Merita Mehmeti: Labirint Portretizues i Vrullit Poetik

Nga Merita Mehmeti
(Recension i librit “Ama dorën” të autores Dije Demiri-Frangu)

Hyrje

Bota fëmijërore ka qenë dhe do mbetet një ndër themelet kryesore të formimit të njeriut në të gjitha trajtat, ku prek ato copëza të krijuara nga imagjinata dhe poashtu ngritet në nivelin jetësor të ballafaqimit të realitetit, që domosdo do realizojnë ëndrrat në të ardhmen. Kjo padyshim që prek hapat kryesor të formimit të personalitetit ku çdo fëmijë kalon nëpër një lojë. Lojë të njohjes, lojë të të mësuarit, të analizuarit dhe padyshim të përjetuarit emocional, ku reflekton mbi botën imagjinare të një mendjeje të lirë dhe të pafajshme që në thelb na ofrojnë momente argëtuese.

Dije Demiri-Frangu, përmes poezive të saj në librin “Ama dorën”, përveç paraqitjes së botës fëmijërore, nuk i mungon të shprehurit e botës së saj për natyrën, përjetimet e lagjes, reflektime shpirtërore dhe paraqitje të përvojave të ndryshme jetësore ku shfaq episode të ndryshme dhe ndonëse edhe qesharake që përcillen herë-herë me një ton kritik, ku na përfytyron një ambient real në versionin e saj.

Motivet në këto poezi, përplasen me njëra-tjetrën jo për të paraqitur ndonjë qëllim dinamik apo diçka që është e paarritshme, por për të paraqitur situata të cilat janë të njëtrajtshme me qëllim që të krijojë vetëbesimin tek fëmijët, rëndësinë e ndikimit të tyre në jetën tonë, dhe në thelb paraqitjen e formës edukative në mënyrë që faji mos të ndikojë negativisht tek ta, me përqendrim që raporti kryesor në formimin e tyre është me të rriturit dhe këtë e hasim qysh në hyrje të librit, ku Dija shpreh gëzimin e saj si gjyshe për nipin.

Ballafaqimet e para të fëmijës me botën dhe reflektime emocionale

Poezitë fillojnë me lumturi, vazhdojnë me argëtim dhe përmbyllen me dhimbje dhe mallëngjim për humbjen e një personi shumë të dashur, duke reflektuar ndjenja të fuqishme njëkohësisht që na krijon një univers mendimesh dhe duke konkretizuar faktin që dinamikat e jetës janë të pashmangshme.

Pjesa e parë e veprës quhet “Kur isha mbret”, ku përfshin poezitë për fëmijë, ku autorja paraqet një art mendimesh e veprimesh inspiruese e atraktive, ashtu siç duhet të jetë një botë e fëmijëve, që nga të qarit e tij të parë e deri në momentet kur ata kapin frerët e jetës. Ata kalojnë në një botë të pasuruar me personazhe kafshë e insekte si dhe aktivitete me lodra, ku lë të nënkuptojmë se nuk kemi të bëjmë me tema që imponohen veprimet por me situata të cilat edhe ne jemi mësuar në jetën e përditshme.

 Kjo pjesë e parë shfaq haptazi kuptimin e ndjesisë fëmijërore nga Dija, sepse të jesh fëmijë, është sikur të jesh mbret sepse nuk adresohen gabimet e tyre, papjekuria, relacionet me botën e jashtme dhe shumë tjera ku ky fakt ngritet në diskurs real duke e larguar artin nga bota e tyre.

Poezitë e saj janë një shprehje direkte, konkrete të diçkaje që ajo sheh dhe jep mendimin e përvojave interesante me qëllim që të jenë të kapshme për lexuesit por që të fshihet edhe mesazhi në to. Poezitë janë përzierje emocionale të mendimeve, parimeve jetësore ku merr si subjekt natyrën, dashurinë familjare dhe i trajton ato me elemente të buta artistike, por që patjetër kemi edhe pjesë kritikuese të reflektimeve emocionale të saj.

Bota fëmijërore është gjithmonë e dashur dhe këtë e hasim në poezinë “Dëshira e një vogëlushi”, ku shprehet;

“Një djalosh ka një dëshirë fantastike,

 Të hynte si zog/Në një anije kozmike,

 Të udhëtojë natën/Të udhëtojë ditën,

 Dhe në hënë/Ta dërgojë frikën”.

