Kryeministri Kurti: Pa mërgatën s’do të arrihej lufta për çlirim dhe pavarësia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Mynih të Gjermanisë ka thënë se afër 120 mijë bashkëatdhetarë jetojnë e punojnë atje.

Në Facebook, kryeministri Kurti, ka shkruar se pa mërgatën nuk do të arrihej lufta për çlirim e deri te pavarësia.

“Afër 120 mijë bashkatdhetarë tanë jetojnë e punojnë në Bavari. Shumë prej tyre jetojnë mes Gjermanisë dhe Kosovës, e secili është urë bashkuese ndërmjet dy vendeve. Lidhja e fortë me vendlindjen dhe atdheun është dëshmuar vendimtare në momentet më kritike, nga lufta për çlirim e deri te përpjekja për pavarësi. As njëra e as tjetra nuk do të arrihej pa mërgatën tonë të çmueshme. Pritja madhështore në Mynih dhe interesimi i lartë për zhvillimet e progresin në vend na tregon se lidhja sa vjen e shtohet”, ka shkruar ai.

Mërgata shqiptare dërgoi mbi 1 miliard euro për 11 muaj

Gjatë muajit nëntor mërgimtarët shqiptarë kanë dërguar 101.3 milionë euro remitanca.

Por për 11 muaj dërgesat financiare të diasporës shkojnë në 1 miliard e 217 milionë euro, sipas raporteve preliminare të Bankës Qendrore të Kosovës, përcjell KlanKosova.tv.

Krahasuar me 11 muajt e vitit paraprak, është regjistruar rritje prej 10.2 përqind.

Derisa vetëm për muajin nëntor nga 101.3 milionët – 65 përqind e tyre janë dërguar përmes institucioneve financiare jobankare, 19 përqind kanale të tjera dhe 16 përqind e mjeteve janë trensferuar përmes bankave./KlanKosova/ KultPlus.com