Zëvendësministrja Daulina Osmani dhe ministri i Sportit dhe Turizmit në Poloni, Kamil Bortniczuk, sot kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit i cili ofron një kornizë të përgjithshme për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sportit.
Bashkëpunimi i dy shteteve në fushën e sportit u jetësua zyrtarisht pas dakordimit të palëve për thellimin e tij, nga takimi që u realizua në Krakovë në kuadër të Lojërave Evropiane në qershor të këtij viti.
Nënshkrimi u realizua në qytetin Zakopane të Polonisë, në kuadër të Kongresit të Dytë Evropian të Sportit dhe Turizmit ku zëvendësministrja do të marrë pjesë si paneliste në diskutimin e së nesërmes mbi diplomacinë sportive./KultPlus.com
Sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, Dafina Gexha, Zëvendësministre e Shëndetësisë, rektorin e UP Naser Sahiti, dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Adrian Telaku nënshkruan memorandum bashkëpunimi që parasheh përfshirjen e rreth 400 nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në projekt të edukimit jo-formal në sportet malore, specifikisht skijimit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 330,000.00 Euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit. Për realizimin e aktiviteteve sportivo-edukative, përmes së cilave promovohen benefitet e aktivitetit fizik dhe kapacitetet e Republikës së Kosovës për zhvillimin e sporteve malore.
Obligim i MASHTI-t do të jetë përzgjedhja e nxënësve dhe stafit përcjellës të tyre. Ministria e Shëndetësisë sipas memorandumit do të sigurojë stafin mjekësor dhe mjetet përcjellëse. Universiteti i Prishtinës, respektivisht FEFS, do të bëjë trajnimin e nxënësve në sportin e skijimit nëpërmjet stafit profesional, të cilin do ta sigurojë. Ndërsa FSSHK-ja obligohet për mbarëvajtjen e organizimit dhe kryerjen e shpenzimeve të realizimit të këtij projekti.
Memorandumi përfshin mbështetjen e aktiviteteve në harkun kohor një vjeçar, përkatësisht në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa qëllimi është zhvillimi, avancimi dhe masovizimi i sportit në vendin tonë. / KultPlus.com