Publikohet “Mein Kampf” si homazh për viktimat

Një botim i komentuar i “Mein Kampf” do të publikohet këtë javë në Poloni, për herë të parë në këtë vend, dhe historiani që e ka përgatitur atë u përgjigjet kritikëve se bëhet fjalë për një “homazh për viktimat”.

Manifesti i Adolf Hitlerit, i botuar në 1925, hyri në domenin publik në 2016 por që nga ajo kohë nuk është ribotuar më. Deri më tani, vetëm Gjermania ka botuar një version të komentuar në vitin 2016, i cili ka 2 000 faqe dhe ka shitur më shumë se 100 000 kopje.

Edicioni kritik polak, i cili do të jetë si i dyti në botë, ka një mijë faqe, gjysma e të cilave përbëhet nga shënime.

“Sipas kritikëve, botimi i këtij libri përbën një fyerje për kujtesën e viktimave të nacional-socializmit. Sipas mendimit tim, është e kundërta”, vlerëson profesori Eugeniusz Krol, historian dhe shkencëtar politik, specialist i epokës naziste, i cili e përgatiti këtë botim për gati tre vjet.

“Ky është një homazh për viktimat e sistemit kriminal dhe një paralajmërim për gjeneratat e ardhshme”, theksoi ai.

Libri, që do të publikohet të mërkurën, përbën sipas tij një burim historik në një kontekst më të gjerë dhe nuk duhet të shfrytëzohet nga forcat ekstremiste”, shtoi ai.

Botimi i parë është 3 000 kopje dhe nuk është planifikuar asnjë fushatë reklamuese. Libri kushton rreth 150 zloty (33 euro), një çmim shumë i lartë në Poloni./ata/ KultPlus.com

Amazon e ndalon me në fund shitjen e ‘Mein Kampf’ të Hitlerit

Amazon ka ndaluar shitjen e “Mein Kampf”-it të Adolf Hitlerit (“Lufta Ime”) dhe librave të tjerë të propagandës naziste, e kjo pas një dekade fushate nga Shoqata e Familjeve të Holokaustit, transmeton KultPlus.

Kopje të shumta në gjuhët e huaja të “Mein Kampf”-it janë aktualisht të disponueshme në librarinë e Amazon në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë atë në gjuhën gjermane, botuar në vitin 2016, raporton “Guardian”-i britanik.

Ditët e fundit, shitësit e librave janë informuar se ata nuk do të jenë më në gjendje të shesin libra të tjerë me temë naziste, përfshirë dhe autobiografinë e Hitlerit dhe librat për fëmijë që përhapin ide antisemitike.

Në një e-mail për të cilin “Guardian” ishte në dijeni, individëve që shesin kopjet e përdorura të librit të “Mein Kampf”-it përmes shërbimit të Amazon, u tha që kompania nuk mund të ofronte më librin sepse ishte në konflikt me një kod sjelljeje në internet.

Organizatat kryesore të Holokaustit dhe grupet hebreje kanë mbrojtur që nga fundi i viteve 1990 idenë e ndalimit të shitjes së kopjeve të “Mein Kampf”-it përmes Amazon, megjithatë, tregtarët kanë bërë thirrje për të drejtën e fjalës së lirë dhe nevojën që brezat apo studentët të kuptojnë mendimin e Hitlerit.

Shumica e botimeve të lidhura me nazistët janë në dispozicion në internet, ku ato mund të shkarkohen falas. / KultPlus.com