova u bë pjesë e hartës së Apple dhe kjo vetëm falë nismës tuaj?

Tani që Kosova është pjesë e hartës së Apple, ndihem shumë krenare dhe mjaft besimplotë për ndryshime të tjera rrënjësore për kombin shqiptar.

Arritët të komunikoni me Dua Lipën?

Dua Lipa nuk më ka kontaktuar asnjëherë.

Persona të tjerë të njohur, ju kanë kontaktuar ose uruar?

As persona të tjerë të njohur nuk më kanë uruar.

Ju thatë gjatë asaj kohe që morët edhe kërcënime, kishte ndonjë emër të njohur?

Kërcënimet kanë ardhur nga ‘luftëtarët’ digjitalë serbë, shumica e tyre nacionalistë në moshën adoleshente. Kërcënime direkte nga figura të njohura serbe nuk kam patur.

Flamuri autokton solli sërish një gjendje të ndezur mes shqiptarëve dhe serbëve, dhe ju vazhdoni sërish postoni në rrjetet sociale hartën e Shqipërisë së madhe. Keni ndonjë synim tjetër tani që arritët vendosjen e e Kosovës në hartën e Apple?

Ëndrra e çdo shqiptari patriot, të drejtuar nga atdhedashuria është që trojet shqiptare të jenë të bashkuara. Nostalgjia për Shqipërinë Etnike na ndjek në çdo moment, por një qëllim realist do të ishte bashkimi kombëtar, pra ai i Shqipërisë me Kosovën.

Ka Megi Cara dëshirë të bëhet pjesë e politikës shqiptare pas studimeve?

Që në moshë të vogël kam ëndërruar të jem pjesë e politikës shqiptare dhe gjatë këtyre ditëve kam folur me mbështetës të peticionit për politikat ekonomike dhe reformat që do bëja unë në Shqipëri.

Ke përmendur diku Margaret Theçerin si figurë frymëzuese. E mendon veten në të ardhmen një Margaret Theçer në Shqipëri?

Margaret Theçer është frymëzim për të gjithë konservatorët e të gjitha femrat në përgjithësi, sepse ajo ishte e para që sfidoi shoqërinë patriarkale dhe ia doli të jetë kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo do të ishte shembulli më i mirë për të ndjekur./TvT.al / KultPlus.com

Bashkimi bëri fuqinë, Apple vendos Kosovën në hartë

Megi Cara është studentja shqiptare në Londër e cila nisi peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën e kompanisë Apple.

Fushata e vendosjes së Kosovës në hartën e Apple e cila bëri bujë të madhe, më në fund e ka arritur qëllimin.

E pas 197,175 nënshkrimeve në platformën online “Change”, ku kërkohej vendosja e kufijve të Kosovës në hartat e kompanisë teknologjike Apple, erdhi edhe lajmi i mirë.

Është vet Megi ajo që njoftoi se kërkesa e arriti qëllimin.

“Bashkimi bën fuqinë! Jam e lumtur të them se Kosova është shtuar në Apple Maps! Faleminderit për mbështetjen tuaj”, shkroi Megi në “Change.org”.

Fushata për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple u përkrah nga shumë njerëz, ndër ta edhe nga yjet tona nëpër botë – nga Dua Lipa, Rita Ora e shumë të tjerë. / KultPlus.com

Megi Cara, studentja shqiptare që nisi peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën Apple

Një studente shqiptare në Londër nxiti një betejë virtuale mes ballkanasve për të njohur kufijtë e Kosovës, që arriti të tërheqë vëmendjen e disave nga mediat më të mëdha në botë.

Megi Cara, 20 vjeçe, nisi një peticion online, ku i kërkon kompanisë Apple ta paraqesë Kosovën si shtet më vete, pasi vërejti se ajo nuk ndahej nga Serbia me kufij ndërkombëtarë në aplikacionin Apple Maps. Peticioni u bë lajm në disa media lokale në shqip dhe në anglisht, derisa mbërriti edhe si një mesazh çasti nga Dua Lipa për ndjekësit e saj.

Dua Lipa mori komente raciste, kërcënuese dhe fyese, kryesisht nga serbë dhe simpatizantë të Serbisë. Reagimi i saj i mëpasmë ndezi përfundimisht betejën virtuale: ajo postoi në Twitter të njëjtën hartë të trojeve autoktone shqiptare, e cila u shpalos mbi stadiumin në Beograd nga Ismail Morina – Ballisti, në ndeshjen Serbia – Shqipëri gjashte vite më parë.

