Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim zyrtar sportisten, Kiana Kryeziu, e cila së fundmi arriti të sigurojë kualifikimin në Lojërat Olimpike “Pekini 2022”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Çeku njoftoi se diskutuan për punën, përkushtimin dhe sukseset e sportistëve të Kosovës, në veçanti për zhvillimet në sportin e skijimit.
Postimi i tij i plotë:
“Kiana Kryeziu është 17 vjeçare. Ajo tashmë ka hyrë në historinë e sportit kosovar si vajza e parë që do të përfaqësojë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore. Sot prita në takim skitaren Kiana Kryeziu, sportisten që ka fituar normën olimpike për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore, kryetarin e Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi dhe kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Në takim diskutuam për punën, përkushtimin dhe sukseset e sportistëve tanë, në veçanti për zhvillimet në sportin e skijimit. Së bashku me Kianën vendin tonë në Olimpiadën dimërore Pekini 2022 do ta përfaqësojë edhe skitari Albin Tahiri. Me qëllim të përgatitjes së sportistëve për këto gara olimpike nënshkruam memorandum me Federatën Skitare të Kosovës për mbështetje financiare të sportistëve tanë”. /KultPlus.com
Kori Siparantum është duke shënuar suksese të njëpasnjëshme si brenda dhe jashtë Kosovës, me ç’rast së fundmi Kori është bërë pjesë e sallës më të njohur koncertale në botë “Berlin Philharmonie”, përcjell KultPlus.
Kori Siparantum po vazhdon ta shënojë historinë e radhës për muzikën korale kosovare, duke u bërë pjesë e sallës më të njohur koncertale në botë, Berlin Philharmonie në kuadër të ‘Choral Celebrations’ në mars të vitit 2022.
Dirigjneti Memli Kelmendi ka bërë të ditur se kjo është hera e parë që një grup koral nga Republika e Kosovës ftohet që të marr pjesë në një ngjarje të tillë të rëndësishme kulturore.
“Ky lajm vjen pas suksesit të Korit Siparantum në olimpiadën e muzikës korale “World Choir Games”. Linku zyrtar i agjendës koncertale në Berlin Philharmonie. Së shpejti do të ju njoftojmë për detajet e tjera”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Mjeshtëria dhe karizma, këto dy elemente unike të ndërlidhura në mes vete kanë futur thellë rrënjët e tyre në dhënësin e përjetshëm të ritmit, dirigjentin Memli Kelmendi, i cili me energjinë, intensitetin e befasitë drithëruese, ka bërë shumë më tepër sesa thjesht tundjen e duarve në ajër. Pulsi i muzikës klasike frymon brenda stilit të pakrahasueshëm të tij, i cili nëpërmjet lëvizjeve koreografike që çdo herë përvijojnë rrahjet e pakontrolluara të publikut, ai ka arritur të krijoj vepra që përherë do të jetojnë në kujtesë, dekadë pas dekade. E me një përkushtim e dashuri aq të madhe ndaj punës, ai me Korin Siparantum, përfaqësoi Kosovën për herë të parë në historinë e shtetit tonë, dhe jo vetëm. Në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës, ishte pikërisht ky kor i drejtuar nga dirigjenti Kelmendi, ai i cili doli triumfues në Olimpiadën e Koreve Botërore “World Choir Games”, e që bëri krenarë një popull të tërë për një sukses që tundi nivelin e muzikës klasike në vend, me ç’rast në një intervistë ekskluzive për KultPlus ai ka rrëfyer për rrugëtimin e tij drejt kësaj ëndrre, një ëndërr që përgjatë realizimit të saj, ka ngjallur edhe ëndrra tjera, shkruan KultPlus.
Njëfarë lloj çudie mistike ende vazhdon ta rrethojë natyrën e krijimtarisë së këtij dirigjenti teksa ai qetësisht qëndron në podium. Figura e tij misterioze me vetëm një copë druri në dorë ose dhe ndonjëherë vetëm me duart e tij që herë portretizojnë flatrat e dallëndysheve që nën ritmin e veçantë njëherazi krijojnë melodi të papërshkruara e herë tjera krahët e tij që dukshëm i ngjasojnë një shqiponje, krahët e së cilës vrullshëm thyejnë ajrin me shpejtësinë e precizitetin e tyre. Njëjtë është edhe prezenca e tij në skenë që arrin të armatos prodhimin e zërit të dhjetëra e qindrave njerëzve që përdorin instrumente apo thjesht telat e zërit, për të sjell kështu një performancë artistike e krejtësisht autentike të veprave të njohura botërore e deri tek ato shqipe, përpara një publiku i cili gjithmonë kthehet në shtëpi me një përvojë që askush nuk do të mund ta harronte dot.
Audienca e cila shpeshherë është e bindur se e di saktësisht atë se çfarë do të mund të përcaktonte një dirigjent përgjatë një koncerti me një repertor të planifikuar, në rastin e dirigjentit Kelmendi, ndodh ndryshe. Pothuajse çdo herë pikasim fytyra të habitura të cilat para tyre shohin pasionin e zjarrtë në dy sy, djersët që vazhdimisht pikojnë, lëvizjet e pandalshme e pozicionin e trupit të tij si dhe gjërat e panumërta të cilat atë e vendosin në hapësirën ku ai fut tërë Korin nën një komandë, fuqia e së cilës luhatet mes nivelit të skajshëm të çmendurisë melodike e herë të tjera sjell tërbimin e qetësisë absolute të tingujve magjik.
Në anën tjetër, ajo që bie më së shumti në sy në vazhdën e performancave të tij, është stili i tij unik që gjithmonë inkuadron mënyra të veçanta të interpretimit duke sjell në jetë një partiturë muzikore e njëkohësisht duke komunikuar ndjenjat më të rafinuara që veprat përmbajnë brenda tyre, nëpërmjet një gjuhe individuale gjestesh, e cila thekson në çdo sekondë, nuancat e elementeve muzikore që vazhdimisht ripërtërihen në vetvete dhe fusin kthetrat e tyre përbrenda shpirtit të pranishëm. Ndërkohë, elementet koreografike të cilat ëmbëlsisht ndërlidhen me praninë e publikut, sjellin para publikut një skulpturë lëvizëse që skalit natën e një koncerti thellë brenda një kujtimi të paharrueshëm. E këtë veçanti të posaçme të dirigjentit, ne e marrim dhe e gdhendim në copëzat e qosheve të zemrave tona.
Ekzistenca e një dirigjenti të tillë në podium është shumë më shumë sesa vetëm prezenca e tij me shkop në dorë e veshjeje prej bishti. Detyra e pandalshme e tij vjen nga brendësia shpirtërore për të dirigjuar gjithmonë ritmin e duhur, të vendosë tempon e të vazhdojë ta kontrollojë atë dhe më pas, e jo vetëm. Përpos elementeve komponentë për një performancë të mirë, për të vënë vulë në secilën mbrëmje, dirigjenti Kelmendi shndërrohet në një metronom, prezenca e të cilit mban së bashku një Kor, si një zinxhir transparent e i pashkëputshëm mes tyre.
Ndërkohë, kemi një Kor individësh të cilët duan të ndihen plotësisht të realizuar, e ky plotësim vie pikërisht nga fokusi kolektiv i dirigjentit i cili në fakt është dëgjuesi më i mirë i rezultatit të punës së tyre. I njëjtë është edhe dirigjenti Kelmendi, i cili bënë që zëri hyjnor i pjesëtarëve në Kor të jehojë përtej mureve, aty ku ekziston prania e diçkaje më të madhe e ndoshta edhe më e madhe se vetë ne. E janë pikërisht zërat e Korit që dirigjohen saktë nga timoni i Kelmendit, e sytë e tyre që nguliten vazhdimisht tek ai, në mënyrë që tingëllima të jetë e njëjtë me atë së çfarë kërkohet. Pra, ura virtuale mes syve të tërë Korit dhe dirigjimit të Kelmendit, është ajo urë muzikore që përçon tek publiku emocionet më diversive të paramenduara ndonjëherë e që njëkohësisht shndrit tërë sallën porsi një univers, aty ku pafundësia e yjeve shndërrohet në nota muzikore që dirigjenti Kelmendi projekton para nesh.
