Dhjetë libra të letërsisë shqipe që duhen lexuar sipas Krajës

Shkrimtari Mehmet Kraja zgjedh “Rapsodi të një poeme arbëreshe” të Jeronim De Radës si një nga librat që nuk duhen lënë pa lexuar. Duke e quajtur një vepër pertej artit, Kraja na fton në një lexim ndryshe të De Radës. Më poshtë ai vjen me 10 sugjerimet e tij nga letërsia shqipe.

Jeronim De Rada, “Rapsodi të një poeme arbëreshe”

Për mendimin tim, njëra nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Kjo vepër e De Radës pa të drejtë është zhvendosur nga letërsia në histori, pra është shtyrë disi matanë artit, është kthyer në data, në fusnota, në shënime bio-bibliografike dhe nuk sugjerohet si vepër për lexim. Arsye për këtë mund të ketë qenë gjuha, por vepra ka kohe që është rikënduar dhe, pranë tekstit origjinal, mund të shijohet edhe në këtë formë. Kjo vepër i qëndroi kohës për shkak të motiveve, të cilat, njësoj si tërë letërsia antike, shprehin raportet themelore të njeriut me enigmat kryesore të jetës e të ekzistencës. Së dyti, “Rapsoditë…” i bën art të lartë dendësia e madhe e figurave, që nuk shtrihet vetëm në rrafshin e gjuhës, por në shumicën e rasteve është qenësi e ligjërimit. Një prurje e veçantë e kësaj vepre është tematika kalorësiake dhe aristokrate, e cila për shkak të rrethanave historike, nuk do të përsëritet më në letërsinë shqipe.

Ndre Mjeda, “Juvenilia”

Ndre Mjeda është mjeshtër i madh i sonetit shqip, i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, një skalitës i jashtëzakonshëm i vargut. Mjeda është klasik i letërsisë shqipe; poezia e tij është një monument letrar i gdhendur në mermer. Pa të drejtë është lënë disi në harresë, duket për shkak të rivalitetit të françeskanëve me jezuitët, përfshirë edhe supozimin cinik se Mjeda u njoh edhe në kohën e diktaturës, ndërsa Fishta u anatemua. Pavarësisht se konsiderohet dialektore, poezia e Mjedës është model i mbarë vargimit shqip, sepse ajo shpërfaq, njeh dhe bashkon në një të përbashkët vlerat tingullore të fjalës me vlerat e saj kuptimore figurative, që është ideali më i lartë i poezisë. Poezia e Mjedës mund të lexohet edhe sot me ëndje, nëse mënjanohen disa paragjykime.

Ernest Koliqi, “Tregtar flamujsh”

Është njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës sonë, që ndikoi në bashkëkohësimin dhe emancipimin e letërsisë shqipe. Proza tregimtare e përmbledhjes “Tregtar flamujsh” e Koliqit u shkrua në një kohë qetësie shpirtërore të shqiptarëve dhe ajo reflekton gjuhë të emancipuar, jetë të stabilizuar shoqërore, kulturë qytetare dhe mendim kritik. Mendoj se është mbivlerësuar ndikimi i letërsisë italiane në këtë krijimtari të Koliqit, sepse ai shfaqet i asimiluar, njësoj si letërsia perse te Naimi, apo ajo rumune te Lasgushi. Në këtë pikë proza tregimtare e Koliqit nuk përbën ndonjë përjashtim. Nëse duhet bërë vërejtje gjuhës së Koliqit, kjo nuk lidhet me dialektizmin e thellë të leksikut të tij, sepse ai i përshtatet ambientit, por më shumë me sllavizmat e paasimiluara që gëlojnë në ndonjërën nga këto proza.

Mitrush Kuteli, “E madhe është gjëma e mëkatit”

Është vepra më e arrirë e Mitrush Kutelit dhe njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe. Në këtë prozë të Kutelit subjekti rrëfimor është vendosur në një kontekst fetar. Në një kuptim më të gjerë, rrëfimi është ndërtuar i mbështetur fort te situata biblike e “Këngës së këngëve” të Solomonit. Por motivi biblik është bartur në kohë dhe hapësirë, ashtu siç bëhet zakonisht në raste të këtilla. Vetëm se, kur bëhet fjalë te ne për misticizmin, në etër sikur ndihet njëlloj refuzimi, kështu që kjo mund të jetë një nga arsyet përse kjo prozë e Kutelit nuk ka arritur t’i vërë nën hije veprat e tjera të këtij autori, veçmas ato me tematikë sociale, ndonëse artistikisht është vepra e tij më e arrirë. Mistikja e shndërruar në situatë jetësore, kjo është veçoria themelore e kësaj proze. Gjuha e Kutelit në këtë prozë është model, se si koineja lokale ngrihet në nivelin e tekstit të kultivuar artistik. Ajo është gjuhë që krijon drejtpeshim të fuqishëm ndërmjet tekstit dhe kontekstit.

Petro Marko, “Qyteti i fundit”

Romani më i mirë i Petro Markos dhe njëra nga veprat më të mira të prozës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Shquhet për subjekt të zgjedhur dhe për guxim krijues, sepse romani edhe për nga tema, edhe për nga metoda krijuese del në anën tjetër të skemës, duke sfiduar ideologjinë dhe njërën nga shtyllat e saj, realizmin socialist. Petro Marko në këtë roman merret me pasojat e luftës, duke dalë “në anën tjetër”, pra në kampin e atyre që e kanë humbur luftën. Dhe aty gjen drama të mëdha, fate të përmbysura, jetë që marrin rrjedhë tragjike. Pavarësisht se autori ndjek me konsekuencë vijën e qartë antifashiste, duket sikur në shumicën e rasteve rrëfimi i del “jashtë kontrollit” dhe bie në “grackën” e humanizmit. Edhe në pikëpamje të metodës letrare ndodh e njëjta gjë: romani për mrekulli iu shpëton shtrëngesave të realizmit socialist. Një përpunim artistik i shkrimit do të mund ta bënte veprën më të qëndrueshme në kohë.

Ismail Kadare, “Kronikë në gur”

Është kryevepra e Kadaresë dhe njëra nga kryeveprat e letërsisë shqipe, roman që del jashtë skemës letrare të këtij autori dhe përvojës letrare shqipe në përgjithësi, kryesisht përmes një diskursi narrativ thellësisht përpunuar dhe përmes shpërfaqjes së një bote, e cila qëndron në kufijtë e ëndrrës dhe realitetit, të mitit dhe legjendës në njërën anë dhe historisë dhe bëmave reale në anën tjetër. Vepra mbështetet mbi rrëfimin retrospektiv dhe të sublimuar të “fëmijërisë së botës” për luftën në përgjithësi dhe për Luftën e Dytë Botërore në veçanti. Është një rrëfim i sinqertë, jashtëzakonisht poetik dhe i ç’idelogjizuar për një dramë njerëzore përmasash të mëdha, e cila, në një vend të vogël nxjerr në pah fate njerëzish të një realiteti të çuditshëm, gati të përmbysur dhe fantastik. Është roman jo tipik për luftën, që sublimon dije dhe kulturë letrare, roman që i tejkalon përvojat individuale dhe bëhet përvojë e shkrimit letrar e një koineje pothuajse universale. Romani disa herë është klasifikuar nder njëqind romanet më të mirë letërsisë evropiane të shekullit XX.

Azem Shkreli, “Poezi”

Është njëri nga poetët më të mirë të letërsisë bashkëkohore shqipe, figurë e fuqishme integruese e letërsisë shqipe: poezia e tij, për aq sa lexohet dhe analizohet, funksionon pa dallim në mbarë hapësirën letrare shqiptare. Është poezi kryekëput meditative, me shtresime të thella kuptimore dhe me shprehje të kultivuar gjuhësore dhe artistike. Heroi lirik i poezisë së Azem Shkrelit nuk është as kosovari dhe as shqiptari pasionant dhe euforik, por shqiptari racional, meditativ. Ky hero lirik asnjëherë nuk bëhet pjesë e turmës, pra nuk është hero kolektiv, përkundrazi, është individualist i fuqishëm, që mediton për tema të përjetshme si liria, qëndresa, dashuria, vdekja etj. Poezia e Azem Shkrelit përdor gjuhë dhe shprehje të kursyer dhe shquhet për gjetje origjinale në fushën e figurës poetike. Vepra letrare e Azem Shkrelit ka tiparet e njeriu të urtë, që mediton shumë dhe flet pak.

Ali Podrimja, “Lum Lumi”

Të paktë janë librat e poezisë si “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, që mbeten në vëmendje të lexuesit për një kohë kaq të gjatë, jo me ndonjë poezi, me ndonjë varg, me ndonjë motiv apo metaforë, por libri si tërësi. “Lum Lumi” vazhdon të jetë në vëmendje të lexuesit dhe të studiuesve të letërsisë. Ai u bë libër-emblemë i poezisë shqipe, një libër i veçantë, që shënon një kthesë me modernitetin e shprehjes, me emancipimin përmbajtësor, me një gërshetim jashtëzakonisht të suksesshëm të shprehjes së kultivuar dhe subjektit me referenca krejtësisht të qarta kuptimore. “Lum Lumi” është liria e panënshtruar për të shprehur dhembjen, është liria për të ndjerë, është liria për të vuajtur, është liria për të klithur, është liria për të thënë atë që ndjen. Për ta bërë “Lum Lumin” Ali Podrimjes iu desh shumë dhembje dhe po aq fjalë-figura dhe shprehje të gjetura. Në këtë libër elokuenca poetike e Podrimjes njeh depërtime të jashtëzakonshme.

Zija Çela, “Gjysma e Xhokondës”

Njëra nga veprat më të rëndësishme në opusin e krijimtarisë së Zija Çelës, për mua e veçantë, sepse, bashkë me romanin “Gjaku i dallëndyshes”, hap fazë të re të krijimtarisë letrare të këtij autori dhe manifeston qëndrueshmëri në tranzicionin e vështirë letrar të periudhës pas realizmit socialist në letërsinë e Shqipërisë. Me këtë roman Zija Çela bëhet model i frymës së re në prozën shqipe, e cila konsiston në përvetësimin kreativ dhe selektiv njëkohësisht të pluralizmit të shkollave letrare, duke ruajtur drejtpeshimin ndërmjet zërit të vet origjinal dhe kërkesave në rritje të lexuesit shqiptar. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë që nuk arritën të ecnin në hap me kohën dhe me zhvillimet e saj dinamike, me këtë roman Çela bëhet autor që letërsinë e tij e vendos në raporte komunikimi dhe konkurrence me prozën bashkëkohore kontemporane, sepse, nga njëra anë, ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa, nga ana tjetër, me tematikën e veprave të tij qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, duke u bërë jehonë pësimeve dhe dilemave të saj.

Vath Koreshi, “Ujku dhe Uilli”

Pavarësisht se konsiderohet roman me tezë të paravendosur, ku e mira dhe e keqja kanë fatin e paracaktuar, ky roman i Vath Koreshit shënon një sukses të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe pas kthesës së madhe të viteve ’90. Romani është një dëshmi se letërsia shqipe, pas shkërmoqjes së realizmit socialist, kishte potencial të brendshëm të rigjenerohej, veçmas romani, dhe të njihte depërtime të reja subjektore dhe gjuhësore. Romani është i rëndësishëm, sepse hap shtigje dhe ofron njërin nga variacionet e “ritregimit” të historisë, ndryshe nga ç’ishte rrëfyer historia deri atëherë: romani është histori ngjarjesh dhe rrethanash, por më shumë është histori lirike e dashurisë dhe pasionit, e vuajtjes dhe mbijetesës. Megjithëqë që sërish të skematizuar, autori i nxjerr personazhet nga skema ideologjike dhe i vendos në kufizime të tjera, duke bërë me dije se liria e vërtetë nuk ekziston, se ajo ka kufizime të tjera ekzistenciale, filozofike dhe botëkuptimore. Më anë tjetër, me këtë roman autori bën kërkime dhe depërtime gjuhësore të rëndësishme në nivel të prozës sonë romanore. /KultPlus.com

Kraja i kthen letrën Akademisë Suedeze: Duke mbrojtur Handken ju e mbroni Millosheviqin

Mehmet Kraja, kryetari Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i ka shkruar edhe një letër Akademisë Suedeze për çmimin Nobel që i është dhënë Peter Handkes.

Kraja në letrën e parë kishte kërkuar që të anulohet çmimin Nobel që i ishte dhënë Handkes.

Një muaj më vonë ASHAK mori një letër nga Akademia suedeze ku shkruhej se çmimi Nobel për letërsi i është dhënë Peter Handkes për veprën që ka krijuar dhe jo për personalitetin e Handkes.

Kraja i është përgjigjur kësaj letre duke i thënë se është mbetur thellësisht i zhgënjyer, për mënyrën se si sipas tij janë keqpërdorur parimet për të arsyetuar një dështim të pashembullt.

“Duke mos qenë afër zhvillimeve në Ballkan, ju duket se nuk e keni ndërmend të kuptoni se duke mbrojtur Handken, ashtu siç bëni në letrën tuaj, ju mbroni Millosheviqin dhe, duke mbrojtur Millosheviqin, ju mbroni gjenocidin dhe, duke mbrojtur gjenocidin, ju jeni pozicionuar në anën e errtë të historisë, duke ngritur në piedestalin më të lartë një shkelës të egër të vlerave humane”, ka thënë Kraja në këtë letër. /KultPlus.com

Ja letra e plotë:

Akademia Suedeze i përgjigjet kryeakademikut Kraja: E vlerësuam veprën e Handkes, jo atë

Akademia Suedeze ia ka kthyer letrën kreut të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Krajës, lidhur me kërkesën e këtij të fundit që të anulohet çmimi Nobel, i dhënë për shkrimtarin austriak proserb, Peter Handke.

“Të zhgënjyer thellësisht me ndarjen e sivjetshme të Çmimit Nobel, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës kërkon të anulohet ky vendim i Akademisë Suedeze, si akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”, kishte shkruar Kraja në letrën e tij dërguar akademisë suedeze më 10 tetor 2019, ku kishte numëruar radhazi gjithë ato që Handke kishte thënë për regjimin e Millosheviqit.

Ndërkohë në letrën që Akademia Suedeze i ka kthyer Krajës thuhet se Çmimi Nobel për Letërsi i është dhënë Peter Handkes për veprën që ka krijuar dhe jo për atë që Handke është personalisht.

Tutje thuhet se ndarja e një çmimi të tillë është bërë në përputhje të plotë me testamentin që e kishte lënë Alfred Nobel.

Më poshtë e gjeni letrën e plotë të Akademisë Suedeze dërguar kreut të ASHAK-ut, Mehmet Krajës:

I nderuar Z. Kraja,

Ju faleminderit për shqetësimin tuaj të sinqertë. Komiteti i Nobel-it i ka vlerësuar qëllimet që qëndrojnë pas veprës letrare të zotëri Handke në mënyrë tjetër nga ju dhe Komiteti ka arritur në përfundimin se vendimi për dhënien e çmimit për të është në pajtim të plotë me qëllimin e shprehur në testamentin e Alfred Nobelit. Është e qartë se Handke kuptohet në mënyra të ndryshme. Çmimi Nobel ndahet për arritje. Kur një Handke shpërblehet me çmim, synimi është të vlerësohet vepra e tij e jashtëzakonshme letrare, e jo personi. Çmimi Nobel për fizikë ose kimi ndahet për zbulim, pavarësisht nga personi; çmimi në letërsi ndahet për zbulimin dhe zhvillimin e një mënyre të re të të shkruarit, pavarësisht nga personi. Vetëm vlerësimi estetik dhe asgjë tjetër përpos këtij vlerësimi është mesazhi që nënkupton ndarja e këtij çmimi.

Komiteti beson se në një shoqëri të hapur duhet të ketë vend për mendime të ndryshme për autorët dhe se duhet të ketë vend për interpretime të ndryshme dhe të arsyeshme të veprave të tyre letrare. Ne duhet të përpiqemi të respektojmë secilin, pavarësisht nga pikëpamjet e krejtësisht të ndryshme për çështje të rëndësishme. Në kuptim të kësaj që u tha gjithashtu besojmë se është e rëndësisë më të lartë në funksion të demokracisë dhe një dialogu të arsyeshëm që ne kemi vendosur të mbështetemi në gjetjet e ligjshme të gjykatave të tilla si Tribunal i Hagës. Gjetjet e Tribunalit për ne janë pjesë thelbësore e të kuptuarit të historisë tragjike të Evropës, nga e cila të gjithë shpresojmë se mund të mësojmë.

Ju sigurojmë për respektin dhe konsideratat tona më të larta.

Anders Olsson

Kryesues i Komitetit të Nobeli

Washington Post publikon letrën e Mehmet Krajës, drejtuar Akademisë Suedeze

Akademia Suedeze, këtë vit ngjalli debate të mëdha, pasiqë dekoroi me çmimin më të rëndësishëm, një njeri që ishte përkrahës i Miloseviçit, shkruan KultPlus.

Shumë shkrimtarë, artistë e fytyra të njohura kombëtare e ndërkombëtare reaguan në mënyra të ndryshme dhe shfaqën pakëknaqësitë e tyre në raport me nobelistin më të ri, Peter Handke.

Mehmet Kraja, Kryetari i Akademisë së Shkencës dhe Artit në Kosovë, letrën që ia ka drejtuar Akademisë Suedeze, i është publikuar edhe në gazetën e njohur amerikane Washington Post.

Bashkangjitur gjeni linkun:

https://www.washingtonpost.com/opinions/2019/10/18/why-was-nobel-prize-awarded-man-who-celebrated-war-criminal/?outputType=amp&fbclid=IwAR0vrD39zalnOnW2yZ57tyj_5NrdEg68IGLpN3gOkdghau93X8EIST-qC7w

/KultPlus.com

Mehmet Kraja zgjidhet kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Akademiku Mehmet Kraja është zgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Zgjedhja e tij në krye të ASHAK-ut është bërë në mbledhjen e sotme të këtij institucioni.

Kjo e fundit deri në qershor ishte drejtuar nga akademiku Nexhat Daci i cili ishte zgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 21 dhjetor të vitit 2017 në zgjedhjet e rregullta.

Vendimi që Daci të mos e ushtronte më funksionin e kryetarit ishte marrë nga organet ligjore dhe statutare, legale dhe legjitime të ASHAK-ut më 11 qershor të këtij viti pasi ai i kishte mbushur 75 vjet.

Deri më sot këtë funksioni e kishte ushtruar, akademik Jusuf Bajraktari. /KultPlus.com

Shkrimtari Kraja flet për bashkimin kombëtar: Kosova nuk bëhet provincë e Shqipërisë

Shkrimtari Mehmet Kraja i ftuar në studion e RTV ORA shprehu qëndrimin e tij kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Ai tha se Kosova nuk mund të jetë një provincë e Shqipërisë.

Mehmet Kraja: Kosova asnjëherë nuk ka qenë provincë, nuk arriti të bëhej. Tani më pak se çdo herë tjetër mund të jetë dhe mund të bëhet provincë e Shqipërisë. Që nga dita kur u shpall pavarësia Kosova nuk bëhet provincë e Shqipërisë dhe nuk duhet të shihet si e tillë. Se çfarë ndodh pas 20 viteve në politikë, nuk dihet, por dimë një gjë: Të fusësh në opsion çështjen e bashkimit kombëtar me një lloj aneksimin të Kosovës është no sens, nuk bëhet kjo, nuk do të ndodhë. Është të harxhosh energji dhe të flasësh marrëzira. 

Kraja kritikoi Ramën, i cili ka shpallur Serbinë si partner strategjik.

Mehmet Kraja: Aty u shpall Serbia si partner strategjik i shqiptarëve. Kjo është ajo fjalia e famshme dhe fatkeqe e atyre mbledhjeve, sepse ndonjëherë thuhen gjerat në mënyrë të pamenduar dhe banale. Serbia nuk mund të jetë partnere. Një shtet që ka luftuar shqiptarët në të gjitha format deri në formën e gjenocidit dhe menjëherë të shpallet si partner strategjik, kjo ishte një gjë absurde. Ti thuash kosovarëve këtë gjë në shtëpinë e tyre, është ti fyesh.

Në Akademi kanë hyrë njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty

0Akademik Mehmet Kraja ka dhënë shumë intervista për mediume të ndryshme por, kam përshtypjen, nuk është përgjigjur askund më gjatë sesa për revistën “Akademia”.

Këtu ka dhënë përgjigje të menduara mirë dhe të shprehura qartë që nga procesi i krijimit të një vepre deri me rastin e promovimit të saj.

Kryesisht ka folur për romanet e veta, e sidomos për “Prishtinën”, të cilin, meqë e ka të fundit, e pëlqen më së shumti. Kraja shkruan letërsi sepse e ndien si frymëmarrjen. Dmth., s’do ta ndërpretë shkrimin asnjëherë derisa të jetojë.

Ka folur edhe për punët që ka bërë dikur në redaksi të medieve të shtypura, edhe për punën që bën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Disa shkrimtarë dhe studiues i kritikon fort, disa të tjerë i mbron për arsyet që i jep në përgjigje. I sulmon edhe disa institucione kulturore dhe arsimore. Ndërkaq, disa juri letrare i quan “klane letrare”.

Për që shprehet kështu, akademik Kraja i ka arsyet e veta për to. Ato i keni në përgjigje. “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, të cilin s’ka lënë kush pa e kritikuar dhe pa e “kryqëzuar”, Kraja e quan veprën më të mirë kolektive. Së këndejmi, s’e mohon plagjiaturën në Akademi, po disa vetave ua jep këtë këshillë: “Nuk bëhet karriera letrare, as shkencore, duke bërë kujdestarin e gabimeve të të tjerëve”. Duke bërë krahasim të punës së këtyre institucioneve ndër vite dhe të drejtuesve të tyre, Kraja ka thënë se disa nga shkrimtarët më në zë kishin mbështetës politikë.

I nderuar profesor dhe shkrimtar, z. Mehmet Kraja, ju faleminderit që nuk hezituat të përgjigjen në pyetjet e kësaj interviste. Dëshiroj ta fillojmë intervistën me pyetjen më të zakonshme, në të cilën duhet të na përgjigjeni në vetën e tretë: Kush është Mehmet Kraja, kur ka filluar të shkruajë, kur të botojë, kur të kritikojë…?

