Më 12 Mars 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi të hapë një konkurs publik për përzgjedhjen e himnit shtetëror të Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Rezultat i konkursit të organizuar ishte përzgjedhja e krijimit “Evropa”, si himni zyrtar shtetëror i Republikës së Kosovës i kompozuar nga Mendi Mengjiqi. Himni është pa tekst, i krijuar në formatin instrumental simfonik. Himni u realizua në 11 Qershor 2008 dhe u përzgjodh me votim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 72 vota për dhe 5 kundër.
Vendosja e simboleve shumë etnike për Republikën e Kosovës, ishte paraparë qysh në dokumentin e quajtur “Propozimi gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, i datës 2 shkurt 2007, ose siç njihet ndryshme “Pakoja e Ahtisarit”.
Ndër krijimet pjesëmarrëse ishte edhe himni alternativ “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” i kompozuar nga kompozitori Rauf Dhomi, krijim i parapëlqyer i ish-Presidentit Ibrahim Rugova (1944-2006) për të qenë himn shtetëror i Dardanisë-Kosovës. Një tjetër krijim pjesëmarrës në konkurs ishte himni “Kosova diell” me muzikë të Sami Pirraj dhe fjalë të poetit Skënder Zogaj si dhe himni “Kosova jonë”, pa fjalë, me muzikë të Vasil S. Toles.
“Himni shtetëror” i Republikës së Kosovës është një ndër himnet më të reja në botë, krahas himnit të shtetit të Sudanit të Jugut, i cili u kompozua në vitin 2010 dhe u pranua zyrtarisht më 9 korrik 2011.
Mirëpo edhe himni sikurse edhe emblemat e tjera shtetërore duke përfshirë flamurin, monumentin “NEWBORN”, kanë pasur disa kufizime. Pikërisht në këtë 10-të vjetor autori Mendi Mengjiqi ka dhënë të drejtën që të sjellët himni i plotë siç ai e kishte menduar dhe i pakushtëzuar. Himni i cili ishte menduar në fillim kishte edhe këtë tekst:
O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot
O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë
Çerdhe e dashurisë./KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=HxWbbLgCXCI&feature=youtu.be