Përurohet kompleksi memorial për ushtarët e UÇK-së në fshatin Marec

Në fshatin Marec të Prishtinës, u përurua kompleksi memorial i dëshmorëve dhe martirëve. Me dhimbje e krenari u përkujtuan të rënët, ndërsa pati kritika për zvarritjen e këtij kompleksi ndër vite. Kryetari i komës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se ndihet krenar për finalizim të kompleksit memorial në nderim të dëshmorëve me vepra.

Ish ushtar i UÇK-së dhe familjar është i lumtur që të rënët kanë një kompleks memorial në fshatin Marec të komunës së Prishtinës.

“Përkundër dhimbjes që ndjejmë dhe mungesës që kemi për të afërmit tonë dita e sotme shënon një gëzim të madh si familjar të dëshmorëve sepse pas gati 25 vitesh është arritur që ky projekt të finalizohet duke e falënderua komunën e Prishtinës”, tha Sevadim Vitia, vëlla i dëshmorit Sefedin Vitia.

Përurimin e këtij kompleksi memorial të dëshmorëve e martirëve e bënë ish-komandantë të zonës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e familjarë të të rënëve.

Kritika pati për zvarritjen e ndërtimit të këtij kompleksi në qeverisjet lokale të kaluara.

“Gjokset e këtyre trimave mbrojtën mbi 40 mijë banorë të përndjekur nga vatrat e tyre. Armiku brenda territorit të Marecit vrau dhe masakroj mbi 14 civil të pafajshëm 9 prej tyre pleq të paralizuar, 2 me të meta psikofizike dhe 3 mysafir të ardhur në Marec”, tha Behxhet Vitia, ish komandant.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se heronjtë duhet nderuar me vepra teksa tha se ndihet krenar që me përkushtim është arritur finalizimi i kompleksit merorial

“Sot jemi këtu për të përuruar finalizimin e tij si një simbol të vendosmërisë tonë. Fal bashkëpunimit të palodhshëm të sektorit për kategoritë e dala nga lufta që kemi në institucionin tonë. Sot ky projekt u bë realitet është një bashkëpunim që i kalon kufijtë e politikës dhe burokracisë duke na bashkuar me respekt për historinë dhe trashëgimin tonë të përbashkët”, tha Rama.

Në ato ditë të përballjes të madhe të UÇK-së me forcat paramilitare, zhvilluan një luftë titanike duke ndaluar depërtimin e forcave serbe në drejtim të popullatës civile e cila ishte e strehuar në të gjitha fshatrat e Gollakut.

“Emocion për mua është fakti se sot në këtë përurim të këtij kompleksi shumë prind të dëshmorëve e martirëve nuk janë në mesin tonë, që të shohin se eshtrat e bijëve të tyre po prehen në një vend ashtu siç ata e meritojnë”, tha Sylë Vitia, sektori për kategoritë e dala nga lufta UÇK-së.

Me program artistikë u përmbyllë ceremonia e përurimit të kompleksit memorial të martirëve dhe dëshmorëve në fshatin Marec të Prishtinës./rtk/ KultPlus.com

Godinë shumëfunksionale kulturore e rekreative pranë memorialit të At Gjergj Fishtës në Lezhë

Punimet për hapësirën memoriale shumëfunksionale në Lezhë, ku ka lindur At Gjergj Fishta po vijojnë me ritme të larta.

Projekti po zbatohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se godina multifunksionale kulturore e rekreative në këtë vend sa historik, aq dhe tërheqës për peizazhin e mrekullueshëm natyror do të ketë hapësira të veçanta për rezidenca artistike, për sesione krijimtarie e ekspozime, për të mikpritur artistët vendas e të huaj, e për të zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore dhe edukative, e jo vetëm./atsh/KultPlus.com

Mbahet koncert memorial me veprat e kompozitorit ferizajas, Vinçenc Gjini

Të premten mbrëma në teatrin “Adriana” në Ferizaj, në mesin e qindra bashkëqytetarëve u mbajt koncert memorial kushtuar kompozitorit ferizajas, Vinçenc Gjini.

Kjo mbrëmje e veçantë koncertale, ku u shpalosën disa nga veprat më të zgjedhura të kompozitorit Vinçenc Gjini, u organizua nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, Agim Aliu.