I lindur në Pejë, pasioni për muzikën klasike ka ardhur qysh herët, me ç’rast dirigjenti Kelmendi kësaj radhe ka shpalosur pak për fëmijërinë e tij, frymëzimet e para në nisjen e karrierës së tij e për të mbërritur deri tek shpalosja e suksesit të Korit Siparantum, një sukses ky i cili si çdo nisje tjetër në jetë, fillet nuk i pati dhe aq të lehta, por që ende edhe sot zhurmshëm vazhdon rrugëtimin e tij drejt ambicieve të radhës që presin të trokiten nga ky Kor. Janë disa momente e çaste të ndryshme që dirigjenti ka vendosur ti tregoj përgjatë kësaj interviste që nisi me vendimin mbi përzgjedhjen e tij në karrierën e tij si dirigjent.
I rritur nga një baba kantautor e një familje ku muzika ishte burimi kryesor, interesimi i tij për meloditë e muzikës klasike fillimisht erdhi si një trashëgimi nga daja e tij, Refik Çakolli, por ky interesim vazhdoi të zgjohej akoma më shumë atëherë kur ai vazhdimisht ka pasur rastin ti shihte festivalet e ndryshme për fëmijë. Andaj, familja për të mbetet motivi kryesor me të cilin ai ende vazhdon ti synojë majat më të larta. Por që në fakt ishte babai, Xhevat Kelmendi, ai i cili e ka mbështetur atë më së shumti për të vazhduar interesimin për një karrierë në muzikë, duke e ndihmuar atë në çdo hap të jetës e duke qenë prezent aty me mbështetjen e tij e sakrificat e veta ndaj dirigjentit Kelmendi, i cili shprehet se për gjatë gjithë jetës do të jetë mirënjohës ndaj tij.
E kështu, kjo shtytje do të shënonte nisjen e një historie të jashtëzakonshme suksesi.
Udhëheqës i korit të shkollës së muzikës “Halti Kasapolli”, Korit të Fëmijëve “Siparantum Kids” dhe Korit “Siparantum”, me të cilin tashmë ka dëshmuar talentin e tij edhe jashtë Kosovës, dirigjenti Kelmendi posedon edhe një opus të gjerë e të pasur të kompozimeve të shumta të veprave të cilat janë luajtur para publikut në vende të ndryshme të botës. Por, duke qenë dirigjent i përhershëm i korit “Siparantum”, ai arriti suksesin e ëndërruar prej vitesh, e që i njëjti tani synon të arrijë edhe përtej kësaj, për të vazhduar ëndrrat e tjera të radhës.
Para së gjithash, ishin sfidat e ndryshme të cilat ndonjëherë shndërrohen në pengesa të mëdha që këto suksese të mos gjejnë vend në karrierën e një dirigjenti, me ç’rast disa prej tyre u konsideruan normale e disa prej tyre edhe banale. Por, sigurisht që gjatë procesit të punës për një rrugëtim kaq të gjatë e unik, janë pikërisht këto sfida e pengesa që do duhej të ndodhnin, në mënyrë që ai të forcohej edhe më shumë e ti bënte ballë gjithçkaje që potencialisht do të mund ta fuste kokën brenda rrugëtimit të tij artistik e plotësisht të veçantë.
“Kam shumë vepra të veçanta me të cilat ndjej një lidhje të fortë e prej të cilave sot ndihem shumë i lumtur. Jam krenar që kemi arritur të formojmë një Kor që tashmë ka marrë rrugëtimin botëror. Konsideroj që kjo është njëra prej veprave më të bukura që kam bërë deri më tani. Me këtë ne do t‘lëmi gjurmë ta pashlyeshme në muzikën tonë. Ka qenë dhe mbetet misioni im që rininë tonë, vullnetin dhe energjinë që kemi, ta shfrytëzojmë për të promovuar kulturën tonë në botë. Jemi në një rrugë të drejtë”, thekson ai.
Ndërsa, kur flasim për një përzgjedhje të një repertori perfekt për koncertin e tij, atëherë është pikërisht eksperimentalizmi, ai elementi që është konsideruar i domosdoshëm në çdo moment. Me një repertor asnjëherë të përsëritur në asnjë koncert, monotonia nuk ka pasur rastin që të futet përbrenda magjisë së vijës melodike në koncertet e dirigjentit Kelmendi, koncerte këto që ngërthejnë në vete një laramani stilesh, duke e bërë të veçantë punën e tij. Kurse, varësisht nga vendi, të pranishmit dhe rrethanave tjera, ai vendos vetë programin e koncertit por në një mënyrë të tillë që asnjëherë ai të mos tentojë të iu përshtatet rrethanave të tilla.
Është ëndrra e çdo dirigjenti që të prek vendet performuese më të mahnitshme në botë, e së bashku me prekjen, të përjetojë përhumbjen në këto vende magjike ku sytë e njeriut nuk do mund të kapnin të gjitha detajet e mundshme që krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme për të pranishmit që adhurojnë muzikën klasike. Por, se cili është vendi i preferuar ku ai ëndërron të performojë, e tregon vetë Kelmendi.
“Ne kemi prekur deri më tani njërën prej vendeve më të mëdha në botë, “World Choir Games”, për arsye se ëndrrat realizohen me punë. Por, në fakt, po, është edhe një vend të cilin ne e kemi ëndërr ta prekim, e që kjo do të ndodhë së shpejti”, shpalos Kelmendi.
Sipas tij, muzika dhe audienca, janë ato dy elementet me të cilat ai kryesisht punon. Qëndrimi indiferent ndaj artit që ai e krijon, asnjëherë nuk ndodh. Pra, nëse vepra është ‘atraktive’, ai nuk mund të qëndroj ‘statik’, por thjesht duhet që ai të inkuadrohet përbrenda muzikës që ai e krijon në ato momente.
“Dua që audienca të jetë sa më afër skenës dhe jo më larg saj. Jam dirigjent që ndërtoj stilin tim, prandaj unë inkuadrohem brenda lëvizjeve koreografike. Pra, luftoj të kem stilin tim”, thotë ai.
Për Kelmendin, të qënurit dirigjent i pavarur në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë për arsye se ky vend nuk jap mundësi, prandaj edhe pas studimeve të tij ai kishte vendosur mes dy zgjedhjeve; të ndenjurit në shtëpi e gëzimit se ai është një dirigjent i diplomuar apo të vazhdonte punën e tij e mendimin e tij të pavarur.
“Kjo është sfidë, prandaj e sfidova vetën time, zgjodha opsionin e dytë. Jam shumë i lumtur që puna ime vlerësohet kudo, pak ka rëndësi sa vlerësohemi këtu. Thjesht unë po e përmbushi misionin për të cilin jam betuar si artist – promovimi i të rinjve, muzikës, kompozitorëve dhe kulturës sonë në botë. Këtë edhe e kemi dëshmuar. Por, përgjatë këtij rrugëtimi tim, ndoshta disa prej punëve që sot i bëj, është dashur ti bëj më herët. Mund të jem edhe në gabim sepse faktori kohë ndikon shumë, ndoshta këto kanë funksionuar më shumë në këtë kohë tani. Për këtë rrugëtim nuk kam qenë edhe shumë i informuar, nuk kam pasur këshilla që dikush të më orientonte për punën që bëj sot. Prandaj, duke u nisur nga ky fakt unë shpesh hapi tema me studentët dhe nxënësit në lidhje më këtë sepse mendoj që kjo gjuhë do të ishte shumë e nevojshme edhe për mua kur unë isha student i tillë”, thotë Kelmendi.
Në mesin e rrëfimit, ai tregon se varësisht nga vepra, stili dhe përmbajtja e veprës, ai posedon një dëshirë të madhe që artistët të shohin një vepër “sikur një film”. Ekzistojnë shumë raste kur ai një vepër e ka trajtuar në atë mënyrë, e kjo vjen edhe si pasojë nga puna të cilën ai e bënë me filmin dhe teatrin, me ç’rast domosdo ka ndikuar që të kuptohet më shumë rëndësia e muzikës. Ai tutje konsideroi se secila vepër ka dhe karakterin e saj, prandaj ai dëshiron që të jetë brenda karaktereve të ndryshme, e që sipas tij, kjo është vlerësuar kudo që Kori ka qenë pjesë e festivaleve të ndryshme në botë.
