Ministri Çeku ndjek nga afër rrëfimin e rrugëtimit artistik të Meli Qenës: Personalitetet si artistja Qena janë të rralla

Mbrëmë, në KultPlus Caffe Gallery artistja Meli Qena ka shpalosur rrugëtimin e saj profesional dhe artistik në kuadër të projektit “Njihuni me artin e viteve 1970-1980”, në një bashkëbisedim të këndshëm me ideatoren e projektit Vlora Merovci, në KultPlus Caffe Gallery.

Në këtë mbrëmje të veçantë artistike ka qenë i pranishëm e Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, i cili nga afër ka ndjekur rrugëtimin e saj artistik.

Përmes një shkrimi në Facebook, Ministri Çeku ka thënë se personalitetet si artistja dhe regjisorja Meli Qena, janë të rralla.

“Sonte, patëm mundësi të dëgjojmë nga vet ajo rrëfime për rrugëtimin e saj artistik, histori frymëzuese, dashurinë dhe përkushtimin për teatrin e sfidat ndaj të cilave nuk u dorëzua asnjëherë.

Energjia dhe angazhim i saj për punë janë shembull dhe frymëzim për secilin prej nesh.

Faleminderit aktores Vlora Merovci që na bëri bashkë në këtë aktivitet kaq të veçantë”, ka shkruar Ministri Çeku në facebook./ KultPlus.com.

Ikona e Teatrit të Kukullave, Meli Qena sjell rrugëtimin e saj artistik: Themelimi i ‘Dodonës’ është periudha më e ndritshme e jetës time

Vjollca Duraku

Aktorja e njohur Meli Qena ka qenë figura e radhës që ka shpalosur rrugëtimin e saj profesional dhe artistik në kuadër të projektit “Njihuni me artin e viteve 1970-1980”,  në një bashkëbisedim të këndshëm me plotë batuta me ideatoren e projektit Vlora Merovci, në KultPlus Caffe Gallery.

Një figurë ikonike sikurse Melihate Qena-Meli, e cila për 40-të vite me radhë ka qenë aktorja e vetme e teatrit të kukullave “Dodona” ka sjellë rrugëtimin e saj frymëzues, që përkundër sfidave të këtij institucioni ajo ndër vite ka vazhduar të sjellë art dhe të edukojë fëmijët në aspektin artistik.

Një rrëfim jo shumë i zakonshëm i saj për teatrin, fëmijët dhe kukullat ka zgjuar interesimin edhe të Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut, që së bashku me stafin e tij ishin prezent në këtë ngjarje, duke dëgjuar për së afërmi rrëfimin e saj të papërsëritshëm prej legjende.

Ky bashkëbisedim i mbështjellë me një dozë humori të lezetshëm që fluturonte në etapa të ndryshme kohore filloi me historinë e saj se si ka lindur dashuria për artin dhe dëshira për të studiuar në Beograd.

“Arti në familjet e mëdha zhvillohet në një formë inercioni. Ne kemi qenë nëntë fëmijë, dhe kah ka shkuar i madhi i kanë ngarendur edhe të tjerët pas. Në të kaluarën ne nuk e kemi pasur dikë që të na këshillojë, bile për hirë të së vërtetës nuk janë marrë shumë me ne, kështuqë fëmiu i madh në familje ka qenë udhërrëfyes në njëfarë forme. Po të kishte shkuar fëmiu i madh në një kahje tjetër edhe ne me siguri do ta ndiqnim atë, dhe ndoshta do të kishte qenë më mirë”, ka thënë aktorja Qena.

Fillimisht Meli tregon se në atë kohë fare lehtë ka arritur të regjistrohej në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Ruse në Prishtinë, ku më pas përmes një seleksionimi të mbi 100 studentëve, ajo ka arritur të hyjë në rrethin e ngushtë të të përzgjedhurve për të vazhduar studimet në Beograd.  

