Mejreme Berisha, hyjnesha e teatrit të Gjilanit

Krijimtaria e aktores që theu të gjitha tabutë e kohës

Nga Isak N. Bilalli  

Mejreme Berisha, nuk është thjesht një emër i përveçëm, respektivisht një punonjëse, e cila ka shërbyer një kohë të gjatë në një institucion kulturor, por një figurë emblematike që ka bërë shërbesë jetësore, të realizuar me shumë pietet në avancimin e vlerave kulturore në Teatrin e Qytetit.

Në teatër, ajo mbahet si një nga aktoret më të spikatura, me një arsenal të gjerë rolesh të interpretuara, e cila me dashurinë e saj, për skenën, ka arritur te konsiderohet si ikona e Teatrit të Qytetit. Aq sa është aktorja më e dalluar e teatrit, Mejremja është grua – simbol e qytetit të Gjlanit, që fushëveprimtarinë e saj e ka zhvilluar në shërbim te avancimit kulturor në çfarëdo lloj aktiviteti artistik që kanë organizuar institucionet kulturore komunale, rajonale dhe kombëtare ndër dekada.

Kjo është aktorja që theu të gjitha tabutë dhe klishetë e kohës dhe, duke qenë e tillë me specifikat e veta, është dëshmi e gjallë e përballjes direkte e të resë me të vjetrën, krijimtaria e së cilës, ndjek një nga rrugëtimet më të vështira dhe më sfidueset që një femër artiste mund te përballet. Këto lloj sfidash dhe vështirësish, në kohën e tashme, konsiderohen më të drejtë si jo-imagjinare, marrë për bazë stigmatizimin dhe paragjykimet që kanë dominuar në kohën kur Mejremja filloi dhe vendosi emrin e saj në listën e krye-kontributorëve të teatrit e të artit në Gjilan. Ishin vitet e rinisë së saj, vite të cilat Teatri i Qytetit po konsolidohej dalë nga dalë duke grumbulluar rreth vetes regjisorë, aktorë e dramaturgë Gjilanas që ishin shkolluar dhe kishin krijuar përvojë në shkollat dhe teatrot Jugosllave të kohës. Atë botë, vitet ’70-ta, kishte një mungesë të theksuar për aktorët femra, kohë në të cilën Mejremja merr guximin për t’ dal stuhive te kohës përballë krejt e vetme. Ne atë interval kohor ajo mori guximin t’i bashkohej plejadës se artistëve që shtruan themelet e shtëpisë që quhet teatër, por mos të harrojmë që përfshirja e saj ishte tabu temë e veprim për shumicën absolute, sepse në atë ishte e paimagjinueshme që një femër të gëzonte integritet profesional në shpalosjen e vlerave artistike në skenë. 

Ne këtë kontekst, pyetjen qe ia adresova aktores Berisha, për hir të së vërtetës, m’u desh ta  drejtoja me një dozë abiguiditeti dhe kurreshtje se si ka arritur te guxojë si 17 vjeçare të ndjek ëndrrën për t’u bëre aktore teatri? Ajo m’u përgjigj me një fjali, duke zbërthyer thjesht dhe bukur narracionin që unë prisja të ishte i gjatë: Jo të gjithë e kuptojnë rrugën që ndjek, mos e kthe kokën qe t’ju japësh shpjegime atyre qe nuk të kuptojnë…

Ishte sentenca e mësipërme zgjidhja e të gjitha zgjidhjeve, përgjigje që në vetvete ngërthen, para së gjithash dashurinë dhe pasionin e fortë që Mejremja e ka pasë dhe vazhdon ta ketë për teatrin, skenën, artin, të bukurën, për të cilën nuk e kurseu asnjëherë kontributin e saj, sado i vogël të ketë qenë, pavarësisht roleve që i janë besuar.

Me tutje Mejremja shpjegon me shumë modesti se dikush duhej thyer akullin dhe duhej mbytur paragjykimet me qëllimin e vetëm qe teatri dhe aktivitetet artistike, të ishin shtylla kurrizore e zhvillimit kulturor të shqiptarëve. Ne këtë kontekst ajo shpjegon që kishte edhe vajza të tjera të guximshme që ndiqnin të njëjtën ëndërr si: Xhevahire Murtezi, Shpresa Vokshi, Bedrije Rexhepi e të tjera, të cilat vinin me një elan dhe me një dashuri të pakushtëzuar për skenën, të cilat tok lanë gjurmë në zhvillimin e artit e teatrit në Gjilan. Pa përjashtim, Mejremja kishte miqësi, kolegialitet dhe afrimitet me të gjithë, por bashkëpunimi me Xhevahiren, e cila u nda nga jeta në pikun e karrierës, është cilësuar si nga duetet potenciale më të bukura që i bashkonte pasioni i madh për skenën.

