Bekim Lumi dhe veprat e tij mjeshtërore teatrale, të cilat e bënë të pavdekshëm

Uranik Emini

Të gjithë, përfshirë këtu edhe njerëzit, përfundimisht një ditë duhet të vdesin. Të gjitha gjallesat largohen nga ky planet dhe pranojnë vdekjen, por ata që krijojnë art lënë një trashëgimi që ruhet dhe kujtohet nga brezat e ardhshëm, duke i bërë ata të pavdekshëm. Vetëm arti dhe veprat njerëzore që i veçojnë individët si të lartë apo të ulët në jetën e tyre janë të përjetshme në këtë vend. I tillë është edhe rasti i regjisorit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi, i cili u përkujtua në katër vjetorin e vdekjes së tij me ekspozitën “U artësofshi”, e cila në koncept ka artin unik teatror të Lumit. Ekspozita u hap mbrëmë në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku miq, familjarë e artdashës u bënë bashkë që të kujtojnë, siç e bëjnë tradicionalisht, edhe një herë tjetër Lumin, shkruan KultPlus.

Përgatitjet për hapjen e ekspozitës kishin nisur prej kohësh, por planet nuk po shkonin ashtu siç duhej, për shkak të motit, i cili në bipolaritet ekstrem ndryshonte nga minuta në minutë. Në momentin që njerëzit po përgatiteshin të uleshin jashtë në amfiteatrin e Lapidariumit, filloi të bjerë shi. Mirëpo, shiu i verës, i cili mbi të gjitha na freskon të gjithëve, u ndal dhe ekspozita nisi siç ishte planifikuar që në fillim.

Ndihmës-kuratori dhe aktori i njohur, Afrim Muçaj, bëri hapjen e kësaj ekspozite, me ç’rast edhe pati një fjalë hyrëse.

“U Artësofshi, ishte shprehja më e dashur e Lumit, prandaj me këtë titull në shënimin e përvjetorit të vdekjes së tij po e hapim edhe këtë ekspozitë të kuruar nga artisti Mentor Berisha”, thotë Muçaj, i cili ftoi dramaturgun dhe kritikun e artit, Arian Krasniqi për një fjalë rasti.

“Vdekja e hershme e regjisorit të teatrit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi (1966-2018), para katër vjetësh, nuk ishte fundi i lojës me jetën dhe teatrin e tij. Siç do ta thoshte shumëkush, vdekja fizike e një artisti është përjetësi dhe shenjtëri, njëkohësisht. Prandaj, që nga ndarja fizike e tij nga kjo botë, kujtimi dhe malli për të nuk zvetënohen. Përkundrazi! Çdo përvjetor i vdekjes së tij është më i veçantë se tjetri, sepse, testamenti krijues artistik i Bekim Lumit është i disallojshëm: shfaqje të jashtëzakonshme teatrore, poezi, shkrime e botime diskursive, e deri te këngët e tij. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, jeta dhe vepra e këtij artisti nuk mund të përthekohet me vetëm një ngjarje përkujtimore. Kujtesa për të dhe veprën e tij meriton të jetë e vazhdueshme, sepse ai me artin e tij foli gjithëkohshëm, edhe për brezat, që do të vijnë pas nesh”, thotë Krasniqi.

Ai tregon se në vargun e përkujtimeve për Lumin, ky vit shënon një veçanti të theksueshme.

“Kjo ekspozitë përmban fotografi të përzgjedhura me kujdes dhe kreativitet nga ana e kuratorit. Në thelb të ekspozitës qëndron koncepti për artin unik teatror të Lumit. Fotografitë nuk janë kronologji e jetës dhe veprës së Bekimit, përkundrazi, konceptualisht qëndrojnë mbi idenë e përshfaqjes vizuale, jo vetëm të shfaqjeve teatrore, por edhe të procesit krijues laboratorik, që Lumi e kultivoi, ndër vite, me aq pasion”.

Krasniqi shton se imazhet e sjella këtu reflektojnë një pasqyrim më besnik të krijmatrisë unike dhe të botës artistike të Bekim Lumit.

“Fotografitë e shfaqjeve kapin momentet më të veçanta dhe më kulmore të situatave dramatike, të ekspresivitetit aktorial dhe gjetjeve kreative regjisoriale. Po ashtu, fotografitë e procesit krijues përjetohen si gërmim në thellësinë laboratorike të krijimtarisë së Lumit. Ngjajshëm si në hulumtimet arkeologjike, sa më thellë të gërmohet aq më shumë do të mahnitemi me thesarin artistik e krijues të tij. Këto fotografi dhe shumë të tjera, të pa ekspozuara, e përafrojnë imazhin për profilin krijues të Bekim Lumit si regjisor teatri”.