Mehmet Kraja: Jam shkrimtar dhe publicist me një karrierë gati pesëdhjetëvjeçare. Në vitet 1974-’76 isha kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”, më pas, për shumë vjet, gazetar dhe redaktor në gazetën “Rilindja”. Në fillim të viteve ’90 u mora me veprimtari politike: isha një nga ideatorët dhe themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Më 1992 u bëra përgjegjës i zyrës së Kosovës në Tiranë, të cilën e braktisa shpejt, por nuk u ktheva në Prishtinë deri në mbarim të luftës, në qershor të vitit 1999 (pesë vjet punova redaktor në botimin e gazetës “Rilindja” në Tiranë prej nga, më 1998, më nxorën nga puna kolegët dhe “miqtë” e mi, sepse tashmë e kisha braktisur LDK-në). Gjatë kohës së socializmit dhe në periudhën e autonomisë nuk isha as i privilegjuar, as i persekutuar: nuk bëra kurrë një deklaratë, as denoncova njeri; nuk spiunova askënd dhe askujt nuk iu bëra dëshmitar. Nëse dikush e vërteton të kundërtën, mos ta presë hapjen e dosjeve, le të dalë ta thotë publikisht. Edhe në atë kohë shkrova shumë tekste publicistike, por kurrë dhe asnjëherë nuk shkrova qoftë edhe një tekst të vetëm, qoftë edhe një frazë me kontekst antishqiptar. Nëse dikush gjen diçka të tillë, le ta nxjerrë faqe botës. Pas vitit 1999 isha redaktor i kulturës në gazetën “Zëri”, më pas redaktor i shtojcës për kulturë në gazetën “Koha ditore”, nga viti 2002 profesor në Fakultetin e Arteve dhe nga viti 2005 anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Përveç veprave letrare, kam botuar me mijëra faqe tekste publicistike, kryesisht me angazhim kritik, të cilët më kanë dhënë njohje publike, por edhe më kanë shkaktuar andralla të mëdha, sepse ta kultivosh diskursin kritik në një ambient provincial nuk është punë e lehtë.

Pastaj, na thoni, përse shkruani?

Mehmet Kraja: Shkrimi është vokacioni im jetësor, është mrekullia e jetës. Në këtë pikë unë jam njeri me fat, sepse e zotëroj shkrimin në dy variantet e tij themelore: në letërsi dhe në publicistikë.

Mrekullinë e letërsisë e ndiej si frymëmarrjen

Çfarë është për ju letërsia dhe pse shkruani prozë me elemente jetëshkrimi?

Mehmet Kraja: Është mënyra e vetme për ta kuptuar botën dhe universin, është art që përfshin ndjesitë dhe mendimin, që depërton në kuptimet më të errëta dhe ndjenjat më të holla. Por, para së gjithash, letërsia është gjuha, mrekullinë e së cilës e ndiej si frymëmarrjen, si pulsin që më mban gjallë. Është pikërisht proza ajo që të jep mundësi të pafundme jo vetëm të shprehesh, por edhe të ndërtosh nëpërmjet saj një botë që nuk është e ngjashme me asnjë botë tjetër. Kur shkruaj prozë unë pretendoj se bëj pikërisht këtë: sundoj fjalët, sundoj sintaksën e fjalisë, pra sundoj gjuhën, të cilën e përdor për të përshkruar pamje të pangjashme, të shpreh mendime, pikëpamje, ndjesi, të krijoj një botë të tërë, e cila është më e mira nga të gjitha botët, sepse është bota ime, e tillë siç e shoh unë. Kjo është proza, ky është romani, ky është shkrimi letrar. Ndërsa për jetëshkrimin, që thoni ju, duhet ta keni para sysh se shkrimtarët nuk bëjnë gjë tjetër përveçse shkruajnë për jetën e tyre, vetëm se aty nuk do të kuptoni asnjëherë se ku mbaron realja dhe ku fillon fiksioni. Në të vërtetë, kot thuhet se në romanet e mi ka elemente biografike, asnjëri nuk është biografi e njëmendët, madje as romani i fundit “Prishtina”. Në letërsi, njësoj si në punët e zakonshme, sekush del e thotë një gjë pa rëndësi dhe ajo më pas përsëritet pa fund, askush nuk lexon veprat dhe kështu krijohen “opinionet letrare” në formën e thashethemeve.

Unë shkruaj poezi

Dimë që nuk keni botuar, po duam të dimë përse nuk shkruani poezi?

Mehmet Kraja: Poezi? Unë shkruaj poezi. Në romanet e mi ka faqe të tëra me përshkrime lirike, ka metafora, ka ndjeshmëri poetike, ka poezi të përfshirë në tekste dhe situata të ndryshme, vende-vende ka edhe “gjedhë” poetike dhe kjo ndodh për shkak se unë përpiqem ta letrarizoj tekstin dhe në tekstin letrar, në tekstin e letrarizuar, asnjëherë nuk do ta gjesh kufirin që ndan prozën nga poezia. Ndërkaq, me raste, e lexoj edhe poezinë, atë që shkruhet në vargje. Lidhur me poezinë tonë, me këtë rast dua ta shpreh mendimin tim, se që një kohë poezia te ne e ka humbur aktin solemn dhe të lartësuar të bërjes së artit dhe është kthyer në akt të zakonshëm të vetëshkatërrimit nëpërmjet rutinës dhe epigonizmit. Poezisë së brezit të ri, të formuar pas viteve ’90, po t’ia heqësh Bob Dylanin dhe disa kantautorë të tjerë më pak ose më shumë të njohur, mbetesh pa mend sa pak origjinalë dinë të jenë në kultivimin e vargut. Mungesat që manifestojnë poetët tanë të brezit të ri në gjuhë dhe figurë nuk janë aq shpresëdhënëse. Poeti që kishte ndjeshmëri të veçantë për gjuhën poetike dhe që diti ta ndërtonte sistemin e vet të figuracionit ishte Basri Çapriqi.

Kritikës letrare i besoj fare pak

Jeni autor i rreth tridhjetë veprave letrare. Sa më kujtohet, veprimtarinë letrare të botimit e keni filluar në vitin 1974, me librin me tregime “Dritat e mesnatës”. Pastaj keni botuar romane, tregime, novela, drama, publicistikë. Edhe keni përkthyer vepra të letërsisë botërore. Po të bëja një bibliografi për krijimtarinë tuaj, del se keni botuar: trembëdhjetë romane (“Gjurmë në trotuar”, “Portali i perëndive të fyera”, “Moti i madh”, “Udhëzime për kapërcimin e detit”, “Sëmundja e ëndrrave”, “Net bizantine”, “Muri i mjegullës”, “Edhe të çmendurit fluturojnë”, “Im atë donte Adolfin”, “Selvitë e Tivarit”, “Hotel Arbëria”, “E kuqja dhe e zeza”, “Prishtina”), pesë libra me tregime dhe novela (“Dritat e mesnatës”, “Vdekja pa emër”, “Portat e qiellit”, “Njëzet tregime për kohën e shkuar”, “Hija e qershisë nën dritën e hënës”), dy libra me disa drama (“Tri drama”, “Drama”), një libër me kritika (“Shoqërime”), një libër me kujtime (“Mirupafshim në një luftë tjetër”), tre libra publicistikë (“Vite të humbura”, “E shtuna ime”, “Identiteti kosovar”). Kritika shqipe i ka pritur mirë këto vepra, kurse lexuesit kam parë se kanë përmendur t’u kenë lënë shije më të mirë romani “Edhe të çmendurit fluturojnë”, “Im atë donte Adolfin”, “E kuqja dhe e zeza”. Cilin e pëlqeni ju më shumë prej këtyre që keni botuar?

Mehmet Kraja: Po, kjo është bibliografia ime, të cilën e keni gjetur të shkruar diku, por e keni bartur këtu me disa pasaktësi: nuk kam përkthyer shumë vepra të letërsisë botërore (vetëm një, “Mjeshtri dhe Margarita” të Mikhail Bulgakovit); janë katër libra me tregime, jo pesë (i pesti është përzgjedhje) dhe nuk kam shkruar asnjë libër me kujtime (“Mirupafshim në një luftë tjetër” është libër publicistik). Po ta hartonit zërin për mua në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës do të dilte se nuk i keni shënimet e sakta dhe se për këtë do të meritonit një kritikë të ashpër publike të stilit “Fjalor i gabimeve enciklopedike” të RTK-së! Megjithatë, sikundër mund të shihet, esencën e kësaj pyetjeje nuk e përbëjnë gabimet, por diçka më substanciale: një autor i gjendur midis veprave të veta, për të cilat duhet të shprehet, duke u përpjekur të formësojë një mendim jo aq subjektiv. A është e mundur kjo? Unë mendoj se jo, sepse letërsia nuk është shkencë ekzakte, është art dhe arti është subjektiv në të gjithë përbërësit e tij. Me anë tjetër, pamundësia për të zgjedhur lidhet edhe me një aspekt tjetër të procesit krijues: po të përcaktohej për një vepër, askush nga autorët nuk do të shkruante një vepër tjetër. Pra, shkrimtari gjithnjë kërkon ta shkruajë kryeveprën e vet dhe veprën e radhës ai synon ta bëjë më të mirën, më të përsosurën. Prandaj, për mua, besoj edhe për shumë shkrimtarë të tjerë, vepra e fundit duhet të jetë më e mira, ajo që pëlqehet më shumë nga autori. Për mua më i pëlqyeri i bie të jetë romani “Prishtina”, i fundit në ciklin e veprave të mia.
Ndërkaq, sa i përket kritikës letrare, meqë nuk i besoj, ose i besoj fare pak, mendoj se duhet të shprehem pak më qartë për këtë çështje. Në kritikën tonë letrare, dhe në studimet tona për letërsinë, që një kohë ka ndodhur shkarje, e cila duket se është e pariparueshme: që dyzet vjet e këndej kjo kritikë letrare dhe këto studime merren me veten e tyre, më shumë me metodën sesa me objektin e studimit ose të trajtimit. Pastaj, që dyzet vjet dhe më shumë studimet tona për letërsinë marrin për model të njëjtit autorë: Bartin, Todorovin, Zhenetin dhe ndonjë tjetër po të kësaj provenience. E dini cilës letërsi i përgjigjeshin këta studiues? Autorëve të ekzistencializmit dhe më pas të anti-romanit dhe anti-dramës: Sartrit, Kamysë, Beketit, Joneskos, Natali Sarrot, Klod Simonit etj. Importimi i modeleve të shkrimit të kritikës dhe të studimeve letrare te ne, së fundi edhe në Shqipëri, ka marrë përmasat e lëndimit serioz të shkrimit diskursiv për letërsinë. Deri në këtë pikë kanë shkuar marrjet joselektive në këtë fushë, sa edhe periodizimi i letërsisë shqipe, ta zëmë, bëhet sipas modelit të letërsisë kroate, pikë për pikë. Ndërkaq, studimet tona letrare e kanë “privatizuar” letërsinë: doktorantët dhe të gjithë ata që varen nga katedra, ose që duan të arrijnë tituj dhe prestigj në këtë fushë, duhet t’u referohen autorëve të caktuar, ndryshe nuk bëhet. Dikur këtë e bënte një klan, tani e bën një klan tjetër; më herët R. Qosja me mbështetësit e vet, më vonë S. Hamiti, Z. Rrahmani, K. Shala etj. Ky uzurpim i studimeve letrare çoi deri te rreziku serioz që të mbyllen katedrat e albanologjisë, përfshirë edhe Institutin e Albanologjisë për shkak të mungesës së kuadrit ose kuadrit jocilësor. Në këto studime mua më përmendin me ndonjë fjali ose paragraf, vetëm pse nuk mund të më anashkalojnë në tërësi, ose ushqejnë iluzionin se vota ime në Akademi mund t’iu bëjë ndonjë favor. Ky përdorim kaq banal i shkrimeve për letërsinë, përveçse ndot ambientin kulturor, krijon situatë dëshpëruese për të gjithë ata që duan të merren me letërsi.
Më lejoni të them këtu se lexuesi nuk është kategori e qëndrueshme kulturore dhe pothuajse asnjëherë nuk funksionon si masë për vlerësim. Aq më parë kur dihet se letërsia e Kosovës, që nga fillimet e saj, ishte letërsi me ndikimin minimal të lexuesit, për të mos thënë se ishte letërsi pa lexues. Kushdo që e lexon këtë që them unë tani, do të krijojë idenë se bëhet fjalë për një mungesë të madhe dhe defekt të rëndë, me të cilin qenka përballur letërsia e Kosovës. Çuditërisht, një situatë e këtillë i ka pasur dhe i ka favoret e veta, sepse bëhet fjalë për një ambient kulturor, ku lexuesi është i paktë dhe pa shije letrare. Kur lexuesi ka mungesa të mëdha në formim, është më mirë që mos ta ketë fuqinë e ndikimit, sepse shkatërron fare lehtë një produkt letrar. Kështu, në një periudhë pak më të hershme, lexuesi popullor i Kosovës konsumonte letërsinë e Rilindjes dhe të realizmit socialist të Shqipërisë, më pas filloi të ndihej i liruar nga nevoja për të konsumuar letërsi dhe tani ndihet i lirë mos të konsumojë asgjë që ia ushqen shpirtin dhe mendjen. Kjo bëri që letërsia e Kosovës të zhvillohet e pandikuar nga lexuesi, siç janë zhvilluar shumë letërsi në shekullin XIX, në kushtet e një analfabetizmi masiv. Prandaj, them unë, po të mbështetej te recipienti, nuk do ta kishim kurrë në letërsinë e Kosovës as Azem Shkrelin, as Ali Podrimjen, në pikturë nuk do ta kishim Muslim Mulliqin dhe as në teatër kurrë nuk do të luhej “Erveheja” e Muharrem Qenës. Me një fjalë, lexuesi le ta bëjë punën e vet, unë timen. Tekefundit, pse unë duhet të kërkoj që të më vlerësojë një lexues i supozuar, kur e di se vetë shkrimtarët nuk lexojnë njëri-tjetrin, madje nuk lexojnë as ata që merren profesionalisht me këtë punë. Nëse doni, bëjeni një anketë me shkrimtarë dhe studiues për veprat e botuara në dhjetë vitet e fundit të letërsisë së Kosovës, apo në letërsinë shqipe në përgjithësi dhe do të shihni sa të turpëruar do të dalin.

Juritë, në shumicën e rasteve, janë pjesë e klaneve

Veprat që përmenda më parë ju kanë sjellë edhe çmime, si: Çmimin vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Moti i madh”, 1981); Çmimin “Hivzi Sulejmani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozën më të mirë (për përmbledhjen e tregimeve “Vdekja pa emër”, 1995); Çmimin e shtëpisë botuese “Toena” për prozën më të mirë nga pesëqind titujt e botuar (për romanin “Muri i mjegullës”, 1998); Çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Muri i mjegullës”, 1999); Çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për përmbledhjen “Njëzet tregime për kohën e shkuar”, 2001); Çmimin “Azem Shkreli” të Ministrisë së Kulturës së Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Edhe të çmendurit fluturojnë”, 2004); Çmimin “Mitrush Kuteli” të Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë (për përmbledhjen e tregimeve “Hija e qershisë në dritën e hënës”, 2007); Çmimin “Petro Marko” të Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë (për romanin më të mirë të vitit, “Selvitë e Tivarit”, 2008). Dmth., edhe keni punuar shumë, po edhe jeni vlerësuar për një punë të bërë mirë. Sa ju kanë motivuar këto çmime që të botoni libra të tjerë?

Mehmet Kraja: Nuk besoj se kishit nevojë t’i numëronit gjithë këto çmime, vetëm nëse dëshironi t’ua kujtoni të tjerëve që e lexojnë intervistën. Është e vërtetë se kam marrë shumë çmime por, po ashtu, është e vërtetë se, së fundi, jam refuzuar në dy raste, ku kam qenë i nominuar: për romanin më të mirë dy vjet më parë dhe për vepër jetësore vitin e shkuar. Në të dy rastet kam qenë i propozuar nga Akademia. Dhe kurrë më, me dijeninë time, nuk do të jem kandidat për çfarëdo çmimi që mund të vijë nga kjo ministri. Kjo nuk do të kishte ndonjë rëndësi sikur të mos kishim të bënim me një fenomen kulturor tërësisht të deformuar i cili arrin deri në këtë pikë të pabesueshme: pasi nuk m’u dha çmimi për romanin më të mirë (për romanin “E zeza dhe e kuqja”), takoj njërin nga anëtarët e jurisë, i cili, supozova se, mbase i gjetur ngushtë, nxori arsyetimin se romani im ishte hequr nga konkurrenca sepse ishte botuar nga një botues i Shqipërisë dhe se këtë e kishte bërë vetë ministri i Kulturës, Kujtim Shala. Kjo ishte gjëja më e shëmtuar që kisha dëgjuar ndonjëherë, prandaj u shpreha publikisht se për një veprim kësisoj, nën trysninë e opinionit kulturor dhe letrar, do të duhej të kishin dhënë dorëheqje anëtarët e jurisë (Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Agron Gashi, Xhevat Syla dhe një tjetër që nuk e mbaj mend) dhe vetë ministri. Sikundër mund ta merrni me mend, nuk kishte kurrfarë reagimi, asnjeri nuk u mor me këtë çështje, në një kohë që shteti i Kosovës, institucionet e kulturës dhe komuniteti kulturor e kanë gojën plot me integrime kombëtare e gjepura të këtilla. Meqë ra fjala, dy çmimet kryesore, njërin për roman dhe tjetrin për tregim në Shqipëri, i kam marrë pikërisht nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, megjithëqë isha shkrimtar i Kosovës. Të gjithë këta anëtarë të jurisë i kam takuar herë pas here vetëm se asnjëri prej tyre nuk pat kurajën të më shikonte në sy dhe të thoshte: Nuk ta dhamë çmimin sepse romani yt nuk ishte gjë! Pra, një çmim që u keqpërdor dhe një juri që u përdor për një “agjendë” idiote të një ministri çapraz. Në të vërtetë, unë asnjëherë nuk jam marrë me punë çmimesh dhe jurish, dhe as këtë herë nuk do të merresha sikur të mos bëhej fjalë për një fenomen kulturor të deformuar, i cili është maja e ajsbergut e një banditizmi kulturor që tashmë na ka përfshirë. Nuk kemi pse fajësojmë të tjerët, është vetë komuniteti kulturor i paqëndrueshëm, primitiv, provincial, mediokër, i degraduar, i cili klanet kulturore i ka kthyer tashmë në banda që po shkatërrojnë çdo gjë. Juritë, në shumicën e rasteve, janë pjesë e këtyre bandave.

Letërsia brenda vetes nuk i njeh përkufizimet teorike

Realizimin e kësaj interviste e vonova pak kohë sepse, ndër të tjera, i lexova edhe disa prej veprave tuaja që më kishin mbetur pa lexuar e që i kisha lënë në raftet e bibliotekës sime në banesë. Sa kam vënë re, ju nuk bëni eksperimente në roman, pra as që e shkoni në mendje të shkruani roman postmodern. Trilli juaj është postrealist, veçse ironia në të është më e egër dhe më tallëse se në romanet postmoderne. Personazhet e trillit tuaj edhe janë dramatikë, edhe komikë. Njashtu është edhe rrëfimi i rrëfimtarit (autorit). Po i njëllojtë duket edhe përshkrimi i ngjarjeve dhe veprimeve të personazheve tuaj që janë shqiptarë, të cilët nuk përtojnë t’ia ngulin thikën njëri-tjetrit edhe kur nuk fitojnë asgjë nga kjo e keqe. Përpiqeni, me këtë ironi dhe këtë vështrim dhe këto kritika, t’i bëni shqiptarët më të mirë dhe më të dobishëm për njëri-tjetrin?

Mehmet Kraja: Nga pyetjet që keni bërë nuk krijohet ndonjë ide e qartë se cilat prej veprave të mia i keni lexuar.

Jua përmend po qe se dëshironi.

Mehmet Kraja: Jo, kjo nuk ka rëndësi, vetëm se do të kërkoja prej jush kujdes më të madh në përdorimin e fjalëve të cilat pretendoni t’i ktheni në terma letrarë. Ju thoni: “Trilli juaj është postrealsit…” dhe më pas “Personazhet e trillit tuaj…”. Në Kosovë studiuesit e letërsisë kanë një prirje disi të çuditshme, që vetë të krijojnë terma letrarë për të dëshmuar kreativitet. Në këtë rast, është mirë ta shikoni edhe një herë në fjalor kuptimin e fjalës trill, sepse unë nuk jam shkrimtar me trille dhe, kur shkruaj, nuk trilloj. Kuptimi i fjalës është negativ dhe i tillë mbetet edhe kur bartet në rrafshin letrar. Në këtë kuptim, në kuptimin letrar, trillimi është niveli më i ulët i motivimit të rrëfimit, ndërsa trilli është shkarje psikosomatike që çon në veprime të pamenduara. Për ndryshim nga këto “trille”, unë rrëfej i mbështetur në një imagjinatë krijuese, e cila nuk është as postmoderne, as postrealiste. As eksperimenti nuk është masë për të vlerësuar ose mohuar një vepër letrare. Në përgjithësi, përkufizimet dhe emërtimet e këtilla asnjëherë nuk kanë çuar peshë në letërsi dhe në procesin krijues, aq më pak te lexuesi i supozuar. Ato janë shpikur nga studiuesit letrarë për ta mbushur disi bjerrjen e kohës, ndërsa te ne u jepet më shumë rëndësi se kudo tjetër. Ja, po jua sjell dy shembuj nga letërsia botërore për ta vërtetuar këtë: Romani i Oskar Ualldit, “Piktura e Dorian Grejit”, është shkruar në fund të shekullit XIX, kur nuk njihej as postmodernizmi dhe as postrealizmi si kategori dhe nocione letrare por, për mendimin tim, është një nga kryeveprat e letërsisë botërore, e cila edhe sot, pas kaq kohësh nga botimi, mund t’i japë lexuesit kënaqësi artistike dhe dije filozofike më shumë se tona të tërë veprash letrare e filozofike të këtij apo atij drejtimi. Në rastin tjetër, për Mishel Hollebekun e lexuar gjerësisht në Francë, një “denglaxhi” që ua ka gjetur dellin e “humorit të keq” francezëve të frustruar, nuk thotë njeri është modern, postmodern, realist apo postrealist. Ai thjesht lexohet për motive joletrare, kryesisht për mesazhe politike të “dizajnuara” me imagjinatë letrare ngaqë, aktualisht, për shkak të rritjes enorme të qarkullimit të informacionit, politika është bërë ushqim themelor për konsum të përgjithshëm. Por, sa jam në dijeni, francezëve nuk u bëhet vonë t’u japin romaneve të tij atribute postmoderniste, siç do të bënin te ne me shumë pasion teoriko-letrar, sikundër që nuk u dhanë atribute të tilla as romaneve të nobelistëve Modiano apo Le Klezio. Thënë me një fjalë, letërsia brenda vetes nuk i njeh përkufizimet teorike, por njeh kreativitetin autorial dhe, në rastin e romanit, formën e përshtatshme të rrëfimit, gjuhën e përshtatshme të rrëfimit etj. Te romani, tradicionalisht, forma më e përhapur e rrëfimit përfshin personazhet si bartës të veprimit. Këtë veçori e kanë të gjitha artet narrative, që nga antika e deri sot. Personazhet e mia natyrisht se janë shqiptarë, por që ata “ia ngulin thikën njëri-tjetrit”, kjo nuk besoj të jetë e saktë. Ata, si të gjithë personazhet e romaneve të botës, jetojnë dhe veprojnë në një ambient jetësor me nxitje rrethanash polivalente, nëse mund të thuhet kështu, por kanë edhe specifika dhe veçori që i dallojnë nga masa e madhe e këtyre personazheve imagjinarë, ndryshe nuk do të kishte arsye që të përfshiheshin në një rrëfim romani. Specifikat e tyre janë arsyeja pse ata ekzistojnë. Por çfarë janë ata? Njerëz që kanë jetuar dhe jetojnë me realitetin tonë, vetëm se herë-herë kanë edhe aftësinë e të vërejturit kritik ose gjykimit ironik të këtij realiteti. Me një fjalë, unë përpiqem të mos bëj personazhe që i imponohen realitetit, por vetje që burojnë prej tij. Sido që të jetë, unë mendoj se shkrimtarët nuk është mirë të flasin gjerë e gjatë për procesin krijues, sepse në shumicën e rasteve nuk e shpjegojnë si duhet atë e, nëse shkrimtarët, që janë subjekti kryesor i këtij procesi, nuk arrijnë ta shpjegojnë si duhet këtë fenomen, mund ta merrni me mend se sa gjëra të kota thonë për këtë proces ata që nuk marrin pjesë në të…
Ndërkaq, pjesa e fundit e pyetjes është një stereotip i njohur: E bëjnë dot shkrimtarët botën më të mirë? Nuk besoj. Por ata i japin kuptim jetës dhe njeriu, i cili që kur di gjë për veten kërkon me ngulm pikërisht këtë, që domethënë se arti dhe letërsia mund mos të kenë funksion utilitar, por gjithsesi kanë funksion sendërtar: ia plotësojnë njeriut zbrazësitë për të kuptuarit e universit dhe për shpjegimin e shumë enigmave të jetës.