Këtu hasim përjetimin e ëndrrave imagjinare të një fëmije ku mund të inspirohet nga një vizatim, fotografi, që ngritë dëshirën e tij për të sfiduar veten që të mposhtë uraganin e tij të brendshëm, qoftë ndjenjë zemërimi, frike apo gëzim duke përvetësuar karakter të posaçëm që të jetë në gjendje të realizoj idetë e tij dhe ambiciet.

Mes dhimbjesh, Dija shpreh edhe periudhën e luftës në Kosovë tek poezia “Fëmijëve të vrarë në Kosovë”, me vargjet;

“Ju kaherë në qiell e bëni lojën,

  Fshiheni pas diellit,

  Yjet i ndiqni në vend të fluturave”. 

Kemi të bëjmë me ëndrra të lëna në gjysmë, një shpërthim emocional kujtimesh për Kosovën tani të lirë që për ta u ndalë jeta sepse çdo fëmijë meriton të bëj lojën e tij, të manifestojnë lirinë shpirtërore, një jetë aktive për zhvillimin e tyre me qëllim që të krijoj një improvizim optimist.

Bota e fëmijëve njihet të jetë analizuese dhe interesante në letërsi, kështu që Dija, diti të trajtoj me mjeshtëri portretizimin e insekteve e kafshëve, ku hasim në poezinë “Merimanga është mjeshtre”, dhe shprehet;

“Kur merimanga gjyshe punon/Ta pengojë askush nuk guxon,

 Di fort të pickojë/Se punën me rrjetë nuk e zë lojë”.

Portretizimi i merimangës, ndonëse si gjyshe, nënkupton mundin e bërë me vite, në kuptim figurativ, që të ndihet krenare për punën e saj të palodhur të ndërtimit të pëlhurës, specifikisht shtëpisë ku çdokush do ruante mundin e vet dhe madje edhe të sulmoj nese dikush e pengon në universin e saj, por duke e theksuar gjithmonë si punëtore e cila nuk rri kot.

Për këtë arsye, autorja shpesh del dhe kritikuese në momente të veçanta ku nuk heziton të shpalosë mendimet e saj qoftë edhe për familjen apo persona të njohur që ka kaluar në jetën e saj.

Nëse merimanga është një punëtore edhe pse insekt, atëherë Dija na paraqet faktin që çdo kund ka një Don Kishot, dembel ku portretizimi është shumë real në aspektin krahasues, ku këtë detaj e hasim në poezinë “Don Kishoti i lagjes time”, ku shprehet;

“Provojnë të bëjnë atë që s’bëhet dot,

  Mendojnë se një punë e vështirë,

  Kryhet lehtë e mirë”.

Kjo liri shprehëse paraqet jo një filozofi të ndërlikuar, sepse kritikat e Dijes, prekin realitete të sotme por që gjithmonë kanë qëllime edukative. Këtë e shohim më së miri tek poezia “Asnjeri nuk mbet fëmijë”, ku fatkeqësisht kjo kohë e re ka ndikuar në mënyrë të padobishme tek gjeneratat e reja, ku edukativ konsiderohet telefoni sesa një libër të cilin mund ta kapësh kurdo, prandaj shprehet me një pasthirrmë;

“O në këto rrjete sociale,

  Më shumë po hamë nervozë/Sesa po pimë bozë,

  Si po rriteni kështu pa diell, o medet,

  Më asnjë fëmijë nuk mbet, o medet”.

Motivi i dashurisë dhe mund të themi edhe i lojës, shprehet me ide dhe fjalë ku krijojnë herë afri dhe herë kritikë ku autorja individualizon me qasje origjinale, meqë rast përmbushen të tëra si poezi urbane, sepse loja që trajton konsiderohet psikologjike që ndikon tek audienca e sidomos tek fëmijët që psikologjia e tyre konsiderohet sipërfaqësore pa pasur qëllim emocionet negative.

Motivet gërshetohen duke prekur natyrën dhe botën e brendshme që i zgjeron në kontekste të ndryshme, sepse shpirti për Dijen, është vendi ku takohen ndjenjat e pashmangshme të xhelozisë, urrejtjes dhe inatit, dhe ajo që ka kufij të pa përcaktuar si zemra, ku shprehet në mënyrë ironike;

“Vetëm njerzit e këqinj,

  E kanë zemren minus 1000,

  Kurr s’kam pasur ethe,

  Unë kurr nuk kam ngri”.