“Meqë atje ne ishim me gjuhë shqipe u desh që të vinte dikush të punonte me ne, dhe atëherë erdhi edhe Muharremi. Unë nuk pata biseduar me të fare. Kur më pa u befasua, po ti? Filloi të më pyeste nëse e kam pyetur ndokënd që kisha shkuar atje. Në këtë rast unë i thash kam bisedur me Xhevatin, ngase ai pakëz më i butë…”, ka thënë me shaka ajo.

Për ta sfiduar të motrën dhe për t’ia bërë me dije që arti është i vështirë ajo tregoi që aktori Muahrrem Qena e detyronte të realizonte ushtrime të vështira.

“Më jepte ushtrime të vështira. Edhe ashtu nuk mundesha të adaptohesha në Beograd në fillim. Viti i parë ka qenë shumë, shumë i vështirë për mua. Bile e mendoja edhe kthimin. Çdo natë qaja, i kam pasur disa biskota që mi pati dhënë nëna, e mbi ato qaja. Valigjen për një vit nuk e kam hapur, vetëm e merrja nga një rrobë”, ka treguar ajo, duke thënë që shoqata e studentëve “Përpjekja” u bë shkas që ajo të qëndronte atje.

“Ka pasur shumë studentë të moshave dhe niveleve të ndryshme nga Gjakova e Mitrovica. Aty kam takuar Ukshin Hotin e Zekirja Canën në studimet e tyre postdiplomike. Bile në atë shoqatë e kam vërejtur talentin për aktrim të Zekirja Canës, pas një interpretimi të një vepre të Migjenit. Aty ka pasur shumë mbrëmje. Posa i kryeja mësimet në akademi shkoja dhe rrija aty. Vitin e parë ashtu e kam shtyer, me zor”, ka treguar Meli. Vitet pasuese për të kanë qenë më të lehta për arsye të krijimit të rrethit të saj.

Diplomimi, puna e parë pas diplomimit

Pas diplomimit, Meli tregoi që ishte lajmëruar për punësim në Teatër pasi ky institucon i kishte dhënë bursë. Me tu kthyer në Kosovë drejtori Azem Shkreli i kishte thënë që institucioni nuk ka nevojë për pjesëtar të rinj ngase aty ishin punësuar disa studentë të shkollës së lartë pedagogjike, e cila i kishte nxjerrë dy gjenerata, derisa ajo ishte me studime në Beograd.

“Dola, mu soll Prishtina, nuk dija nga t’ia mbaja. Mbeta pa punë, nuk dija çka të ju them në shtëpi. Pasi mbërriva në mbrëmje në shtëpi ata nuk më pyetën fare për punën, ngase vërehesha në fytyrë”.

Pas një aplikimi në Normalen e Mitrovicës Meli u punësua si mësimdhënëse e gjuhës ruse. Me shumë nostalgji e kujton këtë kohë, përderisa me shaka tregon edhe për ndodhitë e saj me nxënësit e shkollës që ishin moshatarë të saj.

“Aty duhej me ju dhënë gjuhë ruse klasave serbe, sepse pak ka pasur prej shqiptarëve që mësonin këtë gjuhë. Unë për  t’i stimuluar shqiptarët që të mësojnë për Pushkinin, Çehovin e letërsinë pasi ata ishin gati moshatarë të mijë,  ju drejtohem si nuk po mësoni sado pak? Ata: mësuese mos i bërtisni këtij se i ka tre fëmijë në shtëpi. Thjesht nuk iu interesonte shumë rusishtja”.

Pas këtij viti, ajo u ftua për të punuar në Teatrin e Prizrenit që do të hapej atë vit, punë e cila nuk do të zgjaste shumë pasi vetëm pas një viti teatri u mbyll. Pas ardhjes në Prishtinë pranohet në Televizionin e Prishtinës si asistente, për tu vendosur përsëri në Beograd përmes një pune praktike në një televizion. Edhe aty spo kishte filluar zhvillimin në karrierë si asistente, regjisore, regjisore e pavarur edhe ai TV ishte mbyllur, ngjarje këto të cilat në njëfarë forme e kishin dëshpëruar aktoren e madhe të Teatrit të Kukullave.