“U artësofshi!”, është thirrja e kumbueshme e Lumit artist. Këtë thirrje, në formë klithjeje e urate, njëkohësisht, e ndjejmë edhe ne sot! Po, sepse është testamenti i Lumit qiellor”, përfundon dramaturgu.

Liburn Jupolli në kuadër të Ministrisë së Kulturës, adresoi disa fjalë rreth krijmtarisë dhe punës së Bekim Lumit ndër vite.

“Nuk mund të flas vetëm në cilësinë e këshilltarit për të ndjerin Bekim Lumi, për arsye se edhe vetë kam pasur rastin që të jem bashkëpuntor i tij i afërt dhe të ndjej atë energjinë “solare” që e ka pasur për gjithë artin. Fillimisht do të doja që të adresoja si fakt veprimtarinë e tij që është shumë me rëndësi edhe në nivel shtetëror por edhe gjithë trashëgimisë tonë kulturore. Veprimtaria e tij jo vetëm shfaqet, por edhe gjithë procesi i tij, ku kemi rastin ta shohim në këtë ekspozitë, është një shembull vetë figura e Bekim Lumit se si dokumentohet edhe procesi i punës. Në njërën prej shfaqjeve më shumë se gjashtë muaj më ka rastësis që të jem si bashkëpunëtor në kompozim dhe e kam parë se sa shumë i ndjeri e ka dashtë procesin. Ministria e Kulturës do të vazhdojë që të mbështesë të gjitha organizimet e tilla që e shtyjnë përpara dokumentimin e figurave tona artistike, specifikisht Bekim Lumin me tërë pasionin e tij për artin dhe për trashëgiminë tonë shpirtërore”, përfundon ai.

Ndërkaq, kuratori Mentor Berisha, me emocione në fytyrë falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre.

“Faleminderit që jeni të pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite në nderim të Bekim Lumit. Unë vërtet jam shumë i gëzuar që jam kurator i kësaj ekspozite. Kemi përzgjedhur 10 shfaqje të tij e materiale të tjera të veçanta. Kur ke parasysh edhe kur ke pranë vetes një art shumë dimensional si të Bekim Lumit, vërtetë është vështirë që të bësh përzgjedhjen e tyre, sepse secila shfaqje meriton që të ketë një ekspozim në vete. Por në anën tjetër, të gjitha këto që ne i kemi përzgjedhur për shkak të një arti kaq unik të Lumit, funksionojnë si tërësi. Puna ime duhet të prezantohet në ekspozitë”, thotë ai mes tjerash, duke kujtuar edhe një herë krijmtarinë e jashtëzakonshme të Lumit.

Në një prononcim për KultPlus, e mbushur me emocione dhe me lot në sy, Drita Lumi, kujton kohën e momente të ndryshme që ka kaluar së bashku me Bekimin nëpër vite, përfshirë këtu edhe shfaqjen e saj më të preferuar.

Dashuria për teatrin, e pranishme çdo herë

“Bekimi qysh në fëmijërine e hershme ka tregu shumë talent për teatrin. Ai edhe në jetën e përditshme ka qenë gjithmonë artist. Bekimi ka qenë një djalë i saktë, i zellshëm e punëtor qysh si fëmijë, ka qenë shumë preciz. Nuk mendoj që ai ka qenë ndryshe në jetën artistike dhe ndryshe në familje. Mund të them padyshim që Bekimi ndoshta edhe ka lindur artist”.

Shfaqja e preferuar e Dritës sipërfaq talentin e madh të artistit

“Shfaqja më e preferuar. Kur unë e kom vetë se cila shfaqje është e preferuar, ai ka thënë sikur gishtat e dorës. Por për mua më së shumti më pëlqen shfaqja “Nëna dhe fëmija”, kur e kam parë atë shfaqje kam mbetur shumë e impresionume, e prekur, pasi në thelb ka qenë një shfaqje që prek abortin, fëmijët jetim dhe në përgjithësi i ka dhënë kuptim asaj që artistët klithin dhe çojn procese sociale e politike, gjë që Bekimi e ka bërë në çdo shfaqje të tij”.