Motivi i dashurisë më tej, vazhdon edhe tek pjesa e dytë e veprës “Dashuria është kontinent”, ku në këto poezi ajo e tregon forcën e dashurisë përmes së cilës i shpreh me ndjenja të kontrolluara, ku ajo e universalizon më tej edhe tek qeniet tjera duke ngritur pikëpyetjen se pse nuk shkruhet edhe per dashurinë e tyre, këtë e vërejmë tek poezia “Kur dashuron foka dridhet toka”.

Në këtë pjesë poezitë shprehen si pëshpëritje intime, dhe jo siç jemi mësuar të dëgjojmë shpesh dashurinë mes njerzve, prap e universalizon aktin intim të natyrës, pra puthjen, si puthja e valës me bregun, flutura lulen, zogu zogun, bilbili  kanarinën dhe të tjera.

Poezia “Fjala të dua”, bart emocionet e pa lëkundshme për dashuritë e përhershme për babain, për nënën, shokun e miken, për fat të mirë e mbushur në të gjitha format dhe që për të shpërndarë pozitivitet, ndihet nevoja që ta shpreh tërë kohën;

“Ngado që ecë fjalën TË DUA, e them

  Shumë herë në ditë e atëroj,

  Ka të tjerë që fare se thonë/Disi me sy provojnë ta tregojnë”.

Kapërcimi i trajtës së motivit në aspektin e nostalgjisë

Pjesa e tretë “Lagjja që s’flet”, ka në thelb të trajtuar motivin e vdekjes, kryesisht vdekjen e gjyshes ku këtu hasim dhimbjen e madhe dhe raportin e afërt me të, ku vazhdimisht kujton veprimet e saj me dashuri.

Lagjja që s’flet nënkupton varrezat, ndjenjën e vetmisë dhe mendimeve që nuk kanë zhurmë, ndarje të gjata nga jeta duke i konsideruar me kohën si dhimbje të vjetra, ku qaset me një shpërthim emocional;

“Varret janë përrallë vetë,

  O gjithë ai gaz i gjyshes/Ku mbet ku u tret,

  Ajo shkoi/Në lagjen që s’flet”.

Nostalgjia për të, nuk është kujtimi i përkohshëm i cili zbehet me kalimin e viteve, por harresa edhe pse si fjalë ka kuptimin e fuqisë së zhdukjes, shfarosjes së imazheve jetësore, është po aq e fuqishme sa të rikthejë nga një detaj i vogël çdo gjë që lidhet me kujtimet edhe pas ca vitesh, prandaj;

“Harresa ngjan të jetë si era”.

Poezia e Dijës manifeston liri shpirtërore të jetës aktive të njeriut duke dhënë mundësinë të bashkëndjejmë çiltërsinë e lojës së fëmijës, duke improvizuar imazhe reale, ndonëse kritikuese por që në thelb ka qellim edukativ.

Paraqitja figurative ka qenë një përzierje e kjartë ku të lë përshtypjen se Dija ka depërtuar nëpër ato mendje, ku merr element natyrën, kafshët, insektet, problemet e falshme të fëmijës, përvojat e veta të jetës duke i trajtuar në mënyrë kronologjike proceset e jetës, ashtu siç e fillon me poezitë për fëmijë, duke kaluar në reflektimet e mendjes së saj dhe duke mbaruar veprën me kujtimin e vdekjes së gjyshes, duke lënë të kuptojmë nga vetë titulli se “Ama dorën”, i asocion procesit të jetës, të njohjes, të përjetimit dhe kërkimit në labirintet e errësirës dhe të lumturisë.

Shënim; Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, tek prof. dr. Sali Bashota, në nivelin e studimeve; Master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com

‘Dashnia jem s’asht e kësaj bote’ nga Ardiana Thaçi-Mehmeti, poezi finaliste në konkursin poetik ‘KultStrofa’

Ardiana Thaçi-Mehmeti

S’ka pse me pas afsh,
Dashnia qe t’therr n’shpirt,
Ku heshtja t’çon n’naltësin ma t’pamendume,
N’andje për nyjet e shpirtit,
E që veç e prekshme nuk asht.