Puna në Teatrin “Dodona”, 38-të vjetori i themelimit të teatrit

Aktorja e njohur, Meli Qena, pranimin në teatrin “Dodona” e ka quajtur periudhën më të ndritshme të jetës së saj, në të cilin për 38 vite me radhë e ka dhënë me shpirt e pasion gjithë kapacitetin e saj artistik ndaj fëmijëve dhe botës së tyre të bukur.

“E vetmja periudhë e ndritshme në jetën time ku e kam gjetur veten pas gjithë kësaj errësire është Teatri i Kukullave. Më besoni punën nuk e kam bërë as për falënderim, as për famë, as për asgjë. E kam bërë sepse më ka shkaktuar mua kënaqësi, sikurse mos ta kisha dashur shumë këtë punë, do të kisha punuar dy ose tre vjet dhe do e kisha lënë. Mirëpo, mua meqë dashurija nuk më lëshon kurrë, më lënë mua dashuritë, por unë nuk i lë. Shpresoj që nuk më lë edhe teatri”, ka thënë aktorja Qena, e cila konsiderohet ikonë e Teatrit të Kukullave.

Meli tregon që punën në Teatër e ka filluar pas ftesës së Ismail Imerit për pozitën e asistentit. Një prirje e saj spirituoze ka qenë arsyeja përfundimtare që ajo është punësuar në atë teatër për të mos u shkëputur më asnjëherë. 

“Ismail Imeri më ka ftuar sepse ka kërkuar ta ketë një asistent. Pasi u takuam më pyeti çka di ti për kukulla. I thashë asgjë s’di… Veç e di që i kam disa kukulla në kokë, e sa të më rrijnë në kokë, mirë do ishte t’i vendosja në skenë. Më tha po më pëlqen që je spirituoze sepse teatri i kukullave kërkon njerëz të tillë. Aty fillova. Jam shumë e lumtur që e punoj një punë që më pëlqen, sepse nuk kam pasur shumë fat në jetë, në lëmi të tjera, por së paku këtë e punoj me gjithë qejf. Dikush më tha si nuk po plakem. Unë nuk mund të plakem sepse me fëmijë po punoj, unë i dëgjoj ata, kënaqem, rrij në dritare dhe i shikoj kur të vijnë me radhë”, ka treguar aktorja me plotë dashuri e pasion.

Aktorja Qena ka thënë se Teatrin e vërtetë nuk e përbën ndërtesa por njerëzit, energjia dhe arti i tyre. 

“Unë nuk pajtohem që Teatri është ndërtesa. Nuk është as ndërtesa, as teatri, as familja, as shtëpija, as asgjë, janë njerëzit. Pra është një grup njerëzish që duan të punojnë. Në historinë e teatrit ka grupe teatrore që punojnë në rrugë, pa ndërtesë fare”.

Më tutje, Qena ka treguar që Teatri “Dodona” ka qenë i vetmi institucion i cili ka mbijetuar edhe në kohën e okupimit, pasi aty ka punuar sipas saj një njeri i madh si Faruk Begolli.

“Ai njeri ka ndenjur natë e ditë në atë teatër, i ka dashur studentët. Gjeneratat e ndryshme të studentëve nuk e kanë pasur vetëm teatër por edhe shtëpi, kuzhinë, jetë dhe gjithçka tjetër sepse në atë kohë nuk ke pasur nga të shkosh. Ajo ka qenë një oazë jo vetëm për studentët e aktrimit, por aty janë mbledhur edhe kompozitorët, edhe shkrimtarët e tërë njerëzit që në atë kohë nuk kanë pasur ku të shkojnë. Prandaj ndërtesa nuk është asgjë, janë njerëzit gjithmonë. ”, ka treguar ajo. 