Rrugëtimi profesional i Mejremes, dëshmon që ajo u formësua duke u bëre shtyllë kurrizore e teatrit, trajektore që shpeshherë ka prekur kufijtë e të pamundurës. Ky rrugëtim, duhet që në njëfarë forme të admirohet dhe vlerësohet si kontribut ekzemplar që meriton të ngritet deri në nivelet e falënderimit më të lartë shtetërorë. Për ta përshkruar, karrierën jetësore të Mejremes, është shumë e domosdoshme të ndalemi për të kuptuar arsyet apo shkakun kryesor se pse dhe si Mejremja arriti të prek majat e suksesit në karrierë, respektivisht kush e ndihmoi të arrinte këtu ku është sot?

Personi për të cilin flasim është profesor Nagip Berisha, bashkëshorti i Mejremes, një intelektual, piktor i kompletuar, artist, edukator e humanist, që ishte katalizatori dhe frymëzuesi që në çdo instancë e mbështeti të shoqen. Nuk mund të mos e takoja profesor Berishën dhe të merrja përshtypjet e tija për karrierën e së shoqes për shumë arsye; së pari, kam qenë nxënës i tij dhe kam ushqyer gjithmonë konsideratën maksimale si një nga mësuesit dhe pedagogët më të shquar të kohës dhe, së dyti, kureshtja për të mësuar formulën se si ky çift ka arritur t’i jap aq shumë kulturës Gjilanase.

Mejremja, në sytë e profesor Berishës, vazhdon të jetë dashuria e tij e jetës, e dashuruar njëlloj në artin dhe skenën, plot talent dhe ambicie për t’i dhuruar publikut sa me shumë art e kulturë. Ai ndjen një zbrazëtirë sa i përket karrierës së Mejremes, sepse me fillimin e trazirave të shpërbërjes së Jugosllavisë, karriera e saj u gjet në udhëkryq sepse institucioni, ku ajo punonte, u gjend në një formë paralize. Mejremja dhe e gjithë plejada e aktorëve të teatrit, nuk mund të krijonin lirshëm dhe ishin të shtyrë të vepronin në rrethana mbijetese, sepse shfaqjet teatrale kërkonin angazhim gjithëpërfshirës jo një lloj siç është krijimtaria në pikturë që mund të shprehesh individualisht.

Me pas, krahasova shënimet e marra nga Merjemja dhe rezultonte e njëjta gjë: Mejremja pohonte që pa profesorin nuk mund të imagjinohet një arritje e tillë artistike, sepse i shoqi, përveç se ishte bashkëshort i veçantë ështe para se gjithash një artdashës i madh, tek i cili prevalon respekti dhe mirëkuptimi human. Kjo relatë unike përkon si një histori e bazuar në ngjarje të vërtetë që mbase nesër të jetë një love story për të dëftuar këtë histori dashurie e një çifti që i bashkoi më shumë dashuria për artin dhe në shërbim të artit.

960,1280,0,0.45,-1

Si e filloi Mejreme Berisha rrugëtimin për t’u bërë figure emblematike e Teatrit të Qytetit?

Shkëndijat e para të dellit dhe guximit artistik të saj, dallohen që në adoleshencë të hershme nga mosha 12-13 vjeçare, kur Mejremja ishte figurë e pazëvendësueshme  si recitatore e dalluar në nivel konkurrimi ndër shkollash dhe kompeticionesh letrare në Komunë.

Recitimi i bukur, të shprehurit artistik në poezi, potenciali i saj interpretativ, e bënë që artdashësit e kohës ta shihnin Mejremen me një të ardhme të ndritur, por askush nuk pandehte se ajo do bëhej pjesë e trupës së teatrit aq shpejt dhe aq natyrshëm. Historia e përfshirjes se Mejremes në teatër dhe realizimi i rolit të saj të parë, lidhet me përpëlitjet e regjisorit Muharrem Shahiqi në vitin 1976, i cili atë botë po vinte në skenë shfaqjen “Dasëm në Lufte” të autorit Minush Jero. Bartëse e rolit kryesor të femrës ishte Xhevahire Murtezi, e cila krahas roleve në teatër, ishte edhe anëtare eminente e ansamblit të valleve dhe në kohën kur duhej të jepej premiera e shfaqjes ishte paracaktuar gjithashtu pjesëmarrje e ansamblit në Rusi të cilën pjesëmarrje valltarja Murtezi duhej doemos ta ndiqte. Kjo përplasje në agjendë e kishte vënë në siklet të madh regjisorin Shahiqi, i cili nuk kishte pasë alternativë tjetër përveç se ta ftonte Mejremen që ta zëvendësonte rolin kryesor, respektivisht ta punonte rolin një recitatore që nuk kishte shkelur asnjëherë në skenë. Guxim i pashoq i regjisorit dhe i aktores së re, të cilët, së bashku në afat rekord realizojnë këtë sfidë enigmatike që në njëfarë forme ishte bileta hyrëse përmes portës së madhe për Mejremen, e cila natyrshëm mori tagrin si aktore meritore në Teatrin e Qytetit.