“Disa nga muzikantët/kompozitorët e mi të preferuar janë: Arvo Pärt, Henryk Górecki, Dmitri Shostakovich, Eric Whitacre, Gustav Mahler e shumë të tjerë. Gjithashtu, është e vërtetë që ka shumë vepra të bukura në botë dhe është shumë e vështirë të zgjedhësh njërën prej tyre dhe të thuash se “kjo është më e mira”. Unë hulumtoj shumë në këtë aspekt, andaj dhe programet për koncerte i punoj pothuajse dy vite përpara. Nëse gjatë hulumtimit gjej një vepër të bukur, nuk ia lë kohës, atë e vendosi në repertorin tim menjëherë”, tregon Kelmendi.
Tutje, kur flasim për përkufizimin e tij rreth suksesit, ai konsideron se: puna, puna dhe vetëm puna, dërgon tek ky sukses i deritanishëm.
Duke pasur parasysh suksesin e Korit Siparantum, i cili morri pjesë në ngjarjen më të madhe korale në botë, në Olimpiadën e Koreve Botërore “World Choir Games”, ku në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës, ishte pikërisht Kori i drejtuar nga dirigjenti Kelmendi, ai i cili doli triumfues në vendin e parë, me ç’rast vetë ai shpalos fillimisht fillet e para të themelimit të këtij Kori në Pejë.
“Unë doja që të krijoja në kor më ndryshe, krejtësisht ndryshe. Në fillim jam ballafaquar nga komentet më të ndryshme; pozitive si dhe ato negative. Unë doja të krijoja një rrugëtim krejtësisht tjetër, një gjuhë tjetër të artit përmes tingullit. Ne jemi të gjithë vullnetarë, funksionojmë në baza vullnetare me një qëllim të vetëm – promovimin e artistëve dhe të kulturës në botë. Korin e kemi formuar në Pejë por sot në ‘Siparantum’ janë anëtarë që vijnë pothuajse nga e gjithë Kosova. Ka qenë dhe është një rrugëtim i vështirë por vullneti është ajo që na mban për të vazhduar këtë rrugëtim. Energjia që kemi brenda nesh është e jashtëzakonshme. Ne funksionojmë sikur një familje e madhe. Kemi qenë pjesë e shumë festivaleve të ndryshme në: Gjermani, Francë, Belgjikë, Itali, Kroaci, Maqedoni Veriore, Shqipëri dhe Kosovë. Jemi pjesë e dy publikimeve, CD-ve ndërkombëtare dhe shumë bashkëpunimeve të ndryshme me dirigjentë dhe kompozitorë të cilët janë të njohur sot në botë. Deri më sot kemi realizuar më shumë se 100 vepra korale dhe kemi mbi 90 paraqitje me korin, 30 prej tyre janë ndërkombëtare (ndonëse vetëm 4 vite themelim)”, tregon Kelmendi.
Kurse, kur u pyet se si është pritur fitorja e çmimit të fundit në “Lojërat Botërore të Korit”, dhe se sa ekziston mundësia që kjo fitore të hapë rrugë drejt sukseseve për koret e tjera në Kosovë, dirigjenti Kelmendi tregon se ka shumë përvoja të paharrueshme në një koncert, por që momentet më emocionale do të ishin çastet e pakrahasueshme ku Kosova u përfaqësua me Korin Siparantum për herë të parë në historinë e shtetit tonë në sallën më të njohur në Antwerp, ‘Queen Elisabeth Hall’, e cila ndryshe njihet si shtëpia e Filharmonisë Fllamane.
“Pjesëmarrja e korit në Olimpiadën e Koreve Botërore “Wolrd Choir Games” është një histori në vete për muzikën tone korale në vend. Ky sukses erdhi pasi që unë jam tash e tre vite anëtar në ‘World Choir Council’ dhe për të qenë pjesë e “World Choir Games” ne është dashur t’i plotësojmë disa kushte. Fatkeqësisht ne nuk mundëm të plotësonim asnjë kusht përpos pikës së fundit; që unë isha anëtari i këshillit të koreve botërore, ‘World Choir Council’. Por, ne aplikuam dhe pasi që u përzgjodhëm, ne aplikuam me fazën e dytë, pra me programin me të cilin do të paraqitemi (nga këshilli artistik). Kështu u bëmë pjesë e ngjarjes më të madhe korale në botë, ‘World Choir Games 2021’. Të jesh në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës dhe në fund të dalësh triumfues, është sukses. Ne këtë e deshëm dhe e morëm. Kur jemi të bashkuar, jemi pjesë e suksesit, kjo është dëshmi suksesi. Ne prezantuam muzikën tone korale, paraqitëm kulturën dhe rininë tonë në mënyrën më të mirë dhe sigurisht që kjo do të jetë shumë më e lehtë për koret tona në vend. Pjesëmarrja në ‘World Choir Games’ hapi një kapitull të ri për muzikën tonë profesionale. Momenti më emocional erdhi kur puna jonë u vlerësua, ne morëm vendin e parë, pra fitues të kategorisë “Musica Contemporanea” në ‘Open Competition’. Kështu ne morëm dy të arta. Sot dhe përherë ky do t’mbetet njëri prej momenteve më të veçanta të jetës time”, shpalos Kelmendi.
Kështu, krejt në fund duke pasur parasysh kushtet në aspektin e muzikës klasike në Kosovë, ai tregon edhe disa ndryshime drastike që do të duhej të ndodhnin menjëherë, ku sipas tij, më së shumti ekziston nevoja që të kemi më shumë kuadro të reja në shkollat e muzikës, përkushtim më të madh në edukimin e brezave të rinj si dhe orkestra e kore në çdo qytet të Kosovës.
“Kjo është shumë e nevojshme për rrugëtimin tonë të përbashkët kulturor. Ne duhet të fillojmë nga shkolla e ulët e muzikës sepse edukimi fillon këtu dhe “nuk duhet të fillojmë nga e kundërta”. E di, jemi shtet i ri dhe jemi pjesë e zhvillimit dhe tranzicionit, por duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në edukimin e brezave të rinj. Mendoj që duhet të punojmë më shumë si shoqëri”, tregon tutje Kelmendi.
Ndërkohë, krejt në fund të intervistës, nëse do të ekzistonte vetëm një mesazh që të pasionuarit pas muzikës klasike duhej ta dëgjonin, atëherë sipas dirigjentit Kelmendi, ajo mendohet të jetë: Punë, vullnet, energji, sakrificë dhe përkushtim. Suksesi vie vet. / KultPlus.com
KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.
Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2022.
Arona Zyberi, Zgjim Terziqi, Ferit Zekolli, Memli Kelmendi, Nora Gjakova, Doresa Rexha, Edi Shukriu, Distria Krasniqi, Yllka Gashi, Saranda Bogujevci, Hajrulla Çeku, Kaltrina Krasniqi, Dori Basha e Gzim Gashi vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.
Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.
Pas suksesit madhështor të Korit në ‘World Choir Games’ me pjesëmarrjen në Olimpiadën më të madhe të muzikës korale, ku edhe Kosova u përfaqësua për herë të parë në garën – Olimpiadën më të madhe të muzikës korale në botë, tani Kori Siparantum do të udhëtojë për në Berlin, për të shënuar suksese të tjera të radhës, përcjell KultPlus.
Nga data 17 deri më 20 dhjetor, Kori Siparantum do të jetë pjesë e festivalit dimëror ‘CHORALSPACE’ 2021 në Berlin.
Ndërkaq, lajmi u bë i ditur nga vetë dirigjenti Memli Kelmendi, i cili edhe ka shpërndarë datat e koncerteve që do të mbahen atje e po ashtu edhe biletat për të qenë pjesë e atyre koncerteve.
