‘Memorandumi’ premierë në teatrin “Adriana”

Shfaqja “Memorandumi” do të jepet premierë më 28 qershor në Teatrin “Adriana” me fillim nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Vaclav Havel është autor i shfaqjes, derisa Agon Myftari si regjisor. Reprizat do të jenë ditëve në vazhdim, pra, 28 dhe 30 qershor.

“Memorandumi” nga Vaclav Havel është një komedi e errët politike që parodizon burokracinë dhe konformitetin. Ngjarja është e vendosur në një organizatë ku në mënyrë që komunikimet ndër-zyrtare të përshpejtohen me efikasitet të lartë, shpiket një gjuhë e re artificiale – “Ptajdipi” e cila supozohet se do të thjeshtësonte punën e zyrtarëve të saj dhe ta bënte komunikimin ndër-zyrtar më të sakt dhe më të lehtë. Përkundrazi, pikërisht kjo “gjuhë” e inkuadruar si një eksperiment do ti shpie nëpunësit e organizatës drejt dehumanizimit dhe tjetërsimit, e që përfundimisht e pashmangshëm ata shkojnë drejt një rrethi të tmerrshëm vicioz të një sistemi ngulfatës edhe më burokratik. /KultPlus.com

Memorandumi i “Shoqërisë Çamëria” drejtuar Konferencës së Paqes

Memorandum i “Shoqërisë Çamëria” në SHBA drejtuar Konferencës së Paqes në vitin 1919 ku kërkohej bashkimi me Shqipërinë, është një dokument i publikuar nga Hasan Bello, doktor i shkencave në histori.

Pjesë e emigracionit shqiptar në SHBA në dekadat e para të shek.XX ishin dhe shqiptarët e Çamërisë. Për shkak të represionit që shteti grek ushtronte mbi këtë popullsi që në vitet e Luftërave Ballkanike 1912-1913, një pjesë e tyre ishte detyruar të merrte rrugët e mërgimit. Por aspak indiferentë ndaj çështjes kombëtare, shqiptarët e kësaj krahine filluan të organizoheshin.

Një nga këto ishte dhe “Shoqëria Çamëria” e krijuar në qytetin Worcester, në shtetin e Massachusetts të SHBA-ve. Pothuajse të gjithë anëtarët e saj ishin njëkohesisht pjesë e Partisë Kombëtare Shqiptare e krijuar në SHBA nga Kristo Dako dhe personalitete të tjera.

Më 22 janar 1919 “Shoqëria Çamëria” i drejtoi kryeministrit të Francës dhe njëkohësisht Presidentit të Konferencës së Paqes në Paris, Georges Clemenceau një memorandum, ku kërkohej korrigjimi i vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës së vitit 1913 dhe bashkimi i Çamërisë me Shqipërinë.

“Shkëlqesi

Të nënshkruarit, përfaqësues të shqiptarëve të rrethit të Janinës, duke përfshirë Prevezën, Filatin, Igumenicën, Paramithinë dhe Margëlliçin, me organizatën e tyre “Shoqëria Çamëria” dhe që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i luten Shkëlqesisë s`uaj të hidhet poshtë vendimi i Konferencës së Londrës, që preu këto vende shqiptare nga trupi i mëmëdheut tonë të dashur dhe ia dha Greqisë, nga e cila kemi pësuar persekutime të papërshkrueshëm.

Në emër të parimit të kombësive, për të cilën kaq gjak po derdhet dhe për hir të paqes në të ardhmen në Ballkan, lusim Shkëlqesinë t`uaj të përdorni influencën t`uaj, për t`ia kthyer këto vende mëmëdheut tonë Shqipëri të cilës i përkasin si nga pikëpamja etnografike, e ndjenjave, e gjeografisë, si dhe historisë.

Me nderime:

Kryetar-Beqo Izeti nga Filati

Sekretar-Ahmet Hajredin nga Filati

Isuf Hyseni nga Gumenica

Omer Bako nga Paramithia

Refo Çapani nga Margëlliçi

Gazali Dino nga Preveza” / KultPlus.com