Me shumë mall dhe dashuri për kolegun e saj ajo rrëfen me humor edhe një ngjarje që me aktorin Begolli e kishin përjetuar atë kohë.

“Për shfaqjen ‘Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët’ po i kërkoja dyshekët e shkurtabiqëve, pasi nuk i gjeja askund. Duke u sjellë në teatër, po i shoh studentët e Begollit në dyshekë të shkurtabiqave. Unë i them me nervozë Begollit: Këta studentët e tu po flenë në dyshekë të shkurtabiqave, a i mësoni këta njerëz diçka, a kanë pak etikë? Më tha hajt ore, a më mirë me flejtë shkurtabiqët e tu në ata dyshekë apo studentët e mij”.

Shfaqjet e ditëve të sotme, çka e karakterizon një shfaqje të mirë

Sipas Melit një shfaqje e mirë duhet të jetë didaktike dhe të ketë një porosi të caktuar për publikun. Ajo ka treguar që gjithë karrierën e saj është munduar që të përzgjedhë autorët më të mirë, të cilët në fund japin një mesazh të caktuar.

“Mua më thonë shpesh që jam demode, që nuk bën kështu të bëhen shfaqjet, shfaqjet tua janë didaktike, gjithmonë përpiqesh për fëmijët. Unë mendoj që duhet me qenë didaktike, mendoj që fëmija duhet të mësohet dhe shfaqja duhet të ketë një porosi. Prandaj i zgjedh tekstet më të mira me Kipling, Marshak, Rodari, Malik etj. Tash së fundmi e kam punuar edhe Çehovin. Kështu që, këta më thonë demode se nuk bën ashtu, duhesh me ndërru tërësisht qasjen. Unë ju them le ta ndërrojnë të tjerët, mua edhe pak më ka mbetur me këtë qasje, spo e ndërroj hiq”, ka thënë Meli.

Ajo thotë se shfaqjet e ditëve të sotme kanë më shumë shkëlqim se sa përmbajtje.

“Te regjisorët dhe shfaqjet e reja kam vërejtur se ka më shumë shkëlqim, më shumë mbulesë të jashtme se sa përmbajtje thelbësore. Në qoftëse në një shfaqje hyn dhe del e nuk ke kurrëfarë përshtypje që ke dalë nga shfaqja, apo nuk ke kurrëfarë mbrese mendoj që ajo shfaqje nuk mund të jetë e suksesshme. Kur është shfaqja e mirë duhet me të ardhë keq që ajo ka përfunduar, është sikurse një libër të mirë kur e lexon dhe thua ‘ah si përfundoi…’. Prandaj unë jam e mençur që i bëj shfaqjet e shkurtëra”.

Funksionimi i Teatri “Dodona” në ditët e sotme

Aktorja Melihate Qena ka thënë se teatri “Dodona” aktualisht është në një gjendje aspak të mirë funksionale, pasi nuk e ka të rregulluar mënyrën e financimit ashtu siç do të duhej. 

“Nuk jam aspak e kënaqur. S’ka si të funksionojë teatri “Dodona” pasi nuk kemi xhirollogari, s’kemi as nënkod. “Dodona” ka pasur peridha të ndryshme, pak më të mira, pak më të kqija. Ka vështirësi në aspektin e financimit. Për herë të parë Ministrisë ia kam kërkuar 20 mijë euro për t’i kthyer në skenë tri shfaqje, më ka dhënë 19.500 euro. Teatri duhet të ketë buxhet për projektet e veta, pasi unë nuk di të aplikoj për projekte edhe nëse do të mi jepnin 500 mijë euro. Me siguri është bërë me qëllim që të mos fitoj askush projekt”, ka thënë me shaka aktorja e njohur.

Ajo më tej ka shtuar se rëndësia dhe arsyeja se përse “Dodona” duhet të ketë një buxhet të veçantë ka të bëj me faktin se është i vetmi teatër i Kukullave në Kosovë.