“Kori Siparantum Choir në BERLIN Pas suksesit në World Choir Games, kori Siparantum nga data 17-20 Dhjetor do të jetë pjesë e #CHORALSPACE Winter Festival – #Berlin 2021. The Choral Cluster: Siparantum Choir (XK) directed by: Memli Kelmedi; Wilmersdorfer Kamerchor (DE) directed by: Christian Bährens 👉December 18, 2021, 18:30 St. Matthäus-Kirche, Berlin Mitte 👉December 19, 2021 11:00 Heilig Kreuz Kirche, Berlin Kreuzberg Albanische Winterklänge 👉December 19, 2021, 19:30 Paul-Gerhardt Kirche, Berlin Schöneberg Gjithë të interesuarit që duan të jenë pjesë e këtyre koncerteve, biletat mund t’i blejnë në linkun e mëposhtëm: https://shop.reservix.de/?id=ead47f8b5b097794d9ca891114a3ae1b40d487470b312d83a65b5f56d6dadcf7b628d1c433d3343addab8303d585fc48&vID=24336&eventGrpID=374740&fbclid=IwAR3nfvALBAg-YyZDHbGWXyfFK570-T_coaENUOv9jn1hQotdbhTyVDq1jfs “, ka shkruar Kelmendi. / KultPlus.com
Kori Siparantum është duke shënuar suksese të njëpasnjëshme si brenda dhe jashtë Kosovës, me ç’rast së fundmi Kori ka hyrë zyrtarisht në renditjen botërore – koret më të mira në botë – INTERKULTUR, në Top 1000 koret më të mira në botë, përcjell KultPlus.
Kori Siparantum aktualisht renditet në vendin e 460 dhe ka 896 pikë.
Ky është konsideruar si një nga sukseset më të mëdha të arritura ndonjëherë në muzikën korale për shtetin tonë, Kosovën.
Ndërsa, lajmin e ka bërë të ditur dirigjenti Memli Klemendi, duke njoftuar për këtë sukses e gjithashtu duke shpërndarë statistikat. / KultPlus.com
Kori Siparantum është duke shënuar suksese të njëpasnjëshme si brenda dhe jashtë Kosovës, me ç’rast sonte bëri histori për shtetin e Kosovës, në Olimpiadën e koreve botërore, ‘World Choir Games 2021’, përcjell KultPlus.
‘Siparantum’ është shpallur fitues në kategorinë, ‘The Open Competition – Musica Contemporanea’.
Kori mori pjesë në Olimpiadën më të madhe të muzikës korale, ku edhe Kosova u përfaqësua për herë të parë në garën – Olimpiadën më të madhe të muzikës korale në botë, ‘WORLD CHOIR GAMES 2021’.
Në ‘WCG’ këtë vit garuan mbi 300 kore nga e gjithë bota.
Kori Siparantum garoi në ‘Open Competition’, në kategorinë “Contemporary Music” e cila u mbajt në sallën e njohur koncertale, ‘Queen Elizabeth Hall, Antwerp’ (Home of Royal Flemish Philharmonic). / KultPlus.com
Kori “SiparantumChoir” në mesin e 14 koreve garuese nga Kroacia, Sllovenia, Bosnja, dhe Kosova, u vlerësua me pikët maksimale 98.33.
Kori u vlerësua nga juria profesionale e përbërë nga: Goran Jerković, Miljenka Grdan dhe Robert Homen.
Kori hyri në top katër koret finaliste dhe morri “Pllakën e Artë” në edicionin e 12-të të Konkursit Ndërkombëtar për Koret “The Golden Lime of Tuhelj” në Kroaci. / KultPlus.com
Me rastin e javës së muzikës të titulluar ‘Atmospheres’, Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë organizuar koncertin me korin e fëmijëve ‘Siparantum’ nga Peja, të cilët sollën një koncert me një repertor të larmishëm duke dëshmuar talentin e tyre vokal jo vetëm në interpretim por edhe nëpërmjet elementeve atraktive në skenën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
‘Fête de la Musique’, ngjarje kjo që festohet në tërë botën qysh nga viti 1981 nga muzikantë amatorë dhe profesionistë të të gjitha niveleve, kurse në Kosovë organizohet që nga fillimi i viteve 2000 dhe tani është shndërruar në një ngjarje mjaft të pritur dhe të çmuar nga publiku kosovar i cili sot mbushi sallën për të dëgjuar nga afër fëmijët e korit ‘Siparantum’ ku secili nga ta solli një veçanti unike që frymonte në të njëjtën vijë melodike vokale.
Një numër mesatar i fëmijëve nga gjenerata të ndryshme ishin vendosur në një skenë e cila ishte rrethuar komplet me një sfond në ngjyrë të zezë dhe dritat e kuqe të cilat vinin në pah edhe ngjyrën e veshjeve të këtij kori, ku dominonte ajo e kaltër. Fëmijët rrethonin në njërën anë edhe pianon e vendosur në mes e që tërë kohës lëshonte tinguj që vinin nga duart e dirigjentit dhe kompozitorit Memli Kelmendi.
Repertori i larmishëm i tyre përfshiu vepra të cilat u kënduan jo vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze por edhe në atë franceze duke interpretuar kështu gjithsej njëmbëdhjetë këngë, me ç’rast secila nga to erdhi me një fuqi dhe talent që mbase edhe një ditë do të pushtoj skenat më të mëdha botërore.
Ndërsa, literatura muzikore ishte një gërshetim tejet i bukur duke filluar nga veprat shqiptare si: ”Topi”, ”Kënga e Bylbylit”, ”Nënës” dhe ”Ty flamur të duam shumë”, për të vazhduar me këngët e njohura botërore si: ”Bella Dona”, ”Joshua fit the battle of jericho”, ”Round the mountains” dhe ”Have you seen the ghost of John”.
Ndërkohë pjesë e këtij koncerti ishin edhe këngët si: ”Samba de Brasil”, ”En ten tenera” dhe ”Derniere Danse”, të cilat papritmas befasuan publikun duke i futur të pranishmit në një frymë krejtësisht ndryshe ku vokali i tyre merrte nota të larta e të ulëta ku zëri i tyre kaploi atmosferën me një hijeshi tingujsh dhe melodi të cilat rrjedhnin jashtëzakonisht bukur. E kjo dëshmohej edhe në fytyrat e prindërve që tërë kohës po i shikonin fëmijët me një krenari që reflektohej në sytë e tyre.
Po ashtu, përveç zërit që po jehonte tërë kohën, instrumentet diversive ishin shoqëruesit e ngushtë të tyre ku me inkuadrimin e pianos, kitarës dhe fyellit, koncerti u gjallërua ende më shumë duke i dhënë audiencës ngjyra të larmishme melodie dhe tinguj të gërshetuara në një emocion të vetëm që po dhurohej lehtësisht nga fëmijët që posedonin një talent e dhunti që aspak nuk duhet anashkaluar.
Kështu krejt në fund, nuk munguan as elementet e vogla por tërësisht të pa planifikuara nga ana e fëmijëve që dukeshin se ishin në botën e tyre dhe lumturia e gëzimi që shndriste në fytyrat e tyre ishte njëlloj si ajo e prindërve të cilët iu bashkëngjitën koncertit me shuplaka të domosdoshme për një vepër specifike. Ndërsa, duartrokitjet e shumta nuk munguan për asnjë çast nga ana e publikut dhe dashuria e tyre që dallohej në buzëqeshje dhe brohoritjet ishte e pranishme tërë kohës deri në fundin e këtij koncerti.
Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizmit të këtij koncerti për KultPlus, foli dirigjenti dhe kompozitori, Memli Kelmendi.
“Ne kemi marrë ftesë nga Ambasada e Francës në Kosovë, konkretisht nga Valon Ibraj, të cilën e falënderoj shumë. Ndonëse në rrethane pandemie, nuk jemi shkëputur nga provat me fëmijët duke arritur që ta realizojmë këtë program, me të cilët kemi zgjedhur një repertor ndryshe nga herët e tjera”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, programi afron publikun afër skenës dhe fëmijët po ashtu kanë nevojë për një atmosferë të tillë por mendoj që sonte ishte një shpalosje e punës tonë disamujore për të rikthyer një atmosferë e cila na ka munguar gjatë.