Kjo nuk është histori e zakonshme, ku një regjisor bën një zëvendësim të aktores dhe vihet në repertor shfaqja që është planifikuar, sipas një plan-programi të rregullt, por këtu është fillimi i një historie të pazakontë, në të cilin, artistja e re Mejreme Berisha, me këtë rol përfaqëson Kosovën në kompeticionin e teatrove në nivel Republikan në Kullë të Vojvodinës të kohës dhe shpërblehet me medaljonin e artë.  Aspak e rëndomtë dhe as rastësore që kjo vajzë e re Gjilanase të stoliset me rolin e parë në skenë me mirënjohje nga nivelet më të larta artistike te kohës ne ish Jugosllavi. Falë këtyre arritjeve madhore, ajo zë vend si punonjëse e rregullt ne vitin1980, si aktore me kohë të plotë në Teatrin e Gjilanit aktivitet që vazhdon ta ushtrojë edhe sot.

Nga roli i parë, ajo nuk iu nda asnjë moment teatrit. 

Për Mejremen, aq sa ka qenë mbresëlënëse mënyra e rrufeshme, se si ajo i bashkohet trupës së teatrit po aq frymëzues dhe i paharruar mbetet roli i parë, të cilin ajo e realizoi duke e cilësuar si më të veçuarin, në karrierën e saj. E gjitha kjo, lidhet me atë momentin kur artisti del në skenë për herë të parë dhe mbështillet me një magji që shoqërohet nga një aure e gjatë – e gjithë jetës në skenë.

Ajo vazhdon ta ndjejë magjinë që vetëm skena ia dhuron artistit, ndjenjën e mahnitshme duke filluar nga roli i parë dhe në çdo rol tjetër, ndjenjë e pa-përshkruar që artistit të vërtetë asnjëherë nuk i ndahet kjo aure.

Jeta në skenë dhe për skenën, ka edhe anën tjetër të medaljes që krahas ndjenjës së pa-përshkruar të krenarisë e madhështisë, është një nga detyrat më të zorshme që mund t’i ngarkohet njeriut, sepse duhet të lexosh brendinë e karakterit dhe ta pasqyrosh në skenë në dimensionin dhe thellësinë e duhur. Për ta servuar mesazhin, tek publiku në kohërat e më hershme ka pasë censurim të fortë dhe diktim nga lart që pushteti i asaj kohe ka ngulmuar në burgosjen e mendjes dhe mbajtjes peng të zhvillimit kulturor të shqiptarëve dhe për ta hequr qafe këtë lloj prange është dashur punë e madhe në teatër.

Sa ishte e vështirë të realizojë role në të shkuarën?

“Puna në teatër, është tejet e vështirë. Në vartësi të kohërave, shumë shpesh provat e tavolinës i mbanim në kushte të vështira me një ngrohëse që të ngrohte njërin krah por merdhiheshe nga pjesa tjetër, e kur punohej mizanskena sikur ishte pak më mirë sepse edhe lëvizje në skenë” ishte një përshkrim shumë domethënës që e shkoqita nga biseda me të, rrëfenjë, e cila dëfton dimensionin e vështirësive që ajo dhe aktorët janë përballur me kushte ekstreme për të prodhuar diçka që publiku e shijon për një orë a pak më shumë.

Mejremja, kujton me nostalgji që ato kohëra të vështira, në të cilat ajo dhe e gjithë plejada e aktorëve kanë punuar me pasionin më të madh në botë, gjithmonë me ambicien dhe qëllimin e përbashkët madhor në krijimin e një trupe të dinjitetshme dhe profesioniste që mbron vlerat letrare e kombëtare.

