Pamje nga kolona në Merdare, ku mërgimtarët po presin deri në 5 orë për të hyrë në Kosovë



Mërgimtarët që ia kanë mësyrë Kosovës për festat e fundvitit, po vazhdojnë të përballen me pritje të gjata nëpër pika kufitare edhe sot.

Sipas infografikës së publikuar nga MPB’ja, kolona në Merdare është deri në 2 mijë metra. Pritjet në këtë pikë kufitare po zgjasin deri në pesë orë.

Pritje ka edhe në Jarinje. Për të hyrë në Kosovë, përmes kësaj pike kufitare duhet të prisni deri në 70 minuta / KultPlus.com

Dalin statistikat, kaq mërgimtarë vizituan Kosovën këtë verë

Gjatë muajit gusht, duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në vendin tonë kanë ateruar 3,034 aeroplanë, në total me mbi 383,776 mërgimtarë.

Sipas Zyrës për Informim të ANP-së, brenda kësaj periudhe prijnë udhëtarët nga Zvicra.

“Gjatë muajit gusht janë realizuar 3,034 fluturime me 383,776 udhëtarë. Prinë Zvicra me numrin e udhëtarëve me 33.82 për qind, Gjermania me 31.53 për qind, Turqia me 15.08 për qind të totalit të udhëtarëve, më pas vjen Austria, Suedia dhe Anglia”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre për Telegrafin, transmeton KultPlus.

Ndërsa, gjatë tërë muajit korrik ishin realizuar 1,327 fluturime me 221,728 udhëtarë në ardhje dhe 118,477 në shkuarje.

Po ashtu, mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë tregojnë se gjatë gjashtë mujorit të vitit 2021, diaspora ka dërguar 117.5 milionë euro më shumë sesa viti 2020. Për këtë periudhë, në vendin tonë u sollën 552 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 434.5 milionë euro, pra 113.3 milionë euro më shumë.

Ndërsa, Banka Botërore thotë se që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë janë dërguar 12.6 miliardë euro.

Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është 18.5 për qind.

Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë: 2008 – 858 milionë euro, 2009 – 865 milionë euro, 2010 – 825 milionë, 2011 – 814 milionë euro, 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliardë euro dhe 2020 – 1.8 miliardë euro.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë. /telegrafi/ KultPlus.com

Gjest i mirë nga mërgimtarët në Merdare: Pastrojnë ambientin derisa presin në kolonë

Mërgimtarët nuk qëndrojnë kot gjatë kolonave të gjata në pikë-kalimin kufitar në Merdare.

Pas përfundimit të pushimeve, mërgimtarët po kthehen në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.

Pritje të gjata ka ditët e fundit në pikë-kalimet kufitare në Kosovë, por kohë pas kohe ka pritje më të shkurtër.

Të shtunën, disa mërgimtarë që kishin ngecur në kolonë rrugës për në vendet evropiane, bën një gjest për t’u duartrokitur.

Ata bashkë me disa fëmijë, filluan ta pastronin ambientin në vendin ku ishin ndalur në kolonë. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti i shkruan letër Plenkovićit: Kosova s’do ta harrojë kurrë aktin e humanizmit të Kroacisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër falënderimi kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, nëpërmjet së cilës ia ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën që shteti dhe institucionet shëndetësore kroate ua ofruan bashkatdhetarëve tanë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, thuhet në njoftimin e kryeministrisë të publikuar në uebfaqen zyrtare.

Kryeministri Kurti ka thënë se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate për t’u ofruar trajtim mjekësor të lënduarve dhe strehim udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat më të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

Angazhimi juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona, ka shkruar në letër kryeministri Kurti.

Ai e ka siguruar kryeministrin e Kroacisë se populli dhe Qeveria e Kosovës nuk do ta harrojë kurrë aktin e tij të humanizmit e solidaritetit dhe se Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Plenković.

Falënderimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Shumë i nderuari Kryeministër Plenković,
Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim personal, pranoni falënderimet më të përzemërta për ndihmën që na e ofruat në një situatë të rëndë për vendin tonë.