“Jam shumë i lumtur sepse ky është viti i tretë që punojmë me korin e fëmijëve dhe e konsideroj që ky është kori më i mirë në aspektin vokal që ekziston momentalisht. Prandaj, po e bëj publike dhe premierë për herë të parë ku tani ka filluar incizimi i një audio-CD, një CD me vepra që promovojnë kulturën dhe ndikojnë në zhvillimin e gjeneratave të reja dhe mendohet të lansohet brenda këtij viti”, thotë Kelmendi.
Për Kelmendin, fëmijët e korit përpos që relaksohen, ata japin një kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin dhe zhvillimin e muzikës tonë e cila do të ndikoj drejtpërdrejt në të ardhmen.
“Është hera e parë që vij me një koncert të tillë me korin e fëmijëve dhe jam shumë i kënaqur me organizimin, ndonëse nuk ishte fare i lehtë duke pasur parasysh numrin e madh të fëmijëve. Andaj, konsideroj që ne dhe publiku kemi pasur nevojë për një atmosferë të tillë ku fëmijët e bënë një punë të mirë dhe i janë përshtatur kërkesave të mia në aspektin e udhëheqësit”, përfundon Kelmendi për KultPlus. / KultPlus.com
Veprimtaria kultivuese dhe e vazhdueshme e këndimit koral apo vokal nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, mbrëmë erdhi përmes një sërë veprash të kompozitorëve të ndryshëm, duke filluar nga repertori botëror e deri tek repertori shqiptar, ku me inkuadrimin e vokalit nga secili anëtar dhe elementeve koreografike atraktive, ata thyen çdo barrierë të mundshme e cila pasoi në një tërheqje të duartrokitjeve dhe brohoritjeve të cilat përgjatë natës shkatërruan definimin e limiteve, shkruan KultPlus.
Ky koncert portretizoi literaturën muzikore korale duke filluar nga periudha e renesancës e deri tek periudha bashkëkohore që mbrëmë Kori i Filharmonisë interpretoi në një mënyrë të mahnitshme që nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Bennett, Rheinberger, Gorecki, Rabe, Gueavara, Van der Roost, whitacare, Spevacek-Avery, Gjeilo, Lawry, Gerlitz dhe Hernandez, për të vazhduar me kompozitorët shqiptar si: Hajrullah Syla që solli veprën premierë të titulluar ‘Dimër’, Kreshnik Aliçkaj që solli një version ndryshe të veprës ‘Siparantum’ si dhe natyrisht vetë dirigjenti Memli Kelmendi me veprën ‘Sa bukur na ka dal nusja’.
Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet karriget në një numër specifik, pasoi qetësia e cila tanimë ishte pothuajse vepër artistike e bashkangjitur e Korit së Filharmonisë, që mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, solli një hijeshi të pakrahasueshme ndaj të pranishmëve duke i përqafuar dhe rrethuar komplet ata me vokalin e tyre hyjnor që jehonën dhe ushtimat e tyre kaluan pragun e perfeksionit.
Kësaj radhe, melodia dhe tingujt nuk po vinin nga instrumentet, ndonëse përfshirja e tyre ishte prezente me pianon nën manovrimin e Agron Shujakut, kontrabasi dhe violina nën manovrimin e Visar Kuçit së bashku me interpretimin në violinë të Festim Fanaj, pastaj tamburini nën manovrimin e Diellza Sylejmanit, kastanjeta nën manovrimin e Donjetë Krasniqi, viola nën manovrimin e Arianit Shehu, violonçela nën manovrimin e Antonio Gashi, si dhe fiz-harmonika e interpretuar nga Elton Balla.
Por ajo që mbizotëroi gjatë gjithë kohës ishin vokalet madhështore të sopranove si; Shkurtë Hykaj, Selvije Marteti, Arta Jashari, Kaltrinë Miftari si dhe tenori Safet Berisha, e po ashtu edhe elementet si lëvizjet koreografike, atraksionet e ndryshme të cilat i dhanë publikut një qasje tjetër duke i mbështjellë ata në hipnotizimin e bukur të tingujve që lirshmërinë e tyre e sollën në një frymë të vetme.
Kështu, krejt në fund ky koncert që frymonte nga kontrolli dhe ritmi diversiv i dirigjentit Memli Kelmendi, i cili inkuadroi mënyra të veçanta të interpretimit duke futur tërë Korin nën komandën dhe fuqinë e tij që herë ishte në një nivel skajshmërie të çmendurisë e herë të tjera në një qetësi pothuajse absolute.
Këto dy anë tërësisht të kundërta nga njëra-tjetra ishin dëshmi që Kori i Filharmonisë së Kosovës posedon një talent unik dhe mënyra se si ata këndojnë në një zë të vetëm dhe se si ata lëvizin jo vetëm vokalin por edhe duart, këmbët dhe komplet trupin e tyre në një harmoni të vetme, e fusin shikuesin dhe dëgjuesin në një shtangim shpirtëror duke fiksuar kështu thellësisht atmosferën dhe gjendjen emocionale të publikut dhe jo vetëm. Në një moment kulminacioni vokal afër përfundimi të një vepre edhe një fëmijë nga publiku që po këndonte së bashku me ta e i cili vazhdoi një notë më tepër, futi publikun dhe Korin në një emocion humoristik që solli buzëqeshjen e secilit.
Ndërsa për të na folur më shumë rreth realizimit të këtij koncerti i cili ka qenë i planifikuar për muajin mars, në një prononcim për KultPlus, ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.
“Ky koncert ka qenë i planifikuar shumë më herët por për shkak të situatës pandemike, koncerti është detyruar që disa herë të shtyhet. Pavarësisht kësaj, programi veçse është përpunuar edhe më mirë dhe është arritur një nivel mjaft i lartë profesional i Korit”, tregon Jashari.
Sipas tij, ky program është posaçërisht i zgjedhur nga dirigjenti Memli Kelmendi, ku tutje ka treguar për përvojën interesante për Korin dhe për mënyrën e punës së veçantë të dirigjentit
“Ky program ishte në tërësi premierë që erdhi nga propozimi i vetë dirigjentit duke zgjedhur vepra mjaft komplekse për interpretimin e Korit të Filharmonisë së Kosovës duke e ditur që Kori ka mundësi më të mëdha se koret amatore për shkak të punës tonë të përditshme dhe besoj nga reagimet e publikut që vërtetë ishte një koncert i suksesshëm”, thotë Jashari.
Kurse, për të folur më shumë rreth provave dhe se si kjo premierë la përshtypje tek ai, për KultPlus foli edhe dirigjenti Memli Kelmendi.
“Disa muaj më parë e morra ftesën nga drejtori i Filharmonisë së Kosovës për të ardhur me një program premierë me plan që koncerti të jetë në dy qytete, pra në Prishtinë dhe në Pejë. Unë i falënderohem shumë Drejtorit dhe institucionit dhe gjithë Korit të Filharmonisë së Kosovës për punën dhe përkushtimin maksimal për të ardhur deri në këtë realizim”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, procesi i provave nuk ka qenë i lehtë sepse është dashur të punojnë në prova ndaras që nuk i përket punës së Korit, por ata kanë punuar në bazë të rregullave të pandemisë duke e ngadalësuar shumë procesin e punës.
Për Kelmendin, prezenca dhe interesimi i madh i publikut e bëri atë të ndjehet i kënaqur dhe i gëzuar që sheh një numër të audiencës në sallë sepse sipas tij vërehet që njerëzit i kishte marrë malli për të parë diçka të bukur.
Tutje ai ka treguar që në rolin e dirigjentit ai është munduar të nxjerrë diçka tjetër prej Korit, me ato lëvizje koreografike dhe lirshmërinë e tyre, prandaj kjo ka tingëlluar jashtëzakonisht bukur duke i dhënë një ngjyrë dhe frymë tjetër kësaj çasje pikërisht në këtë kohë kaq të vështirë.
“Unë e përjetova shumë bukur sepse është hera e parë që performoj me Korin e Filharmonisë së Kosovës, është një emocion krejtësisht ndryshe sepse jam shumë mirënjohës ndaj tyre, e po ashtu iu përulem dhe falënderohem ndaj secilit anëtar të Korit dhe shumë të tjerë që kanë dhënë kontribut në realizimin e këtij koncertit”, përfundon Kelmendi.