Lindita Aliu-Tahiri më ka habitur me erudicionin

Studiuesja Lindita Aliu, më shumë se kushdo tjetër, edhe e ka lexuar më mirë, edhe është marrë më shumë me veprën tuaj, veçanërisht me romanin “Im atë donte Adolfin”. Duke i bërë analizë kësaj vepre, ajo thotë, me të drejtë, se Kraja, duke paraqitur realitetin historik, krijon metafiksionin historiografik, i cili duket në romanin “Im atë donte Adolfin”, po edhe në “Selvitë e Tivarit” e në të tjerë. Përpos kujtimit dhe rrëfimit, çfarë faktesh të tjera e përbëjnë metafiksionin historiografik?

Mehmet Kraja: Lindita Aliu-Tahiri ka bërë studimin monografik “Monologu, personazhi, autori”, pjesën më të madhe të të cilit ia kushton romanit tim “Im atë donte Adolfin”. Natyrisht, unë jam mirënjohës për këtë, ndërsa menjëherë më duhet të them se studiuesja më ka habitur me depërtimet e thella, me erudicionin, diskursin inteligjent dhe me aplikimin e suksesshëm të dijeve të avancuara të studimeve letrare, veçmas të arealit gjuhësor anglo-amerikan. Prandaj studimi i saj monografik është i veçantë dhe nuk ndjek skemën e zakonshme të dijeve letrare të konsumuara jashtëzakonisht shumë te ne, të cilat duket sikur vendnumërojnë që gjysmë shekulli e këndej por, në njëfarë mënyre, bën një bashkëkohësim dhe përafrim të këtyre studimeve me një “krah” tjetër të tyre dhe me teoritë e komunikimit, si më të avancuarat që konsiderohen aktualisht.
Tani të ndalemi pak te “metafiksioni historiografik” që u përmend këtu. Së pari duhet sqaruar se metafiksioni lidhet me prirjen dhe insistimin e autorit për t’ia bërë me dije recipientit se është duke lexuar një vepër imagjinare, në këtë rast një “konstruksion historiografik” imagjinar. Çka do të thotë kjo praktikisht në një vepër letrare? Se ngjarjet historike kanë variante dhe këndvështrime të ndryshme dhe një nga këto është edhe këndvështrimi i shkrimtarit. Këtë interpretim të veprave të mia letrare “Im atë donte Adolfin” dhe “Selvitë e Tivarit”, po edhe “E zeza dhe e kuqja” e konsideroj si të mirëqenë sepse, nga njëra anë, këto “histori” të miat nuk mund të jenë gjë tjetër vetëm variante të një korpusi ngjarjesh, të cilat, për shkak të pjesëmarrjes së gjerë të njerëzve në to, kanë edhe dimensione shumëplanëshe, ndonjëherë krejt të kundërta. Dhe unë nuk dua t’ia fsheh lexuesit këtë fakt, madje ai do të duhej ta kuptonte se autori është duke i rrëfyer një ngjarje që mund të ishte fare lehtë imagjinatë e tij. Te romani “Im atë donte Adolfin” paraprakisht kam vënë dy teza (megjithatë, romani nuk është rrëfim me tezë të paravendosur), se lufta ka anën e saj komike, varësisht nga vendi ku zhvillohet ajo dhe se çfarë synojnë personazhet; dhe, e dyta, ideologjitë e mëdha, siç janë fashizmi dhe komunizmi, në vende të vogla dhe te popujt e vegjël prodhojnë tragjedi të përmasave të mëdha. Te romani “E zeza dhe e kuqja” metafiksioni shkon një hap më tej: të rënët në ngjarje historike nuk i mbarojnë rrëfimet dhe bëmat e tyre në botën e të gjallëve, por historitë e tyre vazhdojnë edhe përtej, në botën e të vdekurve. Metafiksionin e kam përdorur më shumë te romani i fundit “Prishtina”. Te ky roman, paralelisht me rrafshin e ngjarjeve reale ose të atyre që i përngjasin realitetit, kam vendosur një sërë rrëfimesh, për të cilat e theksoj në rrëfim e sipër se janë të imagjinuara nga autori, kështu që aty-këtu në këtë roman mund ta gjeni shprehjen “Duke qenë se jam shkrimtar, unë nuk e kisha të vështirë të merrja me mend se çfarë ndodhi më pas…” ose diçka të ngjashme.
Dhe tani, çfarë përmban metafiksioni historiografik, pyetni ju, përveç kujtimit dhe rrëfimit? Unë asgjë nuk e ndaj dot nga rrëfimi sepse, sipas mendimit tim, çdo gjë në roman i referohet rrëfimit. Shpesh do të dëgjoni duke thënë se subjekti i romanit imponon rrëfimin e përshtatshëm etj. Unë mendoj të kundërtën: rrëfimi kërkon dhe gjen subjektin e përshtatshëm. Metafiksioni, ndërkaq, mendoj se është kategori që përfshin edhe subjektin, edhe rrëfimin, pra është njëlloj sinteze e dy komponentëve të brendshëm të romanit. Metafiksioni historiografik nuk besoj se mund të jetë gjë tjetër përveç rrëfim “historiografik” i përshtatur nga shkrimtari, i mbështetur mbi imagjinatën dhe të ashtuquajturën kujtesë kolektive. Pra, kujtesa kolektive është sfondi ku strukturohet rrëfimi. Po tjetër, pyesni ju. Çdo gjë, fate njerëzish, përjetime, gjendje reale dhe gjendje imagjinare, të gjitha këto të vendosura në një “realitet gjuhësor” rrëfyes, që është origjinal dhe i papërsëritshëm. Në romanin “Prishtina” edhe diçka më shumë: observime dhe shqetësime filozofike, më shumë se në çdo roman të letërsisë shqipe.

Shkrimtarët tanë hiqen sikur janë shkrimtarët më të mëdhenj të botës

Edhe pse nuk e bëni më punën e redaktorit të medias, zhvillimet e letërsisë shqipe i përcillni. Çfarë po krijohet sot më shumë dhe çfarë do të duhej të krijohej?

Mehmet Kraja: Mediokriteti është armiku më i madh i çdo letërsie dhe në këtë kohë pikërisht promovimi dhe vlerësimi i veprave mediokre zë vendin më të madh në jetën tonë kulturore dhe letrare. Natyrisht, rrënimi i sistemit të vlerave ka bërë që zhvillimet në letërsi të shkojnë në drejtim të gabuar në shumë raste. Unë nuk kam qenë asnjëherë ithtar i hierarkive as kombëtare, as shtetërore në letërsi dhe arte, sepse ato manipulohen, por as kështu nuk bëhet, të mos kuptohet asgjë, të mos merret vesh asgjë, një “pluralizëm” kaotik, në të cilën më së miri gjenden ata që bëjnë letërsi të dobët, ata që dinë ta manipulojnë median ose auditorin. Në këtë rrethanë, letërsia mediokre është ajo që e dominon letërsinë tonë gjithandej dhe kjo situatë, si të thuash, është e mirëseardhur për një numër të madh shkrimtarësh të cilët kryesisht bëjnë letërsi të tillë, janë të vetëdijshëm për këtë, por jetojnë të kënaqur, duke abuzuar me paaftësinë e ambientit kulturor që t’i dallojë vlerat nga jovlerat. Po e marrim një fushë që, mbase, pak njerëz e njohin si duhet, ku për një kohë më të gjatë dominuan mediokrit dhe që, më në fund, arritën të shkatërronin çdo gjë, pra dramaturgjinë. Në Shqipëri nuk shkruhet drama si gjini letrare, nuk ka pasur ndonjë zhvillim as në kohën e komunizmit, kurse më pas pushoi së ekzistuari. Kjo ndodhi për shkak se diktatura ushtronte një kontroll të madh mbi teatrin. Në Kosovë situata ishte pak më ndryshe, sepse teatri, me të cilin lidhej drama, pat një zhvillim më normal. Çfarë ndodhi, ndërkohë? Teatrot morën tatëpjetën e pakthyeshme, drama gjithashtu. Në teatrot shqiptare, kudo që ishin, u bë një luftë pa kompromis kundër dramës origjinale. Në mënyrë institucionale dramës iu vërsulen ministritë, teatrot, fakultetet e arteve, aktorët, regjisorët dhe, natyrisht, dramaturgët e katedrave, të cilët deshën (si askush tjetër!) ta shkëputnin dramën nga letërsia dhe ta zhvendosnin te medialiteti teatror, që në të vërtetë është improvizim i një lloji të veçantë. Këtë e bënë me sukses. Sot, çuditërisht, letërsia shqipe mund të jetë ndër letërsitë e pakta që nuk e kultivon dramën si gjini letrare. Kjo prodhoi dy situata paradoksale, antikulturore: drama shqipe nuk ekziston më, por më rënien e saj pësuan goditje edhe teatrot, të cilat kanë mbetur si rrënoja kulturore, që nuk i duhen më askujt. Ato tani i kanë marrë në dorë OJQ-të dhe, sa shoh, të gjithë janë të lumtur, sepse teatrot janë kthyer në çerdhe prostitucioni kulturor dhe kanë arritur t’i përjashtojnë shkrimtarët nga skenat e tyre. Kjo, si të thuash, është fitorja më e madhe (shkatërruese) institucionale mbi letërsinë, e cila nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë. Në të vërtetë, mua më vjen turp që jam bashkëkohës me këtë zhvillim kaq të shëmtuar në kulturën tonë dhe, pavarësisht se nuk kam asnjë mundësi të ushtroj ndikim, disi vetvetiu ndihem përgjegjës që, bashkë me komunitetin artistik dhe letrar, nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndryshuar këtë gjendje. Tani t’i kthehemi pyetjes: Çfarë krijohet dhe çfarë duhet të krijohet? Unë jam shkrimtar, jam brenda letërsisë dhe nuk mund të jap udhëzime por, edhe sikur të jap, askujt nuk do t’i hynin në punë. Di të them vetëm një gjë: duhet të bëhet më shumë letërsi e mirë, letërsi që shkruhet mirë, nuk ka rëndësi në është prozë, poezi, dramë, apo kritikë letrare. Të shkruarit keq është armiku më i madh i letërsisë, i të gjitha letërsive, prandaj edhe i letërsisë sonë. Dhe, si për inat, letërsi e dobët prodhohet aq shumë! Më pas vjen poza: shkrimtarët tanë hiqen sikur bëjnë mrekulli, sikur janë shkrimtarët më të mëdhenj të botës. Ç’është e vërtetë, në përgjithësi ne kemi letërsi të mirë dhe këtë e bëjnë një numër i kufizuar shkrimtarësh. Shumica nuk kanë përse mburren.

Shkatërrimi institucional kulturor nuk ndalet

Jetoni në kryeqytetin e Kosovës, në të cilin, më shumë se në cilindo qytet të saj, promovohet disi kultura dhe, po ashtu, disi arsimi dhe shkenca. Si ju duket veprimtaria kulturore, arsimore dhe shkencore që zhvillohet përreth jush, në seminare ndërkombëtare që organizojnë fakultetet, në konferenca shkencore të instituteve dhe të akademive?

Mehmet Kraja: E përmenda teatrin dhe ai është një episod, ndoshta më i pakëndshmi, por jo i vetmi. Në përgjithësi, institucionet tona kanë degraduar dhe nga dita në ditë bëhen gjithnjë e më keq. Shteti ndërtohet me institucione, këtë besoj se e kanë kuptuar të gjithë, ndërsa institucionet e kulturës, pavarësisht se nuk merren shumë në konsideratë, krijojnë identitetin e shtetit, dhe dinjitetin, natyrisht. Te ne, pas luftës, ndodhi një çrregullim i madh, një akulturim i tmerrshëm dhe një prirje vandaliste në institucionet e kulturës. Ne nuk arritëm të nisnim një lëvizje kulturore emancipuese, për të cilën kishim nevojë aq shumë, sepse kishim kaluar periudhën e rëndë të pushtimit dhe njerëzit, në përgjithësi, e kishin të domosdoshëm edukimin dhe emancipimin kulturor. Kjo nuk ndodhi. Tani vjelim pasojat. Me anë tjetër, gjatë periudhës së qeverisjes së ndërkombëtarëve, kultura kombëtare u konsiderua nacionaliste dhe me këtë frymë u edukua një gjeneratë e tërë e djemve dhe vajzave të UNMIK-ut, të cilët më pas morën në dorë OJQ-të dhe përgjithësisht të ashtuquajturën shoqëri civile. Ata volën fonde, duke kultivuar stereotipat e bashkim-vëllazërimit: bashkëjetesën midis komuniteteve, integrimin evropian si perde tymi për integrim në Serbi dhe mënjanimin kategorik të kulturës kombëtare. Tani UNMIK-u nuk është më, burimet e financimit janë shterë dhe shoqëria civile u është vërsulur institucioneve, përfshirë edhe ato të kulturës. Por ajo edukimin e ka marrë tek UNMIK-u. Ja një shembull si ka shkuar ky deformim, që sërish lidhet me teatrin: para disa vjetësh në Teatrin Kombëtar u zgjodh një bord, i cili, siç e thash, e quajti arritjen më të madhe mënjanimin e dramës origjinale nga skena. Ky bord bëri programin dhe në të përfshiu edhe “Tartufin” e Moilierit, me një regjisor rom nga Maqedonia. Fonde të konsiderueshme u morën nga Ministria e Kulturës dhe nga donatorë të ndryshëm, por shfaqja doli si “Koshtana” e Boro Stankoviqit. Në një tekst që shkrova me atë rast, unë e quajta “‘Tartufi’ i Vranjës”. Regjisori rom i periferive të Shkupit e bëri shfaqjen sipas formatit të tij kulturor, por ajo që doli si rezultat final, ishte hyrja e sërishme djallëzore e teatrit serb në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Unë e thash këtë publikisht dhe mora një “goditje të rëndë” nga shoqëria civile e Kosovës: më quajtën nacionalist racist dhe këputën edhe ca broçkulla të këtilla. Por ideatori i shfaqjes nga shoqëria civile, si me magji, u bë dramaturg i njohur, i financuar nga fondacione dhe OJQ me prapavijë krejtësisht joartistike dhe joteatrore. Tani, këta kalamaj të UNMIK-ut, të tillë që ka me shumicë në teatër, në artet figurative dhe në film, ndonjëherë edhe në letërsi, bredhin se nga bredhin dhe, kur u mbarohen paratë, kthehen në Kosovë që t’ia marrin komunitetit artistik edhe ato pak fonde që ua ndan buxheti i shtetit. Kjo ndodhi me Galerinë e Arteve, kur u rrënua një mur për të bërë një stallë dhe për të fyer një komunitet kulturor me një performancë krejtësisht joartistike. Ndërkohë, shkatërrimi institucional kulturor nuk ndalet. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës shkatërrimi i fondeve të librit nga vjedhja sistematike dhe nga vërshimi i ujërave të zeza vazhdon që gati njëzet vjet. Në Institutin Albanologjik dhe në Institutin e Historisë shkencën e bëjnë njerëz të dëmshëm me paditurinë e tyre për shkencën dhe kulturën e këtij vendi. Dy institutet më prestigjioze të Kosovës bëjnë abuzime të mëdha me shkencën, duke u bërë çerdhe politike për njerëz me anime të rënda partiake. Abuzimet shkencore shkojnë deri në atë shkallë sa Instituti i Historisë, ta zëmë, boton libër shkencor bullgarisht me Prishtinën si vend i botimit. Tani ku mbetet të bëhet shkencë? Në Seminarin Ndërkombëtar janë vënë radhë burra dhe gra, të cilët nuk lënë të afrohet askush: vetë i bëjnë programet, vetë promovohen, vetë shpallën shkencëtarë me njohje ndërkombëtare, por në gjuhësinë albanologjike nuk kanë as rezultate minimale. Më parë sesionet shkencore të Seminarit i ndiqja rregullisht dhe në ndonjë rast kam marrë pjesë edhe me kumtesa për tema të ndryshme nga fusha e letërsisë. Para nja pesë vjetësh shkova për të dëgjuar se çfarë thuhej tani në këto tubime shkencore, sepse temë ishte romani. Mbeta i çmeritur: një studiuese fliste për romanet e E. Dones, një koleg i saj për romanin “Gjuetari i balonave” si model i paarritshëm i letërsisë shqipe. U ngrita dhe dola, me një mendje që kurrë më mos të kthehesha në atë vend. Pra, në përgjithësi një gjendje e trishtë. Por, mendoj unë, kulmi i marrëzisë kulturore në Kosovë është zhvendosja e Ministrisë së Kulturës në Prizren, një veprim pa asnjë argument kulturor, vetëm pse dikush ka edukim kulturor të gabuar dhe pandeh se xhamitë, kishat, themelet e një kalaje dhe ndonjë urë e vjetër e bëjnë vetvetiu këtë qytet qendër kulturore të Kosovës. Prizreni mund të jetë i rëndësishëm për promovimin e turizmit kulturor dhe asgjë më shumë, sepse qyteti jo vetëm që nuk ka institucione, por nuk ka as audiencë kulturore. Mungesa e një reagimi të komunitetit kulturor, në shumë raste, bën që vendimmarrësit politikë të ndihen komodë në të gjitha marrëzitë e tyre.

Një projekt i tillë do të duhej të nisej dhe të realizohej në Kosovë

Një tekst për historinë e letërsisë shqiptare, prej fillimit të saj e deri më tash, ende na mungon. Kur duhet të shkruhet kjo histori letërsie?

Mehmet Kraja: Letërsia shqipe, që të përfshihet në një histori, i ka të pazgjidhur dy probleme kryesore: ndarjet territoriale dhe ndarjet politike-ideologjike. Nëse do të shkruhej në Shqipëri kjo histori e letërsisë, letërsia e Kosovës e ka të sigurt se do të përfshihej në një formë të cunguar, sa nga mosnjohja, sa nga paternalizmi i ngulitur në atë anë të botës shqiptare. Pra, një projekt i tillë do të duhej të nisej dhe të realizohej në Kosovë, në të cilin, natyrisht, do të përfshiheshin edhe studiuesit e Shqipërisë. Por as në Kosovë nuk përballohen aq lehtë dallimet politike-ideologjike dhe të tjera, që kanë mes vete studiuesit tanë të letërsisë: janë problemet e metodës në rend të parë, por edhe të periodizimit. Disa vjet më parë, pas vitit 2000, në Akademi, kur unë ende nuk kam qenë anëtar, ishte mbledhur një grup iniciues për ta hartuar elaboratin e një projekti të historisë së letërsisë shqipe, por ata që e përbënin grupin nuk kishin arritur të merreshin vesh. Tani unë mendoj se, pa u tejkaluar një konflikt i filluar herët në fushën e studimeve letrare, nuk mund të bëhet gjë në këtë drejtim. Mendoj se duhet pritur edhe një kohë, por më vonë ekziston rreziku që mos të gjenden aq studiues seriozë të kësaj fushe të cilët do të mund t’i bënin ballë një projekti të këtillë.

Disa nga shkrimtarët më në zë kishin mbështetës politikë

Cila periudhë e letërsisë shqipe, cilët shkrimtarë dhe cilat vepra ju kanë lënë mbresa më të mëdha? Me këtë rast, me shkas po jua kujtojmë një shkrim që e patët botuar në gazetën “Express”, në të cilin letërsinë shqipe e patët trajtuar ashpër dhe rreptë. Edhe disa shkrimtarë aty (Konicën dhe Nolin) i patët quajtur përçarës.