Reagimi Juaj i shpejtë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë tanë, trajtimi mjekësor i të lënduarve dhe strehimi i udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat Tuaja të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona.

Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë.

Me konsideratën më të lartë, ju sigurojmë që Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Ju.

S poštovanjem i zahvalnošću,

Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Osmani, Konjufca dhe Kurti ngushëlluan familjet e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar për ngushëllime familjet e personave që kanë humbur jetën në aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë, përcjellë KultPlus.

Që të tre krerët shtetëror u kanë shprehur ngushëllime familjarëve, duke i siguruar ata se do të kenë mbështetje institucionale. Ata kanë përmendur edhe ndihmën e pakursyeshme të shtetit kroat për t`u dalë në ndihmë të aksidentuarve, duke falënderuar strukturat shtetërore për angazhimin.

Presidentja Osmani ka theksuar se një fatkeqësi si kjo është dhimbje për gjithë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

Kryetari i Kuvendit, Konjufca theksoi se dhimbja për mërgimtarët që humbën jetën është e madhe, ngase erdhën për vizitë në familjet e tyre për ta gjetur gëzimin, por e gjetën vdekjen.

Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se kjo tragjedi nuk është vetëm e familjeve, por e të gjithë kombit. Sipas tij, dhimbja duhet të kthehet në forcë për ta përballuar më lehtë këtë humbje të madhe.

Në ditën e parë të vizitave, të tre liderët institucionalë kanë vizituar familjet e Ahmet Hoxhës, Anjeza Bellanicës, Kujtim Kastratit, Leonora Kolemekshajt, Naser Sylemetajt, Erlinda Binakajt, Valentina Zhubi-Binakajt dhe Gjylë Malokut, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit të rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë.

Vizitat ngushëlluese do të vazhdojnë të premten edhe në familjet e tjera. / KultPlus.com

Bëri thirrje për më shumë hapësirë për mërgimtarët, Komuna e Gjilanit sërish me njoftim: Dilni sa të doni

Komuna e Gjilanit, sot gjatë ditës u ka bërë thirrje banorëve të komunës që të përmbahen nga daljet e panevojshme për t’ju lënë më shumë hapësirë mërgimtarëve që ndodhen në pushime.

Pas këtij njoftimi, komuna ka dalë sërish me një sqarim në faqen e tyre zyrtare, ku thuhet se njoftimi ka qenë në frymën e asaj që qytetarët të tregojnë më shumë kujdes për vetën e edhe për mërgimtarët.

Ndërsa krejt në fund të njoftimit, komuna u drejtohet qytetarëve duke u thënë “dilni sa të doni, duke respektuar masat në fuqi”. / KultPlus.com

Komuna e Gjilanit thirrje qytetarëve: Mos dilni pa nevojë, lejoni më shumë hapësirë për mërgimtarët


Fotografia: Fatlum Kosumi

Komuna e Gjilanit, u ka bërë thirrje banorëve të komunës që të përmbahen nga daljet e panevojshme për t’ju lënë më shumë hapësirë mërgimtarëve që ndodhen në pushime.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në këtë komunë ka kërkuar nga qytetarët e Gjilanit që të përmbahen nga daljet pa nevojë gjatë kohës sa aty janë mërgimtarët.

“Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, ndërkohë që ka kërkuar nga qytetarët rezident që të përmbahen nga daljet pa nevojë në qytet, gjatë kohës derisa janë këtu mërgimtarët, për t`iu lënë më shumë hapësirë e mundësi atyre që t`i shijojnë pushimet në vendlindja”, thuhet në njoftimin e kësaj komune./ KultPlus.com

@Fatlum Kosumi

E fundit rrugë e mërgimtarit

Nga Artina Hamitaga

U lodha pram kogja shumë tu i palu teshat,  nejse t’miat s’pata shumë, po i kam mledh do bakshishe me ja qu atyne të shpisë.

Që dy vjet s’e kam pa nanën, për  ta m’ka djeg malli, m’ka prit shumë k’si hovi. Ja kom ble ni kmishë me lula se e di që qashtu i ka qef. Babës nuk i blejta kurgja, ati ja kom mledh do pare me ja qu, me ja kry do derte gjatë vitit.

