Bashkëbisedim me aktoren Meli Qena

Fotografia: Fahredin Spahija

Aktorja e njohur Meli Qena është figura e radhës që do të prezantohet në kuadër të projektit “Njihuni me artin e viteve 1970-1980”, projekt ky i ideuar nga Vlora Merovci e që është mbështetë nga Komuna e Prishtinës.

Është ndër të paktat raste ku Meli Qena do të prezantohet me rrëfimin e saj për rrugëtimin e saj artistik, bashkëbisedim që do të realizohet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, me 21 dhjetor prej orës 18:00.

Të gjithë të interesuarit mund të vijnë dhe ta dëgjojnë nga afër rrëfimin dhe rrugëtimin artistik të aktores Meli Qena, e cila ka një bagazh të madh artistik./ KultPlus.com

Istrefi ndan një foto nga shfaqja e ardhshme “Negotiating Peace” së bashku me Meli Qenën

Aktori Shkumbin Istrefi, ka shpërndarë një foto të veçantë nga pjesa e provave të tij të fundit, shkruan KultPlus.

Bashkë me aktoren tjetër të njohur, Meli Qena, që të dy shihen në prova të shfajqes “Negotiating peace”.

“Ne prova te “Negotiating peace”, (te Jeton Neziraj ne regji te Blerta Rrustemi-Neziraj) me aktoren e mrekullueshme Meli Qena. Kenaqesi dhe nder me qene ne skene me te. Edhe kur nuk flet, rrezaton me drame te fuqishme. ❤Foto nga Besim Ugzmajli Qendra Multimedia”, ka shkruar Istrefi në “Facebook”.

Kjo shfaqje është e Jeton Nezirajt, e me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, dhe pritet që ta ketë premierën këtë vit. /KultPlus.com

“Toka Brenda Meje” si rizbulimi i rrënjëve përmes artit kinematografik, Maxville: E gjeta vendin tim në këtë botë nga ky film

4 kapituj të përmbledhur në një film për të shfaqur madhështinë e kinematografisë shqiptare. Regjisori Fisnik Maxville, me motivin që të gjejë vendin të cilit i përket dhe rrënjët se nga vjen për të “siguruar” një vend në tokë në mënyrë që të mos ndihet pa “identitet”, vjen me filmin The Land Within, ku bën edhe hapjen e festivalit më të rëndësishëm të filmit në Kosovë, PriFest, i cili këtë vit po shënon edicionin e 15-të, duke sjellë emra të ndryshëm nga bota e kinematografisë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Uranik Emini

Vjosa Berisha – emri që ngriti në piedestalin më të lartë festivalin “PriFest” u kujtua në edicionin e 15-të, me një këngë shumë të dashur të saj “Miss Sarajevo” – U2 & Luciano Pavarotti, të kënduar mjeshtërisht nga dyshja artistike, Alban Nimani dhe Dren Abazi.

“The Wedding”, “The Worm”, “The Guilt” dhe “The Child”, përfshiu në thelb traditat shqiptare, dasmat, rolin e burrit në familje, mungesën e tij, identitetin, të kaluarën, traumat, e në mesin e shumë gjërave tjera edhe detyrimin e gruas që të marr dy role, diskriminimin e personave që kanë ikur nga lufta si azil nga rrethanat e “panjohura” për njerëzit dhe gjykimin e këtyre të fundit.

Ikja nga lufta në rrethana të panjohura shpesh herë cilësohet edhe si akt tradhtie prej shumë njerëzve të cilët luftuan dhe në fund “të gjallë” jetojnë në vendin e tyre me një liri të cektë e me shumë histori mbrapa.  Rikthimi i Remos në fshatin që po mbulohej nga legjenda urbane për rikthimin e ujqërve për të shkatërruar gjëra në fshat e gjen atë në shtëpinë e kushërirës së tij, Unës. Ajo kishte jetuar për vite me radhë në një liri të rrejshme, duke u veshur nën petkun e një burri të familjes.

Remo, i cili ishte larguar nga lufta në rrethana të panjohura për shumë njerëz, konsiderohej si një i huaj në vendin e tij, në tokën e tij, duke lënë shtetin e Zvicrës përgjithmonë, në mënyrë që të kthehet në Kosovë. Ai nuk kishte shumë njohuri dhe ishte rritur pa prindër që nga lindja.
Megjithë këtë, Remo mori vendimin të rikthehet në Kosovë dhe të përballonte përsëri traumat e fëmijërisë dhe ato që “Skenderi” i kishte shkaktuar disa herë në të kaluarën. Skenderi ishte në prag të vdekjes, dhe Remo duhej të ishte aty për të pritur njerëzit që vijnë në varrimin e tij.

