“Ngjyrat e shqiptarëve” është konkursi i fotografisë, që sjell ngjyrat e shqiptarisë.
Zv/ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, deklaroi dje në një intervistë televizive se: “Ngjyrat e shqiptarëve” (Colours of Albanians 2022), është një koleksion fotosh dhe videosh, të bukurive të vendit tonë të shqiptarëve. Këtë vit në fakt një nga risitë është edhe fakti që futen edhe videot. Ky konkurs nuk ka qenë i ri për Shqipërinë, ka nisur në vitin 2015-2019. Për fat të keq prej pandemisë vitin e shkuar nuk u organizua dot. Ndërkohë që këtë vit, me një emër të ri, “Colours of Albanians”, sepse është në kuadër dhe të protokollit zbatues në fushën e diplomacisë kulturore midis dy ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës”.
Fino theksoi se: “ky konkurs është lançuar në 26 nëntor në kuadër dhe të takimit të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës”
Fino u shpreh se: “se ky konkurs ka qenë gjithmonë i hapur, megjithatë tani është një shtrirje edhe më aktive e Diasporës, më e gjerë. E një audience më e gjerë jo vetëm e trojeve shqiptare, po e shqiptarëve kudo që ndodhen. Është një formë kreative për të ardhur së bashku dhe për të bërë diçka të bukur bashkë”.
Fion theksoi se: “konkursi është fare i thjeshtë, mund ta bëjë kushdo që ka një aparat celular, por edhe nëse ka një aparat fotografik më profesional. Një foto, një video, të kapë një moment të bukur, të jetës së vetë, të ditës së vetë, të shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, po kudo që jetojnë, punojnë, studiojnë. Ta hedhin në profilet e tyre të instagramit dhe të vendosin Colours of Albanians 2022 duke na bërë tag edhe ne në profilin zyrtar në instagram që kemi hapur enkas për këtë konkurs, i cili titullohet “Colours of Albanians”.
“Unë do sugjeroja që të vendosej në fakt edhe vendndodhja e bën më interesante. Mund të shohim vende të cilat ne nuk i kemi eksploruar më parë, vende të reja, që mund të duam t’i shikojmë në një të ardhme”, tha Fino.
“Në 5 edicionet e mëparshme që janë bërë ka qenë në fakt konkursi në periudhën e verës, më shumë nga periudha maj-gusht, ndërkohë që këtë viti ky edicion sjell dhe një risi tjetër që është që po organizohet në periudhën e dimrit, përkon me festat e dimrit”, theksoi Fino.
Fino u shpreh se, “për diasporën do të përdoren dy hashtag, përveç Colours of Albanians 2022, do të përdoret edhe diaspora shqiptare. Përtej kësaj në fakt motoja e konkursit këtë vit ka qenë “Gjurmë identitare”. Kjo është motoja e madhe, ndërkohë që ka nën tema të vogla çdo javë, është ndryshe. Në javën e parë që ka nisur ky edicion tema ka qenë peizazh dhe turizëm. Në këtë javë që jemi është portreti identitar dhe familja, dhe kështu ndryshon çdo javë deri më 17 shkurt”.
Sa i përket jurisë, Fino tha se, “kemi një juri prej 7 anëtarësh, që janë artistë profesionistë të spikatur. Është juri e përbashkët. Janë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Diasporës. Ata do të përzgjedhin 50 foto dhe videot përmbyllëse dhe në fund nga këto do të zgjedhin 6 foto dhe videot fituese”.
Juria përbëhet nga Elina Duni, Fadil Berisha, Arian Mavriqi, Alban Nimani, Andi Deliana, Ilir Kaso, Dardan Luta.
Sa i përket çmimeve, Fino tha se, “do të jenë çmimi i parë, i dytë dhe i tretë. Është çmimi i publikut i cili do të përzgjidhet nëpërmjet pëlqimeve në instagram. Kemi shtuar çmimin video më e mirë, duke marrë parasysh që këtë vit hyjnë dhe videot. Dhe është edhe çmimi i Diasporës, të cilit në bashkëpunim me IOM, do t’i dhurohet një aparat fotografik profesional”.
“Ceremonia përmbyllëse do të mbahet më 17 shkurt në Kosovë”, theksoi Fino.
“Fotot në fund do të përmblidhen dhe do të botohen në një album, i cili do të shpërndahet kudo në botë, në fakt nëpërmjet përfaqësive diplomatike të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Fino.
E pyetur për toponimet në hartat e Apple, Google, të cilat kishin vende, lumenj shqiptarë, por me toponime të huaja, Fino tha se, “janë ndryshuar disa prej tyre në fakt. Ka qenë iniciative e Ministrisë së Jashtme për këtë, duke dërguar letra, duke shtyrë, duke lobuar që të ndryshojnë, siç ka qenë rasti në Google dhe në Bing ka pasur raste të tilla. Edhe ajo është një tjetër iniciativë interesante”. / KultPlus.com