Dy-tri sekonda mjaftojnë,
M’futë n’zemër nji dritë për ditët qi vijnë.
S’kam pse me t’pas ngat,
As n’dorë me t’mbajt.
Nji e pame prej larg,
Asht me ndij thellësinë tande.

N’dy-tre sekonda t’vjedhuna prej përditshmënisë,
M’ban me besu që dashnia s’asht veç fjalë
S’asht dishka fizike,
S’asht as epsh, as mishi, as prekje…
Asht drita e syve tu,
që m’njeh pa t’prekë n’krah.
Asht prania që e ndjej afër,
Pra, dashnia jem s’asht e kësaj bote./ KultPlus.com

Besiana Mehmedi dhe Adem Karaga sjellin ‘Adem Jasharin’ në Tetovë

Në Tetovë është shënuar edhe një e arritur në kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ansambli muzikor ka hedhur në skenë koncertin e parë gala, duke shënuar edhe hapat e parë drejt një rrugëtimi muzikor për të lënë gjurmë në muzikën shqiptare në vend.

Themelimi i këtij institucioni paraqet realizimin e kërkesës shumëvjeçare të kuadrove të cilët pasi përfundonin fakultetin muzikor, nuk kishin ku të vazhdojnë rrugëtimin e vet professional.

Pika kulminante ishte: “Legjendat këndoja me mall” një interpretim brilant i dy kërçovarëve Besiana Mehmedi e Adem Karaga. Nën përcjellje të orkestrës simfonike dhe korit, u portretizua në mënyrë madhështore figura e Adem Jasharit, interpretim artistik që ka ngritur sallën në këmbë të gjithë të pranishmit në Pallatin e Kulturës në Tetovë ku mbajt koncerti promovues i Ansamblit Muzikorë.

Pas Teatrit Kombëtar, Ansamblit të Këngëve e Valleve, për shqiptarët fillojë me aktivitet edhe Ansambli Muzikor. Një institucion tjetër shtetëror, me të cilin shqiptarët hap pas hapi po pozicionohen në pozita të barabarta dhe në sferën e kulturës.

Veprimtaria kryesore e këtij institucioni sipas drejtorit Jeton Pustina do të jetë përgatitja dhe prezantimi skenik i veprave muzikore të muzikës klasike, xhаz, vokale dhe vokalo – instrumental

Artistja e njohur Besiana Mehmedi, përmes llogarisë së saj sociale ka bërë një postim të veçante:

Emocion i jashtëzakonshëm! Atmosferë që falin ata që nuk vdesin kurrë sikurse është kryeheroi legjendar, Adem Jashari, i cili mbrëmë risolli frymën e bashkimit në sallën e Tetovës të stërmbushur me spektatorë nga të gjitha viset tona!

Çfarë ndjesie na ke falur Sami Piraj dhe Kreshnik Aliçkaj, neve në skenë dhe gjithë publikut me këtë kryevepër! Mbrëmë jo vetëm që u realizua një projekt madhor i liderit Ali Ahmeti, jo vetëm që u jetësua ëndërra jonë që nisi si ide që në vitin 2020 por shkoi në vend edhe amaneti i baballarëve tanë – të ndërtojmë kalatë tona për brezat që vinë!

Valmir Aziri përgëzimet më të sinqerta për angazhimin tënd si ish sekretar shtetëror në themelimin e kësaj Kalaje kulturore në të cilën të gjithë bashkë vumë nga një gur! Faleminderit për gjithçka që ke bërë për kulturën shqiptare në RMV!

Adem Karaga, Shkelzen Baftiari, Premtim Etemifaleminderit për realizimin brilant të kësaj vepre! Bashkë shënuam histori në këtë datë të rëndësishme dhe rikujtuam edhe njëherë fuqishëm së UÇK është mburoja jonë e përjetshme!

Violinistja Loena Mehmeti përmbledh punën e saj shtatë vjeçare me koncert recital, sjell magji e pjekuri artistike

Violinistja 14 vjeçare, por  shumë e talentuar, Loena Mehmeti mbajti sot koncert recital, ne sallën e Swiss Daimond, në Prishtinë.