Askush, nga kjo kastë aktorësh, nuk ka pasë ambicie personale për t’i bërë promocion vetes si aktor/e më i dalluar se tjetri, por qëllimi ishte i përbashkët, që avancimi artistik të ishte në shërbim të një evolucioni kulturor dhe, këtë objektiv e ka arritur Mejremja bashkë me trupën e Teatrit te Qytetit, duke u bërë të dalluar në nivel krahinor, republikan e federativ të kohës. Kur jemi tek të arriturat e institucionit, Mejremja kujton me mallë dhe nostalgji të theksuar rolin e saj respektivisht shfaqjen “Princi i hijeve” të Teatrit të Gjilanit, shfaqje, e cila mori pothuajse të gjitha çmimet në festivalin e teatrove të ish Jugosllavisë. “Në atë kohë është punuar me pasion shumë të madh, gjithmonë me ambicien se do të realizohet objektivi madhor dhe në… “Teatri i Gjilanit” ia arritëm së bashku të jemi referencë e arritjeve më të mëdha profesionale të kohës”, pohon Mejremja.

Që nuk iu nda asnjë moment teatrit e skenës dëshmon historiografia e saj, por tejet interesante dhe e pazakontë është dalja në skenë e saj në shfaqjen “Certifikata e kurorezimit” me 07 mars të vitit (?) vetëm tre ditë pasi lind fëmijën e saj. Ky rast dëfton forcën e saj të pazakontë si dhe vullnetin për të realizuar zotimet e saja të dhëna. Po aq sa është frymëzuese kjo histori, është edhe inspiruese për gjithë ata artdashës e kolegë që e njohin Mejremen në mënyrën, se si ajo i bashkon dy dashuritë e saj: familjen dhe skenën në shërbim të artit dhe të së bukurës. Në këtë kontekst, nuk mund të lihet pa u elaboruar shfaqja/diadrama “Nata e Elverit”, ku ajo luan me të birin Kreshnikun në të cilën shfaqje gjejmë një mishërim artistik  dhe emocional të një nëne që në skenë nxjerr në sipërfaqe nuanca të thella dashurie për të birin (e skenës). Publiku dhe kritika e ka vlerësuar lart realizimin e kësaj shfaqje, në veçanti për faktin se me këtë rol, Kreshniku diplomon në Akademinë e Arteve, Prishtinë, por Mejremja e kujton si rol me barrë të shumëfishtë, në të cilin kryqëzoheshin sfidat dhe arritjet familjare, në të cilën cilësi duhet të kujdesesh më fort për partnerin në skenë se sa për veten. Për me shumë, thelbi i shfaqjes prek kufij të paprekshëm në të cilën trajtohet edhe vrasja si formë e shprehjes së dashurisë për t’i shpëtuar vdekjes, përgjegjësi skenike që është shumë e rendë për t’u realizuar, e cila mishërohet me emocione të forta.

Role nga me te ndryshmet qe lënë gjurme te pashlyera

Mejreme Berisha, i takon llojit te aktorëve që ka pasë fatin të luaj role nga më të ndryshmet dhe i është përshtatur sikur specifikës së karakterit, por edhe moshës. Si e re, ka luajtur shumë role të plakave dhe, edhe në moshë të madhe, ka arritur shumë sukses të realizojë role të të rejave në moshë. Ky universializëm është mundësuar nga fakti se Mejremja ka pasë dhe e ka aftësinë e transformimit të plotë në skenë, për të cilin fenomen ajo shprehet se “Artisti duhet të konformohet në skenë në vartësi të rolit që duhet ta luaj”.

Kur jemi te varietetet e roleve, është me interes për ta theksuar për publikun të përmendet një nga shfaqjet kryevepër të saj, monodrama “Vdekja e një mbretëreshe” e realizuar në dy etapa të ndryshme, ta quajmë historike, ku jepen vështrime të ndryshme perceptive, referuar momentumeve. Kjo shfaqje është realizuar ne vitin 1998 (periudhë në vigjilje të luftës) nën regjinë e Hajdar Paçaradës dhe më pas ështe realizuar sipas konceptit regjisorial të Muharrem Sylejmanit ne vitin 2006.

“Vdekja e një mbretëreshe”1998, e punuar në kushte ekstreme reprezaljesh psikologjike dhe vuajtjesh njerëzore i është servuar publikut si forcë e motiv për të vazhduar me rezistencë, është pritur me ovacione të forta nga publiku, nëpër sallat e improvizuara nëpër fshatra të Gjilanit si një thirrje për bashkim e rezistencë, të cilën vetëm Mejremja ka ditur ta shpalos me shumë dinjitet.