Una, e cila po jetonte e vetme me të gjitha përgjegjësitë që një familje i ka në tërësi, kërkoi rikthimin e Remos në vendlindje, për të identifikuar trupat që po zhvarroseshin nga varret masive nga lufta e fundit në Kosovë dhe familjarët e tyre pothuajse kishin vdekur të gjithë.

“Lista e njerëzve” e cila po kërkohej nga shkencëtarët e pranishëm në fshat, i kujtoi Remos dhe Unës t’i shikonin “sekretet e ndaluara” për të përshpejtuar procesin e verifikimit të familjarëve.

Duke jetuar mes sekreteve familjarëve, Remo nuk e dinte se shumë prej fotove që ata po i shikonin, në realitet shfaqnin nënën e tij mes kujtimeve të ndryshme.

Aktorja e re në moshë, Era Balaj në rolin e Fatimes, që u paraqit në një foto si e panjohur për Unën dhe Remon, ishte nëna e djaloshit që mori guximin të përjetoi nga e para me çdo plagë e shenjë brenda vetes, rikthimin 10 vite mbrapa.

Fatimja u vra nga Skenderi, pasi lindi Remon me një të “huaj”, Besimin të luajtur nga Don Shala, dhe Remo që kur peshonte 5 kilogram jetoi duke qenë i urryer nga Skenderi dhe nën kthetrat e së kaluarës, pa parë dritë nga e ardhmja.

Përmes një kinematografia magjike, i gjithë filmi erdhi deri në përfundim dhe solli “lirinë” e Unës në mesin e shumë ngjarjeve intriguese që preken pjesë të caktuara nga shumë prej sferave të jetës. Performancat e Luana Bajramit dhe Florist Bajgorës shfaqen edhe një herë tjetër madhështinë e artit në Kosovë. Emocione, dhimbje, lumturi, liri, vuajtje dhe përballje me ujqër e fantazma nga e kaluara, të gërshetuara në mënyrë maestrale nga dyshja që i dha kuptim gjithë skenarit, të përgatitur mjeshtërisht nga Fisnik Maxville në filmin e tij debutues si regjisor.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh me shumë krenari në natën hapëse të festivalit, duke treguar se sa i lumtur është me arritjet e PriFestit.

“Me shumë krenari dhe emocion sonte në këtë sallë po e hapim edicionin e 15-të të PriFest. Emocion i madh që e dëgjuam këngën e Albanit dhe Drenit këtu, që ngjallën emocione brenda nesh. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë që është kthyer në një platformë dinamike për kreativitet dhe bashkëpunim ndërkombëtar në artin e mrekullueshëm të kinematografisë. Teksa qëndroj këtu para jush nuk mundem të kalojë pa shprehur mahninë time në përmasat e jashtëzakonshme që tashmë përfaqëson PriFest, krenar me të gjithë arritjet tuaja ndër vite. Sidomos me lartësinë që ia bëni Prishtinës në majet më të larta të kinematografisë”, thotë ai.

PriFest si një dritare fenomenale për të rinjtë

“Nuk është vetëm një festival, por një dritare fenomenale për të rinjtë që të shprehin talentët e tyre. Përmes PriFestit po ndërtojmë ura lidhëse me shtete të botës PriFest nuk është vetëm një ngjarje kulturore, është një identitet i yni. Lindi si një dritë shprese se shpirti ynë kreativ nuk mposhtet. PriFest eksploron fuqinë, eksploron diveristetin, avokon për të drejtat e njeriut dhe po ashtu shfaq më të mirën tonë në kinematografi në arenën ndërkombëtare. Kur ne vazhdojmë që të përballemi me diskriminimin që të mos mundemi të udhëtojmë”, shton ai.

I pari i Prishtinës thotë se kryeqyteti do të vazhdojë të mbështes këtë festival dhe uron suksesin e tij për vite të tëra.

“Ne mbetemi të përkushtuar që ta ruajmë e ta kultivojmë trashëgiminë e Vjosës. Duke shpresuar që ky festival të rritet e të zhvillohet për dekada më tej, ne si kryeqytet do të vazhdojmë ta mbështesim këtë festival që të bëhet më i madhi i vendit, rajonit dhe më gjerë”, thotë ai.

“PriFest është simbol i krijimtarisë sonë për një të ardhme më të ndritshme. Le të vazhdojmë të shfrytëzojmë potencialin transformues të kinemasë përmes PriFestit. Faleminderit të gjithëve dhe le të fillojmë këtë edicion të ri, duke uruar të gjithë kineastët e rinj dhe mirëseardhje të gjithëve mysafirëve tanë nga vende të ndryshme të botës, sidomos atyre të Izraelit”, përfundon kryetari Rama, duke treguar se një nga temat kryesore të këtij festivali është edhe pjesa ku PriFest ka bashkëpunuar ngushtë me shtetin e Izraelit.