Exit News bisedoi me nismëtaren e peticionit, Megin Carën, për të kuptuar më mirë se si flamuri i autoktonisë na solli sërish në një gjendje të ndezur mes shqiptarëve dhe serbëve, për fat të mirë vetëm virtualisht, përcjellë KultPlus.

Megi është me origjinë nga Mamurrasi dhe prej afro 2 vitesh është në Londër.

Megi në intervistë tregoi se ajo nuk e ka hartuar dhe aq rastësisht peticionin.

Ajo ndër të tjera potencon se duke u rritur në Shqipëri, si fëmijë dhe adoleshente ka qenë më e hapur se bashkëmoshatarët e saj në perëndim ndaj ngjarjeve të potikës së përditshme. Përballja me realitetin e vështirë në Shqipëri dhe karakteri i saj e kanë shtyrë të mendojë për mënyra se si të përmirësojë gjendjen. Kjo e ka sjellë natyrshëm dhe gradualisht te vendimi për të studiuar polikën dhe ekonominë.

“Kjo ka qenë pikërisht ëndrra ime, të studioja ekonomi dhe politikë, dhe të studioja në Angli”, thotë Megi për Exit News.

Nuk të qëllon shpesh që një 20-vjeçare të të thotë se është konservatore dhe se ka pikë referimi Margaret Theçerin, si politikane dhe si grua.

“Unë besoj te barazia e mundësive në një demokraci, ndër parimet bazë të konservatorizmit. Kjo i dha mundësinë Margaret Theçerit të bëhej e para grua kryeministre në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që vinte nga një familje modeste. Megjithatë arriti të drejtonte vendin e saj dhe ta quanin “zonjë e hekurt.”

Duke mbetur te barazia e mundësive, Megi kujton se para pak ditësh kishin biseduar në një grup në internet rreth shpopullimit të shqiptarëve në trojet etnike në Serbi. Qeveria serbe në Luginën e Preshevës po heq nga regjistri civil shqiptarët që ata nuk i gjejnë në adresat e banimit.

Me patosit e rritur nga kjo bisedë, në grup ishte ngritur pyetja se “përse askush nuk flet për faktin se Kosova nuk është në hartë?”

Kjo pyetje e shtyu Megin të hartojë një peticion të shkurtër, me mendimin se ajo duhet të bënte atë që kishte në dorë, sado pak qoftë kjo.

Në këtë pikë ajo ndalet te bashkëpunimi i munguar midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës që pas pavarësisë së kësaj të fundit.

Megi u kërkoi miqve ta shpërndajnë peticionin në median sociale. Ajo i shkruaji direkt edhe disa faqeve që postojnë për çështje të Ballkanit.

Në pak orë e kuptoi se mbështetja po rritej në përmasa që ajo nuk i kishte pritur. Dhjetëra, qindra, mijëra firmosësit e parë të peticionit, pastaj një media e më vonë të tjera nisën të shrkuajnë për të.

Megi kujton ngazëllimin nga mesazhet mbështetëse nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëra e diaspora. “Larg atdheut të qan zemra më shumë”, thotë ajo.

Me rritjen e firmave, peticioni gjeti rrugën deri te disa persona të famshëm, të cilën e postuan atë në mediat sociale: Dua Lipa, Dafina Zeqiri, Era Istrefi, Rita Ora, Sidrit Bejleri, Kapital T, Don Phenom, Enisa, Selma Kasimovic, Elvana Gjata….

Ajo tregon edhe për mesazhe të tmerrshme kërcënuese por na siguron se nuk ka frikë.

Megi thotë se më e mira që ajo pret është që peticioni të detyrojë kompaninë Apple ta shtrojë për diskutim çështjen e kufijve të Kosovës dhe, idealisht, të vendosin ta paraqesin si shtet më vete.

Ajo e shtrin më tej ëndrrën e saj: që ky peticion t’u tregojë qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës se shqiptarët duan të bashkohen, se ata i duan qeveritë e të dyja vendeve të bashkëpunojnë për t’u afruar, deri në heqjen e kufirit mes dy vendeve.

“As vetë nuk e prisja këtë mbështetje dhe qava kur pashë dhjetëra mijëra firmat që kishte mbledhur peticioni” – thotë Megi a mallëngjyer.

Peticioni gjendet ende i hapur për mbështetje dhe tashmë i ka kaluar 130 mijë firmat. / KultPlus.com