Por, në mënyrën e vet, tekstit i njëjtë “Vdekja e një mbretëreshe” i 2006-shës, ka arritur të përcjell mesazhin e kohës që të jetë një thirrje dhe reflektim në njohjen e vujatjeve shekullore që ka përjetuar populli ynë. Të dy këto mesazhe të forta, të etapave të ndryshme, Mejremja ka arritur t’i përcjell në mënyrën më brilante të mundshme, për të cilën punë ajo stoliset dy herë:

-Në vitin 1998, si aktorja më e mirë ne Festivalin “Flaka e janarit” më 1998 dhe

-Në vitin 2006 çmimi special për interpretim në Festivalin Ballkanik të Teatrove në Korçë.

Mejreme Berisha, gruaja e hekurt e teatrit

Për aktoren e Gjilanit viti 2022, ishte një nga vitet më të vështira të jetës së saj, vit i një tërmeti të madh jetësor dhe vit i një përplasje titanike me sëmundje që Mejremja si në çdo përballje, arriti të mposht suksesshëm. Arsyeja e elaborimit nuk është e karakterit informativ pa shkas por është e nevojshme të trajtohen shkaqet e mirëfillta të kurës që ajo ka përdorur gjatë trajtimit që nga faza fillestare deri tek trajtimi kimioterapik.

Shumica e njerëzve, me diagnozë të ngjashme, lënë gjithçka anash dhe merren vetëm me trajtim mjekësor, por Mejremja ka bërë të kundërtën. Gjatë kohës kur diagnostifikohet ishte e përfshirë në dy projekte teatrale madje në role jo episodike: në shfaqjen “Gënjeshtër pas gënjeshtre” të regjisores Sevdije Ajeti dhe në diadramën e Shkelzen Berishës, me të cilët arriti dakordësinë që të vazhdonte punën pa pushim vetëm se të ngadalsohej ritmi i punës për shkak të terapisë që shkaktonte lodhja e rraskapitjes të vazhdueshme.

Me besimin në Zot, Mejremja ka ndjekur provat dhe vetëm ditën kur ka pranuar kimioterapinë, ka pushuar, ndërsa të nesërmen ka qenë prezente në prova. Vullneti dhe dashuria për jetën dhe për teatrin, ishin kura qe ajo të mposhtte këtë sëmundje të rëndë. “Në asnjë moment nuk mendoja për pasojat e sëmundjes, sepse mendjen e kisha në shfaqje dhe i kisha dhënë komandën e duhur trurit tim që unë do punoja në këto shfaqje një soj siç kam punuar në çdo projekt teatral ”- Shprehet ajo, duke qenë e bindur që Zoti ishte me të dhe puna është ilaç i gjithçkaje.

Mejremja vazhdon të punojë dhe jetojë në teatër, edhe pse mosha dalëngadalë po i afrohet pensionimit ajo nuk mendon të përkalojë në publik për të parë shfaqje por do të vazhdojë të qëndrojë në skenë për të na dhuruar më shumë emocione si aktore tashme e pa-zavendësuar. / KultPlus.com

Muradije Muriqi dhe Mejreme Berisha vlerësohen me Çmimin për Vepër Jetësore në fushën e teatrit

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka shpallur Muradije Muriqin dhe Mejreme Berishën fituese të Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në Fushën e Teatrit për vitin 2022, shkruan KultPlus.

Ky çmim iu dha aktoreve nën arsyetimin e angazhimit dhe karrierës së gjatë skenike, profesionalizmit, disiplinës, si dhe kontributit të madh për zhvillimin e teatrove të Gjilanit dhe të Gjakovës.

Ndërsa Çmimi Vjetor për Aktoren më të Mirë në fushën e Teatrit, iu dha aktores Ilire Vinca me shfaqjen  “Babai dhe Babai”. Ky çmim iu dha aktores për performancën dhe esetikën ekspresive në mishërimin e personazhit, për shkak të kompleksitetit të karakterit në dramën familjare mbi personat e pagjetur, si dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në portretizimin e rolit të Sarës.

Çmimi Vjetor për Shfaqjen më të Mirë në fushën e Teatrit për vitin 2022, iu dha Qendrës Multimedia me shfaqjen “The Handke Project”.

Nën arsyetimin e inskenimit jolinear dhe trajtimin e materies së dendur dramaturgjike, si dhe pasqyrimin mbresëlënës ndaj shkrirjes së kufijve të dramës familjare dhe fatit social të zonave urbane-drejtë një dehumanizimi global, iu dha Çmimi Vjetor për Regjinë më të Mirë ju dha regjisorit, Fatos Beisha, për shfaqjen “Pornography”.

