‘Mëngjesi për ta asht andërr e kputun në zhgjandërr’

Poezi nga Esad Mekuli

Zbehet qielli n’agim dhe retë e purpurta,
Perparese të kuqe varen n’largesi-
Si n’anderr, dikur… Gurbetqarët ofshajnë, tue dalë
prej birucave n’periferinë e largët e t’piklluemshme
dhe trupat e dërrmueme ua lëmon fresku i vesës,
puhija e parë mëngjesore…

Mëngjesi për ta asht – andërr e shartueme
në zhgjandër t’zezë e t’mundimshme,
thirrje e pamëshirshme për derdhjen e djersës
e t’gjakut –
qyteteve të largëta, rrugëve… për kafshatën e thatë-
ai asht zgjim i idhët, plot andrrime për bukë,
pse – cdo mëngjes asht mundim i ri, përbuzje e përulje,
dita qe ka me sjellë tundime tër eja, ma të randa,
shpërthen në mendje si agim’ i purpurt
mbi nënkresën e shkyeme,
si thirrjet e largëta, t’kuqrremta…
Sepse – cdo mengjes asht nji thirrje e dhimbshme:
– Bukë për sot, o jetë, pse shume buzë presin prej meje!

…Dhe vetëm nganjiherë, n’mbrendi, botnat e reja vetojnë
hareshëm: dit’ ma t’lumtuna u bijnë atëherë në t’pame
dhe rrugët bardhoshe, si amë lumenjsh,
shkrihen, burojnë n’vetëdije dhe vizllojnë para syve:
-Bukë do të ketë… dhe punë… -pëshpërisin
buzët e dridhshme.
-Votër të nxehtë për të gjithë! – dhe shikimi
depërton në thellësi, zbulon botnat e meshehuna,
dhe dalin para syve –
fushat
qytetet
njerëzit…

Zbulohet jeta e dëshrueme!…

Mëngjesi për ta asht andërr e kputun në zhgjandërr
T’zezë e t’mundishme,
thirrje e pamëshirshme për derdhjen e djersës
e t’gjakut
Qyteteve t’largëta, rrugëve… për kafshatën e thatë-
ai asht zgjim i idhtë, plot andrrime për bukë. / KultPlus.com