Ky koncert premierë i Korit të Filharmonisë së Kosovës është realizuar në kuadër të sezonit 2020/2021. Ndërsa, repriza e këtij koncerti do të shfaqet të enjten në Pejë në kishën katolike ‘Shën Katarina’. / KultPlus.com
Ndonëse kishte filluar nata e dytë e festivalit “ReMusica”, në Sallën e Kuqe të kryeqytetit po përjetohej e pazakonta. Tingujt e parë të pianos, Misbah Kaçamaku tashmë kishte filluar t’i luante, ndërsa zëri i sopranos Besa Llugiqi filloi dalë nga dalë të pushtonte skenën, e përmes saj edhe ekranet, prej të cilëve përcolli emocione te kushdo e kudo, shkruan KultPlus.
Mbrëmjen e filluan me madrigalin e famshëm “Amarilli, mia bella”, të kompozitorit të monodisë dhe këngës solo, Giulio Caccini. Madrigali bënë pjesë në botimin më të rëndësishëm të Caccinit, “Le nuove musiche” të vitit 1602, në të cilin thuhet se janë shkruar rreth 1580 lutje.
Nuk ishte hera e parë që e gjente veten në Sallën e Kuqe të kryeqytetit, por për të ishte hera e parë që po përjetonte diçka që nuk e kishte menduar asnjëherë, të interpretonte për një publik që nuk e shihte dot. Edhe pse përball vetes kishte pianon, kurse përkrah saj ishte sopranoja që tingullit i shtonte zë, për pianistin Misbah Kaçamaku, mungesa e publikut tek ai krijonte ndjenjën e zbrazëtisë.
“Koncerti pa publik, ishte një eksperiencë e pa përjetuar nga unë. Ndjenjë e një “zbrazëtie” të çuditshme. Ishte mungesë e komunikimit me publikun, pa të cilin komunikim është mjaft vështirë të krijohet atmosferë e duhur”, ka deklaruar ai.
Edhe për sopranon, Besa Llugiqi, të interpretonte pa publik ishte ndryshe, por sipas saj, së bashku me pianistin kanë bërë të pamundurën që të interpretonin njëlloj sikurse të ishin në një sallë të mbushur plot.
“Të interpretosh pa publik ka qenë një ndjenjë ndryshe, por ne së bashku jemi munduar që të japim maksimumin tonë dhe të sjellim përpara ekraneve atë se çka do të sillnim edhe para publikut në sallë”, ka thënë ajo.
Nata e mbrëmshme ishte e mbushur me vepra të cilat kanë lënë gjurmë në historitë e sallave dhe koncerteve që i ofruan publikut të bukurën e mallëngjimin që sjell arti e muzika. E si çdo herë, në koncerte të tilla nuk mungon edhe përfshirja e veprave shqiptare, që mëtojnë të përçojnë një emocion ndryshe tek publiku.
“Flas me heshtjen”, ishte vepra premierë enkas për këtë koncert, e që erdhi shumë bukur nga loja e pianistit Kaçamaku, por edhe nga zëri i bukur i sopranos Besa Llugiqi. Për kompozitorin Memli Kelmendi vepra shfaqë shpresën, pikëllimin dhe heshtjen, e cila në tërësi krijon një atmosferë konstante.
“Ndonëse vepra kryesisht paraqet një atmosferë “konstante”, në momente të caktuara paraqitet si tendencë e shpresës, shpërthimit, pikëllimit, heshtjes… prandaj mendova pikërisht për këtë. ‘Flas me heshtjen’ është shkruar në një periudhë kohore shumë të shpejt, për dy ditë”, ka pohuar kompozitori në një intervistë për KultPlus.
Ai ka shtuar se vepra është ndërtuar mbi bazën e tekstit të Agim Deskut, e që sipas tij në të kishte elemente interesante që e inspiruan kompozitorin të krijonte diçka të re. Kelmendi e ka konsideruar pozitiv faktin që interpretimi i veprave po bëhet në formatin online sepse sipas tij, interpretimi së bashku me veprën do mbesin përherë të arkivuara.
Për sopranon, Besa Llugiqi, interpretimi i veprës së kompozitorit Kelmendi ka qenë kënaqësi sepse ishte pikërisht kjo vepër që thyente monotoninë e heshtjes.
“Ne çdo herë interpretojmë vepra premierë, edhe të interpretosh veprën e kompozitorit Memli Kelmendi ka qenë një kënaqësi, pasi që vet vepra në vete synonte të thyente monotoninë e heshtjes, ndërkaq kompozitori çdo herë e dëshmon veten për talentin dhe përkushtimin e tij”, ka thënë sopranoja.
Edhe pianisti Misbah Kaçamaku ka theksuar rëndësinë e kësaj vepre, si kompozim i cili mund të luhet në piano, njëkohësisht të interpretohet edhe nëpërmjet zërave të magjishëm të sopranove.
Dyshja nuk ka lënë pa përmendur edhe eksperiencën e tyre përgjatë bashkëpunimit për festivalin “ReMusica”. Ata kanë theksuar se bashkëpunimi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm, duke krijuar kështu mes vete një kimi në muzikalitet por edhe teknikë.
Krejt për fund pianisti Misbah Kaçamaku ka thënë se festivali është një motor që inkurajon krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë, duke e konsideruar njëkohësisht pjesëmarrjen e tij në këtë edicion shumë të vlefshme.
“Përndryshe, festivali është një lloj “motori” i cili investon dhe inkurajon krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë, ku në të njëjtën kohë bënë dhe promovimin e po të njëjtave veprave me ansamble të ndryshme botërore. Në përgjithësi, një eksperiencë shumë e vlefshme për mua”, ka përfunduar ai.
Rëndësinë e “ReMusica” për promovimin e kompozitorëve shqiptar nuk e ka lënë pa e përmendur edhe sopranoja, Besa Llugiqi. Ajo madje theksuar se vetë durimi i organizatorëve karshi tyre ka qenë shembull dhe motiv për të mos u dorëzuar.
“Festivali është një stimulues i madh sepse ju jep hapësirë shumë artistëve edhe atyre të rijnë që të shfaqin veten, si dhe ju jep mundësinë që të jepen vepra premierë, natyrisht me porosinë e tyre. Donika ka qenë një shembull për ne se si duhet bërë një organizim në kushtet në të cilat gjendemi sot, madje ajo ka qenë edhe një motivim se si të mos dorëzohemi dhe të gjejmë një shtysë që të jemi aktiv në kohë të tilla”, ka përfunduar kështu intervistën Llugiqi.
Drejtoresha e festivalit “ReMusica”, Donika Rudi ka thënë për KultPlus se ashtu siç kanë pritur koncertet po ndiqen nga e gjithë Evropa. Ajo ka shtuar se për artistët nuk ka qenë aq e thjeshtë sepse koncertet janë realizuar në atë formë që ti krijojnë publikut ndjenjën e të qenurit në të njëjtën sallë me ta.
“Ashtu siç e kishim paraparë në fillim ashtu edhe po ndodhë, koncertet po ndiqen nga e gjithë Evropa, nga të gjitha moshat. Për artistët nuk ka qenë aq e thjeshtë sa mund të duket, sepse koncertet janë realizuar në atë formë ku si ide ka qenë që ato (koncertet) të jepen në një frymë dhe pa ndërprerje – njëjtë ashtu si edhe në koncert, në mënyrë që publiku ta përjetoj koncertin si të ishte aty”, ka thënë ajo.
Nata e dytë e festivalit “ReMusica” u përmbyll nën tingujt e veprave të Verdit, “Mercè, dilette amiche; I vespri siciliani”, dhe “Surta e la notte…Erani in volami”. Festivali i cili ka filluar që nga e hëna mbrëma do të zgjas deri më 21 shtator dhe do të transmetohet rregullisht me fillim nga ora 21:00 në Klan Kosova si dhe live në faqen e ReMusica./ KultPlus.com
Një nga emrat më aktiv në muzikën korale në Kosovë, kompozitori dhe dirigjenti Memli Kelmendi ka një opus të pasur sa i përket kompozimeve të veprave, shumë prej tyre janë luajtur në vende të ndryshme të botës, e të tjera po presin që shumë shpejt të dëgjohen në skena të mëdha, shkruan KultPlus.