Msheftësia e “poemës” së Lumit

“Bekimi ka shkruar poezi si i vogël. Ndoshta ka qenë 10-12 vjeç kur vendosëm që të shkruajmë një poemë, ne po prisnim që ai ta shkruante dhe në atë kohë ne lexonim gjëra të ndryshme sikurse milingonat, shpezët e ndryshëm e gjëra të tjera. Unë i thash atij, Bekë boll e zgjate”, ai mu përgjigj “Jo jo, deri sa ta mbyti milingonën, nuk e përfundoj këtë poemë”. Bekimi ka qenë krijues, ka shkruar si fëmijë, ka bërë regji të ndryshme në klasë. Ai çdo gjë që gjente në shtëpi, mbulesë, kapare ose kapela të ndryshme, ato i ka bërë rekuizita dhe ia ka dhënë shokëve e shoqeve për të bërë shfaqje. Ka bërë shfaqje në klasë, prandaj Bekimi jo rastësisht ky që është, me të vërtet ai ka treguar talent gjithnjë, kjo është e vërteta për Bekimin”.

Shumë artistë kërkojnë të krijojnë diçka që i lëviz emocionalisht njerëzit e tjerë, dhe kështu arti është (për ta) një formë bisede në të cilën ata bëjnë një propozim ose bëjnë një pyetje dhe i takon shikuesit të përgjigjet.

Të punosh me “Lumin”

Në një prononcim të shkurtër për KultPlus, Muçaj shpjegoi se si është eksperienca e punës me Lumin.

“Unë kam punuar dy shfaqje me Bekën, “Këmishën e Gjakut” në 2010 dhe shfaqjen e fundit të tij, “arturo ui” në vitin 2018-të. Padyshim që për mua është kënaqësi e madhe dhe jam i lumtur që sot i kemi ekspozuar, fotografitë e rekuizitat që unë personalisht i kam pasur në dorë në vitin 2010. Janë emocionuese kur i shoh e kur i preki këto rekuizita. Më rikthen në kohë dhe më kujton gjithçka, mënyrën se si i kemi përdor e shumë të tjera”.

Ikja e Lumit, varfëroi gjithë Ballkanin

“Në përvjetorin e tij të vdekjes po shoh shumë zbrazëti dhe jam i mërzitur që nuk e kemi në mesin tonë dhe nuk i kemi këto lloj shfaqjes që i shohim në fotografi sonte. Jam i mërzitur që nuk i kemi aktive nëpër teatrot e Kosovës. Unë mendoj që Ballkani në përgjithësi është shumë i varfër prej artistëve, sidomos prej nivelit të Bekimit, e ka varfëru shumë skenën kulturore e teatrore ikja e tij. Ai ka punuar në Kosovë kryesisht, por edhe në Gjermani një kohë. Shfaqjet e tij kanë udhëtuar në Ballkan e në Evropë. Unë personalisht mendoj që jemi të varfur edhe si shtet kulturalisht me mos-prezencën e shfaqjeve të Lumit në arenën ndërkombëtare”.

Bekim Lumi, i njohur zakonisht si “Lumi”, la një numër të madh shfaqjesh pas tij, por më së shumti do të mbahet mend për punën e tij mjeshtërore teatrale, e cila e ngriti në pavdekësi. Artistët dhe puna e tyre janë pjesë e përhershme e njerëzimit. /KultPlus.com

‘Ditëlindja’ dhe ‘Gogoli’, shfaqje premierë në Dodonë

Përgjatë muajit qershor në Teatrin Dodona do të jepen dy premiera, shkruan KultPlus.

Më 8 qershor me fillim nga ora 19:30 do të jepet premiera e shfaqjes “Ditëlindja” nga Ivo Martinić, në regji të Ilirjana Arifit, në skenën e mbrëmjes.

Kurse më 19 qershor me fillim nga ora 12:00 do të jepet premiera e shfaqjes “Gogoli” nga Arian Krasniqi, në regji të Mentor Berishës në teatrin për fëmijë./ KultPlus.com

Mentor Berisha sjellë ekspozitën personale “Frymëmarrje në Gardh”

Më 23 janar në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita “Frymëmarrje në Gardh” e artistit Mentor Berisha.

Kuratori i kësaj ekspozite është profesor Fadil Hysa.

“Mentor Berisha është piktor dhe skulptor i brezit të ri të artistëve figurativ të Kosovës i cili kultivon një stil të veçantë pikturimi dhe skulpturimi, që rrallë e ndeshim tek artistët e brezit të ri. Në pikturat e tij mund të shohim imazhe nga e kaluara jonë, e cila rrezikon të tretet në harresë por fatmirësisht, ndonjëherë rrallë, si në këtë rast, ato ri-gjejnë rrugën e kthimit në kohën tonë përmes laboratorit krijues të artistit”, thotë kuratori, thuhet në komunikatën dërguar për medie.

“Frymëmarrje në Gardh” vjen më 23 janar me fillim nga ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ekspozita mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe drejtohet nga Dhurata Ramosaj Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës./ KultPlus.com