“Mbeta i shtangur nga prania jote, që kur të pashë për herë të parë. Ti erdhe në studio për të parë pikturat e mia. Sa më shumë të njihja aq më mirë ndjehesha. Më pëlqente mënyra se si arrinim të bisedonim, ëmbëlsia me të cilën ti më nxisje që të flisja për veten time. Më bëje aq pyetje sa nganjëherë ndjehesha keq, por falë shpirtit tënd dhe inteligjencës tënde, arrija të të tregoja gjithçka që ti doje të dije. Mjaft njerëz më quanin tip interesant, sepse jam një njeri ndryshe. Për ato unë jam vetëm një zbavitje, e destinuar për t’u harruar shumë shpejt, sapo t’ju shfaqet dikush tjetër më kurioz se unë. Ndërsa ti arrite të nxirrje nga thellësia e shpirtit tim ndjenjat që aq rrallë unë i ndaja me dikë tjetër. Ishte aq bukur dhe është akoma.
Mbasi u bëmë miq, të kërkova që të martoheshim. Që nga ajo ditë ti fillove të më lëndoje. Dhe vazhdoje ta bëje. Unë vuaja, por sa herë takoheshim (në atë kohë takoheshim dy herë në javë), ti më thoje: «Kahlil, më duket se të kam lënduar të mërkurën e kaluar», ose të premten ose një ditë çfarëdo. «Më fal, nuk doja ta bëja.»
E më pas bëheshe krijesa më e ëmbël e botës, dhe unë mendoja : «Kjo është Meri që dua». Ndërsa ti pak para se të mbaronte takimi, nuk rezistoje dot pa nxjerrë nga goja diçka brutale. Asgjë nga ato që unë mund të thoja apo të bëja, nuk të ndalonte dot. Ti ishe agresive dhe më vrisje. Kthehesha në shtëpi dhe reflektoja:
Nëse e pranoj diellin, të nxehtit, ylberin, duhet të pranoj edhe djegjen, stuhinë e tufanin.
– Unë përpiqesha ta bëja, por e ndjeja që gjërat e rëndësishme brenda meje, po vdisnin pak nga pak. Në zemrën time gjërat tashmë kishin ndryshuar, sepse shpirti im nuk rezistonte më të lëndohej pa fund. Duhet të mbrohesha. Dhe vazhdimisht i përsërisja vetes:
– Një lidhje më intime me këtë grua është e pamundur?
Natyrisht edhe kjo strategji nuk dha asnjë rezultat. Edhe kur unë të rrëfeva se çfarë po më ndodhte. Por që nga ai moment, ti nuk më lëndove më kurrë. I shkruaja të gjitha këto për të të treguar se si i kam përjetuar unë vitet e para me ty. Gjërat më të rëndësishme nuk kanë ndryshuar kurrë: ndjenja, pasioni, gjithçka ka mbetur si atëherë, dhe do të jenë kështu përgjithmonë. Do të të dua përjetësisht, siç të desha shumë kohë para se të takoja për herë të parë. Dhe këtë unë e quaj fat. Asgjë nuk mund të na ndajë. As ti dhe as unë nuk mund ta ndryshojmë më këtë lidhje. Do të doja që ti t’a kujtoje për tërë jetën tënde se je njeriu më i rëndësishëm i botës sime. Se edhe nëse do të martoheshe shtatë herë, me shtatë burra të ndryshëm, zemra ime do të ishte gjithmonë si një herë e një kohë.
Vetëm sot arrij ta kuptoj pse martesa jonë ishte e pamundur. Ajo do të na kishte shkatërruar të dyve. Ne e jetuam jetën së bashku në një mënyrë krejt tjetër: prandaj dhe shpëtuam. Ti më ke ndihmuar që të zbuloj veten time dhe punën time. Edhe unë mendoj që kam bërë të njëjtën gjë me ty, dhe falënderoj Qiellin që jemi së bashku.”/KultPlus,com