Vepra “Dies Lunae” për piano, e selektuar në konkursin “7 Notes in 7 Days at 7pm” do të interpretohet të hënën si premierë botërore nga pianistja e njohur Maria Marchant (Award-winning concert pianist). Vepra do të interpretohet në Blüthner Piano Centre, Londër më 17 Gusht në ora 19:00.
Maria Marchant është pianiste e vlerësuar lartë nga BBC, A BBC Music Magazine Rising Star, ‘In Tune’ and ‘Record Revieë’, WMNR Radio, Classic FM dhe kritikë të shumtë të muzikës si; Roderick Williams, OBE, Graham Rickson, Arts Desk, Nick Barnard, Music Web-International etj.
Maria Marchant ka interpretuar në vendet më të njohura të vendit dhe jasht saj duke u bërë kështu fituese e shumë garave për piano. Ajo gjithashtu fitoi Medaljen e Artë dhe Prmimin e Parë në Konkurrencën Ndërkombëtare Hindemith, Berlin, dhe u zgjodh si artiste në skemat Concordia, Tillett Trust dhe Park Lane Group që rezultuan në paraqitjet Wigmore dhe Southbank.
Pikërisht kjo pianiste, tashmë do të luaj një ndër veprat e kompozitorit shqiptar, i cili teksa ka ndarë lajmin me ndjekësit e tij në Facebook, është shprehur tejet i lumtur për këtë fakt. / KultPlus.com
Dirigjenti i njohur, Memli Kelmendi është zgjedhur anëtar i Këshillit Botëror të Koreve apo “World Choir Council”.
Anëtarësimi i Memli Kelmendit nënkupton që Kosova për herë të parë do të ketë një përfaqësues në rrjetin më të madh të koreve, në mesin e 80 shteteve nga mbarë bota.
Këshilli Botëror i Koreve është bordi më i lartë ndërkombëtar këshillimor i rrjetit “Interkultur” për çështje artistike. “Interkultur” është një rrjet i organizatave jofitimprurëse që ndjekin një interes të përbashkët për të mbështetur kulturën në nivel ndërkombëtar. Është themeluar në vitin 1990 nga gjermani Gunter Titsch, një këngëtar kori i pasionuar.
Aty tregohet se ideja për të krijuar një ngjarje si “Lojërat Botërore të Korit” bazohet në idealet e Lojërave Olimpike.
Dirigjenti dhe kompozitori Memli Kelmendi ka thënë se e konsideron këtë lajm shumë të rëndësishëm pasi që, sipas tij, kjo nënkupton që edhe Kosova është bërë pjesë e “Interkultur”-it për herë të parë.
Memli Kelmendi është i lindur në Pejë, ndërsa studimet universitare për dirigjim (vokale dhe instrumentale) i ka përfunduara në Universitetin e Prishtinës në klasën e dirigjentit të mirënjohur Bajar Berisha, ndërsa për kompozim në klasën e Darko Marinovskit.
Kelmendi është udhëheqës që në themelim i Korit ‘Siparantum’.
Ai aktualisht po bën studime të doktoratës për dirigjim të korit në klasë të Sasho Tatarchevskit në Universitetin e Shkupit./Njeshi/ KultPlus.com
Memli Kelmendi aktualisht është një nga kompozitorët e dirigjentët me më nam në Kosovë. Këtë të enjte, ai vjen me një prezantim në Kino Armata, ku do të flas lidhur me muzikën eksperimentale, shkruan KultPlus.
Memli
Kelmendi është kompozitor i lindur në Pejë, Kosovë. Studimet post-diplomike
(vokale dhe instrumentale) i përfundoi në klasën e dirigjentit të mirënjohur
Bajar Berisha, ndërsa për kompozicion në Darko Marinovski dhe Produksionin
Muzikor – Sound Engineering në Valentino Skenderovski.
Kontributi më i madh i Memli Kelmendit është puna e tij me korin e shkollës së lartë muzikore “Halit Kasapolli” – Pejë, me të cilin ai ka një përvojë të pasur muzikore. Repertori i këtij kori përfshin veprat e kompozitorëve të njohur shqiptarë si R. Rudi, F. Beqiri, K. Aliçkaj, D.Zeqiri Nushi dhe nga bota si Palestrina, W.A Mozart, Beethoven, C. Orff, K. Jenkins, H. Zimmer, J. Runestad,
Në maj të
vitit 2015, me këtë kor realizoi katër koncerte recitale në Itali-Venecia në “Basilica
di San Marco – Venezia”, gjithashtu i quajtur “Pasuria e
njerëzimit”, San Lio – Venezia, A Jesu Lavoratore në Marghera – Venezia,
Santi Gervasio Protasio -Venezia.
Pjesët më të famshme të kompozuara nga Memli janë: Agnus Dei, Ater Umbra, Silentium Est Pax, Nox, Një Zhurmë Tjetër, Renuo etj. Ai kompozoi kompozime të shkurta (35) dhe të gjata (3), teatër (16), dokumentarë, seriale, muzikë etj.
Memli
Kelmendi aktualisht punon si profesor në shkollën muzikore ” Halit Kasapolli
” në Pejë dhe në Universitetin AAB si ligjërues në leksion dhe ligjërues i
lëndës Film, Teatër dhe Muzikë Marketingu. Ai është një dirigjent i përhershëm
i korit “Kori Siparantum”. Kompozimi i tij për korin e përzier
“Ater Umbra” në dhjetor 2017 u botua në Francë nga korti “EVOC
Ensemble” dhe tashmë është pjesë e CD-së nga kompania “Les choristes
aux milles couleurs”, “Silentium Est Pax” këtë vit në Francë u
lirua nga ansambli “Sottovoce Ensemble”, i cili u inçizua në Les
Musicales de Redon.
Memli është
i çertifikuar për kompozim, teorinë muzikore, akordimin e pianos në
Konservatorin e “Jana Deyla” – Pragë për fëmijët e verbër.
Si dirigjent dhe kompozitor ai ka performuar në Charleston, Neë Jersey, Nju Jork, Los Anxhelos California, Republika Çeke, Italia, Rumania, Filipinet, Argjentina, Franca, Kroacia, Kili, Bosnja, Turqia, Belgjika, Maqedonia, Kosovë etj.
Gjatë viteve të fundit, Memli është fokusuar më shumë në teknologjinë në muzikë, në formë të një eksperimenti social.
Prezantimi fillon në orën 19:45 në Kino “Armata” në Prishtinë/ KultPlus.com
Vepra “Silentium Est Pax” e Memli Kelmendit sapo është botuar dhe tani është zyrtarisht pjesë e CD-së “Horizons” të Sottovoce Ensemble në Francë, shkruan KultPlus.
Kjo vepër është kompozuar vitin e kaluar enkas për këtë ansambël dhe është interpretuar Premierë disa herë në Paris dhe Redon pastaj është interpretuar edhe nga kori “l’Étrange Boutique” që udhëhiqet nga operisti i njohur Till Fechner nga Franca.
Së fundmi është interpretuar nga Kori I Filharmonisë së Kosovës nën udhëheqjen e kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës ReMusica.
Kjo nuk është hera e parë që veprat e Memli Kelmendit botohen jashtë shtetit. Më parë është botuar edhe vepra tjetër “Ater Umbra” nga kori EVOC – Ensemble Vocal Creation, në Francë./ KultPlus.com
Për herë të parë në një konkurrencë të madhe prej shumë shteteve të botës, kori “Siparantum” nga Peja, përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore “NANCY voix du monde”, që mbahet në Francë, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga kompozitori Memli Kelmendi, i cili ka thënë se e konsideron si një sukses shumë të madh për këtë kor i cili është formuar vitin e kaluar dhe sipas tij për një kohë shumë të shkurtër kanë arritur që të realizojnë vepra shumë të vështira dhe repertor profesional, gjë që sipas tij, ka ndikuar në pranimin e tyre në këtë festival.