Mehmet Kraja:Herë pas here kam bërë ndonjë shkrim për çështje të ndryshme rreth letërsisë shqipe, por nuk më kujtohet ta kem trajtuar atë me ashpërsi. E vërteta është se historia e letërsisë shqipe është histori glorifikimesh, histori mburrjesh dhe analizash pozitiviste. Historianët e letërsisë, ta zëmë, ua kanë dhënë hakun shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, duke i quajtur veprat e tyre letërsi biblike, ose bejtexhinjve, por nuk janë bërë analiza serioze sa i përket letërsisë së Rilindjes dhe pas saj, ta zëmë, marrjet arbëreshe nga letërsia italiane, apo marrjet e Naimit nga letërsia perse, ose të Fishtës nga letërsia popullore. Edhe më të pakta janë analizat e marrëdhënieve të ndërvetshme të shkrimtarëve. Merreni vetëm një detaj: marrëdhëniet e Konicës me Apolinerin që te ne janë glorifikuar dhe u janë thurë lëvdata të marra, në një kohë që Konica nuk i përmend kurrë këto marrëdhënie. A thua, pse? Thjesht, sepse shkonin përtej miqësisë letrare. Ose marrëdhëniet e Konicës me Nolin ishin të tmerrshme, përçarëse dhe armiqësore deri në atë shkallë sa Konica, kur Noli kërkon ndihmë nga shteti shqiptar për mjekim, ai, në cilësinë e ambasadorit që jetonte në hotel dhe bënte jetë luksi, shprehet kundër ndihmës. Të mos harrohet se Konica, pas pushtimit italian të Shqipërisë, ia dorëzoi ambasadorit italian në Uashington vulat dhe kredencialet e ambasadës së vet, me marrëveshjen për t’ia shlyer borxhet. Pastaj marrëdhëniet e këtyre shkrimtarëve me pushtetet dhe ideologjitë janë shumë problematike, ndonjëherë marrëzisht të idealizuara. Si thoni ju, pse De Rada dhe arbëreshët e tjerë gëzuan mbështetjen e Italisë pa ndonjë prapavijë? Ata, për gati një shekull, ishin pararojë e interesave italiane në këtë anë të Adriatikut. Por, nga më joparimorët është Konica, ndërsa Noli, po e shikuat mirë, del prift komunist, i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse. Po Fishta dhe fashizmi? Ende më të ngatërruara dalin marrëdhëniet e Naimit dhe të Samiut me Perandorinë Otomane: që të dy ishin të besuar të shtetit, ndërsa Naimi ishte censor. Edhe marrëdhëniet e disa shkrimtarëve me pushtetin në kohën e Zogut dalin jashtëzakonisht “të papërshtatshme”. Me anë tjetër, ne tani e lavdërojmë shpesh Ernest Koliqin për punën që ka bërë si ministër i Arsimit në kohën e fashizmit, me hapjen e shkollave në Kosovë, ndërsa harrojmë se ai këtë e bëri si ministër kuisling dhe se, po të jetë për punë shkollash, më shumë merita kanë ata që në kohën e ish-Jugosllavisë në Kosovë hapën Universitetin sesa ai që hapi ca shkolla fillore. Pra, dua të them se historia jonë e letërsisë ose nuk duhet të merret me detaje të biografive të shkrimtarëve ose, nëse merret, duhet t’i thotë të gjitha, pa idealizuar dhe pa glorifikuar asgjë. Kjo vlen edhe për letërsinë e Kosovës në periudhën e ish-Jugosllavisë. Shumica e shkrimtarëve tanë të kësaj periudhe del se ishin të angazhuar pozitivisht sa i përket çështjes kombëtare, por duhet ditur se midis tyre kishte shkrimtarë të mirë dhe shërbëtorë të pushtetit, siç kishte shkrimtarë të dobët dhe të përndjekur politikë. Disa nga shkrimtarët më në zë kishin mbështetës politikë, madje deri në shkallën e mecenëve. Unë nuk i kam harruar ngritjet e tyre si me levë në pushtet dhe në karrierë letrare. Ju të gjeneratës së re nuk e dini se kush bëhej drejtor tre mandate si askush tjetër në Jugosllavi me ndihmën e Fadil Hoxhës, kush merrte grada shkencore dhe punësohej në Universitet me ndihmën e Mahmut Bakallit, kush gëzonte status të privilegjuar në Institutin Albanologjik me mbështetjen e Ismajl Bajrës, dikush tjetër të Sinan Hasanit ose të Dushko Ristiqit, ca të tjerë bënin shkencën e historisë me mbështetjen e Ali Shukrsë, sekush zinte pozita në “Rilindje” ose në Universitet me ndihmën e Xhavit Nimanit, madje edhe të Rrahman Dedajt ose të Azem Vllasit, e kështu me radhë, shumica duke bërë jetë paralele dhe me dy morale: në njërën anë angazhime patriotike, në anën tjetër duke i shërbyer pushtetit dhe duke e shitur shpirtin për dy aspra. Ta zëmë, si bëhet që një i tillë që fuste njerëz në burg sa ishte në Radiotelevizionin e Prishtinës, tani me emrin e tij pagëzohen rrugë dhe magjistrale? Marrë në përgjithësi, shikuar nga kjo perspektivë, nga njëra anë, si askujt tjetër, na kërcënohet seriozisht një humbje e pakthyeshme e kujtesës kolektive; me anë tjetër shpesh them me vete: duke qenë shoqëri që bënte jetë gjysmëpublike dhe gjysmëklandestine, duhet të jemi të lumtur që nuk i kemi dosjet!

Përkthimi është ngatërruar keq

Letërsia e huaj po vjen në shqipe shpejt, kryesisht nga botuesit e Shqipërisë, ndërkaq letërsia shqipe po depërton jashtë shumë pak. Është letërsi e varfër tematikisht dhe stilistikisht, apo çfarë po ndodh? Mund të na përmendi shkaqet?

Mehmet Kraja: Letërsia shqipe, marrë në përgjithësi, duke marrë për bazë veprat e shkrimtarëve më të mirë, është letërsi cilësore. Unë lexoj mjaftueshëm sa për të bërë krahasime, vetëm se ka një problem: nga letërsia shqipe, pas Kadaresë, janë përkthyer vepra jocilësore, kështu që është krijuar përshtypja se pas këtij autori këtu është një shkretëtirë. Këtë e kanë bërë përkthyesit pa shije letrare të letërsisë shqipe, të cilët kanë krijuar një imazh të keq për të. Po këta përkthyes, duke mos njohur mirë gjuhën shqipe dhe gjuhën në të cilën përkthejnë, kanë marrë për përkthim veprat e shkruara dobët, sepse ato përkthehen më lehtë, nga se gjuha e tyre është e thjeshtë, shpesh vulgare. Njohje vulgare të gjuhës shqipe kanë edhe shumica e atyre që sot pretendojnë të përkthejnë në ndonjë gjuhë tjetër. Ndërkaq, përkthimi në shqip nga gjuhët e tjera është ngatërruar keq: ka përkthime të mira, por ndodh të botohen edhe vepra që nuk e kanë as minimumin e vlerës. Në Kosovë kemi pasur një traditë përkthimi, ashtu siç ishte, por tani nuk ekziston më. Përkthyes të rinj në Kosovë nuk gjenden, sepse nuk ka më audiencë letrare dhe nuk ka botues që i mbështet.

Nuk bëhet karriera letrare, as shkencore, duke bërë kujdestarin e gabimeve të të tjerëve

Jeni anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) që shumë vjet. Para po dhe pas jush janë bërë anëtarë Akademie edhe disa studiues të tjerë, puna studimore dhe eseistike e të cilëve konsiderohet e dyshimtë, pasi disa kritikë dhe studiues kanë vënë re plagjiaturë në librat e tyre dhe i kanë publikuar në media. Çfarë mund të na thoni për këtë rast?

Mehmet Kraja: Çështja e plagjiaturave nuk e prek vetëm Akademinë dhe jo vetëm Universitetin, por mbarë shkrimin shqip, që nga letërsia e deri te shkenca, titujt dhe hartimet shkencore të të gjitha fushave. Madje ky është bërë problem botëror. Është bërë problem edhe në mësimdhënie, edhe në edukim. Nëpër shtyllat dhe pemët përreth Universitetit ngjiten afishe në të cilat shkruhet: Bëjmë tema diplome dhe për master, dhe poshtë janë shkruar numrat e telefonave të atyre që i përgatitin. Kjo është njësoj sikur dikush të shkruante në një shpallje: Bëjmë prostitucion, dhe më poshtë ta shkruante numrin e telefonit. Pra, puna e shkencës te ne ka degraduar shumë. Përhapja e madhe e internetit ka bërë që qarkullimi i ideve të mos ndiqet më. Megjithatë, ekziston një minimum rregulli dhe morali edhe në këtë mes. Para tre-katër vjetësh, kur u bë ligji i ri për Akademinë dhe u nxorën aktet e tjera normative, unë kërkova që disa çështje ta marrin përgjigjen adekuate edhe me normat ligjore dhe statutare. Nuk u pranua. Tani puna e plagjiaturave është çështje e moralit publik të secilit anëtar veç e veç. Me anë tjetër, dua të them se edhe ata që merren me punët e plagjiaturave duhet të jenë pak më seriozë dhe më të besueshëm: nuk bëhet karriera letrare, as shkencore, duke bërë kujdestarin e gabimeve ose të shkarjeve që bëjnë të tjerët, qofshin ata edhe akademikë; duhet të bësh edhe vetë një punë që ia vlen, që të kesh të drejtë morale t’ua nxish ymrin të tjerëve, duke ua mbajtur mbi kokë gabimet ose dështimet.

Medice, cura te ipsum, thoshin romakët

A keni mbajtur ndonjë mbledhje për ta diskutuar plagjiaturën në tekstet e tyre dhe a u është tërhequr vërejtja ndonjëherë atyre nga organi i AShAK-ut me ndonjë vendim ose a është marrë për ta masë disiplinore?

Mehmet Kraja: Pyetjes do t’i përgjigjem me pyetje: ju në Bibliotekën Kombëtare a keni mbajtur ndonjë mbledhje në të cilën do të diskutonit publikisht për projektin e bibliografisë së librit shqip në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, të cilën e ka hartuar Tahir Foniqi, ndërsa sekush përpiqet t’ia tjetërsojë autorësinë? Apo, a keni mbajtur mbledhje dhe a keni diskutuar publikisht zhbërjen e fondeve librare në Bibliotekë? Apo projektin e dështuar të Bibliotekës Universitare?

Medice, cura te ipsum, thoshin romakët.

Në Akademi kanë hyrë njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty

Po, kemi mbajtur mbledhje, kemi diskutuar dhe, ka ndonjë punëtor si puna ime, për shembull, ose si djali i Tahir Foniqit e ndonjë tjetër që po pret ta përfundojë Biblioteka atë projekt dhe ta publikojë atë bibliografi dhe ne ta padisim institucionin dhe kryeredaktorin në gjykatë për shkelje të të drejtave të autorit. Por, derisa ta kryejë Biblioteka këtë projekt, le të diskutojmë pak edhe për akademikët e rinj. Kohën e fundit u bënë anëtarë Akademie edhe disa studiues të rinj nga fusha të ndryshme të artit dhe të shkencës. S’po kërkojmë të dimë nëse keni votuar për t’u bërë ata akademikë dhe nëse e kanë merituar bërjen akademikë, por dua të dimë kush do të duhej të bëhej para tyre, sipas jush?

Mehmet Kraja: Për Akademinë unë jam më kritik se të gjithë ju që jeni kritikë për institucionet ku punoni. Ju e dini shumë mirë se kjo ka çmimin e vet, të cilin unë e paguaj në vazhdimësi. Po, është e vërtetë se në Akademi kanë hyrë njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty, madje të tillët lavdërohen më shumë se ata që bëjnë një punë me vlerë. Por kjo është shoqëria jonë, e cila nuk di të vlerësojë, sepse vetë është e përfshirë në një sjellje rrethore jovlerash dhe vanitetesh. Së këndejmi, prurjet jocilësore në Akademi janë të lidhura ngushtësisht me punën e keqe të institucioneve shkencore dhe kulturore të Kosovës dhe nuk varen vetëm nga Akademia. Sido që të jetë, në dhjetë vjetët e fundit, me dy pranimet radhazi, punët kanë shkuar më keq se çdo herë tjetër. Brenda Akademisë janë formuar grupe interesi, klane, banda, quani si të doni, si në çdo institucion tjetër. Këto klane sundohen dhe manipulohen nga individë të caktuar. Ndonjëherë edhe ata nga jashtë që ngrenë zërin kundër Akademisë nuk synojnë gjë tjetër përveçse të futen brenda dhe ta marrin sundimin e saj. Pse, çfarë do të bënin tjetër, ta zëmë, ata të Institutit Albanologjik përveçse një klan do ta zëvendësonin me një klan tjetër. Por edhe në këtë sjellje rrethore primitivizmash do të duhej të kishte një minimum morali: nuk mund të bëhet anëtar Akademie dikush që ka botuar vetëm një libër dhe vetëm disertacionin para 30 vjetësh, pastaj në krah të tij vjen një manipulator tjetër nga fusha e shkencave shoqërore, pastaj dikush që nuk ka bërë asgjë në fushën e shkencës albanologjike, pastaj një tjetër nga fusha e shkencave të mjekësisë dhe një i katërt nga fusha e arteve. Dhe kështu, pak nga pak, ata fillojnë ta bëjnë shumicën dhe, natyrisht, mbrojnë interesat e njëri-tjetrit. Kjo situatë në Akademi është dëshpëruese edhe për një arsye tjetër: vendimet aty janë të pakorrigjueshme dhe të pakthyeshme.

Fjalori Enciklopedik i Kosovës është vepra më e mirë kolektive

“Fjalori enciklopedik i Kosovës”, dyvëllimësh, me pamje të zezë dhe me shkronja ari, doli nga shtypi këtë vit. U tha çdo e zezë për të sapo doli në dritë. U tha dhe u shkrua se as nuk është fjalor, as nuk është enciklopedik; po se është “fjalor antikombëtar”, “përçarës”, “familjar”, që fsheh historinë e re dhe të vjetër të Kosovës, që ka pasaktësi dhe të meta të shumta. Prej botimit të tij e deri më tash keni shkruar vetëm një shkrim në vend të arsyetimit. Pse u botua ai fjalor ashtu, me gjithë ato gabime?!

Mehmet Kraja: E kam thënë edhe një herë tjetër, tani vetëm po e përsëris: Fjalori Enciklopedik i Kosovës është vepra më e mirë kolektive e botuar në gjuhën shqipe. Euforia e kritikave dhe insinuatave për Fjalorin Enciklopedik të Kosovës flet për një shoqëri dhe ambient kulturor që është mësuar të jetojë në iluzione për vlerat e veta dhe nuk pranon t’i bëhet një vlerësim institucional, aq më pak nga Akademia, të cilën sekush më parë se tjetri shpejton ta nxijë dhe ta damkosë. Ky është problemi i parë. E dyta ka të bëjë me gabimet reale, që mund të ketë një botim i këtillë, me 1 818 faqe të formatit të madh dhe me shkronja të vogla, me rreth 6 000 zëra, me 24 redaksi, me 72 anëtarë redaksish dhe me 506 autorë tekstesh.

Megjithatë, duhet të them menjëherë, se kualifikimi i Fjalorit si antikombëtar është më i shpifuri prej krejt kualifikimeve të tjera, sepse është etiketë, është damkë që mund t’i vihet kujtdo, pa pasur nevojë të argumentohet. Po pse me kaq ngutje iu vu kjo damkë Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, nga ndonjë individ që prej kohësh e ka marrë përsipër punën e vështirë të presë bileta “kombëtare” ose “antikombëtare” për parajsë ose për ferr? Pse pa e shfletuar ende, pa parë përmbajtjen, pa gjetur tamam asnjë gabim? Sepse kualifikimet e këtilla bëhen pikërisht kështu, me zhurmë, me fjalë të mëdha, pa argumente. Megjithatë, siç mund të merret me mend, arsye për një faj të këtillë mund të jetë pse Fjalori Enciklopedik i Kosovës e paska ndarë Kosovën nga Shqipëria dhe pse ky botim nuk e paska lënë Fjalorin Enciklopedik Shqiptar ta ruajë monopolin e tij edhe në Kosovë. Lidhur me ndarjen e Kosovës si entitet më vete, në parathënie është shkruar: “Botimi i këtij Fjalori, përveç që përmbush nevojat për një shfrytëzim të gjerë nga lexues të ndryshëm, njëkohësisht krijon bazën e të dhënave për Kosovën si entitet i mëvetësishëm politik, gjeografik, ekonomik dhe kulturor, por duke mbajtur në vëmendje se Kosova është pjesë e një tërësie më të gjerë historike dhe kulturore shqiptare dhe se ndarjet në këtë drejtim, pavarësisht nëse janë të përkohshme ose të qëndrueshme, gjithnjë janë artificiale dhe të panatyrshme”. Dhe më tej: “Përfshirja e ndarë e Kosovës në këtë lëndë enciklopedike nuk paragjykon qëndrueshmërinë e zgjidhjeve politike, as aktuale e as të pritshme. Ndarja e Kosovës nga tërësia historike dhe kulturore shqiptare në këtë rast është bërë për arsye praktike dhe, duke anashkaluar çdo interpretim me prapavijë, synon të konsolidojë dijet për botën shqiptare dhe ta plotësojë informacionin për të, kudo që ai mund të përfshihet dhe të përdoret”. Çfarë sekreti antikombëtar paska këtu? Fjalori nuk e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, nuk ia bëri Kushtetutën, Parlamentin, Qeverinë, Flamurin, Himnin, kufijtë etj. Nuk vendosi ky fjalor që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë, sikundër që nuk do të vendosë nëse Kosova do të mbetet e tërë, apo do të ndahet sipas ideve “kombëtare” të rrënuesve të integritetit të saj. Atributet e këtilla “antikombëtare” për Fjalorin janë alibi për të mos u përballur me asnjë argument. Me anë tjetër, Fjalori Enciklopedik Shqiptar nuk i plotëson as kriteret minimale për të qenë edhe “i Kosovës”, pra mbarëshqiptar, sepse në përfshirjen e zërave nga Kosova ka zbatuar kritere krejtësisht të paqëndrueshme dhe joprofesionale. Nga rreth 8 000 zëra sa ka Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vetëm rreth 10 % i kushtohen Kosovës. Ja një shembull i trajtimit të pabarabartë të Kosovës: komunat janë njësitë më të vogla administrative që janë përfshirë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, por komunat në Shqipëri dhe komunat në Kosovë nuk kanë asnjë mundësi krahasimi (komuna në Shqipëri është e barabartë me bashkësinë lokale në Kosovë). Sido që të jetë, Fjalori Enciklopedik i Kosovës nuk është bërë për t’iu kundërvënë as për ta mohuar Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, por për ta plotësuar atë dhe për të qëndruar pranë tij. Po ashtu, duhet të them se të pakënaqur me Fjalorin janë disa prej anëtarëve të Akademisë sepse janë mësuar që biografitë e veta t’i prezantojnë në publik “pa redakturë”, që domethënë me plot vetëmburrje dhe pasaktësi. Ndërkohë, në ditën e promovimit, në mbrëmje, KTV-ja nxori në ekranin e vet një përgojim të pashembullt: nga dy eksponentë të OJQ-ve u tha se Fjalori nuk vlente as dy grosh, ndonëse asnjëri, as moderatori i emisionit dhe as dy personat në studio, ende nuk e kishin parë me sy botimin. Pas këtij emisioni filloi “ndjekja e shtrigave”: secili gazetar që nuk ishte i përfshirë në Fjalor (disa prej të cilëve e them me bindje se kurrë nuk do të bëhen gazetarë), ia filluan fushatës antikulturore për Fjalorin: Klan-Kosova, RTK-ja, KTV-ja, T7 etj. Pra, situata ishte e qartë: Unë kisha bërë një herezi të tmerrshme: kisha marrë guximin të mos i përfshija të gjithë gazetarët e të gjitha redaksive (mbi një mijë sish), e kjo do të thotë se kisha hyrë ne çerdhen e grerëzave i pambrojtur. Dhe kështu pasuan kronikat një pas një dhe deklaratat e të pakënaqurve. Por cilat janë gabimet reale të evidencuara deri tani në opinion:

1. Mungon Bajram Rexhepi (përgjegjëse redaksia e fushës politike-juridike: Blerim Reka, Osman Ismajli, Ilir Dugolli);
2. Viti i lindjes i gabuar për Ibrahim Rugovën (përgjegjës autori i tekstit: Blerim Reka);
3. Mungon Luljeta Pula-Beqiri (përgjegjëse redaksia e fushës politike-juridike);
4. Mungojnë gazetat “Bota e re”, “Zëri i Kosovës” dhe “Epoka e re” (përgjegjëse redaksia e fushës së informimit: Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Rrahman Paçarizi);
5. Emri i gabuar i Rexhep Murtez Shalës në legjendën e fotografisë (përgjegjës autori i tekstit: Agron Gashi);
6. Datë e gabuar në tekstin për Frang Bardhin, në vend 1743 duhet 1643 (përgjegjës autori i tekstit: Rexhep Ismajli);
7. Biografia me të dhëna të gabuara e Jakup Cerajës (përgjegjës autori i tekstit: Kujtim Rrahmani);
8. Fshati Vërban i komunës së Vitisë duhet të jetë Vërboc i komunës së Kllokotit (përgjegjës kryeredaktori, pra unë, sepse kam pranuar ndërhyrjen e lektorit të fundit të tekstit, Shefqet Rizës).

Këto janë tetë “zbulimet e mëdha” të gabimeve në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës! Besoj dhe është krejt e natyrshme të ketë edhe më shumë, por kaq gabime të pranueshme janë evidencuar deri tani. Nuk konsiderohen gabime dhe nuk do të merren në konsideratë as nga kryeredaktori dhe as nga Redaksia Qendrore mospërfshirja e disa aktivistëve të LDK-së, të cilët pretendohet se janë bërë heronj vetëm për shkak të aktit kriminal të vrasjes së tyre. Ndërkaq, pretendimet janë nga më të ndryshmet, jo vetëm të pambështetura, por edhe joserioze, kështu që një numër syresh as nuk ia vlen të shqyrtohen e të diskutohen.

Më mungojnë Ali Podrimja dhe Basri Çapriqi

Sigurisht ende i ruani në celular ose në notes numrat e celularëve të miqve që tashmë kanë ndërruar jetë. Kush prej tyre ju mungon më së shumti?

Mehmet Kraja: Po, dy syresh më mungojnë shumë: Ali Podrimja dhe Basri Çapriqi. Numrat e tyre të telefonit ende i kam në celularin tim.

Prishtina në romanin “Prishtina” është qytet metaforë

Para disa ditësh botuat romanin “Prishtina”. Një fragment të tij, goxha të gjatë, e kam lexuar në numrin e dytë të kësaj reviste për të cilën po realizojmë intervistën. Pa dyshim, ky roman ka materiale të mira për t’u bërë disa filma të shkurtër për luftën dhe pasluftën, edhe një film të gjatë me disa sekuenca të luftës së Kosovës. Sikur thotë edhe titulli, ngjarjet e tij ndodhin në Prishtinë. Po sa janë reale ngjarjet e “Prishtinës”?

Mehmet Kraja: Romani doli në Panairin e Librit në Tiranë, është nëpër librari, në duart e ndonjë lexuesi dhe tani le ta vlerësojë secili sipas shijes së vet. Sa iu përket filmave të gjatë apo të shkurtër, nuk është një gjë që më intereson në mënyrë specifike, sikundër që nuk ka shumë rëndësi nëse ngjarjet e përfshira në këtë rrëfim janë reale apo të imagjinuara. Si në të gjitha rrëfimet letrare, si në çdo vepër letrare që nga antika e deri më sot, ato janë të mundshme dhe të besueshme, pra kanë besueshmëri artistike. Ky është çelësi i rrëfimit në çdo roman, në çdo dramë, në çdo film, në të gjitha artet narrative. Zhvillimet në romanin “Prishtina” mund të kenë më shumë ngjashmëri me atë që kemi përjetuar të gjithë ne menjëherë pas vitit 1999, me t’u kthyer në Prishtinën e çliruar nga trupat e NATO-s. Por, duke qenë shkrimtar dhe duke qenë i pajisur me një imagjinatë krijuese, rrëfimi im në romanin “Prishtina” shkon një hap më tej nga ajo që kanë mundur të përjetojnë njerëzit në një rrethanë të këtillë: përveç që ka përshkrime ndoshta të ndiera, ku mund të hyjnë edhe situata reale dhe njerëz realë, ka më shumë se në çdo vepër timen ndjenjë dhe mendim. Me anë tjetër, Prishtina në këtë roman është qytet metaforë, kurse unë në asnjë rrethanë nuk bëj deshifrimin e metaforave, as në librat e mi, as në librat e të tjerëve. E kam ves që nga koha e komunizmit, kur deshifrimi i metaforave mund të ishte shumë i papëlqyeshëm!