Kurse Çmimi Kombëtar për Prezantim të Suksesshëm Ndërkombëar në fushën e Teatrit iu dha Teatrit të Qytetit të Gjilanit, për shembullin e suksesshëm të prezantimit ndërkombëtar nëpër festivale të rëndësishme të teatrit të Evropës Qëndrore.

Në fund të ceremonisë për ndarjen e cmimeve fjalën e mori Mejreme Berisha e cila i falënderoi bashkëpunëtorët për të cilët tha se puna e saj pa ta do të ishte e pamundur.

‘I jam mirënjohëse shtëpisë time teatrore, kolegëve të mi, pa të cilët puna ime do të ishte e pamundur. Jam shumë e lumtur sot që pikërisht në kupolën e shtetit, ku punohet për kulturën e gjithëmbarëshme në çdo lëmi, vlerësohem sot për rrugën e gjatë, të lodhshme por edhe shumë të bukur’, është shprehur Berisha.

Fjalë falënderuese pati edhe fituesja tjetër e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore, Muradije Muriqi.

‘Faleminderit të gjithë atyre të cilët më kanë përkrahur gjithë këto vite, falminderit publikut’, ka shtuar Muriqi.

Ndërsa aktorja Ilire Vinca, çmimin e fituar tha se u dedikon familjarëve të përsonave të pagjetur të cilët që 24 vite po jetojnë paqen e hidhur mes dhimbjes dhe shpresës për të vërtetën.

‘’E kundërta e luftës nuk është paqja por është arti’  dhe pikërisht kështu ndoshta festohet ky përvjetor, dita botërore e teatrit. Duke e pasur parasysh që e kemi një detyrë si artistë dhe sidomos me rolin që jam vlerësuar, e kam pasur një detyrë shumë të vështirë që fiks pas një muaji do të jetë dita e të pagjeturve dhe unë këtë cmim ua dedikoj familjarëve të 1600 personave të pagjetur të cilët jetojnë me paqen e hidhur mes dhimbjes dhe shpresës për të vërtetën’, ka thënë aktorja Vinca.

Pjesëtarë të jurisë vlerësuse ishin: Luan Jaha, Agon Myftari, Drita Begolli, Kumrije Hoxhaj dhe Alban Beqiraj, i cili edhe foli në emër të jurisë dhe shpalli fituesit për Çmimet Kombëtare në Fushën e Teatrit.

Ndërsa Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku u shprehu mirënjohje shtetërore komunitetit teatror për punën e madhe të cilën e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve.

‘Për nderë të Ditës Botërore të Teatrit shfrytëzoj rastin të shprehë mirënjohjet tona shtetërore, institucionale, gjithë komunitetit teatror të Kosovës, për punën e madhe që kanë bërë jo vetëm gjatë vitit 2022, por edhe për punën më herët dhe punën që po e bëjnë edhe tash’, ka thënë Çeku.

Përndryshe sot në botë shënohet Dita Botërore e Teatrit./KultPlus.com

Mozaiku Faustian: Një kryevepër bashkëpunuese e tre teatrove

Uranik Emini

Teatri i “Qytetit të Gjilanit” ishte i mbushur me emocione teksa u ngrit perdja në natën e hapjes së Festivalit të Dramës Shqipe“Talia e Flakës”. Çdo karrige ishte e zënë, ndërsa shikuesit e teatrit prisnin me padurim premierën e interpretimit vizionar të Fadil Hysajt të veprës “Fausti”, një bashkëprodhim i tre teatrove të njohur, “Teatri Kombëtar i Kosovës”, “Teatri i Qytetit të Gjilanit” dhe “Teatri Bekim Fehmiu” nga Prizreni, shkruan KultPlus.

Shfaqja ishte një sukses i jashtëzakonshëm, duke e lënë audiencën të mahnitur nga bashkëpunimi krijues dhe përsosmëria artistike e shfaqur. Vendet ishin të mbushura me audiencë të etur dhe të emocionuar për të parë fundin, një dëshmi e fuqisë së performancës dhe tërheqjes së përjetshme të historisë së Faustit, duke shfaqur gjenialitetin e profesorit dhe regjisorit Fadil Hysaj. Ndërsa perdja ngrihej, ajri ishte i dendur nga pritjet, një ndjenjë që vetëm sa u intensifikua ndërsa historia u shpalos. Ishte një natë për t’u mbajtur mend, ku publiku ishte i zhytur plotësisht në histori, sytë e tyre të ngjitur pas skenës, zemrat e tyre rrahnin në sinkron me kolonat zanore të shfaqura mjeshtërisht nga Memli Kelmendi, si kompozitor i shfaqjes.