“Është një gëzim i papërshkrueshëm për ne duke e marrë parasysh që tanimë ne do të jemi në konkurrencë me shtetet si: Gjermania, Republika e Kongos, Zvicra, Kili, Argjentina, Filipina, Algjeria, Ukraina, Kosova, Ekuadori, Bullgaria, Çekia…, prandaj kjo është një kënaqësi e madhe që të përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Qëllimi jonë tashmë është i qartë, të prezantohemi në mënyrën sa më të mirë të mundshme dhe të prezantojmë vlerat tona të mirëfillta. Repertori jonë do të jetë i larmishëm, do të paraqitemi me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë dhe kompozitorëve shqiptarë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Memli Kelmendi.
Festival International de Chant Choral “NANCY voix du monde” mbahet nga 9-13 maj ndërsa kori “Siparantum” do të paraqitet në 5 mbrëmje, në sallat koncertale më të njohura të vendit. Festivali Ndërkombëtar i këngës korale të Nancy, është formuar në vitin 1979, e cila synon të organizojë çdo 2 vjet një ngjarje muzikore që mbledhë koret nga e gjithë bota. Që nga themelimi i saj, deri më sot kanë marrë pjesë 260 kore nga 63 vende të botës.
“Theksoj që shteti ynë, Kosova paraqitet për herë të parë në këtë festival. Së shpejti ju njoftojmë me programin me të cilin ne do të paraqitemi në Francë”, përfundon kompozitori Kelmendi./ KultPlus.com
Vepra “Ater Umbra” e kompozitorit Memli Kelmendi, sapo është botuar në Francë dhe tani është pjesë e albumit “Evocations” pjesë e Label “iM Les choristes aux milles couleurs”, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompozitori Kelmendi, i cili poashtu ka treguar se albumi përmban gjithsej 15 vepra muzikore nga kompozitorë të ndryshëm që nga periudha e Renesancës deri tek muzika bashkëkohore.
Po sjellim shkrimin e plotë të kompozitorit Kelmendit, të bërë nëpërmjet rrjetit social Facebook:
Dy vepra të Memli Kelmendit do të interpretohen nga kori i njohur “The San Gabriel Valley Choral Company” nga Kalifornia – USA.
“Agnus Dei” dhe “Ater Umbra” janë veprat e përzgjedhura nga kori për tu interpretuar më datë 28 tetor 2017.
Koncerti do të realizohet në kuadër të programit “All Souls’ Eve​​” dhe do të mbahet në “The Parish of Saint Luke – California”.
The San Gabriel Valley Choral Company (SGVCC) u themelua nga Dr. Thomas M. Miyake në shtator të vitit 1995. Repertori i këtij kori përfshinë muzikë nga periudha e Renesancës deri tek veprat moderne.
Në mars të vitit 1999, SGVCC u zgjodh për të përfomuar në American Choral Directors Association/California Music Educators Association. Ky kor udhëheqët nga Dr. Alexandra Grabarchuk (muzikologe dhe dirigjente e cila poashtu udhëheq korin Contemporary Choral Collective nga Los Angeles (C3LA).
The San Gabriel Valley Choral Company (SGVCC) është shumë i kënaqur të sjellë muzikën e kompozitorit të ri shqiptar Memli Kelmendi në Kaliforni. ‘Agnus Dei’ është një rikthim i freskët në një tekst klasik, ‘Ater Umbra’ prek thellësitë e pa eksploruara në muzikën korale” – Dr. Alexandra Grabarchuk.
“Kjo përformancë është bërë e mundur falë incistimit të vazhdueshëm të ambasadorit të muzikës shqipe Raif Hyseni të cilit i jam falenderues shumë për këtë gjë.
… Më tha që do t’interpretohen nga një kor shumë i njohur këtu në Amerikë, më tha poashtu se kjo do të bëhet … dhe u bë!. Natyrisht kjo gjë më gëzoi shumë …” – Memli Kelmendi.
Në këtë mbrëmje do të interpretohen pjesë nga veprat e kompozitorëve; Morten Lauridsen, Rekuiemi i Mozartit etj.
Këto vepra më parë janë interpretuar disa herë në; Santiago de Chile, Argjentinë, Charleston – USA, Filipine, Francë, Turqi, Itali, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë etj. / KultPlus.com
Vepra e Memli Kelmendit “Silentium Est Pax” që ditë më parë është interpretuar premierë në Francë nga Sottovoce Ensemble, kësaj radhe do të interpretohet nga “l’Étrange Boutique” që udhëhiqet nga Till Fechner, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bёrё tё ditur vet kompozitori Kelmendi i cili ka thёnё pёr Till Fechner, qё ёshtё njёri ndёr operistёt mё tё njohur nё Francё, e i cili njihet pёr interpretimin e operave tё njohura nga Mozart, Puccini, Rossini, Verdi, Tchaikovsky…
“Till Feschner është një artist i shkëlqyer dhe aktor i frymëzuar, i cili ka bashkëpunuar me disa nga artistët më të mëdhenj të dekadave të fundit në botën e muzikës dhe teatrit si: Peter Brook, Claudio Abbado, André Engel, Seiji Ozawa, Jean-Francois Sivadier, Andrea Breth, Wladimir Jurowsky, Daniel Harding, Charles Tordjmann, Regina Resnik…”, ka shkruar Kelmendi, i cili poashtu ka publikuar edhe njё prononcim tё Till Fechner.
“Për më tepër, ky “Silentium Est Pax” është një heshtje vërtet teatrale e ndërtuar me një ndjenjë të vërtetë të të dy linjave dhe ngjyrave, dy gjëra që karakterizojnë pjesët më të mira të muzikës së shenjtë për shekuj. Silentium Est Pax do të hapë pjesën e fundit të koncertit tonë, duke
prezantuar “Ave Verum” të William Byrd dhe një pjesë të “Te Deum” të Bruckner. Nuk ka nevojë të shpjegoj se sa shumë e duam këtë vepër. Memli Kelmendi është mjeshtër në muzikën e sotme, duke mbajtur gjallë një traditë të lavdishme muzikore”, janë fjalët Till Fechner për veprën e kompozitorit kosovar Memli Kelmendi.
Ky lajm e ka gёzuar pa masё kompozitorin, i cili ka treguar se kjo erdhi me kёrkesёn e Till Fechner.
“Kjo erdhi me kërkesën e Till Fechner, që vepra ime “Silentium Est Pax” të jetë pjesë e programit që do të interpretohet nga “l’Étrange Boutique”, që udhëhiqet nën drejtimin artistik të Fechner. Kjo kërkesë erdhi pas interpretimit të kësaj vepre nga Sottovoce Ensemble që u interpretua ditë më parë, pikërisht në Redon të Francës”, ka thёnё Memli Kelmendi.
Në këtë koncert do të interpretohen vepra të kompozitorëve të njohur Ёilliam Byrd, Charpentier, Mozart, Delibes, Rossini, Fauré, Brückner, Wenceslas dhe Memli Kelmendi. Koncerti mbahet të dielën mё 8 tetor në ouy-en-Josas, Paris-Francë./ KultPlus.com
Vepra “Silentium Est Pax” e Memli Kelmendit më 16 shtator do të interpretohet në Les Musicales de Redon në Francë dhe do të interpretohet nga ansambli i mrekullueshëm Ensemble Sottovoce poashtu nga Franca.
“Kjo vepër është kompozuar muajin e kaluar dhe i dedikohet ansamblit “Sottovoce Ensemble” nga Franca. Nga performancat e tyre që kam dëgjuar, më ka pëlqyer jashtëzakonisht tingulli që kanë dhe sidomos repertuari përzgjedhur. Besoj që shumë shpejt do të kemi video incizimin nga koncerti që do të mbahet këtë javë”, tha Memli Kelmendi.
Në këtë mbrëmje do të interpretohen vepra nga kompozitorë të njohur botëror si Mozart, Byrd, Philips, Gjeilo, Bosc… për këtë ansambël kanë kompozuar kompozitorë të njohur si Nobuya Momta (Jaoponi), Florent Gauthier (Francë)…/ KultPlus.com