Intervistoi: Berat Armagedoni

(Intervista, për gazetën “Epoka e re”, është marrë nga numri i katërt i revistës “Akademia”)./ KultPlus.com

Kraja: Ismajl Qemal Vlorës t’i urojmë prehje e paqe dhe të mos i vijë rëndë kjo që bëjmë ne

Nesër shënohen 28 nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, një ditë kjo shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, shkruan KultPlus.

Akoma pa shënuar 28 nëntori kanë filluar urimet për këtë ditë të rëndësishme. Disa po shkruajnë urime e disa të tjerë kujtojnë figura të rëndësishme për këtë ditë, e të tjerë ndjejnë peshën e vazhdimit të shtetndërtimit.

Për të uruar këtë ditë kaq të rëndësishme nuk ka harruar as akademiku Mehmet Kraja, i cili përmes urimit të tij edhe ka thumbuar gjendjen aktuale të shqiptarëve. Akademiku dhe shkrimtari Kraja për këtë ditë ka shkruar vetëm një status.

“Ismajl Qemal Vlorës t’i urojmë prehje e paqe dhe të mos i vijë rëndë kjo që bëjmë ne”./ KultPlus.com

Të enjten në Tiranë promovohet romani “Prishtina” i Mehmet Krajës

Në Panairin e Librit në Tiranë, të enjten, më 15 nëntor 2018, në orën 11:00, bëhet promovimi i romanit të ri të Mehmet Krajës, “Prishtina”, i botuar nga “Onufri”. Është ky një rrëfim tronditës për qytetin e palumtur dhe njerëzit e tij, të cilët për një kohë aq të gjatë e pritën lirinë, thuhet në njoftimin e kësaj shtëpie botuese.

Roman i nxehtë dhe i drejtpërdrejtë , i veçantë në letrat shqipe, që ndoshta nuk i dakordon të gjithë lexuesit, por me siguri i vë në mendime të gjithë. Narratori dhe protagonisti identifikojnë njëri-tjetrin, fate njerëzish pleksen në një botë midis reales dhe fiksionit. Duke qenë romansier me përvojë, Mehmet Kraja i zotëron të gjitha teknikat bashkëkohore shkrimore, prandaj vjen aq e fuqishme tabloja që krijon. I freskët dhe krijues, me një gjuhë që shpesh i kalon kufijtë e shprehjes, përveçse në përshkrime, kësaj radhe bëhet depërtues edhe në meditim.

I pyetur rreth librit të tij më të ri, autori Mehmet Kraja thotë: “Të gjithë njerëzit që kanë lindur në liri, nuk kanë pse të mendojnë për lirinë dhe vlerat e saj. Ndryshe është kur jeton në dy kohë, lindë dhe rritesh në një mungesë lirie, lirinë e quan ëndërr shpesh të paarritshme, pastaj përnjëherësh ajo bëhet realitet. Tani gjendesh në situatë që duhet ta peshosh vlerën e saj. Liria krijon disa predispozita që njeriu të jetojë më mirë, por nuk zgjidh asnjë problem filozofik, ekzistencial. Të gjitha liritë janë të pamjaftueshme, por liria e Kosovës është dyfish e tillë, sepse pritja ka qenë e madhe. Pastaj, kur ëndrra bëhet realitet, ajo e humb madhështinë dhe shkëlqimin e saj. Më pas vjen ana pragmatike: Kosova nuk është e lirë nga shtrëngesat e saj, nga pamundësitë e saj. Ajo tani është rob i veseve njerëzore, i vanitetit njerëzor, i djallëzisë njerëzore”./KultPlus.com

Integra padit Mehmet Krajën për shpifje

Organizata Integra ka paditur Mehmet Krajën sipas tyre pasi që ai ka shpifur përmes kanaleve mediale duke shkaktuar dëm të reputacionit të festivalit “Mirëdita dobar dan!”, të organizatës “Integra” si organizatore e festivalit dhe përfaqësuesve të saj.

Padia e tyre ka të bëjë me shkrimin e botuar ditë me parë nga Mehmet Kraja të titulluar “Lehtësia e padurueshme e hipokrizisë” (paragrafi i katërt).

Shkrimi kishte ardhur si reagim i tij ndaj njerëzve të cilët po flasin e komentojnë rreth Fjalorit Enciklopedik./ KultPlus.com

Kraja u përgjigjet akuzave rreth Fjalorit Enciklopedik të Kosovës

Kryeredaktori redaksisë së Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, lidhur me vërejtjet dhe reagimet e ndryshme rreth botimit në fjalë.

Përmes këtij reagimi, Kraja pretendon të japë disa sqarime, siç potencon ai, mbi “akuzat, polemikat, të pavërtetat dhe të vërtetat e pathëna për këtë botim enciklopedik”.

Më poshtë mund ta gjeni të plotë reagimin e tij.

Mbi akuzat, polemikat, të pavërtetat dhe të vërtetat e pathëna për këtë botim enciklopedik.

Fjalori Enciklopedik i Kosovës, duke qenë projekti i parë enciklopedik te ne, është njëkohësisht edhe botimi i parë që i nënshtrohet një shqyrtimi publik. Shqyrtimi dhe vlerësimi publik paraqitet i domosdoshëm, pavarësisht se nga fillimi kam qenë i vetëdijshëm se ai nuk do të jetë as parimor, as i kulturuar dhe as profesional. Profesional nuk mund të ishte, sepse dija enciklopedike te ne është shumë e mëngët, ndërkohë që atmosfera e ndotur politike dhe kulturore nuk e lë asnjë punë të peshohet me vlerën e saj. Por, mbi të gjitha, Fjalori nuk kishte pse të mbante mbi vete krejt kritikat, pakënaqësitë dhe paragjykimet e opinionit për punën e Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës, aq më tepër kur tashmë është bërë e ditur se në hartimin Fjalorit e patën angazhimin më të madh bashkëpunëtorët e jashtëm, kryesisht profesorë universiteti, punëtorë institutesh, shkrimtarë, publicistë, njerëz të artit dhe të shkencës, që të gjithë ekspertë të njohur të fushave të tyre. Si kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i Fjalorit kam punuar bashkë me Redaksinë Qendrore dhe me 24 redaksi të fushave, në përbërje të të cilave ishin 72 ekspertë të dijeve përkatëse, ndër më të mirët që ka Kosova, kryesisht emra të njohur për opinionin e gjerë. Emrat e tyre janë të shënuar në hyrje të të dy vëllimeve të Fjalorit. Është situatë paradoksale dhe groteske, që këta ekspertë t’i nënshtrohen një kritike joparimore, e cila i ngjan damkosjes publike, pse paskan bërë një punë me vlerë në organizim të Akademisë.
Ndërkaq, vërejtjet dhe kritikat e shqiptuara së fundi, duke qenë të paargumentuara, shpesh tendencioze dhe pa dije elementare janë nga më joparimoret që kam parë ndonjëherë në komunikimin publik. Në shumë raste oponencë e Fjalorit janë bërë persona që nuk e kanë as idenë se çfarë është një fjalor enciklopedik, ose të nxitur nga pasione dhe pakënaqësi personale (partiake, ose klanore), kryesisht për shkak të mospërfshirjes, ndonëse ka shumë raste, kur kritikat shqiptohen pa e parë me sy Fjalorin, pa e hapur dhe pa e lexuar asnjë rresht prej tij. Kritikat e këtilla, kaq të papërgjegjshme dhe kaq tendencioze, janë krejtësisht pa vlerë dhe nuk besoj se mund t’i shërbejë ndonjë kauze.

Procedurat dhe gabimet

Enciklopeditë, botimet enciklopedike, fjalorët enciklopedikë etj., i këtillë siç është edhe Fjalori Enciklopedik i Kosovës, kanë një detyrë të vështirë, sepse, në perceptimin e shumicës së atyre që e marrin në dorë një vepër të tillë, jetën që është në vazhdim në njëfarë mënyre ju kërkohet ta kthejnë në “libër historie”, pa çka se Fjalori (dhe asnjë vepër e ngjashme me të) as shkruan histori dhe as ndanë merita. Pra, janë një numër procesesh shoqërore dhe historike, projekte, punë krijuese dhe jetë individësh që ende vazhdojnë, por që duhet të kthehen në informacion, të sistemohen në tërësinë e të dhënave dhe të prezantohen në formë të përshtatshme përpara opinionit. Një punë e këtillë, pa mbështetje në asnjë përvojë dhe pa asnjë bazë të të dhënave në Kosovë, ka filluar me evidencimin e lëndës enciklopedike. Më 2014 është botuar “Fjalësi i zërave të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës” me rreth 6,300 zëra, i cili, pasi u është shpërndarë institucioneve relevante të arsimit, të kulturës dhe të shkencës, për disa muaj ka qëndruar “në diskutim publik”, i hapur për vërejte dhe sugjerime. Disa nga këto institucione e kanë bërë këtë, duke e mbështetur projektin me sugjerime të vlefshme. Për çdo gjë më pas është vendosur në redaksitë e fushave dhe vërejtjet që tani bëhen, sipas parimit të subordinimit, së pari iu takojnë këtyre redaksive që të japin përgjigjen e tyre profesionale dhe të argumentuar. Më pas, harmonizimin e lëndës e ka marrë përsipër Redaksia Qendrore, e cila ka punuar me një përgjegjësi të lartë profesionale. Ndërkohë, është hartuar nga kryeredaktori “Udhëzuesi për hartimin e teksteve” dhe në redaksitë e fushave janë evidencuar autorët që do t’i shkruajnë zërat. Janë 506 autorë që i kanë shkruar tekstet e zërave, të cilët janë të nënshkruar në fund të secilit tekst dhe që mbajnë përgjegjësinë kryesore për saktësinë e të dhënave dhe relevancën e tyre.
Pavarësisht se tekstet e Fjalorit kanë kaluar procedura të shumta, të përsëritura dhe këmbëngulëse, gabimet reale janë të mundshme. Gabime mund të ketë në përfshirjen e zërave, në hartimin e teksteve dhe në vjeljen e të dhënave. Arsyet për gabime burojnë nga vëllimi shumë i madh i lëndës, nga mungesa e përvojës, ndonjëherë nga pakujdesia, nga anësitë e ndryshme etj. Është e njohur për të gjithë ne, se shkrimi nuk është ana e fortë as e shkencëtarëve dhe studiuesve tanë, siç nuk është ana e fortë as e atyre që tani shkruajnë reagime me gabime për të qeshur ose për të të mbërthyer vaji. Për ta reduktuar dhe për ta çuar në një minimum të arsyeshëm vëllimin e gabimeve, teksteve u është bërë redakturë e themeltë nga secili redaktor i fushës dhe nga redaktori përgjegjës, në shumë raste duke rishkruar zërat në tërësi. Më pas tekstet kanë kaluar tri lektura të njëpasnjëshme. Por, gabime mund të ketë përsëri, në përfshirje, në shkrim, në nivelizim dhe harmonizim midis fushave etj. Mund të ketë edhe gabime përmbajtësore, gabime drejtshkrimore, teknike etj. Ashtu sikundër është thënë edhe në parathënien e Fjalorit dhe me rastin e prezantimit të botimit, një redaksi e re, e ngritur në Akademi, do të duhej t’i evidenconte gabimet, vërejtjet dhe sugjerimet; po kjo redaksi do të duhej t’i ndiqte proceset që janë në zhvillim, t’i plotësonte zërat, t’i korrigjonte ato ku shfaqet nevoja dhe pas 5 vitesh të bëjë një botim të ri të plotësuar. Kjo është praktikë që ndiqet në të gjitha botimet e kësaj natyre. Megjithatë, edhe përkundër këtij pohimi jo aq vetëmburrës, e them me përgjegjësi të plotë se një vepër e këtillë kolektive me këtë nivel shkrimi nuk është bërë ndonjëherë në Kosovë.

Kundërvëniet politike

Në shoqërinë kosovare ekziston një konflikt politik permanent, i cili buron nga fillimi i viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe vazhdon ende. Ndonëse intensiteti i këtij konflikti ka pasuar ngritja dhe rënie, ai nuk është fashitur në tërësi pothuajse asnjëherë. Konflikti ndërmjet ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas natyrës së gjërave, duke qenë se është reflektuar në mbarë institucionet dhe jetën publike në Kosovë, ka qenë e pritshme që të ushtrojë ndikim edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës. Natyrisht, Fjalori Enciklopedik i Kosovës nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë gjyq, i cili do të vendoste drejtësi në këtë çështje dhe në asnjë çështje tjetër. Por në një pikë duhet të jemi të qartë: Lufta e viteve 1998-1999 nuk është histori e lavdishme e LDK-së. LDK ka vlerat e saj, për të cilat jemi dijeni të gjithë, por lufta 1998-1999 nuk bën pjesë në ato vlera. Tani, nuk më bëhet të besoj se militantët e LDK-së nuk e paskan ditur këtë dhe se Fjalori u dashka ta fsheh këtë të vërtetë, e cila tashmë është bërë historike. Duke u nisur nga kjo rrethanë, ka qenë e pritshme që redaksia e fushës së luftës së viteve 1998-1999 të vinte pikërisht nga një proveniencë e afërt me UÇK-në. Kjo redaksi, si shumica e redaksive të fushave të tjera, ka punuar me përkushtim dhe përgjegjësi. Në të gjitha takimet e redaksive të fushave me Redaksinë Qendrore, ku janë shqyrtuar edhe zërat nga kjo fushë, nuk janë shprehur vërejtje substanciale. Tani duan të thonë se disa personalitete të shquara të LDK-së nga periudha e luftës nuk janë përfshirë në Fjalor dhe ky qenka një cenim i madh që i bëhet këtij krahu politik. Por unë dua të jem krejtësisht i qartë, kur them se kjo vërsulje që i bëhet Fjalorit nga disa militantë dhe portale të LDK-së nuk mund ta fshehë as ta minimizojë dështimin historik të këtij krahu politik dhe se përmes vërsuljeve të këtilla nuk mund të amnistohet as të anashkalohet ky dështim. Aq më pak t’i atribuohet dikujt tjetër. Ndërkohë, le të më lejohet të them, pa prekur sentimentin e askujt, se hero nuk mund të bëhet askush nga dinjitarët për shkak të aktit kriminal të vrasjes së tij, por i tillë bëhet për shkak të veprimtarisë për një kauzë madhore. Hasan Prishtina nuk u bë hero pse u vra nga Ahmet Zogu, por për kontributin e të tij të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare.

Pse antikombëtar?

Kualifikimi i Fjalorit si antikombëtar është më i shpifuri prej krejt kualifikimeve të tjera, sepse është etiketë, është damkë që mund t’i vihet kujtdo, pa pasur nevojë të argumentohet. Po pse me kaq ngutje iu vu kjo damkë Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, nga ndonjë individ që prej kohësh e ka marrë përsipër punën e vështirë të presë bileta “kombëtare” ose “antikombëtare” për parajsë ose për ferr? Pse pa e shfletuar ende, pa parë përmbajtjen, pa gjetur tamam asnjë gabim? Sepse kualifikimet e këtilla bëhen pikërisht kështu, me zhurmë, me fjalë të mëdha, pa argumente. Megjithatë, siç mund të merret me mend, arsye për një faj të këtillë mund të jetë pse Fjalori Enciklopedik i Kosovës e paska ndarë Kosovën nga Shqipëria dhe pse ky botim nuk e paska lënë Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të ruajë monopolin e tij edhe në Kosovë.
Lidhur me ndarjen e Kosovës si entitet më vete, në parathënie është shkruar: “Botimi i këtij Fjalori, përveç që përmbush nevojat për një shfrytëzim të gjerë nga lexues të ndryshëm, njëkohësisht krijon bazën e të dhënave për Kosovën si entitet i mëvetësishëm politik, gjeografik, ekonomik dhe kulturor, por duke mbajtur në vëmendje se Kosova është pjesë e një tërësie më të gjerë historike dhe kulturore shqiptare dhe se ndarjet në këtë drejtim, pavarësisht nëse janë të përkohshme ose të qëndrueshme, gjithnjë janë artificiale dhe të panatyrshme.” Dhe më tej: “Përfshirja e ndarë e Kosovës në këtë lëndë enciklopedike nuk paragjykon qëndrueshmërinë e zgjidhjeve politike, as aktuale e as të pritshme. Ndarja e Kosovës nga tërësia historike dhe kulturore shqiptare në këtë rast është bërë për arsye praktike dhe, duke anashkaluar çdo interpretim me prapavijë, synon të konsolidojë dijet për botën shqiptare dhe të plotësojë informacionin për të, kudo që ai mund të përfshihet dhe të përdoret.” Çfarë sekreti antikombëtar paska këtu? Fjalori nuk e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, nuk ia bëri Kushtetutën, Parlamentin, Qeverinë, Flamurin, Himnin, kufijtë etj. Nuk vendosi ky fjalor që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë, sikundër që nuk do të vendosë nëse Kosova do të mbetet e tërë, apo do të ndahet sipas ideve “kombëtare” të rrënuesve të integritetit të saj. Atributet e këtilla “antikombëtare” për Fjalorin janë alibi për të mos u përballur me asnjë argument. Më anë tjetër, Fjalori Enciklopedik Shqiptar nuk i plotëson as kriteret minimale për të qenë edhe “i Kosovës”, pra mbarëshqiptar, sepse në përfshirjen e zërave nga Kosova ka zbatuar kritere krejtësisht të paqëndrueshme dhe joprofesionale. Nga rreth 8,000 zëra sa ka Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vetëm rreth 10% i kushtohen Kosovës. Ja një shembull i trajtimit të pabarabartë të Kosovës: komunat janë njësitë më të vogla administrative që janë përfshirë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, por komunat në Shqipëri dhe komunat në Kosovë nuk kanë asnjë mundësi krahasimi (komuna në Shqipëri është e barabartë me bashkësinë lokale në Kosovë). Megjithatë, Fjalori Enciklopedik i Kosovës nuk është bërë për t’iu kundërvënë as për ta mohuar Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, por për ta plotësuar atë dhe për të qëndruar pranë tij.
Sido që të jetë, burrave pleq nuk u ka hije të sillën si kalamaj të portaleve dhe çipçinj të OJQ-ve.
*
Redaksia Qendrore e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës: Akademik Pajazit Nushi, akademik Ali Aliu, akademik Tahir Emra (akademik Zeqirja Ballata), akademik Rexhep Ismjali, akademik Eqrem Basha, akademik Fejzullah Krasniqi dhe akademik Mehmet Kraja.
Redaktorët e 24 redaksive të fushave: dr. Ruzhdi Pllana (gjeografia fizike), dr. Ibrahim Ramadani (gjeografia sociale), dr. Edi Shukriu (redaksia e arkeologjisë dhe e kohës së lashtë), dr. Jahja Drançolli (historia e mesjetës dhe e periudhës bizantine), dr. Gazmend Riza (periudha osmane dhe kultura orientale), akademik Jusuf Bajraktari (historia e shek. XIX), dr. Fehmi Rexhepi (historia e shek. XX), dr. Sylë Ukshini (lufta e viteve 1998-99), dr. Blerim Reka (fusha politike-juridike), dr. Muhamet Mustafa (ekonomia), dr. Hajrullah Koliqi (arsimi), dr. Isuf Dedushaj (mjekësia), dr. Bardh Rugova (albanologjia), akademik Latif Susuri (shkencat e natyrës), akademik Anton Berishaj (shkencat sociale), akademik Minir Dushi (shkencat teknike), akademik Sabri Hamiti (letërsia), akademik Zeqirja Ballata (muzika), akademik Tahir Emra (artet pamore), Fadil Hysaj (artete skenike dhe filmi), dr. Fejaz Drançolli (trashëgimia kulturore), dr. Ibrahim Berisha (informimi), dr. Qemal Morina (religjioni) dhe Xhavit Kajtazi (sporti). /KultPlus.com

Turpi

Nga Mehmet Kraja

Titulli. Është i shkrimtarit nga Afrika e Jugut, J. M. Coetzee, i cili në romanin e tij “Turpi” (Çmimi Nobel për Letërsi, 2003), në rrethanat pas aparteidit, i çon personazhet e tij në skajin e fundit të moralit, deri aty ku nuk mban më, teksa përballen me degradimin dhe shkatërrimin moral. Mirëpo, këtu del njërrethanë pak e ngatërruar: turpi është vlerë morale, qëdomethënë se, për ta ndjerë, duhet të jesh i prirë nga vlerat civilizuese dhe ta pranosh një kod etik, sado minimal qoftë ai. Me një fjalë, kufizimet morale janë vlerë civilizuese dhe nëpërkëmbja e tyre, si pasojë, çon në degradim moral, nërefuzimin e rrethit shoqëror dhe në brejtjen e ndërgjegjes. Nga këto tre komponentë të turpit, si reagim i natyrshëm ndaj përballjes me kodin etik, klasa jonë politike e ka përvetësuar vetëm njërën, pra shkarjen morale dhe nuk njeh as refuzimin shoqëror dhe as brejtjen e ndërgjegjes. Më anë tjetër, Makiaveli ia njeh politikës të gjitha amoralitetet, duke e vënë edhe gënjeshtrën në piedestalin e “vlerave” të këtij “arti të sëmundshmes”. Politikanët tanë, natyrisht, nuk e kanë lexuar Makiavelin, me të cilin do t’i kundërviheshin “Turpit” tëCoetzee-s, por ndjekin instinktin e tyre primitiv të “ujqërisë” për ta vandalizuar Kosovën në të gjithë përbërësit e saj.

Por, Kosova nuk falë.