  • “Koha është një shoqëruese që udhëton bashkë me ne. Ajo na kujton të vlerësojmë çdo moment, sepse nuk do të vijë më. Ajo që lëmë pas nuk është aq e rëndësishme sa mënyra se si kemi jetuar.” – Jean Luc Picard.

Koha është një thesar gjithmonë në lëvizje por e cila nuk ka çmim, një thesar që duhet ruajtur dhe shpenzuar me mençuri. Por për Dr. Faust, kjo fjalë e urtë e vjetër ka pak peshë. I bllokuar në një cikël mospërmbushjeje, ai e gjen veten në një udhëkryq, përballë një zgjedhje që ka pllakosur mendjet e njerëzve gjatë historisë – të bëjë një marrëveshje me djallin për një shans kalimtar nga pendimi?

Dr. Faust, personazhi titullar i dramës klasike të Gëtes, është një personazh kompleks dhe shumëdimensional, rrugëtimi i vetëzbulimit dhe shelbimit të të cilit shërben si pasqyrim i përvojës njerëzore. Ai është një njeri që, pavarësisht shkëlqimit dhe intelektit të tij, e gjen veten të paplotësuar dhe në kërkim të diçkaje më shumë. Kjo turbullirë e brendshme e shtyn atë të bëjë një marrëveshje me djallin, Mefistofelin, që shërben si katalizator për transformimin e tij dhe në kontratë përfshihen njohuritë e pakufizuara dhe kënaqësitë të pafundme në këtë botë, në këmbim të shpirtit të Faustit.

Ajo që pason është një zbritje në humnerën e shpirtit të Faustit, ndërsa ai kënaqet në fillim, grumbullon pasuri, fuqi dhe përjeton majat e kënaqësisë dhe famës, me kalimin e viteve, Fausti fillon të kuptojë boshllëkun e ndjekjeve të njëpasnjëshme të tij dhe ai zhgënjehet gjithnjë e më shumë me jetën që ka zgjedhur.

Ndërsa shfaqja arrin kulmin e saj dramatik, Dr. Faust e gjen veten në një pikë kthese, i detyruar të përballet me pasojat e tmerrshme të veprimeve të tij dhe të bëjë një zgjedhje fatale midis shëlbimit dhe dënimit të përjetshëm.

Udhëtimi i tij shërben si një pasqyrë për përvojën njerëzore, si një simbol i luftës së përjetshme me tundimin dhe kërkimin e pafund për përmbushjen dhe kuptimin e jetës së tij. Dr. Fausti shërben si një përrallë paralajmëruese, një kujtesë e rreziqeve të ambicies së pakontrolluar dhe rëndësisë që vendimet në jetën e një njeriu luajnë.

Por përralla e Faustit nuk ka të bëjë vetëm me udhëtimin e një njeriu, ai gërmon më thellë në gjendjen njerëzore, duke eksploruar kërkimin e përjetshëm për qëllimin dhe zgjedhjet që formojnë fatin tonë.”

Pasi shfaqja zgjati mbi dy orë, radhën e kishte debati me dy panelistët e rregullt, Josif Papagjoni – autor i dhjetëra librave për teatër e dramë, si dhe Trina Hoti, sociologe. Në debat u përfshi edhe përfaqësuesi i shfaqjes, regjisori Fadil Hysaj dhe gazetarët e publiku.

“E vlerësoj lart shfaqjen e bazuar si inspirim në kryeveprën botërore. Për mua, regjisori Fadil Hysaj është regjisor filozof dhe i jashtëzakonshëm në punën që ai bën”. – deklaroi Papagjoni.

Kurse Hoti u shpreh se, shfaqja “Fausti”, kap tema të gjera, por një gjë me rëndësi është të thuhet se, “dija ka ndryshuar nëpër periudha të ndryshme historike, por sot, dija është e cenuar, kjo dija e klikuar, madje dija është fetishizuar, sipërfaqësore dhe jo e thellë”.

Si përfundim, shfaqja e “Faustit” në Teatrin e “Qytetit të Gjilanit” pati një sukses të jashtëzakonshëm, me publikun e përfshirë plotësisht në histori dhe me një lojë të jashtëzakonshme nga kasti.

Skenat e ndërlikuara, aktrimi i jashtëzakonshëm dhe regjia mjeshtërore kontribuan në një përvojë të paharrueshme teatrale. Ndërsa perdja mbyllej, publiku shpërtheu në duartrokitje, një dëshmi e suksesit të performancës dhe triumfit të bashkëpunimit krijues dhe ekselencës artistike.

