‘Marin Mema s’ka bërë asnjë krim’, Rama në Selanik: Dorëzojmë kërkesën për rishikimin e vendimit absurd për t’i ndaluar gazetarit hyrjen në Greqi

Kryeministri Edi Rama, në takimin me shqiptarët në Selanik, njoftoi se është përgatitur një kërkesë për qeverinë greke, që të rishikojë vendimin për të ndaluar hyrjen e gazetarit të Top Channel, Marin Mema, në Greqi.

Duke theksuar se Marin Mema nuk ka bërë asgjë tjetër veçse punën si gazetar, ai e cilëson vendimin e 12 viteve më parë një masë ekstreme dhe antidemokratike.

“Kemi një kërkesë që do ta dorëzojmë që nesër për rishikimin e një vendimi absurd 12 vite më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi. Marin Mema nuk ka kryer asnjë krim, s’ka bërë asgjë më shumë apo më pak se sa punën si gazetar, i apasionuar pas gjurmës së shqiptarëve. Nëse qëndrimi i tij është i ndryshëm nga kushdo që ka marrë vendimin absurd për ta ndaluar të hyjë në një vend në BE, ku s’mund të jetë kurrë një shkak për t’i hequr një gazetari lirinë europiane të lëvizjes. Kjo është një masë ekstreme, antidemokratike, antidemokrate”, u shpreh kryeministri.

Në vitin 2012, gazetari Marin Mema u shpall i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye pengohet që të hyjë në territorin grek.

Vendimi dhe ndalimi i gazetarit erdhi pas disa temave të realizuara prej tij në rubrikën “Shqipëria Tjetër” kushtuar çështjes kombëtare shqiptare, tema që lidhen me trashëgiminë e çamëve në Greqi në fshatin Margëlliç, në Gumenicë dhe në Filat. Por edhe emisioni kushtuar Papa Kristo Negovanit dhe pasardhësve të tij në fshatin Negovan, brenda territorit grek./ Top Channel/ Kultplus.com