Producenti Valon Bajgora falënderoi të gjithë të pranishmit që gjetën kohë për të parë këtë film.

“Faleminderit shumë të gjithëvë në këtë sallë. Ishte kënaqësi me pas premierën e filmit në Kosovë në PriFest, duke pasur parasysh se sa shumë i ka dhënë ky festival të gjithë neve. Për mu është një nderë që kemi arritë me shfaq filmin këtu dhe shpresoj që ju ka pëlqy shumë të gjithëve”, ka thënë producenti i filmit, Valon Bajgora.

Ndërkaq, personi kryesor pas këtij filmi, regjisori Fisnik Maxville, i cili ka lindur në Kosovë dhe më pas është rritur në Zvicër, shprehet me krenari se ky film i ka ndihmuar t’a gjejë vendin në tokë.

“Me të vërtet është një nder i madh për mua që ta prezantojmë filmin këtu, me gjithë ekipin, pa të cilin një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur. Faleminderit të gjithëve që jeni prezent sonte këtu. Ndoshta e keni kuptu që unë kam lindur në Kosovë dhe kam jetuar në Zvicër qe 20 vjet, kështu që për mua ka qenë shumë e vështirë që ta dijë se ku e kam vendin në botë, përmes këtij filmi kam arritur që ta gjejë se ku e kam vendin”, përfundon ai, duke shprehur krenari në sytë e tij përpara gjithë shikuesve të pranishëm.

Florist Bajgora tha për KultPlus se është e vështirë të shpjegohen emocionet që i ka ndjerë gjatë realizimit të këtij filmi, por beson fuqishëm që ato më së miri shihen në film.

“Nuk di me i përshkru saktë ndjenjat dhe emocionet që i kom përjetu gjatë xhirimeve pasi paraqiten më së miri në premierën e sotshme, nuk di shumë mirë t’i shpjegoi por besoj që filmi i shpjegon më mirë se si kam kaluar nëpër këtë periudhë. Filmi mbi të gjitha trajton temën e vendit prej ku jemi, ose ku me të vërtet përkasim. Ndonjëherë ti e ke ndonjë shpi, profesion, dashuri ose diçka tjetër, por vendi ku ti i përket është pjesa kryesore e këtij filmi”.

Bajgora tutje thotë se një skenar i fuqishëm si ky, të frymëzon që të kontriboush në çdo lloj forme në këtë film.

“Skenari i këtij filmi është i jashtëzakonshëm dhe më ka pëlqy që nga momenti i parë, edhe nëse nuk do të isha në rol kryesor, do t’i ndihmoja në çfarë do pozicioni tjetër, qoftë edhe jo si aktor. Filmin ma shumë se shpërthim e ka vizatu një rrugë shumë të sigurt prej fillimit të xhirimeve ose edhe prej skenarit, dhe rruga që e ka përqu filmi dhe filmi rrugën, ka qenë e paevitueshme që të ketë sukses”, përfundon ai.

The Land Within është një bashkëprodhim mes Zvicrës dhe Kosovës, përmes Alva Film Productions dhe Ikone Studio, me RTS Radio Télévision Suisse që shërben si bashkëprodhues. Në rolet kryesore luajnë: Florist Bajgora, Luàna Bajrami, Armend Smajli, Luan Jaha, Arta Mucaj, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena dhe Çun Lajçi. /KultPlus.com

Poezi e muzikë u mishëruan dhimbshëm në mbrëmjen e organizuar nga Artpolis

Tetë karrige në skenë, tetë njerëz për të cilët poezia ka rëndësi sa vetë jeta.

Meli Qena, Shpëtim Selmani, Ardiana Rexhepi, Sibel Halimi, Edis Galushi, Arbër Selmani, Qëndresa Kajtazi dhe Daniela Markaj mbrëmë sollën 25 poezi në një mbrëmje ku dikush qau e dikush qeshi, drejt përjetimit të emocioneve që veç poezia mund t’i zgjojë në epshet e njeriut.

‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 marsi’, organizuar nga ArtPolis, mbrëmë në Menzën Ramiz Sadiku mblodhi këta poetë e aktivistë për të lexuar për gruan, për fuqinë e gruas, për gruan e nënshtruar por edhe gruan e suksesshme, për gruan e përulur por asnjëherë të parëndësishme. Për një grua në jetën e gjithsecilit e gjithsecilës.

Zana Hoxha, drejtoreshë e ArtPolis dhe moderatore e natës, disa herë i rikujtoi audiencës rëndësinë e natës së poezisë në prag të 8 marsit, e cila organizohet tanimë tradicionalisht. Mbi 150 të pranishëm dëgjuan poezitë dhe u emocionuan edhe me muzikën nga ‘Dont listen to your neighbours’.