“Mendoj që duhet me pasë buxhetin Teatri Dodona, sepse është i vetmi teatër për fëmijë. Unë i kam lutur ministrat që t’i shkollojnë dy studentë në akademinë e Pragës, Sofjes ose në Amerikë vetëm për Teatër të Kukullave, sepse nuk është teatër vetëm për fëmijë. Unë e kam parë Shekspirin me kukulla, në një shfaqje të punuar nga bullgarët në Butrint. Mbetesh e fascionuar se çka mund të bëj kukulla. Kukulla mund ta bëj atë që nuk mundet njeriu, pra sidomos kur ke ndonjë shfaqje politike, kur don me i qeshë politikanët. Me kukulla është shumë më lehtë sepse simbolizon diçka, edhe thojnë kukull se marrin shumë seriozisht”, ka thënë ajo.

Interpretimin para fëmijëve e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm, pasi si aktor t’i nuk je në dijeni se para çfarë personaliteti mund të luash.

“Shfaqjet e mija nuk janë shfaqje ‘petulla çasti’ që hahen në plazhin e Durrësit. Meqë i dua fëmijët, dhe i respektoj shumë, shumë, shumë sepse ju them gjithmonë aktorëve ju nuk e dini para kujt po luani. Fëmijë është ai. Ndoshta është një Aleksandër Moisi, Bekim Fehmi apo aktori më i madh i botës, por ju se dini. E kur të keni Petrovcin apo Begollin në sallë ju e dini. Prandaj ndaj fëmijëve kam jashtëzakonisht respekt të madh”.

Aktorja Qena me keqardhje ka treguar për konsumimin e shfaqjeve si pasojë e mos financimit, nga e cila gjë ka filluar të humbet edhe publiku.

“Më vjen kur tash kohëve të fundit kemi filluar ta humbim publikun sepse nuk po na financojnë. Që shtatë vjet e kemi dorëzuar fitimin e biletave dhe tash kur i kërkojmë paret tona thojnë s’ka. Kur prishet një kukull na duhet me vrapu me ble një ngjitës. Katastrofë është situata, skemi mjete të higjienës në këtë teatër që është teatër i kukullave, në të cilin vijnë fëmjë dy vjeç- tri vjeç. Mendoj që e kemi një periudhë jashtëzakonisht të vështirë tash. Gjendja është e keqe sepse kemi filluar ta humbim publikun edhe nga përsëritja e shfaqjeve të njëjta”.

Për të mbajtur gjallë traditën e saj unike mbi shfaqjet me kukulla, Meli ka paraqitur kërkesë që disa të rinjë të trajnohen që më pas të mund t’i shërbejnë një audience të mrekullueshme siq janë fëmijët.

“Pa u shkolluar për këtë teatër nuk ka mundësi që puna të trashëgohet. Ka shkolla në Bullgari, Pragë ose Amerikë nuk është shumë e shtrenjtë, edhe me qenë çka? Për katër vite aty mësohesh edhe me loz me kukull edhe me punu kukullën, dhe të gjitha teknikat tjera i mëson. Do të ishte shpëtim nëse dikush mendon për këtë teatër. Për të vazhduar ritmin do të duhej të shkolloheshin dy apo tre të rinj”.

Pengu jetësor i karrierës së Meli Qenës

Peng jetësor të karrierës së saj Meli e ka ritheksuar mos vazhdimësinë e kësaj tradite edhe te brezat më të rinjë.

“Kjo që nuk kam mundur t’i bindi këta njerëz që merren me drejtimin e shtetit që t’i shkollojnë katër vetë. Kjo do të ishte një mrekulli sepse Teatri i Kukullave është shumë, shumë, shumë interesant dhe atraktiv. Nuk është vetëm jeta ime, por edhe për fëmijë është shumë interesant. Kemi edhe qendra tregtare të ndryshme që kanë njëqind mijë shkëlqime. Te ne në “Dodonë” nuk i ke ato, mirëpo në “Dodonë” ka zemër. Te unë aktorët nuk flasin as me mikrofona. Unë kam dëshirë që ata të flasin me zërin e tyre, për t’iu ndëgju frymëmarrja e aktorit, zëri i aktorit sepse mendoj që jemi bërë gjysmë robota”.