Historia. Që nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe deri më sot kauza e Kosovës i ka turpëruar disa herë radhazi klasat e saj politike, liderët, titullarët e pushtetit, përfshirë edhe ata që ishin luajalë ndaj tyre. Si të thuash, ishte ky një fatalitet për të gjithë ata që deshën të abuzonin me punët e rëndësishme të këtij vendi. Gjatë kësaj periudhe Kosova nxori “në anën e errët të historisë” shumë personalitete, të cilët në kohën kur sundonin nuk e kishin marrë me mend se mund të kishin njëfund të tillë, të përbuzur e të tallur edhe nga vetë trashëgimtarët e tyre. Ndoshta më shumë se fatalitet, më shumë se ogur i keq, mund të jetë se kauza e Kosovës gjatë kësaj periudhe të historisënuk ka duruar shkelje të vlerave themelore të lirisë dhe atdhedashurisë. Që nga Lufta e Dytë Botërore dhe prapa kjo ka ndodhur me të gjitha klasat politike të Kosovës. Ka ndodhur me ata që në korrik të vitit 1945 në Prizren, në mbledhjen e tëashtuquajturit Këshill Krahinuer të Krahinës Autonome tëKosovë-Metohisë e miratuan aneksimin e Kosovës nga Serbia. Vendimmarrësit e këtij kuvendi ishin bartësit kryesorë tëpushtetit në njërën nga periudhat më të errëta të historisë së re tëKosovës, deri në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Serbia dhe Jugosllavia nuk i sakrifikoi bartësit shqiptarë të aksionit famëkeq të armëve, të shpërnguljeve masive për Turqi etj. por Kosova i stigmatizoi, i turpëroi dhe i la me faqe të nxirëpërgjithmonë. Më pas, të turpëruar dolën nga skena politike edhe bartësit e pushtetit autonomist të periudhës 1968-1974-1981, të cilët u mburrën në fillim, por dështuan ta mbronin Kosovën, kur ajo u përball me agresionin jugosllav për zhbërjen e autonomisë. Fatalisht të turpëruar dolën nga skena edhe “autonomistët e rinj” pas ’81-shit, të cilët më 1989, njësoj si pararendësit e tyre në Prizren, me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës miratuan unanimisht suprimimin e autonomisë. Shumë nga ne i mbajmë mend autonomistët, si u vërsulen mbi Kosovën në vitin 1981, me diferencimin e egër, me nëpërkëmbjen e çdo vlere; pastaj i mbajmë mend po ata autonomistë që kërkuan mbështetjen e popullit, kur u rrezikua pushteti i tyre. I mbajmë mend delegatët e Kuvendit të Kosovës më 1989, që miratuan ndryshimet kushtetuese, ndërsa dhjeta protestues vriteshin anë e kënd Kosovës. Nuk e di nëse është bërë histori ose ka mbetur vetëm memorie kolektive, por të gjithëve që kemi jetuar vitet ’90 të shekullit të kaluar na kujtohen abuzimet dhe gënjeshtrat me “shtetin paralel”, na kujtohen ata që kërkonin të dilnin nëzgjedhjet e Serbisë dhe ata që ditën punonin për pavarësinë e Kosovës, ndërsa natën bënin prokopi me Milosheviqin.

Kauza e Kosovës i turpëroi të gjithë.

Viti 1999: Këtu duhej të ndryshonte çdo gjë. U mendua se rrjedha negative e historisë për Kosovën u ndal një herë e përgjithmonë: nga skena politike duhej të dilnin, që të mos ktheheshin kurrë më, të gjithë ata që e “luftuan luftën” nga prapaskena, jo vetëm bashkëpunëtorët e fshehtë dhe të hapur tëSerbisë, por edhe ata që i ngatërruan politikisht “anët e horizontit” edhe në rrafshin e ideve. Kosova e çliruar nga Serbia, e vendosur nën një protektorat të fuqishëm ndërkombëtar, sipas një rendi normal të gjërave, duhej të edukonte një klasë politike europiane, e cila hyn dhe del nga skena politike përmes njëprocesi të rregullt demokratik. Mirëpo, ndodhi që çlirimtarët bënë gabimin historik në dëm të Kosovës dhe të vetes së tyre: uzurpuan pushtetin, uzurpuan prona, instaluan korrupsionin, manipuluan zgjedhjet, më pas shkatërruan institucionet, veçmas institucionet e sigurisë, politizuan dhe korruptuan gjyqësorin, shkatërruan asetet ekonomike të vendit, ia bënë gjëmën idealit tëtyre dhe e turpëruan veten përballë kauzës së Kosovës. Për tëshpëtuar nga fundosja, pos kërcënimeve dhe shantazheve qëfilluan të mos pinin ujë, pas rekrutimit të një numri të madh të tërinjve të etshëm për pushtet dhe pasje korruptive, bënë edhe manovrën më të pabesueshme: rekrutuan vasalë dhe mbështetësnga radhët e kundërshtarëve të tyre “gjenetikë”, përfshirë edhe bashkëpunëtorë të Serbisë apo trashëgimtarë të tyre ideologjikë. Shpesh u bënë mburojë politike e bizneseve që kishin lidhje tëforta me Serbinë, duke përdorur bisedimet e Brukselit në favor të këtyre bizneseve. Uzurpimi dhe mbajtja e pushtetit u bëkredoja e sundimit të tyre. Mirëpo, historia tregon se një sjellje e këtillë mund të mbajë për një kohë, por nuk mban përgjithmonë: kauza e Kosovës nuk i duron abuzuesit me idealin e saj të lirisë. Argumenti i fundit i çlirimtarëve, shpallja e pavarësisë sëKosovës, vetëm përkohësisht stabilizoi imazhin dhe pushtetin e tyre, por u zvjerdh dhe u shpenzua shpejt. Dështimi i turpshëm në ndërtimin e shtetit dhe të institucioneve të tij nuk mund tëfshihet më prej askujt. Por, mbi të gjitha, ajo që nuk është dashur t’iu ndodhte çlirimtarëve, kurrë dhe në asnjë rrethanë, pra nuk është dashur që disa syresh ta kërkojnë shpëtimin atje ku e kërkuan edhe pararendësit e tyre: te Serbia.

Po të mos ishte tragjike, do dukej patetike!

Gënjeshtra. E gjendur përball një erozioni të paparë, kjo klasëpolitike ka filluar ta kuptojë se nuk mund të vazhdohet gjithmonë kështu, se nuk mund të bësh sikur jeton i kënaqur brenda gënjeshtrës që e ka krijuar vetë. Askush nuk mund tëfshihet më pas historisë, as duke e krahasuar veten me iliro-pellazgët, as duke u marrë me etimologji amatore, as duke projektuar konspiracione të muslimanofobisë. Kjo klasë politike duhet ta kuptojë se njerëzit e këtij vendi nuk janë aq budallenj, se nuk mund t’ua fyejnë vazhdimisht inteligjencën. Ata kanë njëmemorie dhe e dinë çfarë keni thënë dje dhe çfarë thoni sot; çfarë keni bërë dje dhe çfarë bëni sot. Kjo klasë politike duhet ta dijë se, mbase, shumë prej tyre kanë për të jetuar këtu edhe pasi të bien nga pushteti, se shumica syresh kanë prindër, kanëfëmijë, kanë njerëz që i duan dhe atyre nuk iu pëlqen tëturpërohen deri në këtë masë. Sepse, tashmë e kemi mësuar, kauza e Kosovës të vë medalje në kraharor kur e meriton, por edhe të turpëron kur shkon kundër rrjedhës. Atëherë, si mund tëlejoni që ndonjë eksponent i juaj të hedhë në etër kaq shumëgënjeshtra dhe ju prapë të bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë?! Si mund të lejoni të gënjehet kaq pa shije, pa pikë turpi, sa tëthuhet Kosova do të bëjë marrëveshje historike me Serbinë, duke bërë “korrigjim kufiri”, duke marrë Luginën e Preshevës dhe duke mos dhënë asgjë si kompensim, as tri ose katërkomunat e Kosovës veriore, as Trepçën, as Ujmanin, as asociacionin me kompetenca ekzekutive? Po kujt ia thoni ju këto? A është Serbia ajo që e njohim të gjithë, apo nëimagjinatën tuaj keni krijuar një Serbi tjetër, të zbritur nga qielli, që nuk i ngjan reales?! Kë mendoni se mund të gënjeni me terminologji, se nuk bëhet fjalë për ndarje të Kosovës por gjoja për “demarkim” e gjepura të këtilla? Pse gënjeni, pse nuk keni kurajë ta thoni të vërtetën ashtu siç është: kërkoni shpëtim nga Serbia për dështimet tuaja të brendshme dhe të jashtme! Po tëmos ishit ju të tillë çfarë jeni, Kosovës do t’i shkonin mbroth tëgjitha punët, edhe liberalizimi, edhe integrimet, edhe njohjet, madje edhe OKB-ja dhe nuk do të duhej që tani, për të mbetur ju në pushtet dhe për të shpëtuar lëkurën, të kërkoni shpëtim, duke i dhënë Serbisë si kundërvlerë një “copë Kosovë”, që na e paska falur Rankoviqi! Edhe këtu gënjeni sa nuk mban më. Rankoviqi nuk i ka falur Kosovës asgjë, ju e dini këtë shumë mirë, por e thoni gënjeshtrën të “stolisur” me patriotizëm, që ajo të duket më bindëse dhe më joshëse për budallenjtë. Ata autonomistë qëju i sillni nëpër korridore si këshilltarë, e dinë shumë mirë se kur janë formuar komunat e Zubin Potoku dhe Zveçanit; Leposaviqi ka qenë komunë ngaherë, kurse Mitrovicën e Veriut e bëtë ju vetë komunë serbe, duke bërë marrëveshje me Beogradin dhe bosët e kontrabandës dhe duke mos lejuar kthimin e shqiptarëve në atë pjesë të Mitrovicës. Këto janë gënjeshtrat e fundit, që kjo klasë politike arrin t’i kullandris, para se e turpëruar, si varrmihëse e kauzës së Kosovës, të dalë përfundimisht nga skena.

Kjo mund të duket pak patetike, por nuk është.

Kushtetuta: Presidenti i Kosovës, ideatori i këtij galimatiasi, kërkon të përfshijë në projektin e tij gjithë spektrin politik të Kosovës, pozitë dhe opozitë, i vetëdijshëm se vetë nuk nënshkruan dot një marrëveshje të tillë. Një ide e këtillë e çoroditur nuk ka sesi të mos jetë objekt i shqyrtimit kushtetues, sepse askush, sado i paktë nga mendtë, nuk shkruan kushtetutëpa ua kufizuar diabolikëve mundësinë e shkatërrimit të shtetit. Nëse ka kush sy me e pa, këtë kufizim e ka edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Pika 1 e nenit 1 të Kushtetutës, në preambulë, ku përkufizohet shteti, thotë se Republika e Kosovës është shtet sovran, demokratik, “unik dhe i pandashëm”. Hartuesve tëKushtetutës, sigurisht duke u mbështetur në modele të tjera, kjo nuk u është dukur e mjaftueshme, prandaj në nenin 2, aty ku flitet për sovranitetin, kanë vënë pikën 2, në të cilën është thënëtaksativisht se “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohen me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe ligj”. Jo vetëm kaq. Në pakon e Ahtisaarit, e cila në një pjesë të mirë të saj është inkorporuar në Kushtetutë, është përcaktuar shumë qartë: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” (Kushtetuta e Kosovës, neni 1, pika 3) Atëherë, çfarë po ndodh? Në të vërtetë, presidenti me projektin e tij për ndarjen e Kosovës, apo këmbimin e territoreve, që është njësoj, gjendet në zgrip të shkeljes së Kushtetutës, vetëm se këshilltarët e tij kanë gjetur një zgjidhje “kushtetuese”: presidenti ende nuk ka bërë ndonjë veprim konkret, të cilin nuk do të mund ta gëlltiste as Gjykata Kushtetuese, sado e kapur dhe sado luajale të jetë ndaj presidentit. Edhe ekipi negociator u bë me këtëprapavijë: të gjendet një person ekzekutiv, që të nënshkruajë njëtraktat tashmë të negociuar prej tij. Pra, një dredhi që pale si do të përfundojë. Vetëm se është e panatyrshme, krejt jonormale, qëpresidenti i një vendi, që afro një vit e këndej propagandon dhe angazhohet publikisht për një agjendë politike në shkelje tëKushtetutës. Nuk ka rëndësi nëse presidenti formalisht dhe juridikisht nuk është bërë ende “objekt i përshtatshëm” për Gjykatën Kushtetuese, por është jashtëzakonisht e dëmshme për vendin, për rendin kushtetues, për pozitën ndërkombëtare tëKosovës, që i pari i shtetit, bashkë me bashkëpunëtorët e tij(gjithnjë i refuzuar dhe pa autoritet, me përkrahjen e vetëm 11%), angazhohet “me mish e me shpirt” për kauzëantikushtetuese dhe antishtetërore: ngarendin korridoreve të Brukselit dhe të OKB-së, paguajnë lobues dhe analistë, të gjitha këto jo për ndonjë agjendë shtetërore, për të shtuar numrin e njohjeve, as për bashkëpunim bilateral dhe multilateral të Kosovës me shtete dhe organizatat ndërkombëtare, por për ta cenuar integritetin territorial të shtetit që e përfaqëson. Të gjitha këto për llogari personale dhe për Serbinë.

Edhe nëse vjen nga një histori çlirimtarësh, kjo më nuk kalon!

Prapaskenat. Maqedonia i bie të jetë njëri nga kapitujt e fundit i serisë së krizave ballkanike. Suksesi i referendumit dhe përfshirja e saj në NATO është shërbimi më i madh që i bëjnëshqiptarët një agjende globale: mund të mbahet mend si njëmemorial mirënjohjeje për kontributin e Aleancës në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Por ky referendum njëkohësisht duhet tëshënojë edhe fundin e ndërhyrjes tepër të gjatë të Rusisë në këtështet të ri. Pas dështimit në Mal të Zi dhe në Maqedoni, mund tëpritet ose një zmbrapse e Rusisë edhe nga Kosova, ose e kundërta, një ndërhyrje më intensive e saj në Ballkan, veçmas nëSerbi, Bosnjë dhe në Kosovë. Por më shumë se çdo gjë tjetër, Rusisë i duhet precedenti i ndarjes territoriale të Kosovës, për çka ka arritur të tërheq në anën e vet edhe një pjesë të korruptuar të Brukselit. Krimeja, Abhazia, Osetia dhe Transnistria janëraste që kërkojnë një analogji të përshtatshme ndërkombëtare, për të legalizuar pushtimin rus të këtyre ish-krahinave sovjetike, respektivisht legalizimin e ndarjes së tyre nga shtetet përkatëse, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Pavarësisht se ngjan si konspiracion, nuk është rastësi që rikthimi i krizës së Kosovës ngjau në të njëjtën kohë me përkeqësimin e marrëdhënieve tëErdoganit me SHBA-në dhe afrimin e tij me Putinin, si dhe me një lidhje të tij të koordinuar me tre liderët ballkanikë, Ramën, Thaçin dhe Vuçiqin. Nëse ka ndodhur kjo në prapaskenë, dhe është krejt e mundur të ketë ndodhur, pavarësisht nëse është bërëpër arsye pushteti, faktorizimi ose Gjykate Speciale, dy liderët tanë mbajnë përgjegjësi historike që i kanë përfshirë shqiptarët dhe shtetet e tyre në një agjendë ruse-turko-serbe, duke i larguar dhunshëm nga bota perëndimore, të cilës natyrshëm i përkasin.

Epo, Zot, kësaj radhe mos i fal, sepse këta e dinë shumë mirë se çfarë bëjnë!

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Gazeta Express.

Mehmet Kraja: 10 libra të letërsisë shqipe që duhen lexuar

Shkrimtari Mehmet Kraja zgjedh “Rapsodi të një poeme arbëreshe” të Jeronim De Radës si një nga librat që nuk duhen lënë pa lexuar. Duke e quajtur një vepër pertej artit, Kraja na fton në një lexim ndryshe të De Radës. Më poshtë ai vjen me 10 sugjerimet e tij nga letërsia shqipe, për lexuesin e MapoLetrare.

Jeronim De Rada, “Rapsodi të një poeme arbëreshe”

Për mendimin tim, njëra nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Kjo vepër e De Radës pa të drejtë është zhvendosur nga letërsia në histori, pra është shtyrë disi matanë artit, është kthyer në data, në fusnota, në shënime bio-bibliografike dhe nuk sugjerohet si vepër për lexim. Arsye për këtë mund të ketë qenë gjuha, por vepra ka kohe që është rikënduar dhe, pranë tekstit origjinal, mund të shijohet edhe në këtë formë. Kjo vepër i qëndroi kohës për shkak të motiveve, të cilat, njësoj si tërë letërsia antike, shprehin raportet themelore të njeriut me enigmat kryesore të jetës e të ekzistencës. Së dyti, “Rapsoditë…” i bën art të lartë dendësia e madhe e figurave, që nuk shtrihet vetëm në rrafshin e gjuhës, por në shumicën e rasteve është qenësi e ligjërimit. Një prurje e veçantë e kësaj vepre është tematika kalorësiake dhe aristokrate, e cila për shkak të rrethanave historike, nuk do të përsëritet më në letërsinë shqipe.

Ndre Mjeda, “Juvenilia”

Ndre Mjeda është mjeshtër i madh i sonetit shqip, i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, një skalitës i jashtëzakonshëm i vargut. Mjeda është klasik i letërsisë shqipe; poezia e tij është një monument letrar i gdhendur në mermer. Pa të drejtë është lënë disi në harresë, duket për shkak të rivalitetit të françeskanëve me jezuitët, përfshirë edhe supozimin cinik se Mjeda u njoh edhe në kohën e diktaturës, ndërsa Fishta u anatemua. Pavarësisht se konsiderohet dialektore, poezia e Mjedës është model i mbarë vargimit shqip, sepse ajo shpërfaq, njeh dhe bashkon në një të përbashkët vlerat tingullore të fjalës me vlerat e saj kuptimore figurative, që është ideali më i lartë i poezisë. Poezia e Mjedës mund të lexohet edhe sot me ëndje, nëse mënjanohen disa paragjykime.

Ernest Koliqi, “Tregtar flamujsh”

Është njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës sonë, që ndikoi në bashkëkohësimin dhe emancipimin e letërsisë shqipe. Proza tregimtare e përmbledhjes “Tregtar flamujsh” e Koliqit u shkrua në një kohë qetësie shpirtërore të shqiptarëve dhe ajo reflekton gjuhë të emancipuar, jetë të stabilizuar shoqërore, kulturë qytetare dhe mendim kritik. Mendoj se është mbivlerësuar ndikimi i letërsisë italiane në këtë krijimtari të Koliqit, sepse ai shfaqet i asimiluar, njësoj si letërsia perse te Naimi, apo ajo rumune te Lasgushi. Në këtë pikë proza tregimtare e Koliqit nuk përbën ndonjë përjashtim. Nëse duhet bërë vërejtje gjuhës së Koliqit, kjo nuk lidhet me dialektizmin e thellë të leksikut të tij, sepse ai i përshtatet ambientit, por më shumë me sllavizmat e paasimiluara që gëlojnë në ndonjërën nga këto proza.

Mitrush Kuteli, “E madhe është gjëma e mëkatit”

Është vepra më e arrirë e Mitrush Kutelit dhe njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe. Në këtë prozë të Kutelit subjekti rrëfimor është vendosur në një kontekst fetar. Në një kuptim më të gjerë, rrëfimi është ndërtuar i mbështetur fort te situata biblike e “Këngës së këngëve” të Solomonit. Por motivi biblik është bartur në kohë dhe hapësirë, ashtu siç bëhet zakonisht në raste të këtilla. Vetëm se, kur bëhet fjalë te ne për misticizmin, në etër sikur ndihet njëlloj refuzimi, kështu që kjo mund të jetë një nga arsyet përse kjo prozë e Kutelit nuk ka arritur t’i vërë nën hije veprat e tjera të këtij autori, veçmas ato me tematikë sociale, ndonëse artistikisht është vepra e tij më e arrirë. Mistikja e shndërruar në situatë jetësore, kjo është veçoria themelore e kësaj proze. Gjuha e Kutelit në këtë prozë është model, se si koineja lokale ngrihet në nivelin e tekstit të kultivuar artistik. Ajo është gjuhë që krijon drejtpeshim të fuqishëm ndërmjet tekstit dhe kontekstit.

Petro Marko, “Qyteti i fundit”

Romani më i mirë i Petro Markos dhe njëra nga veprat më të mira të prozës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Shquhet për subjekt të zgjedhur dhe për guxim krijues, sepse romani edhe për nga tema, edhe për nga metoda krijuese del në anën tjetër të skemës, duke sfiduar ideologjinë dhe njërën nga shtyllat e saj, realizmin socialist. Petro Marko në këtë roman merret me pasojat e luftës, duke dalë “në anën tjetër”, pra në kampin e atyre që e kanë humbur luftën. Dhe aty gjen drama të mëdha, fate të përmbysura, jetë që marrin rrjedhë tragjike. Pavarësisht se autori ndjek me konsekuencë vijën e qartë antifashiste, duket sikur në shumicën e rasteve rrëfimi i del “jashtë kontrollit” dhe bie në “grackën” e humanizmit. Edhe në pikëpamje të metodës letrare ndodh e njëjta gjë: romani për mrekulli iu shpëton shtrëngesave të realizmit socialist. Një përpunim artistik i shkrimit do të mund ta bënte veprën më të qëndrueshme në kohë.

Ismail Kadare, “Kronikë në gur”

Është kryevepra e Kadaresë dhe njëra nga kryeveprat e letërsisë shqipe, roman që del jashtë skemës letrare të këtij autori dhe përvojës letrare shqipe në përgjithësi, kryesisht përmes një diskursi narrativ thellësisht përpunuar dhe përmes shpërfaqjes së një bote, e cila qëndron në kufijtë e ëndrrës dhe realitetit, të mitit dhe legjendës në njërën anë dhe historisë dhe bëmave reale në anën tjetër. Vepra mbështetet mbi rrëfimin retrospektiv dhe të sublimuar të “fëmijërisë së botës” për luftën në përgjithësi dhe për Luftën e Dytë Botërore në veçanti. Është një rrëfim i sinqertë, jashtëzakonisht poetik dhe i ç’idelogjizuar për një dramë njerëzore përmasash të mëdha, e cila, në një vend të vogël nxjerr në pah fate njerëzish të një realiteti të çuditshëm, gati të përmbysur dhe fantastik. Është roman jo tipik për luftën, që sublimon dije dhe kulturë letrare, roman që i tejkalon përvojat individuale dhe bëhet përvojë e shkrimit letrar e një koineje pothuajse universale. Romani disa herë është klasifikuar nder njëqind romanet më të mirë letërsisë evropiane të shekullit XX.