Ndërkaq, aktori Adrian Morina, i cili luajti rolin e Mefistos, tha për KultPlus, që e llogarit veten me fat që në ka luajtur në dsisa prej kryeveprave të dramaturgjisë.

“E llogaris veten me fat që në vazhden e disa prej kryeveprave të dramaturgjisë, përfshirë Malvolion e “Natës së 12-të”, Napoleonin te “Ferma e kafshëve”, Egjisitin në “Bordel Ballkan”, tani pata fatin që të jem pjesë e “Faustit”, aq më tepër që pata mundësinë të portretizoj Mefiston”, shprehet aktori.

Morina, tutje flet edhe për rolin e tij, duke e cilësuar atë si një personazh të adhurueshëm prej aktorëve, por vështirë të zbërthyeshëm e shumë vështirë për t’u analizuar.

“Mefisto është një personazh i adhurueshëm prej aktorëve, vështirë i zbërthyeshëm e shumë i vështirë për t’u analizuar, kompleks për t’u interpretuar dhe shumë i lehtë për t’u klishezuar”, thotë ai.

Qasjen e profesorit Fadil Hysaj dhe insistimin e tij për të realizuar një Mefisto të “padjallëzuar” e sheh si të suksesshëm me vlerësimet që ka marr nga kolegët dhe duartrokitjet e publikut të pranishëm në sallë.

“Kaq të “lirë” jemi ne aktorët. Dy-tri fjalë miradie nga kolegët, pesë minuta duartrokitje nga publiku dhe harrojmë të gjitha vështirësitë”, thotë tutje Morina.

Sa i përket procesit të provave, aktori shton se ka qenë një periudhë shumë e shkurtër për t’u përgatitur, ndërkaq e vlerëson si një proces të lodhshëm, stresues, e intenziv”, duke shtuar gjithashtu se është hera e parë që ka punuar me profesorin Hysaj, i cili përveç si regjisor është edhe autori i “Faustit” (duke u bazuar në Gëthen dhe Marloun).

“Dua të falënderoj nga zemra kolegët e shfaqjes për korrektësinë, edukatën, profesionalizmin e mbi të gjitha dashninë që e kemi dhuruar përgjatë kësaj kohe, pasi kemi kaluar shumë kohë në proces të provave në Gjilan dhe 24/7 kemi menduar për “Faustin”. Ky projekt nuk do të ndodhte, padyshim, pa angazhimin e tre teatrove. Mbi të gjitha, ky projekt nuk do të ndodhte pa dashninë që e kemi dhuruar ndaj njëri-tjetrit”. tha ai për KultPlus.

Sipas tij, Festivali “Talia e Flakës” është një prej festivaleve të vetme të profilizuara në Kosovë dhe si festival i vetëm i dramës shqipe.

“Pa dramë shqipe, kombëtare, s’mund të kemi as teatër kombëtar. E gjithashtu, është një kënaqësi të jesh në Gjilan. Publik i jashtëzakonshëm, mikpritës dhe i dashur. E kur bëhet fjalë për “Flakën e Janarit”, atëherë mund të them, pa modesti, se ia kemi qitë flakën “Flakës”, thotë në fund Morina.

Duartrokitjet e publikut ishin të pafundme, si një tregues i qartë se sa shumë u kënaq publiku dhe sa mirë u luajt shfaqja.

Shfaqja është e bazuar në veprën e J. W. Gëtes dhe Ch. Marlosë, me autor dhe regjisor Fadil Hysajn, me asistent regjie Ekrem Sopin, me koreograf Robert Nuhën, asistente koreografie, Lavdije Idrizin, skenograf Mentor Berishën, kostumograf Youliana Voykovan, kompozitor Memli Kelmendin, dizajner të dritave Yann Perregaux-in, video-imazhet nga Ujkan Hysaj, mjeshtër zërimi Flamur Krasniqin, grimin nga Minivere Fejzullahi, dizajnin grafik nga Bekim Korça, organizator dhe rekuiziter Suad Berisha, realizatorë të skenografisë: Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti; asistentë teknikë Kenan Gurgurovci dhe Qëndrim Kqiku, dritat nga Fatmir Halili dhe Alban Limoni, e realizatorë të kostumeve, Bahrije Kurtalani dhe Anila Gashi.

Në “Faust” morën pjesë aktorët dhe aktoret vijuese: Shkelzen Veseli, Adrian Morina, Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyçi, Aurita Agushi, Shpetim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Sheqerie Buqaj, Liridona Shehu, Ali Demi, Alban Krasniqi, Zana Berisha, Emine Toska, Rifat Smani, Valmira Hoti, Mejreme Berisha & Alban Morina. /KultPlus.com