Për Melin vendi më i preferuar nga të gjithë vazhdon të jetë Teatri i Kukullave, prej të cilit nuk është lodhur asnjëherë.

“Unë mundem me ndejt me ditë në teatër hiq nuk mërzitem, rrij në garderobë. Nuk ka kukull në atë teatër për të cilën nuk kam qep diçka, nuk kam thur diçka. Nuk njoh popull tjetër që ia keqpërdor tjetrit dashurinë që e ka për një lëmi. Hajt se ajo mundet. Edhe nëse mundet nuk e meriton kjo gjeneratë e fëmijëve për të parë lloj lloj lecke, e meriton me pas një teatër të denjë. Teatri duhet me pas edhe restaurantin e vet”.

Meli në këtë rrëfim të rrallë për rrugëtimin e saj artistik ka treguar se aktualisht po punon një novelë të Çehovit, të quajtur “Kashtanka”.

“Bëhet fjalë për një qenush të vogël që humb të zotin. E gjen një padron i cirkut dhe e merr në cirk. Në mbrëmjen kur duhet të loz para publikut qëllon edhe i zoti i qenit në teatër. Aty ai e sheh qenin e vet dhe aty përfundon shfaqja. Por, kryesorja është që ky e gjen qenin. Është jashtëzkonisht tekst i mirë i Çehovit, që përmes kukullave e tregon krejt jetën mbrapa skenës çka ndodh me aktorë”, ka thënë ajo duke treguar që është një projekt i cili do të shfaqet në qytete të ndryshme.

Për ta ndryshuar pak rrjedhën e bisedës serioze dhe për t’i dhënë sharm edhe më shumë mbrëmjes, aktorja Blerta Syla- Surroi ka interpretuar edhe poezitë e autorëve Skënder Rusi dhe Rajner Maria Rilke, të cilët e kanë frymëzuar Meli Qenën në rrugëtimin artistik.

Para se të prezantojë poezitë “Vetmia”, “Letra e një poeti të ri”, “Poezi për Korçën”, dhe “Dritarja” aktorja Syla- Surroi u shpreh: “Jam shumë e lumtur dhe e nderuar që sonte marr pjesë në këtë ngjarje të organizuar për Melin. Isha në moshën 15-të vjeçare kur kam pasur ftesë nga Meli, atëherë isha në shkollën e mesme, dhe sot gjendem para saj në një moshë pak më të rritur”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, aktori Armond Morina aktoren Qena e ka quajtur ekspert të rrallë, e cila e ka shkrirë jetën e saj në përgatitjen e një publiku të ardhshëm të Teatrit.

“Meli është i vetmi ekspert i cili është marrë me përgatitjen e publikut të ardhshëm të teatrit. Ne jemi popull fatbardh që kemi pasur një njeri të tillë entuziast, që sakrifion edhe veten për të ndërtuar një audiencë. Atë që ka bërë Meli secili artist në botë do ta adhuronte. Ne që jemi të rinj në këtë zanat e kemi ende gjallë. Kur e pyet një artist të viteve të 90-ta si ke rënë në kontakt me artin, ai thotë në teatrin “Dodona”, një teatër i vogël, por i cili në kohën e okupimit ka ekzistu me vetbuxhet përmes biletave. Atë kohë ka ndodhur një magji”, ka thënë Morina duke e shprehur nevojën për të trajnuar edhe disa të rinjë për këtë zanat sipas tij të jashtëzakonshëm.

