Për dekada në skenën e rokenrollit dhe rokut kaluan artistë të mëdhenj të cilët jo vetëm që e ndryshuan muzikën por edhe shoqërinë.
Fillimisht, ishin të tillë si Chuck Berry dhe B.B. King, për t’iu hapur rrugë akteve si Elvis Presley, The Beatles dhe The Rolling Stones.
Të 70-tat u identifikuan me bende si Led Zeppelin dhe AC/DC, ndërkaq të tetëdhjetat me ato si U2 dhe Guns ‘N’Roses.
Të gjithë këta artistë të lartpërmendur kishin shumëçka të përbashkët, por ishte diç që iu dha platformë veprave dhe melodive të tyre. Në koncerte, në performanca televizive, në studio dhe në shtëpitë e tyre hasje në një kitarë të markës Gibson – markë kjo që kontribuoi në përkufizimin e tingullit të zhanrit që ushtoi dhe pushtoi pjesën dytë të shekullit të kaluar.
Në fotografitë më poshtë mund t’i shihni disa nga artistët me nam duke e mjeshtëruar zanatin e tyre me llojet e ndryshme të kitarave Gibson. / KultPlus.com
Meqë ishte impresionuar tej mase nga skenari i filmit “Fatman”, aktori i njohur hollywoodian, Mel Gibson, kishte vendosur t’iu dërgonte email regjisorëve të këtij projekti për t’iu treguar se është i interesuar të luajë në të. Dhe tani filmi, që e sjellë historinë e një babadimri jo të zakonshëm, ka filluar së shfaquri për publikun, kjo pasi që kishte arritur të xhirohej pak kohë para pandemisë.
Ky projekt u ka marrë kohë regjisorëve vëllezër, Ian dhe Eshom Nelms, më shumë se 14 vjet për t’u realizuar, dhe konsiderohet filmi i tyre më i madh deri më tani. Ata kanë bërë të ditur se kanë dashur ta krijojnë një babadimër me tipare veçuese, me të meta dhe me probleme nga bota reale.
Dhe kështu, regjisorët janë pajtuar se Gibson do të ishte aktori i përkryer për këtë rol. U erdhi mirë që vetën ylli veteran i kinematografisë e kishte siguruar një skenar të filmit dhe u është drejtuar me email për t’ua bërë të ditur se është i interesuar për t’u bërë pjesë e tij.
Në film Gibson vjen në rolin e biznesmenit Chris Cringle, ndryshe i njohur si Santa Claus, i cili përfundon duke u ballafaquar me një vrasës me pagesë, kjo ngase një djalosh nervozohet me babadimrin pasi nuk i pëlqen dhurata që e pranon për Krishtlindje. Aktori Chance Hurtsfield e luan rolin e një djaloshi të pakënaqur, Billy Wenan, i cili pasi shndërrohet në një person të çmendur dhe të keq, vendos ta angazhojë një vrasës me pagesë për ta vrarë babadimrin.
Në një kohë kur filmat po hasin në vështirësi për t’u realizuar shkaku i situatës së shkaktuar nga pandemia, regjisorët e këtij projekti kanë bërë të ditur se i kishin përfunduar xhirimet në kohën e duhur, dhe nuk e kanë pasur problem të merren me montimin e filmit gjatë kohës së karantinës.
Ndërsa aktori dhe regjisori i njohur Mel Gibson, i cili sikurse pjesa tjetër e kastës së aktorëve të filmit e ka promovuar atë online, ka deklaruar se pavarësisht karantinës, ai ka arritur t’i kryejë angazhimet e tij në fushën e kinematografisë.
“Fatman” ka filluar së shfaquri nëpër kinema të përzgjedhura nga 13 nëntori, ndërsa tani është në dispozicion edhe online./ KultPlus.com
Shqipëria do të jetë pjesë e filmit më të ri nga Hollywood mbi temën e Islamofobisë. Harmonia fetare historike në vendin tonë është parë si një aspekt frymëzues për t’i dhënë botës një model.
Regjisori George Edde dhe producentët e filmit “Islamophobia” janë në Tiranë duke prezantuar projektin.
Filmi ka sjellë në Shqipëri yjet e Hollywood-it, Mel Gibson, Jean-Claude Van Damme dhe Steven Seagal.
Në këtë film merr pjesë edhe aktorja shqiptare Teuta Turku, e cila edhe ka bërë të mundur që producentët të përzgjedhin Shqipërinë si model për ti dhënë mesazhin botës për harmoni ndërfetare.
Skenari i filmit është realizuar nga Omer Sarikaya. Sipas tij, është xhiruar 80% e filmit dhe vetëm 20% do të realizohet në Shqipëri.
“Filmi ka të bëjë me Islamofobinë ku brenda tij ndërthuren paqja dhe toleranca. Shqipëria pa diskutim është një vend i përshtatshëm për këtë film më këtë tematikë. Ne kemi në këtë film 29 aktorë nga 29 vende të ndryshme të botës”, është shprehur ai.
Ndërsa sipas producentit George Edde filmi nuk do të ishte i plotë pa Shqipërinë. Por cila është historia mbi të cilën do të ndërtohet ky prodhim kinematografik? Kur filloi lufta e Bosnjës më 1984 Omar ishte vetëm 8 vjeç. Babai i tij i krishterë u zhduk dhe pas kësaj ngjarjeje Omar dhe nëna e tij emigruan në Roterdam për të nisur një jetë të re, shkruan Gaztea Shqip.
Tashmë një student i ri në Universiteti Omar lufton me krizën e identitetit, shpesh përballë diskriminimit dhe racizmit. Përfundimisht ai konvertohet në mysliman.
Kërkimi i tij për më shumë informacion rreth fesë do ta vendosi emrin e tij në listën e të kërkuarve nga CIA për shkak të disa miqve të tij. Që nga ai moment jeta e tij merr një kthesë drastike.
Kjo është historia që do të ketë një pjesë të xhirimeve dhe në Shqipëri, duke i bërë imazhet e vendit tonë pjesë të ekranit të madh të Hollywood./ KultPlus.com