Meli Qena e nisi dhe e përfundoi mbrëmjen. Me leje nga vetë Ali Podrimja, Meli e solli poezinë ‘Unë, bija yte Kosovë’ – në versionin origjinal ‘Unë, biri yt Kosovë’, ndërsa e vazhdoi natën duke sjellë edhe poezi në gjuhën ruse, dhe magjinë e fjalëve të Rumit, shkruan KultPlus.

Secili prej të pranishmëve në skenë solli edhe tri poezi të tjera, nga dashuria për nënën, për fëmiun, për burrin, për gruan, për të vdekurit e për të gjallët. Edis Galushi lexoi edhe në gjuhën rome, ndërsa Izet Sarajlic erdhi përmes tij në gjuhën e tij amë.

Në skenë një poezi e lexoi edhe Ulrika Richardson nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa më pas secili prej poetëve, aktorëve e aktivistëve për të drejtat e njeriut solli poezi personale dhe poezi të poetëve të tjerë të njohur në vend dhe botërisht, shkruan KultPlus.

Shpëtim Selmani i ‘këndoi’ poezive e vjershave që nuk janë shkruar kurrë, ndërsa Sibel Halimi gjeneratave që pafajësisht janë me faj. Arbër Selmani solli tri poezi me motiv familjen, dashurinë dhe fenë, ndërsa Ardiana Rexhepi erdhi fuqishëm me sharmin prej aktoreje me poezi për gjuetarin e dashuruar. Qëndresa Kajtazi recitoi një poezi nga Majlinda Bregasi ndërsa në gjuhën angleze, Daniela Markaj solli poezi për fuqinë e gruas dhe zemrës së mirë të saj. /KultPlus.com

‘Liza në botën e çudirave’ solli edhe njëherë magjinë e Arzana Krajës

Ishte një emocion më i veçantë në mbrëmjen e së premtes në Teatrin “Dodona” të Prishtinës, ku po prezantohej prova gjeneralë e shfaqjes “Liza në botën e çudirave”, shfaqje kjo që ishte punuar me dramatizim të Arzana Krajës, e cila vdiq qysh në nëntorin e kaluar, por këtë projekt e kishte lënë të përfunduar për këtë teatër, qysh në muajin shtator.

Meli Qena ka bërë regjinë e kësaj shfaqje, e cila bashkë me Arzanën patën aplikuar për këtë projekt vitin e kaluar, por premiera e kësaj shfaqje erdhi pa praninë e Arzanës.

Familjarë të Arzanës kishin zënë vendet e tyre në sallën e këtij teatri, për të parë nga afër emocionin e kësaj shfaqje, dhe për të ndjerë nga afër edhe njëherë mjeshtërinë e familjares së tyre.

Por dramatizimi i Arzana Krajës dhe regjia e Meli Qenës, kishin sjell një mrekulli brenda mureve të këtij teatri, pasi që aktorët e kësaj shfaqje, me lojën e tyre sollën aq emocion, sa zërat e fëmijëve , bashkë me ata të prindërve, dëgjoheshin pothuajse gjatë gjithë kohës.

Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me bashkëshorten e tij, kishin sjell vajzën e tyre që për aq kohë sa zgjati shfaqja, u argëtuan me lojën e aktorëve.

Shfaqja ‘Liza në botën e çudirave’ trajton temën e një vajze e cila një ditë shikon një lepur të bardhë dhe bëhet kurioze, duke ndjekur lepurin, ajo bie në botën magjike të mrekullive ku takon krijesa nga më çuditshmet, kjo botë magjike futi thellë edhe fëmijët që ishin prezent. Liza një vajzë me imagjinatë tejet të zhvilluar ngjallte një entuziazëm të pashoq tek fëmijët që ishin të pranishëm në këtë shfaqje.

Ajo çfarë e bëri edhe më interesante këtë shfaqje ishte mesazhi që ajo përçonte. T’i duam prindërit tanë dhe t’i respektojmë ashtu siç janë, pa u shkaktuar telashe, sepse në fund jemi ata të cilët duam t’i kemi gjithmonë afër dhe të mos jemi asnjëherë larg tyre.

Me këtë lloj porosie përfundon edhe shfaqja, duke u lënë fëmijëve prezent një mesazh shumë të fortë.

Aktorët që luajtën në këtë shfaqje ishin: Njomza Tmava, Allmir Suhodolli, Avni Hoti, Roza Berisha Fejzullahu, Avdi Azemi, Faik Gashi. Shfaqja ështe edhe libër i cili është shkruar nga Leëis Caroll, dhe pritet të shfaqet këtë të shtunë prej orës 12:00 dhe 13:00 në teatrin Dodona. / KultPlus.com