Përvjetori i krijimit të qeverisë së Mehdi Frashërit

Më 21 tetor 1935 u krijua qeveria e kryesuar prej Mehdi Frashërit.

Emërimi i Frashërit në postin e kryeministrit të Shqipërisë prej Mbretit Zog u mirëprit në shtypin e kohës, pasi ekzekutivi i ri premtonte përmbushjen e një programi reformash liberale.

Kabineti Frashëri përbëhej nga subjekte progresiste, me një edukim elitar në universitetet e lakmueshme të Perëndimit. Krahas detyrës së kryeqeveritarit, Frashëri kishte zëvendësisht edhe rolin e ministrit të Drejtësisë.

Në përbërje të kabinetit ishin: Fuat Asllani, ministri i Punëve të Jashtme, Et’hem Toto, ministri i Punëve të Brendshme, Rrok Gera, ministri i Financave, Nush Bushati, ministri i Arsimit, Ndoc Naraçi, ministri i Punëve Botore dhe Dhimitër Berati, ministri i Ekonomisë Kombëtare. Ky formacion politik që do të qeveriste deri më 7 nëntor 1936, shpalosi një program ambicioz, i cili synonte kryerjen e një sërë reformash në ekonomi, në arsim, në politikën e jashtme dhe në shtypin e lirë.

Programi përmbante 16 projektligje për modernizimin ekonomiko-financiar të vendit. Reformat mëtonin të arrinin të stabilizonin çmimet në tregun e brendshëm, të luftonin spukulatorët dhe të krijonin një kapital industrial në një klimë shoqërore e politike liberale. Në drejtim të politikës së jashtme, kjo qeveri mundi të kornizonte marrëdhëniet italo-shqiptare, kur në mars të vitit 1936, u nënshkrua në Romë një marrëveshje bashkëpunimi mes Frashërit dhe Musolinit.

Krisjet në rrafshin e pushtetit çuan në rrëzimin e qeverisë nga Parlamenti në vjeshtën e 1936-s dhe ky akt parlamentar shënoi edhe një precedent demokratik./atsh/KultPlus.com

Ekspozitë e “Arkivave” për Mehdi Frashërin

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Bashkinë Përmet paraqitën një ekspozitë dokumentare dhe fotografike kushtuar jetës dhe veprës së Mehdi Frashërit.

Ekspozita u paraqit në sheshin e qytetit, ku publiku pati mundësinë të mësonte mbi funksionet e ushtruara prej Frashërit dhe angazhimin e tij.

Ekspozita që rikthen burrështetasin, shkrimtarin e mendimtarin Mehdi Frashërin në qytetin e tij të lindjes, titullohet “Mehdi Frashëri, Sovrani Relativ”.

Në ekspozitën e përgatitur me ateriale të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), qenë të përzgjedhura ndër të tjera materialet e mëposhtme:

∙Njoftim në formë telegrami dërguar Valiut të Manastirit mbi emërimin e Mehdi bej Frashërit si kajmekan i Ohrit;

∙Foto e Mehdi beut më 8 korrik 1912;

∙Mehdi Frashëri miratohet si anëtar i qeverisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ;

∙Vendim që lejonte Mehdi Frashërin të përfaqësonte shtetin shqiptar në takimet e zhvilluara në Firence për çështjen e caktimit të kufijve ;

∙Idenë e zhvillimit të tregtisë së duhanit, Mehdi Frashëri e mbron edhe gjatë bisedimeve parlamentare;

∙Mehdi Frashëri zgjidhet kryetar i Komisionit Kombëtar të Turizmit;

∙Ministri i Punëve Botore dhe i Bujqësisë Frashëri kërkon që të mblidhet nga prefekturat taksa e rrugëve, me qëllim nisjen e ndërtimeve të rrugëve lidhëse midis qyteteve ;

∙Pas një krize parlamentare, në tetor 1935 Mbreti jep besimin për një qeveri të re me Mehdi Frashërin kryeministër;

∙Mehdi Frashëri betohet në tetor 1943 si anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës;

∙Fjalimi i mbajtur më 28.11.1943 në Radio Tirana etj.

Kjo ekspozitë është përgatitur dhe prezantuar për herë të parë në Maj të këtij viti, me rastin e 60-vjetorit të ndarjes nga jeta të shtetarit Frashëri. / atsh / KultPlus.com