Nga: Mentor Hajrizi
Brezave të rinj u mungon ndjenja e atdhetarizmit, t’u flasësh për gjenocidin u duket trillim!
Dje dhe sot me nxënësit folëm për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, në vitet e luftës 1998—1999.
Në kuadër të njësisë mësimore për ushtarin çlirimtar, të ardhur nga mërgimi në luftë, ndër të tjerash, me nxënësit diskutuam hapur për skenat e llahtarshme të paraqitura në vitet nëntëdhjetë. Tok ndoqëm reportazhe televizive në klasë dhe komentuam dhunën e serbëve mbi kosovarët.
Pyetjet e mia ishin: Ç’kuptoni me fjalën “gjenocid”? Çfarë dini për gjenocidin e Serbisë në Kosovë?
Nga përgjigjet e marra, të nxënësve, vërejta qartë se për gjenocidin në Kosovë kishin dëgjuar pak e hiç. Ata zbehtë më flisnin për masakrën e bërë në Reçak, por jo të dinin më edhe për ndonjë masakër tjetër.
Derisa po u flisja për gjenocidin, ligjërimin tim po e argumentoja me pamje dhe njëkohësisht me ato ngjarje më hipën të dridhurat.
Por…
Mendoj se prindërit, po edhe mësuesit, duhet të diskutojnë më tepër me fëmijët për sakrificën e popullit shqiptar dhe për gjenocidin në përgjithësi. Po kështu fëmijët tanë do të kenë ndjenja atdhetarizmi dhe do të njihen më mirë me historinë tonë tashmë të shkruar.
Orën e mësimit e përfunduam se me fjalën “gjenocid” kuptojmë dhunën e egër ose shfarosjen e plotë a të pjesshme të një popullsie ose të grupeve të veçanta kombëtare, të bërë nga një qeveri. /KultPlus.com