Motrave do fustana, i kena do darsma te kusherit, e m’i vesh m’i ndrru.

S’po m’pritet mu ba bashkë me nejt deri vonë tu fol e tu kesh.

M’than që dalin te stacioni edhe nipi e mesa me’m prit. U rriten une pa i pa. Ktyne ju kom ble ma shumë sene se fmija gëzohen, ishalla ju bin taman.

10 dite sa t’rri n’Kosove s’kam me lan birë e skutë pa e kërku se shumë m’ka marr malli, edhe për rrasat e plemëv  t’vjetra që ju kanë met atyne kojshive, edhe për qato jam përmallu.

I mora koferat e me veti edhe ni çantë t’vogel me i rujt do pare se m’i kan dhan shoqnia me ja qu neper shpija familjarëve t’vet, e mos po më hupin naj kah.

Ma kishin lan karrikën e dytë ka dritarja, u gëzova se kam qef me kqyr udhën, m’shkon koha ma shpejt dyqysh.

Rruga e mar e t’fala krejtve- u nike zani i atyne qe kishin ardh me i percjell t’vet.

Ja qova ni’ mesazh ktyne te shpisë që u nisa, thash veq nanës mos i kallxoni se natë e ma ban gajlën nuk flen.

Ngjit me mu ke ni djal i ri, student. Ja pata lakmine qe po shkollohet, edhe pse mu dok qe ishke i hekun keq. Po ni ditë sa qare pa dal në selamet se po msojke.

Ishke gzushem edhe ai, mas dy dite kish me martu vllaun.

E kqyrsha xhamin edhe i njehsha ortë sa kanë kalu, e edhe sa m’kanë met për me m’rri.

Si t’shkoj ka mi than nanës me ma qit ni pite. Kuku cka kokna untu dicka, edhe bash kur të shkoj në Kosovë më hin terpia’, nashta përmallshëm për bukën tonë.

Kish nis pak me’m kot gjumi, krytë te xhami i autobusit, e anrrat mkishin qu te dera e shpisë.

Nuk mrrina me qel derën e me hi mrena, nji kersimë e madhe u ni e ma prishi gjumin.

Nuk mujta m’i qel syte mire, veq e nijsha që mu kish mush trupi me copa te xhamit dhe që isha mlu me gjak.

M’erdh ma leht me i mshel sytë apet, gjeta qetësi e dritë.

Ata te shpisë kokan qu herët po me presin. Une po i shoh prej naltit po ata nuk po m’shohin mu.

Nanë veq me ni marak shkova, që shumë m’ki prit ksi hovi, e që s’un ta nita erën edhe ni herë.

Nashta qaj kofer i jemi ju mrrin, veshni teshat qe ja kam ble diten kur kini me’m përcjell për herë të fundit, se ja u kam ble me paret e njerses e mallit. Kom pas qef me ju pa mire e t’bukur.

Babes nashta i dalin paret për  vorrim temin, mos bani shumë shpenzime, runi do se ju vyn.

Nanë une po vonona pak, po kur t’vi k’si hovi, ma nuk iki prej Kosovës, trupin tem qaty kini me ma vorros, n’qat tokë që e kom pas mall që sa e sa vjet. / KultPlus.com

Pritje të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë, kolona deri në 350 metra

Mëgimtarët po presin deri në 1 orë e gjysmë për të hyrë në Kosovë, për shkak të kolonave të gjata nëpër pikat kufitare.

Kjo ndodh më shpesh gjatë kohës së pushimeve vjetore kur drejt Kosovës nisen numër i madh i mërgimtarëve nga vendet evropiane, transmeton KultPlus.

Në pikën kufitare në Jarinje për të hyrë në vend duhet të prisni deri në 80 minuta, ndërsa në dalje deri në pesë minuta.

Në Dheun e Bardhë deri në 40 minuta është pritja në hyrje si dhe në dalje deri në pesë minuta.

Në pikën kufitare në Merdare për të hyrë në Kosovë duhet të pritni deri në 50 minuta, kurse për të dalë deri në 35 minuta.