Gjersa në skenën e teatrit “Adriana” këto vepra u interpretuan nga Kori dhe Orkestra e qytetit si dhe nga solistët Venera Imeri, Rrezarta Ramadani, Urim Salihu, Okteti i Qytetit, në piano Fjorda Veizaj nga Tirana, nën dirigjimin e profesoreshës, Lindita Isufi./KlanKosova/KultPlus.com

Dje u promovua memoriali “Muri i nderit”, reagon Buxhovi: Historia fshihet ende, apo jo?

Dje, në Prishtinë është zbuluar “Muri i Nderit”, i cili është ndërtuar si dëshmi e guximit, dhembshurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzimit, vlera këto që e formësojnë historinë e përbashkët të popullit shqiptar me atë izraelitë, shkruan KultPlus.

Tek “Muri i Nderit” janë shkruar emrat e 23 shpëtimtarëve të hebrenjve në Kosovë. Por për këtë ka reaguar historiani Jusuf Buxhovi ku sipas tij  kjo është një e vërtetë e cunguar, meqë në këtë memorie publike përjashtohet roli i qeverisë së atëhershme shqiptare të kryesuar nga Rexhep Mitrovica dhe ministri i brendshëm Xhafer Deva në marrjen në mbrojtje shtetërore të hebrejve, nga deportimi i tyre nga gjermanët.

Ky është reagimi i plotë i Buxhovit:

Këto ditë, në Prishtinë, u promovua memoriali “Muri i nderit – Wall of honoror” , si shkruhet, me emrat e 23 shpëtimtarëve të hebrenjve në Kosovë. Meqë memoriali është publik (i vendosur në parkun e qytetit) domosdoshmërisht merr rolin e një dëshmie historike, që lidhet me rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve nga holokausti. Por, nga pikëpamja historike, kjo është një e vërtetë e cunguar, meqë në këtë memorie publike përjashtohet roli i qeverisë së atëhershme shqiptare të kryesuar nga Rexhep Mitrovica dhe ministri i brendshëm Xhafer Deva në marrjen në mbrojtje shtetërore të hebrejve, nga deportimi i tyre nga gjermanët, për ç’ gjë ka edhe dëshmi të shumta edhe nga autorët e njohur izraelit. Me këtë rast po sjell vetëm një prej tyre, atë të Joy Weistain, për t’u parë ky veprim ndër më të guximshmit e kohës në raport me Vermahtin gjerman:

“Në fund të vitit 1943 gjermanët kërkuan një listë të të gjithë hebrenjve që jetonin në Shqipëri dhe në pranverën e vitit 1944 nazistët i kërkuan zyrtarisht regjencës një listë të ngjashme që hebrenjtë të mblidheshin në një vend. Në bazë të thirrjeve të liderëve hebrenj, ministri i Brendshëm Xhafer Deva REFUZOI kërkesën e gjermanëve, duke u shprehur se një lëvizje e tillë do të përbënte INTERFERENCË në çështjet shqiptare”.

Jay Weistein, “Hebrenjtë në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti”,në Michigan Sociological Review 1996. / KultPlus.com

Franca do të ndërtojë memorial për viktimat e terrorizmit

Franca, deri në vitin 2027, do të ndërtojë një memorial kombëtar për viktimat e terrorizmit, njoftoi të mërkurën Zyra e Presidencës franceze.

Sipas saj, një muze për terrorizmin bashkëkohor, që nga vitet 1960 dhe 1970, është planifikuar gjithashtu. Lokacioni i tyre nuk është përcaktuar ende.

Viteve të fundit, zona e Parisit dhe qyteti bregdetar i Nicës janë prekur veçanërisht nga sulmet e përgjakshme terroriste.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, planifikon t’i përkujtojë viktimat e terrorizmit në një shërbim përkujtimor kombëtar, që do të mbahet të enjten në Paris.

Mbi 250 njerëz janë vrarë viteve të fundit në sulmet terroriste në Francë, për të cilat janë fajësuar militantët islamikë.

Burime nga pallati presidencial Elysee kanë thënë se kërcënimi i terrorizmit në këtë vend mbetet shumë i lartë.

Që nga viti 2017, kur Macron i ka fituar zgjedhjet presidenciale, 33 sulme janë parandaluar në Francë, kanë thënë burimet për agjencinë e lajmeve DPA.

Sulmet terroriste kanë goditur rëndë Francën edhe gjatë vitit të kaluar.

Në tetor, një 21-vjeçar me prejardhje nga Tunizia ka vrarë tre njerëz me thikë, në një kishë të Nicës.

Paraprakisht, një mësuesi i është prerë koka në një lagje në rrethinë të Parisit.

Të dyja aktet kanë shkaktuar zemërim global. / KultPlus.com