Azem Shkreli, “Poezi”

Është njëri nga poetët më të mirë të letërsisë bashkëkohore shqipe, figurë e fuqishme integruese e letërsisë shqipe: poezia e tij, për aq sa lexohet dhe analizohet, funksionon pa dallim në mbarë hapësirën letrare shqiptare. Është poezi kryekëput meditative, me shtresime të thella kuptimore dhe me shprehje të kultivuar gjuhësore dhe artistike. Heroi lirik i poezisë së Azem Shkrelit nuk është as kosovari dhe as shqiptari pasionant dhe euforik, por shqiptari racional, meditativ. Ky hero lirik asnjëherë nuk bëhet pjesë e turmës, pra nuk është hero kolektiv, përkundrazi, është individualist i fuqishëm, që mediton për tema të përjetshme si liria, qëndresa, dashuria, vdekja etj. Poezia e Azem Shkrelit përdor gjuhë dhe shprehje të kursyer dhe shquhet për gjetje origjinale në fushën e figurës poetike. Vepra letrare e Azem Shkrelit ka tiparet e njeriu të urtë, që mediton shumë dhe flet pak.

Ali Podrimja, “Lum Lumi”

Të paktë janë librat e poezisë si “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, që mbeten në vëmendje të lexuesit për një kohë kaq të gjatë, jo me ndonjë poezi, me ndonjë varg, me ndonjë motiv apo metaforë, por libri si tërësi. “Lum Lumi” vazhdon të jetë në vëmendje të lexuesit dhe të studiuesve të letërsisë. Ai u bë libër-emblemë i poezisë shqipe, një libër i veçantë, që shënon një kthesë me modernitetin e shprehjes, me emancipimin përmbajtësor, me një gërshetim jashtëzakonisht të suksesshëm të shprehjes së kultivuar dhe subjektit me referenca krejtësisht të qarta kuptimore. “Lum Lumi” është liria e panënshtruar për të shprehur dhembjen, është liria për të ndjerë, është liria për të vuajtur, është liria për të klithur, është liria për të thënë atë që ndjen. Për ta bërë “Lum Lumin” Ali Podrimjes iu desh shumë dhembje dhe po aq fjalë-figura dhe shprehje të gjetura. Në këtë libër elokuenca poetike e Podrimjes njeh depërtime të jashtëzakonshme.

Zija Çela, “Gjysma e Xhokondës”

Njëra nga veprat më të rëndësishme në opusin e krijimtarisë së Zija Çelës, për mua e veçantë, sepse, bashkë me romanin “Gjaku i dallëndyshes”, hap fazë të re të krijimtarisë letrare të këtij autori dhe manifeston qëndrueshmëri në tranzicionin e vështirë letrar të periudhës pas realizmit socialist në letërsinë e Shqipërisë. Me këtë roman Zija Çela bëhet model i frymës së re në prozën shqipe, e cila konsiston në përvetësimin kreativ dhe selektiv njëkohësisht të pluralizmit të shkollave letrare, duke ruajtur drejtpeshimin ndërmjet zërit të vet origjinal dhe kërkesave në rritje të lexuesit shqiptar. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë që nuk arritën të ecnin në hap me kohën dhe me zhvillimet e saj dinamike, me këtë roman Çela bëhet autor që letërsinë e tij e vendos në raporte komunikimi dhe konkurrence me prozën bashkëkohore kontemporane, sepse, nga njëra anë, ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa, nga ana tjetër, me tematikën e veprave të tij qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, duke u bërë jehonë pësimeve dhe dilemave të saj.

Vath Koreshi, “Ujku dhe Uilli”

Pavarësisht se konsiderohet roman me tezë të paravendosur, ku e mira dhe e keqja kanë fatin e paracaktuar, ky roman i Vath Koreshit shënon një sukses të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe pas kthesës së madhe të viteve ’90. Romani është një dëshmi se letërsia shqipe, pas shkërmoqjes së realizmit socialist, kishte potencial të brendshëm të rigjenerohej, veçmas romani, dhe të njihte depërtime të reja subjektore dhe gjuhësore. Romani është i rëndësishëm, sepse hap shtigje dhe ofron njërin nga variacionet e “ritregimit” të historisë, ndryshe nga ç’ishte rrëfyer historia deri atëherë: romani është histori ngjarjesh dhe rrethanash, por më shumë është histori lirike e dashurisë dhe pasionit, e vuajtjes dhe mbijetesës. Megjithëqë që sërish të skematizuar, autori i nxjerr personazhet nga skema ideologjike dhe i vendos në kufizime të tjera, duke bërë me dije se liria e vërtetë nuk ekziston, se ajo ka kufizime të tjera ekzistenciale, filozofike dhe botëkuptimore. Më anë tjetër, me këtë roman autori bën kërkime dhe depërtime gjuhësore të rëndësishme në nivel të prozës sonë romanore. /mapo/

Rrëfimi i Mehmet Krajës erdhi mbrëmë në kryeqytet

Alberina Haxhijaj

Letërsia dhe Qyteti, iniciativë kjo e cila ka si qëllim të rikthejë në jetën publike personazhe të njohur të letrave shqipe, ka filluar mbrëmë rrugëtimin e saj edhe në Prishtinë. Miku i parë i letrave të cilën ata sollën në Prishtinë, ishte shkrimtari i njohur Mehmet Kraja.

Kraja në kafenenë Sonder në Prishtinë ka biseduar së bashku me të pranishmit si dhe me dy gazetaret Beti Njuma dhe Alda Bardhyli rreth shkrimeve të tij por edhe më gjerë.

Kjo nismë u mirëprit edhe nga shkrimtari i cili theksoi se bashkime të tilla në mes të miqve ku në qendër do të jetë letërsia duhet të ndodhin më shpesh. Shkrimtari Mehmet Kraja solli fillimisht kujtime nga ardhja e tij nga Ulqini në Prishtinë si student për të studiuar letërsinë.

“Në Prishtinë kam ardhur ndoshta para 50 viteve dhe sigurisht që kam ardhur si student nga Ulqini dhe pastaj kam gjetur një rrugë jetësore të cilën e kanë ndjekur shumica e njerëzve në këtë anë, me shumë peripeci por edhe me një idealizëm do thosha”, u shpreh ai.

Mehmet Kraja në Prishtinë filloi të punonte edhe si gazetar në Rilindje, pastaj në Universitet ndërsa është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Prishtina më ka dhënë çdo gjë dhe për këtë i jam shumë mirënjohës, vetëm se Prishtinën gjithmonë kam dashur që ta shoh më mirë se që është. Kjo ndoshta më bën që të kem edhe një mendim kritik dhe ndonjëherë të jem edhe i pakënaqur. Pra, jo sepse nuk më ka dhënë mjaft por sepse dëshiroj që ta shoh më mirë”, tregoi Kraja.

Sipas tij shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë por kjo nuk do të thotë se ata nuk mund që të jenë edhe më mirë.
“Ne mundemi dhe duhet ta bëjmë më mirë. Pak gjëra na duhen mendoj unë, ndoshta pak më shumë idealizëm dhe pak më shumë korrektësi ndaj vetes dhe ndaj idealeve tona”, theksoi ai.
Mehmet Kraja krijimtarinë e tij e ka filluar në vitin 1974 me tregime, ndërsa në vitin 1978 publikohet romani i tij i parë i botuar nga Rilindja. Ai ka botuar 11 romane, 5 vëllime me tregime, 5 vëllime me drama si dhe vëllime të shumta publicistike. Proza mbetet mishërimi më i mirë i Krajës.

Tutje ai diskutoi edhe për fëmijërinë e tij në Krajë, një zonë pranë Shkodrës, e që ka lënë shenja edhe në krijimtarinë e tij.
“Shkodra ishte kështu ëndrra jonë, refuzimi jonë, historia jonë dhe çdo gjë sepse mbyllja e kufirit nënkuptonte një këputje të një nervi jetësor, ajo zonë nuk kishte se si të jetonte pa Shkodrën. Pikërisht ajo zonë u bë objekt i shumë tragjedive dhe i historive të dhimbshme. Kishte tragjiken brenda, absurditetin, një izolim të jashtëzakonshme e të pashembullt, në njërën anë malet, tjetrën liqenin dhe asgjë tjetër por kështu funksiononte”, u shpreh dora që shkroi “Moti i Madh”.

Sipas Krajës rritja në një qytet të tillë ku qyteti tjetër ishte ëndërr por në të njëjtën kohë edhe refuzim dhe rritja me këtë ngarkesë në kujtesë ka reflektuar edhe në librat e tij.
Në shkrimet e tij po ashtu kanë ndikuar edhe problematika të ndryshme të cilat ai i ka sqaruar, kujtojmë këtu kohën kur Shqipëria ishte atdheu i munguar për të gjithë derisa u përballën me anën reale të saj.
“Në mendjen e kosovarëve atëherë ishte projektuar një Shqipëri reale dhe sikur të shkoje dhe të shikoje gjëra që nuk të pëlqenin nuk mund ti thoje pasi që të quanin tradhtar. Kjo ndodhi deri në vitin 1990. Këtu zhgënjimi ishte i dyanshëm edhe shqiptarët e Shqipërisë u zhgënjyen me ata të Kosovës por edhe shqiptarët e Kosovës u zhgënjyen me ata të Shqipërisë”, tregoi shkrimtari.

Ai këtë e ka diskutuar edhe në “Vitet e humbura”.

Mehmet Kraja diskutoi edhe për gjeneratën e parë të letërsisë në Kosovë duke kujtuar edhe miqtë e tij si Azem Shkreli e Ali Podrimja.
“Nga kjo perspektivë shohim një komunitet kulturor i cili funksiononte më mirë sesa ai sot por edhe ai kishte probleme, as aty nuk ishte çdo gjë ideale”.

Leximi i letërsisë së Shqipërisë ka qenë çdo herë intensiv edhe gjatë atyre periudhave ku të mbajturit e kontakteve me shkrimtarët në Shqipëri ishte i vështirë, theksojmë këtu vitet pas ’81.
“Letërsia shqipe e them me bindje të plotë se nuk është me e dobët se ajo e Ballkanit, por nuk mund ta them me bindje më të thellë se ajo është ndër më të mirat. Koha ka ndryshuar dhe nuk është ajo kohë kur shkrimtarët afishohen si më të dijshmit e botës, nuk lexohet letërsia por lexohet diçka tjetër. Letërsia ka kohën e vet të keqe por kjo nuk ndodhë vetëm me letërsinë shqipe”, u shpreh Kraja.

Sipas tij në çdo letërsi mediokritekët përbëjnë shumicën dhe kjo është gjë normale por kjo s’do të thotë se e gjithë letërsia është mediokër. Sipas tij çdo letërsi ka shkrimtarë të mirë, shkrimtarë përfaqësues dhe pjesën tjetër të shkrimtarëve të cilët nuk janë përfaqësues.
“Në përgjithësi lexoj letërsi të mirë, të përkthyer por edhe tonën dhe duke qenë shkrimtar bëj një krahasim dhe shoh. Nga ato libra që sot marrin çmime të mira unë gjej shkrimtarë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri që nuk janë më keq se ata. Për shembull unë kam lexuar disa libra nga Orhan Pamuk dhe brenda letërsisë shqipe mund të gjej disa shkrimtarë të të njëjtit nivel. Është diçka tjetër që prurjet nga jashtë bëjnë çdo herë më shumë zhurmë”, u shpreh ai.

Sipas tij leximi i letërsisë nuk është problem letrar por një problem kulturor dhe i rrethanave shpesh herë edhe politike.
“Letërsia shqipe është një dhe e tërë. Ne duhet të merremi vesh dhe ta kalojmë një herë e përgjithmonë këtë problem. Ka dy përvoja letrare”, theksoi ai.

Tutje ai diskutoi edhe për rolin që duhet të ketë Akademia e Shkencave duke mos e arsyetuar këtu heshtjen e tyre ndaj temave të ndryshme, sipas tij këto Akademi duhet të mbajë përgjegjësi për ato që kanë bërë dhe për ato që nuk kanë bërë, aty ku nuk është reaguar. Mirëpo ai nuk arsyetoi as ndërhyrjet e shtetit në këto institucione si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Sipas tij pamundësia që librat nga Kosova të gjenden në Shqipëri nuk është problem letrar por kulturor. Mehmet Kraja diskutoi tutje edhe për shkrimet e tij të fundit që po përhapen në rrjetet e ndryshme sociale.
Letërsia dhe Qyteti ka për qëllim që të vazhdojë këtë iniciativë duke sjellë edhe shkrimtarë të tjerë të letërsisë shqipe në Kosovë për të diskutuar më shumë për letërsinë, qytetin, kulturën dhe peripecitë e letërsisë shqiptare ndër vite. / KultPlus.com

Rrëfimi i Mehmet Krajës

Të enjten me fillim nga ora 20:00, në kafenenë Sonder nisë rrugëtimin në Prishtinë “Letërsia dhe Qyteti”, shkruan KultPlus.

Ky rrugëtim fillon me Mehmet Krajën, i cili do të flasë mbi letërsinë, qytetin dhe politikën.

Mehmet Kraja, do të jetë përballë Beti Njumës dhe Alda Bardhylit./ KultPlus.com

Kraja: Si Edi Rama, si Thaçi, vazhdojnë të jenë nxënës të dobët të Rexhep Qosjes

Mehmet Kraja

Ideja serbe për ndarjen e Kosovës, e përtypur dhe e ripërtypur, e pohuar dhe e mohuar, e hedhur në opinion në mënyrën më makiaveliste, është krejt e mundur që në rrafshin e politikës reale të nxjerrë asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Është paradoksale, politikisht diletante që, ndërsa Britania e Madhe e mbyll diskutimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke konsideruar shtetësinë e saj si çështje të përfunduar, në botën shqiptare kemi presidentë dhe kryeministra, dhe një kor tjetër që iu shkon prapa, të cilët nëpër kancelaritë diplomatike rihapin çështjen e Kosovës në mënyrën më të papranueshme.

1.
Kohëve të fundit ndarja e Kosovës mori kuptimin e gjedhes politike, si zgjidhje-model e një konflikti të ngrirë, por me një potencial të fshehtë për të frikësuar kosovarët dhe për t’ua kthyer atyre idenë e humbjes pa alternativë. Ndarja u promovua edhe si ide, gjithashtu e fshehtë, e nënshtrimit të popullit kundrejt zotave të politikës, të cilët, duke qenë se janë të pajisur me fuqinë e ndarjes, pra edhe të zhbërjes, del se kanë në dorë potencialin e madh të shkatërrimit. Ndaj tyre populli duhet të rrijë kokulur. Idetë e këtilla në politikë përdoren për të sunduar, nuk përdoren për të zgjidhur ndonjë problem.
Ideja e ndarjes së Kosovës është ide serbe, nuk është shqiptare, as ndërkombëtare. Ajo u shfaq në vitet ’80 të shekullit XX në Serbi, si ide “post-memorandum”, për të gjetur alternativat e zbatimit praktik të manifestit antishqiptar të Akademisë Serbe. Në opinion u bë publik për herë të parë nga Vasa Çubriloviqi, i cili, pasi u dekorua nga Sinan Hasani, kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë, në një intervistë në medie doli me idenë e ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, si zgjidhje e vetme e problemit serb dhe shqiptar në Ballkan. Po pse i duhej Serbisë ndarja e Kosovës? Sepse, pas demonstratave të vitit 1981, demografët serbë të shkollës së Cvijiqit bënë një llogaritje: me Kosovën brenda Serbisë, siç propagandohej atëbotë, në gjysmën e dytë të shekullit XXI Serbia do të kishte mbi 50% të popullsisë me origjinë shqiptare. Kjo ishte perspektivë e zymtë e Serbisë. Prandaj Çubriloviqi, përmes ndarjes së Kosovës, kërkoi “vijë të qartë ndarëse” me shqiptarët.
Më vonë, gjatë viteve ’90, idenë e ndarjes së Kosovës e përfaqësoi dhe e zhvilloi Dobrica Qosiqi. Në opinionin serb kjo ide u promovua edhe si zgjidhje pragmatike e problemit të Kosovës dhe e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Të gjithë politikanët e rëndësishëm të Serbisë të fundit të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI, qofshin të majtë ose të djathtë, qofshin radikalë ose të moderuar, që nga Milosheviqi e Stamboliqi, përfshirë Koshtunicën, Sheshelin e Xhinxhiqin, e deri te Daçiqi, Nikoliqi e Vuçiqi, në punë të politikave nacionale të Serbisë, të çështjes së Kosovës dhe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe janë nxënës të dobët të Çubriloviqit dhe të Qosiqit.
Më anë tjetër, pavarësisht se ngjan si spekulim, mënyra si u zbatua spastrimi etnik në Kosovë, si u bënë shkatërrimet dhe dëmtimet pasurore, si u vendos dhe si u sollën trupat franceze të KFOR-it në zonën e Mitrovicës, përfshirë edhe sjelljet e UÇK-së dhe të faktorit politik shqiptar në muajt dhe vitet e para të pasluftës, duket se ideja e ndarjes së Kosovës nga një opsion i Serbisë, kishte kaluar edhe në mendjet politike ndërkombëtare dhe shqiptare.
Tanimë është e ditur se idenë serbe të ndarjes së Kosovës, sipas modelit të Qosiqit, në opinionin shqiptar e promovoi Rexhep Qosja. Ai e artikuloi qartë këtë ide, me atributin “këmbim territoresh”, duke e shndërruar në agjendë politike edhe fantazmën e frikshme të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX: të ashtuquajturën “zhvendosje humane të popullsisë”. Pavarësisht se Qosja nuk foli për ndarje të thjeshtë të Kosovës, por për këmbim territoresh, ky ishte shërbimi më i keq që një intelektual dhe shkrimtar mund t’i bëjë politikës. Me emrin e tij mund të lidhet edhe implikimi i Shqipërisë në këtë çështje, sepse, duke qenë i afërt me proveniencën e majtë dhe duke shërbyer si këshilltar i pashpallur i socialistëve, ideja e Qosjes “u kap në ajër” dhe u kthye në agjendë politike të Edi Ramës. Nuk është fshehtësi se Rama, në skenë dhe në prapaskenë është duke i ndihmuar Vuçiqit për ta promovuar në qarqet ndërkombëtare idenë e ndarjes së Kosovës. Marrë realisht, Edi Rama nuk ka ndonjë llogari të hapur me Kosovën dhe as që mund ta përdor atë për efekt elektoral, vetëm se, duke vazhduar një traditë të angazhimit subversiv të një pjese të faktorit politik të Shqipërisë në dëm të Kosovës, bën akrobacione të këtilla për t’u faktorizuar nëpër kancelaritë e shteteve evropiane, ndërsa shtetin e vet e ka copë-copë nga kontrabanda e drogës, kriminaliteti dhe korrupsioni. Ndërkohë, Hashim Thaçi, ekscentrik dhe plebè në politikë, nuk ka asnjë ide të qartë, por, i tronditur nga reputacioni i rënë brenda dhe jashtë vendit, paraqitet i gatshëm të shkaktojë tronditje përmasash të mëdha, me qëllim të rikthimit dhe të rikuperimit në skenën politike. Që të dy, si Edi Rama si Hashim Thaçi, në punë kombëtare dhe të çështjes së Kosovës vazhdojnë të jenë nxënës të dobët të Rexhep Qosjes.
Ndërkohë, ideja e ndarjes së Kosovës, e përtypur dhe e ripërtypur, e pohuar dhe e mohuar, e hedhur në opinion në mënyrën më makiaveliste, është krejt e mundur që në rrafshin e politikës reale të nxjerrë asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive dhe të lidhur me shtrirje territoriale. Sepse Rama, Thaçi dhe Vuçiq janë politikanë tipikë “postmodernistë”, diktatorë të vegjël të tipit të Erdoganit, të cilët kanë një kredo të përbashkët politike: manipulimin e pashembullt të opinionit.
Është paradoksale, e shëmtuar, zjarrvënëse dhe shkatërrimtare, politikisht diletante që, ndërsa Britania e Madhe e mbyll diskutimin për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke konsideruar shtetësinë e saj si çështje të përfunduar, në botën shqiptare kemi presidentë dhe kryeministra, dhe një kor tjetër që iu shkon prapa, të cilët nëpër kancelaritë diplomatike rihapin çështjen e Kosovës në mënyrën më të papranueshme. Nuk shtrohet më problemi se çfarë synimesh kanë këta eksponentë të politikës shqiptare, por thjeshtë duhet pyetur se ç’vende të çmendura janë këto, me parlamente, me qeveri dhe akademi (!), që iu japin mandat njerëzve të këtillë, për të folur për çështje madhore në një mënyrë kaq të papërgjegjshme.

2.
Po pse implikohet Shqipëria në këtë zhvillim politik, i cili ekskluzivisht do të duhej t’i takonte vetëm Kosovës? Dhe përse, pikërisht në këtë rrethanë, në Shqipëri shfaqen zëra që duan t’ia mbajnë krahun Serbisë, së paku duke ua bërë të ditur për të satën herë si serbëve ashtu edhe shqiptarëve (edhe kosovarëve, natyrisht) se Shqipëria është faktori relevant që i përcakton marrëdhëniet shqiptare-serbe dhe se Kosova është vetëm një episod i errët dhe i parëndësishëm i këtyre marrëdhënieve…?
Politikanë dhe analistë të Shqipërisë dinë t’i bëjnë vërejtje të shumta Edi Ramës në punët e udhëheqjes së shtetit dhe për punë të tjera politike, por nuk kam lexuar gjëkundi t’i ketë thënë dikush që të mos i bëjë çorap punët e Kosovës, siç i ka bërë ato të Shqipërisë. Më anë tjetër, nuk mund të gjendet ndonjë rast, që dikush nga Kosova ta ketë thënë publikisht qoftë edhe një fjalë të vetme për punët e detit, pra të ndarjes së ujërave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pse, kosovarët nuk qenkan rritur akoma për punë kaq të holla politike, apo nuk paskan aq ndjeshmëri, sa ta thonë fjalën e tyre për ndonjë çështje të rëndësishme të Shqipërisë? Kanë ndjeshmëri, gjithsesi, madje për habi të Shqipërisë, mund të kenë edhe dije, por te kosovarët është ngulitur bindja se Shqipëria i bën vetë punët e saj. Nëse Shqipëria ka vendosur t’i falë një copë det Greqisë dhe Mero Baze, ta zëmë, nuk e zë në gojë gjenocidin dhe masakrat greke në fshatrat e Tepelenës, ç’punë kam unë të shkoj në Athinë dhe t’u thonë grekëve se ne kosovarët ua kemi falur apo nuk ua kemi falur për punët e shëmtuara që keni bërë? Ndërkohë, analistë nga Tirana (ndonjëri prej tyre me mendje të kthjellët, ndërsa ndonjë tjetër i tillë që Shqipërinë e percepton deri në Kamëz dhe asnjë pëllëmbë më këndej), tani që Serbia i ka punët pisk me Kosovën për shkak të integrimeve dhe për shkak të marrëdhënieve të këqija me shumicën e fqinjëve, ngarendin në Beograd dhe, pasi hedhin në etër broçkulla politike dhe “gjenetike”, të lumtur që kanë arritur ta provokojnë opinionin e Kosovës, kthehen në Tiranë si triumfues të një kauze të dhjerë.
Në të vërtetë, të njëjtën gjë, përpara shqiptarëve të Shqipërisë deri në Beograd ia kanë therrë dhe vazhdojnë t’ia therrin vrapit vetë kosovarët, sekush për nostalgji, sekush për lojalitet ndaj Serbisë, sekush tjetër për ta verifikuar patriotizmin e zvjerdhur e sekush për të përfituar nga fondacionet europiane, por që të gjithë me agjendë të qartë politike: t’i ndihmojnë Serbisë më shumë se vetes së tyre. Opinionit në Kosovë nuk i bëhet vonë pse disa “bastardë kosovarë” ngarendin orë e çast në Beograd, herë legalisht herë ilegalisht, teksa ndihen shumë të lënduar, kur të njëjtën gjë e bëjnë shqiptarët e Shqipërisë. Duket se kosovarët nuk zmbrapsen nga marrëzia e kryehershme, se “kalamajve” të Kosovës nuk ua vë veshin njeri, kurse me Shqipërinë puna qëndron më ndryshe. Edhe pse zhgënjimet kanë qenë të vazhdueshme, shpesh tragjike dhe me pasoja largvajtëse, Kosova nuk heq dorë nga ky inferioritet i shëmtuar dhe nga ky shfajësim historik. Është një paradoks i çuditshëm që kosovarët kanë kërkuar ndonjëherë nga Shqipëria të bëjë për Kosovën atë që ata vetë nuk e kanë bërë për veten e tyre. Ndërkaq, shqiptarët e Shqipërisë, disa syresh, janë kujdesur në vazhdimësi të bëjnë deklarata lënduese për kosovarët, duke kompensuar kështu mungesën e potencialit real as për gjë më të mirë, as për gjë më të keqe për Kosovën.