Ky është numri i mërgimtarëve që erdhën në Kosovë gjatë dhjetorit

Fluks i madh i mërgimtarve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ishte në muajin dhjetor.

Nga 1 dhjetori e deri m 31 dhejtor, 127.879 pasagjerë kanë udhëtuar për në Kosovë, referuar të dhënave nga aeroporti “Adem Jashari”.

Ani pse numri ishte i lartë, dhjetori i vitit 2019 kishte më shumë të ardhur. Në vitin 2020, kishte -30.92% nga dhjetori i vitit 2019.

Nga ana tjetër, duhet theksuar se gjatë muajit dhjetor kishte 1,090 fluturime (-20.55% nga dhjetori i vitit 2019).

Po ashtu, statistikat tregojnë se 1.104.322 udhëtarë gjithsej kanë lëvizur përmes aeroportit në vitin 2020, ndërsa sa u përket fluturimeve në vitin 2020, gjithsej ka pasur 9.206 fluturime.

Sipas të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” në periudhën janar-dhjetor 2020 numri i vizitorëve nga jashtë në Kosovë ishte rreth 53.48% më i ulët se në vitin 2019, shkruan tutje albinfo.ch. /express/ KultPlus.com

Mbi 9 mijë mërgimtarë erdhën të shtunën në Kosovë përmes Aeroportit të Prishtinës

Mijëra bashkatdhetarë kanë ardhur të shtunën në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka bërë të ditur se mbi 9 mijë bashkatdhetarë kanë ardhur dje, teksa u realizuan 35 fluturime komerciale.

Në anën tjetër, edhe kufinjtë tokësor ishin të mbushur me vetura drejt Kosovës. /express/ KultPlus.com

IKSHPK lutje për mërgimtarët: Kësaj radhe do të na ndihmoni nëse qëndroni atje ku jeni

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë një lajmërim me rëndësi për të gjithë mërgimtarët. Së pari kërkohet që të mos zgjidhet rikthimi në Kosovë në këtë kohë, ndërsa për ata mërgimtarë që kanë ardhur lutet që të futen në karantinë për 14 ditë.

Ky është lajmërimi i plotë nga IKSHP:

Të nderuar Qytetarë të Republikës së Kosovës!

Ju lutemi me shpirt:

QËNDRONI NË SHTËPI pranë të afërmve tuaj dhe ndiqni rekomandimet tona sa më shumë që të keni mundësi!

Bashkatdhetarë të nderuar që keni ardhur në atdhe! E di që keni mall për atdhe dhe keni ardhur të vizitoni familjen dhe të dashurit tuaj!

Kësaj radhe na ndihmoni duke qëndruar në shtëpi pranë të afërmve tuaj.

QË TË TREGONI ATDHEDASHURI DHE PATRIOTIZËM:

PA SHTRËNGIM DUARSH!

PA PËRQAFIME!

QËNDRONI NË DISTANCË NGA NJËRI TJETRI SË PAKU 2 METRA LARG!

LANI DUART SA MË SHPESH ME UJË E SAPUN!

AJROSNI SHTËPINË DHE MBANI HIGJIENĒN PERSONALE DHE HIGJIENËN E SHTËPISË!

KUR TESHTINI, MBULONI GOJËN ME GROPËZËN E BËRRYLIT APO ME FACULETË!

Për bashkatdhetarët që akoma nuk kanë ardhur në Kosovë:

JU LUTEMI QË TA SHTYENI VIZITËN NË ATDHE DERI NË KALIMIN E KËSAJ SITUATE!

KËSAJ RADHE DO TË NA NDIHMONI NËSE QËNDRONI ATJE KU JENI!

Nëse keni vendosur patjetër të vini në Atdhe keni obligim të detyruar të qëndroni 14 ditë të vetëkarantinuar!

Nëse keni ardhur tashmë në Atdhe, ju lutem qëndroni në vetëkarantinë dhe bëni gjestin patriotik: përmbajuni rregullave të vetëkarantinës!

Nëse keni shenja dhe simptoma të dyshimta në lidhje me COVID-19 na thirrni në qendrën e thirrjeve 03820080800 për informata të nevojshme!