Loena ndonse mjaft e re në moshë, tingujt kristal të violinës së saj përçuan emocion, virtuozitet e pjekuri artisike. Kjo mbrëmje solli për artdashësit laramani veprash të kompozitorëve të famshëm botëror, të cilat Loena i solli në jetë me shumë elegancë. Ndër veprat që ajo ekzekutoi ishin: Meditation-Jules Massnet; In the style Porposa- Kreisfer; La Fofia me variacione- A. Corelli, koncerti ne G,Dur, Op.24: O. Reinding, Allegro moderato, Andante sostenuto, Allegro, etj.

Në koncertin recial Loena pati të ftuar klarinetistin e talentuar, Diellor Gajtani, i cili ekzekutoi dy vepra.  Ndersa, i gjithë koncerti u përcoll nga korepetitori Melos Buza. Mësimdhënësja e violinës, Shqipe Bajraktari u shpreh mjaft e lumtur me prezantimin dhe arritjet e nxënëses së saj. Ajo tha se puna 7 vjeçare e Loenës në mësimet për violinë “nuk ka se si tē paraqitej ndryshe, pos kështu me kaq shumë profesionalizëm e emocion si sot”./ KultPlus.com

Enxhi Mehmeti vjen në Prishtinë me ekspozitën ‘Dream Baby Dream’

Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë prezanton këtë të mërkurë, ekspozitën e parë personale të Enxhi Mehmetit “Dream Baby Dream”, e cila format njerëzore në raste të caktuara i shkrin edhe në identitete të reja fantastike.

‘Dream Baby Dream’ është pjesë e programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2023 dhe modulit final të çmimit ‘Artists of Tomorrow’ i projektuar për të ofruar një ekspozitë solo për fituesit e Çmimit.

Enxhi Mehmeti është fituesja e çmimit Artists of Tomorrow 2021, e përzgjedhur nga juria e përbërë nga Anne Barlow, Qëndresë Deda, Minna Henriksson, Adam Kleinman  dhe Nebojša Milikić, të cilët gjetën në veprën e Enxhis një prani të fuqishme në shprehjet e tyre njerëzore dhe jo.

Në veprën e saj, Enxhi Mehmeti ngjall ngjarjet fantastike rreth saj, të cilat ajo i pëlqen t’i bëjë të dukshme për të tjerët përmes teknikave të  ndryshme artistike, duke kërkuar me fjalët e saj “durim dhe dashuri”.  

Veprat e saj zotërojnë njëfarë intimitet dhe brishtësi që përcjellin një prani të fuqishme në shprehjet e tyre të formave njerëzore dhe jo  njerëzore, të cilat në raste të caktuara shkrihen në identitete të reja, fantastike që veprojnë si tregimtarë. 

Enxhi Mehmet e lindur në vitin 1999 në Kassel të Gjermanisë është studente në Hochschule für Gestaltung Offenbach am Main. Punimet e saj janë prezantuar në ekspozita të ndryshme, duke  përfshirë shfaqjet në grup si “PRESENCE” në Cuchifritos Gallery + Project Space në Nju Jork dhe “The Patriot” në O’Flaherty’ në Nju Jork.

‘Dream Baby Dream’ me Enxhi Mehmetin mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe  Komuna e Prishtinës./RTK/KultPlus.com

‘Po të pres te shatërvani’ (Video)

KultPlus ju sjellë një këngë mjaft të dëgjuar, të interpretuar para 20 vitesh, nga Nexhmi Mehmeti dhe Ganimete Jashanica.

Kënga ‘Po të pres te shatërvani’, ka temë dashurie, të një dashurie ende të pa arrirrë, ku dëshira e zjarrtë për t’ia shprehur dashurinë personit të zemrës, manifestojhej me ëndrra.

Po të pres te shatervani:

Dhe kur dielli puth qytetin
Dal të pres të shatërvani.
Më buzqesh me buzë të zjarrtë
Se në shpirt më dogji xhani.
Po të pres pëllumb i bukur
N’kraht e tua, n’ëndrrat e mia.
Vallë si qenka dashunia
Më e fshehtë se fshehtësia
Oh, oh, oh.
T’ëndërroj natë për natë
O shpirt, o xhan
T’ëndërroj natë për natë
E s’të kam pranë.
Hape zemrën shpirt
Se më mbyti malli.
Kam dy fjalë i ruaj për ty
Do ta puth buzën e zjarrtë
Do t’i puth dy sytë e zi.
Dhe kur…
T’ëndërroj…