Studiuesja dhe përkthyesja Meliza Krasniqi ka sjell librin e ri të titulluar “kritika dhe Letërsia”, shkruan KultPlus.
Në këtë libër, Krasniqi ka përmbledhur ese, kritika, analiza e studime të shkruara e të botuara gjatë periudhës 2007 – 2020, në revista e gazeta. Disa nga shkrimet janë rezultat i detyrave si studente e letërsisë. Në shtojcë gjenden dy shkrime që për objekt kanë një lëvizje dhe një disiplinë.
Sipas autores, titulli i këtij libri mund të duket krejt i thjeshtë, por në fakt nuk është i tillë. Ajo niset nga maksima e Zhenetit, i cili thotë: “Materialet e punës kritike në të vërtetë janë mbeturina të veprës njerëzore”.
“Jam motivuar ta shkruaj njërën me shkronja të vogla, kritikën, e tjetrën me të mëdha, Letërsinë, si shenjë e vetë natyrës së tyre. Dhe, konsideroj se kritika gjithmonë është shërbëtore e përunjur e Letërsisë, andaj edhe shkrimet kritike gjithmonë duhet të vijnë pas saj. Po ashtu, ky formulim ka edhe konotime të tjera që dalin në lexime të ndryshme”, shkruan autorja e cila tutje tregon se është kundër librave që bartin tituj të mëdhenj e të fryrë e që përbrenda nuk e arsyetojnë veten asnjëherë.
“Nuk jam ithtare aq e madhe e librave me përmbledhje të teksteve që në fakt janë produkt i mbledhjes e sistemimit të teksteve të llojeve të ndryshme të destinuara për diçka tjetër, në kuptimin se janë shkruar për qëllime krejtësisht të tjera. As përkrahëse, madje jam kundër librave që bartin tituj të mëdhenj e të fryrë e që përbrenda nuk e arsyetojnë veten asnjëherë. Si rrjedhojë, kritika dhe Letërsia, është titull përfaqësues i përmbajtjes dhe i diskursit të përdorur këtu. Këto punime i kam shkruar e rishkruar, pastaj i kam strukturuar në tekste të zgjedhura në momente të ndryshme personale e profesionale”, shkruan Krasniqi.
Interpretimi, analiza, përshkrimi dhe komentimi sipas autores, nuk ndjek një lexim sistematik e as vlerësim e konstatim të ngjashëm: Me një fjalë, si justifikim, them se në periudha të caktuara të shkrimit provohet një përzgjedhje e formulimeve dhe e përfundimeve që në një kohë tjetër kapërcehen e pësojnë ndryshime.
Libri është i ndarë në katër pjesë, duke përfshirë autorë klasikë e modernë të letërsisë shqipe e të letërsisë botërore dhe pothuajse secilin tekst e shoqëron viti i shkrimit. Këtu, trajtohen, si shtojcë e veçantë, edhe Postmodernizmi e Retorika, dy fusha të ndryshme që fillimisht autorja i ka menduar t’i zgjeroj në pamje më të mëdha, në format libri. Retorika është rezultat i Kursit me të njëjtin emër, e që pas leximit të Retorikës së Aristotelit, duke u fokusuar në natyrën që kishte sjellë, traditën që përcjell dhe përballë dëshirës së njohjes së kësaj disiplinë, këtu del si variant kërkimi i ndërtuar mbi studime specifike. Postmodernizmi, në anën tjetër, është shkruar gjatë dhe atë në kohën kur diskutimet për të ishin ende të gjalla dhe ka për model ilustrimi romanin “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos.
“Ndonëse në letërsinë botërore deri në vitin 1983, kur është botuar “Emri i trëndafilit”, numëroheshin rreth pesëdhjetë vepra postmoderne, kam bërë këtë përzgjedhje sepse konsiderohet arketip i romanit postmodern. Dhe, duke pasur parasysh faktin se letërsia postmoderne karakterizohet me përdorimin e një sërë teknikash, themi se letërsia postmoderne është vetëdije, nganjëherë trend, por jo rastësi. kritika dhe Letërsia paraqet një kërkim autorial të letërsisë së lexuar dhe rilexuar, shënjon ecjet në kohë të shkrimit dhe përfaqëson një diskurs dikur dhe sot”, shprehet autorja. / KultPlus.com