3.
Në parantezë: Te kosovarët tashmë ekziston një përvojë dhe një kujtesë historike negative, se në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë shpesh herë ka hyrë në mes Serbia dhe se ajo, në raste të këtilla, gjithnjë ka dalë e fituar. Ja një sërë ngjarjesh, që ende rrinë “shtrembër” në raportet e Kosovës me Shqipërinë: Më 1921, në parlamentin e parë shqiptar bëhet një diskutim jashtëzakonisht përmbajtësor për Kosovën, por një vit më vonë Shqipëria dhe Jugosllavia e njohin njëra-tjetrën. Më 1923 ushtria shqiptare hyn në Zonën Neutrale të Junikut dhe e bën të paqenë atë, duke i dhënë goditje të pariparueshme lëvizjes kaçake në Kosovë. Më 1924 Noli vjen në pushtet i ndihmuar edhe nga Partia Përparimtare e Hoxhë Kadrisë, por pas tri ditësh urdhëron shpërbërjen e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Me ndihmën e Kryezinjve kosovarë Ahmet Zogu vë lidhje me Pashiqin dhe kthehet në pushtet në dhjetor të vitit 1924, por më pas vret një pas një dy liderët më të mëdhenj të Kosovës, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën. Komunistët kosovarë, që nga Ali Kelmendi e deri tek i fundit, ndihmuan komunistët e Shqipërisë të bënin partinë dhe t’i vendosnin lidhjet me Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe me Kominternin, por si shpërblesë morën Rezolutën e Bujanit, në të cilën garanci e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ishte edhe Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë. Vetëm se kjo ushtri nuk shkrepi asnjë plumb për ta realizuar këtë garanci. Pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia i shkatërroi grupet nacionaliste dhe antikomuniste kosovare me ndihmën e Shqipërisë, ndër të tjera, edhe duke marrë informacione përmes spiunëve grekë, me të cilët mbante lidhje Koçi Xoxe. Më vonë, gjatë sundimit komunist, disa nga grupet ilegale në Kosovë u dekonspiruan nga zyrtarët e Shqipërisë dhe më pas u dënuan me shumë vite burg, ndërsa pas vitit 1990 kosovarët u përdorën në Shqiëpri herë për të mbrojtur komunizmin e pashpresë, për ta marrë pushtetin me dhunë nga socialistët më 1997, ose për të rikthyer Berishën në pushtet më 1998 etj.
Pikërisht në këtë periudhë, gjatë viteve ’90, episodin më të shëmtuar do të përbëjë sjellja e pahijshme dhe lënduese e Shqipërisë institucionale dhe joinstitucionale në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Kur shpërthyen luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë, qindra shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë u gjenden në portin e Durrësit, nëpër rrugët e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, pa strehë dhe pa asnjë përkujdesje. Më pas, kur shpërtheu ofensiva kroate kundër Krajinës së rebeluar dhe ndodhi ikja e rrëmujshme serbe nga ajo hapësirë, disa emra të shquar të jetës publike të Tiranës ofruan shtëpitë e tyre për refugjatët serbë, ndonëse e dinin fare mirë se po këta refugjatë tashmë përdoreshin nga shteti i Serbisë për të rikolonizuar Kosovën. Po në këtë periudhë, kur dhuna serbe në Kosovë kishte marrë përmasat e gjenocidit dhe kishte filluar izolimi ndërkombëtar i Serbisë, pothuajse e tërë kryesia e Aleancës Demokratike, e përbërë nga intelektualë të shquar, ngarendën në Beograd gjoja për vizitë kurtuazie, ndërsa u takuan fshehtas me Milosheviqin. Më 1995-96, kur skemat piramidale kërcënonin me përmbysje të mëdha, ish-presidenti Berisha nxiti Demaçin kundër Rugovës dhe desh ta përdorte çështjen e Kosovës për të shpëtuar pushtetin e vet. Dhe, ndoshta, pika më zhgënjyese e këtyre raporteve nuk ishte takimi kokë më kokë i Nanos me Milosheviqin në Kretë më 1997, në vigjilje të luftës në Kosovë, por deklarata e kryeministrit të Shqipërisë në një forum të madh ndërkombëtar, në Lisbonë më 1998, se “Kosova duhet të ketë për kryeqytet Beogradin”, në kohën kur në Kosovë kishte filluar tashmë lufta e vërtetë. Mbyllje e parantezës.

4.
Si zakonisht, dua të bëj një përfundim kulturor: Në Shqipëri, gjatë 20 viteve të fundit janë botuar shumë autorë nga letërsitë e sllavëve të jugut, nga letërsia serbe, malazeze, boshnjake etj. Disa nga këto botime i kam në bibliotekën time, që kryesisht m’i kanë falur botuesit, si Andriqin, Paviqin, Tomasheviqin, Selimoviqin, Nikolajdisin, Hoxhiqin etj. shumica të përkthyer keq, madje edhe me tituj të gabuar, në disa raste duke u shërbyer me përkthimet e Kosovës. Askush nuk i lexon këta libra në Shqipëri, sepse përkthimi dhe gjuha e tyre është një tmerr (respekt për ndonjë përjashtim). Po, përse pra, askush në Shqipëri nuk e thotë se këta libra nuk i boton njeri për efekt leximi, as për efekt letrar e kulturor, por vetëm për efekte politike? Dhe përse për letërsinë e Kosovës, për gjuhën e saj, është bërë aq shumë zhurmë dhe botimi i saj në Shqipëri konsiderohet gati “mision i pamundur”? Atëherë, si ndodhë që këta autorë serbë, malazezë etj. i gjen me shumicë nëpër libraritë dhe panairet e Tiranës, ndërsa tek asnjë botues i Shqipërisë nuk e gjen dot Azem Shkrelin, Anton Pashkun, Esad Mekulin? Nuk bëhet fjalë për vlera letrare, assesi, as për kërkesa të lexuesit, por thjeshtë për ta refuzuar Kosovën me krejt gjedhen e saj kulturore.
Pse, pra, e gjithë kjo, pikërisht pse?

(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Gazetën Express). /KultPlus.com

Rikthimi i kohëve të errëta

Mehmet Kraja / Facebook

Nuk kam asnjë llogari të pambyllur me këtë vend, as politike, as patriotike, as kulturore, as letrare. Nuk kam as nxitje intelektuale, nuk kam as llogari pragmatike për të folur në këtë kohë, sepse në kohë krizash të mëdha, siç është kjo e jona, kur të gjithë flasin dhe dërdëllisin hipokrizi dhe dëngla amorale, nuk është mençuri as heroizëm që edhe ti të këpusësh ndonjë nga ato gjepurat e mëdha ose të vogla. Më anë tjetër, tashmë të gjithë u mësuam më këtë realitet dëshpërues dhe e vetmja gjë që na ka mbetur, është që të shohim deri ku mban durimi dhe deri në çfarë mase mund ta përballojmë pafuqinë tonë. Tani për tani në Kosovë nuk ka një masë kritike, e cila do të përbente kufirin moral midis të mirës dhe të keqes, që do të ndante vlerat nga jovlerat.

Pavarësisht si dukemi së jashtmi, pavarësisht në jemi shkaktarë apo viktima të këtij realiteti, duhet ta pranojmë se edhe vetë plëngprishësit, shkatërrimtarët e këtij vendi, të gjithë kanë filluar tashmë të ndihen bashkëvuajtës, sepse për sjelljen tonë të papëlqyer (lexo: idiote, të papërgjegjshme, primitive) kemi filluar të paguajmë faturën. Mbi të gjitha, pavarësisht në e themi me zë ose jo, të gjithë kemi filluar të ndjejmë një dhembje që na sfilit, një dëshpërim që ka zënë të na lodhë. Të gjithë, pothuajse të gjithë, kemi filluar të vuajmë nga pafuqia për ta duruar fyerjen dhe poshtërimin, që ia bëjmë vetes ose na e bëjnë çdo ditë. Na fyejnë dhe na poshtërojnë politikanët, titullarë institucionesh ose liderë partiakë, deputetë ose këshilltarë, të rinj dhe të vjetër, burra dhe gra, të cilët në çdo paraqitje publike afishojnë paditurinë dhe imoralitetin e tyre. (Si është e mundur që Kosova të jetë kaq e padijshme, sa ta durojë në heshtje këtë injorancë, këtë rrugaçëri, këtë mediokritet të përbindshëm?! Si është e mundur që Kosova të mos ketë pasur më shumë se kaq dije, kulturë, moral, dinjitet, vlera njerëzore?!) Na fyejnë dhe na poshtërojnë çdo ditë kolegët e mi, gazetarë, shkrimtarë, artistë, profesorë, akademikë, filozofë, sociologë, historianë, juristë, të cilët do t’i falte edhe vetë providenca qiellore pse nuk dinë më shumë, por nuk e di pse i falin fëmijët e tyre, teksa e venë në funksion të gënjeshtrës publike dhe të korrupsionit intelektual edhe atë pak dije që kanë. Na fyejnë dhe na poshtërojnë studentët dhe krejt të rinjtë e këtij vendi, të cilët e kanë humbur sensin e kundërshtimit dhe të protestës, tek dëgjojnë me indiferencë (të mërzitur ose jo, po kush i pyet?), ndërsa i mashtrojnë, i gënjejnë të gjithë me radhë, baballarët dhe nënat e tyre, njerëzit e fesë dhe të pushtetit, të shkollës dhe të mejtepit, të gjithë pa përjashtim ua nëpërkëmbin të gjitha shpresat dhe idealet.

Vetëm se krejt kjo duket patetike dhe nuk besoj se vlen aq shumë.

Por nuk është patetike, është tmerrësisht cinike, që në Kosovën e dëshiruar për më shumë vlera, tashmë po kthehen zërat e errësirës: kërcënimi i çdoditshëm për të humbur atë që është fituar; sekush legalisht, sekush ilegalisht punon që Kosova të humb territor dhe të integrohet me Serbinë; dikush tjetër ka përvetësuar të drejtën historike të pajtimit; një tjetër ka uzurpuar të drejtën e ndarjes së territorit; Shqipëria politike e ndihmon Serbisë për pacifizimin dhe ndarjen e Kosovës; sekush e pohon publikisht se është i përfshirë në krimin e organizuar serb; sekush tjetër e ndërton krejt prestigjin ekonomik dhe shoqëror duke bërë tregti dhe kontrabandë me Serbinë; nostalgjia për ish-Jugosllavinë (edhe për Serbinë) është bërë trend politik dhe kulturor; autonomistët dhe ish-luajalët e jugosllavizmës janë bërë heronj; ish-spiunët e UDB-së ose trashëgimtarët e tyre bëhen këshilltarë të burrave të rëndësishëm të shtetit; ideologjitë po rifuqizohen; marksist-leninistët dhe enveristët e djeshëm kanë bërë “bashkim ideologjik” më ish-komunistët jugosllavë; rikonfigurohen koalicione fetare, politike dhe ideologjike më të pamundshme që janë parë ndonjëherë; mëkatarët dhe blasfemuesit me pedigre, mashtruesit, zhvatësit dhe masa e madhe e njerëzve me deficit moral kanë gjetur strehën më të rehatshme te feja dhe patriotizmi, ndërkaq institucionet e shtetit janë azili më i madh i vagabondëve dhe pushtave të këtij vendi.

Pushteti absolut i injoranteve dhe i të korruptuarve, do të thoshte Sokrati, i vendosur përmes sistemit demoktatik është më i keq se çdo diktaturë.

Por as adhurimi i diktaturave nuk na mungon: erdoganizmi fetar dhe politik ka marrë përmasat e një epidemie.
Po kultura? Unë bëj pjesë aty dhe më duhet ta pranoj se mungesa e vlerave, korrupsioni kulturor, shthurja institucionale kanë marrë përmasa të çmendurisë kolektive. Për më tepër, derisa politika merret me “punët e mëdha të kombit”, në arsim dhe në kulturë është duke ndodhur një masakër e vërtetë. Si brez ne mbajmë përgjegjësi, pse nuk arritëm të ngrehim dhe të fuqizojmë një gjeneratë iluministësh, krijuesish dhe animatorësh të kulturës, që do të dinin t’i identifikonin vlerat dhe do t’ia dinin kuptimin artit të lirë dhe lirisë në art. Sepse, tashmë dhe tashmë, pikërisht në këtë fushë liria ka marrë kuptimin e zhvlerësimit, të së drejtës për të shkelur dinjitetin e vet dhe të kombit të vet, për ta nëpërkëmbur atë dhe për t’u mburrur me përdhosjen që i bëhet. Liria e Kosovës tani ka marrë kuptimin e së drejtës për të fyer dhe për të zbrazur pëgërat (lexo: flligështirën) mbi çdo shenjtëri. Ose, për të ngarendur deri në Beograd, me një vepër letrare, me një performansë teatrore ose figurative, që nuk t’i bluan mideja dhe ta çojnë barkun po u bëre konsumator i pavëmendshëm i tyre. Nuk është problem i madh pse disa OJQ tonat i gjejnë me aq lehtësi paratë për promovime të këtilla pa dinjitet; as nuk çon peshë fakti pse para opinionit kulturor të Beogradit na prezantojnë me jovlera, sepse në qarqet e atjeshme kulturore as që çan bythën kush për “mirëdita, dobar dan”; vetëm se, pikërisht vetëm se, është e shëmtuar dhe neveritëse që këta djem dhe vajza (dikur i quaja të UNMIK-ut, por tani nuk e di kush më se të kujt dreqin janë!), për të marrë legjitimitet patriotik dhe për t’u bërë objekt e medies në Kosovë dhe në Serbi, i luten Zotit që ndonjë polic serb të bëjnë ndonjë proçkë në kufi dhe nja dhjetë protestues të gjenden në ndonjë rrugë të Beogradit, në mënyrë që “dishepujt kulturorë të Europës”, që i ndihmojnë Serbisë për integrim, kur të kthehen në Prishtinë, të fitojnë atributet e heronjve të kombit.

Por nuk është vetëm kjo. Një performansë e para do ditëve në sallën e Kuvendit të Kosovës më bëri të çmeritëm. Seç kishin hyrë në atë sallë ca delikuentë të artit dhe e përdhosën atë në mënyrën më barbare, të cilët me lejen ose me ndihmën e vetë kryetarit, apo të ca skuthave përreth tij, vunë maskat në fytyrat e tyre dhe i kënduan rekuiemin institucionit më domethënës të shtetit të Kosovës. Askush nuk u brengos, askush nuk tha gjë, se ai Kuvend, përveç që është përdorur dhe keqpërdorur së fundi për shumë paudhësi, ai e ka edhe historinë e tij, nga më domethënëset për Kosovën dhe lirinë e saj. Të gjithë u duken të lumtur për këtë sadomazohizëm politik dhe kulturor të paparë, një pjesë e komunitetit artistik, mediet, të gjithë, pa çka se është pikërisht ky komunitet artistik dhe kulturor që e di mirë, se këta biçim artistësh, të cilët, pasi iu ka skaduar afati, pasi kanë humbur terren dhe substancë, edhe kreativitet natyrisht, iu kanë vërsulur tani atyre dy metelikëve të buxhetit të varfër të kulturës në Kosovë, duke ua marrë bukën e gojës atyre që artin nuk e mendojnë, nuk e ëndërrojnë dhe as e perceptojnë si bagël e qelbur e lopës, as si bythë plastike në Galerinë e Arteve të Kosovës. Po kujt i thua! Unë nuk e di pse këta artistë kontemporanë nuk i realizojnë këto ide atje ku kanë zgjedhur ta bëjnë jetën e tyre. Pse këta artistë kontemporanë, ta zëmë, nuk i vënë Statujës së Lirisë në Nju-Jork, rreth kokës dhe rreth qafës, një çallmë nja njëqind metër të gjatë të Bin Ladenit? Ose, pse nuk e improvizojnë një mur betoni nja 20 metër të gjatë, me tel me gjemba sipër, në sallën e madhe të Kongresit Amerikan, mbi atë qilimin e kaltër, aty pranë foltores, duke i vendosur rrëzë atij muri 10-15 fëmijë meksikanë të leckosur, tek hanë përshesh me lugë druri nga ca govata plastike? Përse, pra, para Muzeut të Holokaustit, po në Nju-Jork, këta artistët tanë kontemporanë nuk vendosin një statujë të Adolf Hitlerit të veshur si rabin hebre? Këto janë ide që tronditin botën, dhe jo ca bagla lopësh në Galerinë e Arteve të Kosovës. Të gjithë e dinë se idetë e këtilla, të shkalluara e të lajthitura gjithsesi, kanë një problem të madh: nuk gjejnë dot një vend të çmendur për t’i realizuar ato.

Zhgjyri kulturor dhe politik na doli në sipërfaqe edhe me shtatoren ose bustin e Anton Çettës (po e shkruaj me dy “t” për respekt, jo pse ka ndonjë kuptim). Tani më vjen për të qeshur nga shqetësimi që ndihet në ajër për një gjest jokulturor, poshtërues për memorien historike të këtij vendi, i cili vjen nga një institucion simbol, siç është Instituti Albanologjik, por që shumë vjet e këndej i pushtuar nga ca shkencëtar minorë dhe makiavelistë. Çudi për t’u çuditur nuk është pse Instituti Albanologjik në oborrin e tij nuk i bën vend Anton Çettës (mbështetës i LDK-së), sepse atë hapësirë ia ka rezervuar Rexhep Qosjes (mbështetës i PDK-së), por të habit fakti pse njerëzit nuk e paskan kuptuar tanimë se Instituti Albanologjik, edhe Instituti i Historisë, me punën që bëjnë që nja njëzet vjet e këndej nuk nderojnë më askënd, as Ali Hadrin pak më lart, as Anton Çettën apo Rexhep Qosjen pak më poshtë. Çudi për t’u çuditur është pse njerëzit nuk e paskan kuptuar se nuk është i politizuar vetëm Instituti Albanologjik, por e politizuar është edhe Biblioteka Kombëtare (po Biblioteka Universitare ku mbeti?), i politizuar është edhe Universiteti, madje edhe fijet e barit në hapësirën gjelbëruar përreth tij. Të politizuara janë të gjithë institucionet e kulturës, të tilla kanë qenë dhe, mbase, do të jenë edhe për një kohë të gjatë, si Tetari Kombëtar (derisa të mos vendosin ta rrënojnë një ditë, si në Tiranë), si Galeria, si Qendra Kinemtografike, si Muzeu etj., të gjitha, pa asnjë përjashtim. Këto institucione për afro njëzet vjet me radhë janë sunduar nga partitë politike, kryesisht nga PDK-ja, ndonjëherë edhe nga LDK-ja, qoftë përmes bordeve, qoftë përmes drejtorëve të ligjshëm ose të paligjshëm, përmes konvertimit dhe shitblerjes të lojalitetit, përmes financimit, përmes projekteve, përmes punësimit etj. Po cili është ndryshimi, çfarë e bëri sundimin e LDK-së më të mirë se sundimin e PDK-së? Asgjë, përveç se të dy palët kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, u kanë bërë gjëmën institucioneve, kanë ushqyer pasione të pandershme dhe, në shumë raste janë bërë bashkë për të luftuar kundër ndonjë kauze të drejtë, kundër vlerave dhe kundër atyre që i krijojnë ato. (Ndërkohë, unë që jetoj në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, mund t’ju bëj me dije se kam në afërsi një rrugë qorre që mban emrin e Anton Pashkut dhe një rrugicë të shëmtuar që mban emrin e Ali Posdrimjes. Esad Mekulin dhe Azem Shkrelin nuk i gjej dot askund.)

Në fund, në ndihmë të atyre që e kanë mendjen e turbullt dhe ende janë të përhantë, mund të shpreh një mendim: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para se të vdesin; me shkrimtarë nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë.

Mehmet Kraja: Basri Çapriqi ishte mjeshtër i vargut dhe i metaforës

Vdekja e profesorit Basri Çapriqi mbrëmë, pikëlloi shumë bashkëpunëtorët e tij dhe të gjithë ata që e kishin njohur qoftë edhe vetëm nëpërmjet poezisë, shkruan KultPlus.

Ndër reagimet e shumta që po bëhen nga mbrëmë e po vazhdojnë edhe sot për Çapriqin, është edhe reagimi i autorit Mehmet Kraja, i cili ka theksuar se letërsia shqipe mbeti pa njërin ndër poetët më të mirë.

Po sjellim të plotë reagimin e Krajës:

“Homazh për Basri Çapriqin
Të nderuar miq,
Unë zakonisht nuk bëj postime rasti në Facebook, por sonte më lejoni të bëj përjashtim. Dua t’i them dy fjalë për Basri Çapriqin, t’ua bëj të ditura atyre që e njohën dhe atyre që nuk e njohën. Sonte letërsia shqipe mbeti pa njërin nga poetët e saj më të mirë. Ishte mjeshtër i vargut dhe i metaforës, poet i ndjeshmërisë së hollë dhe mendimit të thellë.
Do të më mungojë poezia e tij, që gjithmonë më ngjante me një kurorë degësh ulliri…
Të falëm mik, nuk jetove gjatë, por nuk bëre jetë pa vlerë”, ka shkruar Mehmet Kraja./ KultPlus.com