“Mendoj që një qytet si Prishtina i cili ka arritur gati në gjysmë milion banorë kemi nevojë për një teatër të dinjitetshëm të fëmijëve. Së paku të realizohet dëshira e saj për të shkolluar një grup të rinjësh, tre-katër Meli të reja, e djem të rinj që dëshirojnë të merren me këtë rrugëtim shumë të rëndësishëm. Kjo formë arti ka mbetur te një njeri. Shtohet pyetja kur nuk është më ajo. Ajo dëshiron ta shndërrojë në traditë, por nuk ka mundësi pasi kjo gjë nuk bëhet pa kuadër”, ka thënë ai.

Kurse, aktorja Qëndresa Lokaj ka bërë thirrje publikisht që në repertorin e vitit 2025 në TKK të merret një iniciativë për t’i dhënë një mundësi Melit për të luajtur një shfaqje me kukulla për të rritur.

Melihate (Meli) Qena u lind më 15 dhjetor, 1949 në Mitrovicë. Ka studiuar për aktrim në Akademinë e Teatrit, Filmit dhe Televizionit në Beograd, Serbi. Në vitin 2015 u nderua me çmimin për “Veprimtari Jetësore” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Qena ka luajtur shumë role në teatër dhe film, ndër të cilat më të fundit janë rolet në filmat “Martesa”,  “Kësulat” dhe “A dream” [Një ëndërr]./ KultPlus.com

Meli Qena dekorohet me medalje presidenciale të meritave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medalje presidenciale të meritave disa prej personaliteteve të njohura të kulturës, shkruan KultPlus.

Aktorja Melihate Qena – Meli është dekoruar me këtë medalje presidenciale të meritave, për kontributin e saj në fushën e kulturës, konkretisht atë të teatrit.

Meli vazhdon që të jetë pjesë e skenës kulturore edhe pas shumë viteve. /KultPlus.com

Shfaqja e parë e luajtur në Teatrin Kombëtar në Prishtinë (FOTO)

Në Prishtinë, teatri profesional (sot Teatri Kombëtar) është themeluar përfundimisht më 1948, ndërsa me 1949 ka filluar programi i rregullt, me dy-tri premiera shqip e serbisht.

Shfaqja e parë e luajtur në teatrin e Prishtinës është “Personi i dyshimtë” i Nushiqit, e përkthyer. Nushiqi nënën e ka pasur shqiptare, të grabitur prej një serbi të Maqedonisë. Serbët thonë se është serb, maqedonasit se është maqedonas, ne themi se e ka marrë mbiemrin e së ëmës – Nushës, një bareshë e bukur, e re, e rrëmbyer nga kaçakët, – rrëfen Vehap Shita, kritiku më i njohur i teatrit, që nga ditët e para të themelimit të tij, gazetar shumëvjeçar dhe përkthyes.


Lajde Sopi, Meli, Meribane Shala, Katarina Josipi

– Unë, kur kam shkruar për zhvillimin e teatrit, e kam marrë vitin 1930. Edhe atëherë janë dhënë shfaqje teatrale në gjuhën shqipe nëpër shtëpi nëpër oborre, kopshte.. Teatro amatore ka pasur edhe gjatë okupacionit. Në Prizren, për shembull, kanë qenë Tajar Hatipi, Mysafere Gjinali, Nuhi Sherifi, Xhemil Doda…

Në Prishtinë, rolin e parë kryesor e ka luajtur Shani Pallaska, amator i thjeshtë i ardhur nga Gjakova. Shaniu ka kënduar bukur dhe i ka rënë kitarës. Aktorët Abdurrahman Shala e Muharrem Qena kanë ndjekur Shkollën e Teatrit në Beograd, me profesorë shumë të zotët. Fillimisht regjisorët vinin nga Beograd. Muharrem Qena, në fakt, aktrimit ia ka nisur në Mitrovicë, mandej ka ardhur në gjimnazin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

E para aktore e Teatrit të Prishtinës ka qenë Meriban Shala, mandej Katarina Josipi, Melihate Ajeti, Musherefe Preka. / KultPlus.com

Burimi: Sanije Gashi – “Prishtina e fëmijërisë sime”